Një grup piktorësh në zë shqiptarë dhe disa artistë të tjerë gjermanë e francezë, organizuan këto ditë një ekspozitë- seminar, të titulluar “Parking - Lëvizje paralele”. Janë kryesisht “persiatje” mbi hapësirat publike, kaosin urbanistik, por edhe mbi fenomene të ndryshme sociale, apo edhe ndonjë retrospektivë nga e kaluara
Sy diktatorësh që shohin vjedhurazi, shikime të ngrira kafshësh të balsamosura, makina të mbulara me bar... Një realitet gati surreal në parkingun e një ndërtese të sapo ndërtuar. Një grup piktorësh në zë shqiptarë, Ali Oseku, Ardian Isufi, Najada Hamza, Vladimir Myrtezai e Genc Mulliqi (skulptor), si dhe disa artistë të tjerë gjermanë e francezë, organizuan këto ditë një ekspozitë- seminar, të titulluar “Parking - Lëvizje paralele”.
Ndërsa hapësira e shfrytëzuar për këtë ngjarje gjallon nga pikturat, fotografitë, instalacionet, nis e pyet nëse ishte parkingu nëntokësor që nxiti idetë, apo kjo hapësirë nën “Aba-Tower” iu përshtat ideve të artistëve. Janë kryesisht “përsiatje” mbi hapësirat publike, kaosin urbanistik, por edhe mbi fenomene të ndryshme sociale, apo edhe ndonjë retrospektivë nga e kaluara. Ndryshe nga kolegët piktori Ali Oseku paraqet një grup portretesh. Janë kolegët e tij Myrtezai, Isufi, Hamza, Mulliqi dhe ai vetë. Të shpërndarë nëpër hapësirat e parkingut, ata janë pjesë e pandarë e situatës artistike të krijuar në të, por edhe gjithë problematikës që i shqetëson.
Duke marrë nxitjen nga statuja e gjymtuar e Leninit, e vendosur pas Galerisë Kombëtare të Arteve, piktori Ardian Isufi, kompozon një tjetër vepër. Ia nxjerr kryet Leninit nga mbulesa që i kanë vënë, për t’ju fshehur vështrimeve të kalimtarëve dhe e ka mbuluar me gjethe. Përmes gjelbërimit dallohen sytë vjedharakë të ish-diktatorit, që të duket sikur të ndjekin edhe prej nëntokës. Kësaj vepre, që të sjell imazhin e skulpturës së njohur dhe të ringjall ndjesinë e survejimit, artisti gjerman Erik Göngrich i shton një grumbull podiumesh të vjetër dhe bazamentesh, mbi të cilët dikur kanë ndenjur buste diktatorësh.
Krahas podiumeve boshe, Erik Göngrich, një artist-arkitekt i interesuar për hapësirat publike, sidomos në vendet e Lindjes, bën një kërkim dhe gjen monumentet e statujat e mbetura në kryeqytet. Najada Hamza dhe Genc Mulliqi, kërkojnë të gjejnë pak qetësi, pak gjelbërim në kaosin urban. Mulliqi paraqet një seri fotografish, por ndryshe nga fotografitë që jemi mësuar të shohim rëndom, fokusi i aparatit nuk është drejtuar në ndonjë “gjullurdi” ndërtesash e arkitekturash, por tek ndonjë lule, pas së cilës hapet pamja e kryeqytetit. Sipas artistit ato shprehin përpjekjen e tij për ta parë qytetin në një tjetër këndvështrim. Është kërkimi i qetësisë në kaosin e Tiranës. Ndërsa Hamza e shpreh këtë kërkim në një mënyrë tepër origjinale.
“Vendqëndrim i lejuar për makina, park makinash…Gjatë kam bluar vetë, soditur nga larg fjalën “Parking”, shumëkuptimësitë e saj; park, stacion, vend stacionimi objektesh, lëvizje-përkohshmëri… gardhim i gjelbërt ose jo, gardhim objektesh, teknologjish.
“Classic” quhet makina që stacionoj përkohësisht në këtë park, gardhim betoni. Është një makinë e bukur volkswagen e viteve ’70, së cilës vendos t’i ndërroj “lëkurën”. Një situatë e gjelbëruar i është mbivendosur shtresës së sipërme të saj. Makina, e veshur me bar, kthehet në makinë-Park, dhe në stacionin dy ditor të expos është “Classic Park-In në Parking. Jo pa qëllim, makina –që paradoksalisht vjen nga koha me gjelbërim por pa makina, në kohën me makina por pa gjelbërim – sjell një imazh të së gjelbrës që çdo ditë e më shumë na mungon”, - shpjegon në konceptin e saj artistik Hamza.
Ndërsa artistit Vladimir Myrtezai, kjo hapësirë e mbyllur i krijon të tjera ndjesi. Në mendje i vjen televizioni, prej së cilit shumë ndihen të ndërvarur e që ai e sheh si një mjet për larjen e trurit. Idenë e tij e sjell përmes një videoprojektori dhe tre monitorësh, ku prezantohen tre breza jetësh. Janë prindërit e tij, ai vetë me bashkëshorten dhe fëmijët. “Njeriu dhe teknologjia, si një raport i përkthyer ironikisht në këtë hapësirë e në kohë të mediatizuar”, - shpjegon Myrtezaj.
Artistja franceze Noëlle Pujol, është frymëzuar nga një mbishkrim mbi muret e Muzeut të Shkencave të Natyrës. Një “Nano ik”, që është bërë “Nano ok” i kujton artistes një dokumentar të vitit 1922, “Nanook of the North”. Kjo situatë plotësohet edhenga shfaqja përmes projektorëve e bishave të balsamosura nëMuzeun e Shkencave të Natyrës, e që i lënë pas dore rrezikon të shkatërrohet.
E gjithë kjo prurje artistike, e “lidhur” pas një parkingu përbënte gjithashtu një lëvizje paralele artistesh, mentalitetesh, formacionesh e identitetesh.