Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, organizon ditën e premte, më 17 tetor, ora 18.00, aktivitetin përkujtimor, me rastin e 1-vjetorit të vdekjes së “Artistit të merituar” Vangjel Heba.
Prezantohet katalogu me rolet e tij në teatër dhe film, i përgatitur nga AQSHF si dhe një montazh 24 minuta, me disa nga rolet e tij në kinematografinë shqiptare.
Vangjel Heba u lind në Durrës më 11 mars 1933. Aktivitetin artistik e filloi si amator dhe më pas pranë teatrit “Aleksandër Moisiu”, deri në mesin e viteve 80-të, kur doli në pension. Ka realizuar mbi 80 role në teatër, në një pjesë shfaqjesh është edhe regjisor, dhe ka një karrierë të pasur në kinema ku ka realizuar 22 role. E kujtojmë në filmat “Furtuna” më 1959 e deri tek “Balada e Kurbinit” më 1989.
Është nderuar me çmime, urdhra e medalje në aktivitetet kombëtare. Mban titullin “Artist i merituar” dhe “Qytetar Nderi” i Durrësit. U nda nga jeta në 17 tetor 2007, pas një sëmundjeje të rëndë.