Shtune, 22 Nentor 2008 13:40:57

Lexoni versionin Print

Rreziku i një shoqërie, harresa e së kaluarës

"Leksione Pianoje", e Jane Campion e Michael Nyman është një nga pjesët e shfaqura në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan e më tej në Teatrin Kombëtar në Tiranë.

Bardha Nergjoni
Diel, 12 Tetor 2008 09:08:00

Intervistë me regjisorin e dramës “Leksione pianoje”, Carlo Bruni, mbi shqiptarët dhe traditën e harruar

“Leksione Pianoje”,e Jane Campion e Michael Nyman është një nga pjesët e shfaqura në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan e më tej në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Një rishikim nga Michele Santaremo e Carlo Bruni. Një lojë e mrekullueshme që ka emocionuar publikun elbasanas dhe atë të kryeqytetit. Regjisori italian Carlo Bruni, drejtor i teatrit të Barit në Itali, në një intervistë për gazetën tregon sesi ka ardhur në Elbasan, përshtypjet për shqiptarët dhe këndvështrimin e tij për marrëdhënien me traditën. Është hera e tretë që vjen në Shqipëri nëpërmjet dy spektakleve në Tiranë dhe në Vlorë, por si pjesëmarrës në një festival teatri, vjen për herë të parë.

Pse vendosët të pranoni ftesën për të marrë pjesë në festivalin teatror të Elbasanit?

Jam shumë i lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët. Në Itali kam organizuar dikur një spektakël, duke ftuar atje edhe realizuesit e filmit “Parullat” e shumë pjesë të tjera. Mendoja se nuk do të kishim pjesëmarrës, por për habinë time salla u mbush me spektatorë dhe shumica e tyre ishin shqiptarë, që kishin marrë për dore edhe fëmijët e tyre. Më ka rënë rasti të mësoj shumë për shqiptarët dhe kam mbetur i habitur sesi ju e njihnit Italinë, kulturën dhe gjithçka të saj, ndërsa ne injoronim ekzistencën tuaj. Vendosa të vij në Tiranë me veprën“Hekuba dhe fëmijët” në vitin 1998, kur Shqipëria sapo kishte kaluar periudhën e errët të trazirave. Në këtë pjesë kori është realizuar nga aktorë të Akademisë së Arteve. Më pas rikthimi im ka qënë me pjesën “La Bella e la Bestia” në Tiranë dhe në Vlorë.

Ç’mendoni për situatën në Shqipëri dhe për shqiptarët?

Kujtesa e njerëzve është shumë e brishtë. Edhe ne italianët jemi konsideruar si ju shqiptarët në Amerikë, në Belgjikë. Edhe unë vetë jam fëmijë emigrantësh. Kur erdha nga Tirana, më rastisi rrugës të shikoja një grua me shami në kokë. Ajo përfaqëson traditën, historinë dhe kujtesën e një populli. Fjala tradhti dhe traditë janë mjaft afër me njëra-tjetrën. Ti mund të jesh me të ardhmen, inovativ, duke tradhtuar traditën dhe rrënjët e tua, ndërkohë që mund të qëndrosh tek e ardhmja, por duke u mbështetur në traditë.

Ky ekuilibër për mua është shumë i rëndësishëm. Mund të jeni inovativë në teatër, por duke pasur një marrëdhënie me traditën. Ky është rreziku edhe i shoqërisë suaj, pasi keni frikë nga tradita për shkak të komunizmit. Për të kaluar atë që kemi qenë është e rëndësishme ta njohim dhe ta kujtojmë, pasi nuk mund t’i fshehim gjithmonë. Ne ngjajmë shumë, pasi Shqipëria po jeton një proces të njëjtë me atë që ka jetuar Italia rreth 50 vite më parë. E rëndësishme është që të mos bëni të njëjtat gabime që kemi bërë ne.

Sa e rëndësishme është kultura në komunikimin mes popujve?

Unë jam drejtor i teatrit në Bari. Shtypi ka një rol të rëndësishëm që publiku të ndjekë vlerën e kulturës dhe peshën e saj. Nëse nuk do të kishte qënë festivali teatror, nuk do ta kisha njohur Elbasanin dhe kjo tregon se kultura është një komunikim mes popujve. Është e vështirë që ta kuptojë këtë gjë një politikan. Përshtypja që unë pata për Elbasanin është se ju keni shumë potenciale, por duhet t’i shpëtoni rrezikut për të shkatërruar objektet e traditës. Duhet të kishte shumë më tepër objekte për t’u vizituar. Unë mendoj që është një moment i historisë shumë delikat dhe nuk jam optimist. Duhet punuar shumë për të ecur përpara.

Si ju është dukur atmosfera artistike gjatë ditëve të festivalit?

Sot më bëri përshtypje së edhe paradite, kur mendoja se nuk mund të kishte publik, në sallë gjeta qytetarë të thjeshtë. Në festivale zakonisht qëndrojnë specialistë dhe ekspertë ndërsa këtu, vura re një raport më të afërt midis njerëzve dhe teatrit. Dua të falënderoj edhe drejtorin ë festivalit, që spostoi shfaqjen e tij duke sjellë paradite për të lënë spektaklin tonë në mbrëmje.

Publiku shqiptar e njeh “Leksione Pianoje” nga një prodhim mjaft i mirë kinematografik, pse zgjodhët pikërisht këtë pjesë për ta ngjitur në skenë?

Kemi krijuar këtë punim të bindur nga ideja që dashuria, pikërisht në aspektet e saj më të fshehta, ka lidhje me kuptimin e jetës, dhe ia vlen të jetohet nga të gjithë. Në vënien në skenë të veprës kemi privilegjuar dialogun midis pianos dhe zërit recitues. Daniela Pansini, pianiste, ka frymëzuar këtë pjesë dhe ka përfshirë edhe aktoren Nunzia Antonio.

Ndërsa detyra ime dhe ajo e Michele Santaramos ishte të ndërtojmë tekstin, duke i dhënë një pamje teatrale, pa humbur këndvështrimin koncertal të spektaklit. Shpresojmë që të përcjellim emocione për publikun, pasi kjo është një pjesë që i kushtohet pasionit për muzikën, por në qendër qëndron dashuria. Dashuria mund ta shpëtojë botën. Mjafton pak. Por pyetja që lind është: A ka dashuria hapësirë në këtë botë?

Ky spektakël mbyllet në mënyrë surprizë pas duartrokitjeve. Ne hyjmë sërish në skenë, duke recituar një pjesë që i dedikohet Pjer Paolo Pazolinit, poetit italian. Kjo poezi thotë se ne jemi shumë të nxituar. Është një ftesë për njerëzit që të ndalen pak dhe të ngadalësojnë ritmin, të kenë më shumë kujdes ndaj gjërave. Mesazhi që përcjellim nëpërmjet kësaj përmbyllje është se ne besojmë tek ndjenat, tek fëmijët, tek të moshuarit dhe gjërat e bukura që na rrethojnë.

Në vepër keni përfshirë edhe një pjesë në shqip, pse kjo gjetje?

Mund ta kishim bërë këtë pjesë të gjithën në shqip, por u ftuam për të marrë pjesë vetëm një muaj më parë. Ardhja jonë këtu është e kushtueshme, por ne e dimë se gjendja juaj ekonomike, është e vështirë. Kemi bërë spektakle në vende të tjera të Lindjes, por edhe në ato perëndimore. Në fakt ne ndjekim këtë taktikë, shkojmë në vendet perëndimore për të mbledhur para dhe vijmë në vende si Shqipëria për të sjellë artin tonë, pa kërkuar asgjë si shpërblim. Për mua ishte shumë e rëndësishme të jepnim një sinjal në shqip për të tërhequr vëmëndjen që t’i themi publikut se ne kemi dëshirë të komunikojmë në gjuhën e tij. Një prej aktorëve bën një hyrje në shqip.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Nga drama "Leksione pianoje"

Grupi Drejtues Ndërkombëtar: EULEX-i, në mbarë Kosovën

21/11/08 20:27:00 | Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) sot në Bruksel ritheksoi..

Hyseni në Bruksel: Kosova, shtet i pavarur, sovran dhe integral

21/11/08 18:59:00 | "Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML