Enjte, 18 Mars 2010 08:08:12

Lexoni versionin Print

Fjalori i tranzicionit, sa i ri është

Në fund të janarit hyn në shtyp vëllimi i parë i “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, hartuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. “Është fjalor i ri”, thotë shefi i Redaksisë së Enciklopedisë, prof. Emil Lafe,

Elsa Demo
Enjte, 08 Janar 2009 09:18:00

Gati për shtyp botimi i Akademisë së Shkencave mbi Shqipërinë dhe botën shqiptare. Tetë vjet punë për afro 3 mijë faqe me zëra “të riparë në themel” dhe të tjerë për fenomene të reja pas vitit 1985

Në fund të janarit hyn në shtyp vëllimi i parë i “Fjalor Enciklopedik Shqiptar”, hartuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. “Është fjalor i ri”, thotë shefi i Redaksisë së Enciklopedisë, prof. Emil Lafe, ai që ka mbledhur fijet e mbi 1000 specialistëve të cilët kanë furnizuar me burime dhe kanë shkruar ato që quhen “zëra” të fjalorit. Janë 2500 zëra më shumë se Fjalori i parë dhe i vetëm akademik, i vitit 1985.

“E re”, thotë ai, si për t’i dalë para opinionit që në përgjithësi qarkullon për botimet e Akademisë së Shkencës si vepra të ribotuara dhe jo të rishkruara.

“Ky nuk është ribotim i të parit” sqaron prof. Lafe duke mbajtur parasysh “të gjitha pikëpamjet”. Fjalori me afro 3000 faqe, me 1450 faqe për çdo vëllim, ka 7500 zëra. Një pjesë jo e vogël e zërave të rinj kanë të bëjnë me dukuri të reja të Shqipërisë si shtet dhe të botës shqiptare. Kosova është një “dukuri e re” për zhvillimet në trojet etnike. Shteti i dytë shqiptar në Rajon është trajtuar me të gjitha komunat e saj.

Hyrja e figurave të reja është një e dhënë tjetër për të krahasuar fjalorin enciklipedik të 85-ës me këtë të sotmin. Nga 5000 zërat e dikurshëm, 1/7 ishin persona, kurse sot 1/3 janë figura të historisë, politikës, kulturës, shtypit, sportit, diasporës së vjetër dhe të re.

Një aspekt që ka ndryshuar është dhënia e figurave pa qëndrime emocionale, pa cilësimet “i madh”, “i shquar”, janë evituar subjektivizmat dhe për të ruajtur një model për ndërtimin e një zëri, janë konsultuar enciklopeditë gjermane dhe italiane.

Nuk ka ç’të thuhet më shumë për figura të lashtësisë si Aleksandri i Madh që shqiptarët e kanë thirrur ndryshe Leka i Madh, dhe që nëna e tij Olimpia ishte nga fisi ilir i Mollosëve.

Ndërsa për të gjithë ata ku demagogjia dhe politizimi i 45 viteve ndërhyri duke ua zbukuruar veprat, ose të tjerë që i la jashtë sikur të mos ekzistonin, prof. Lafe thotë për “Shekullin”, se “janë rishikuar me themel”.

Është hequr frazeologjia emocionale politike e kohës, por kur vjen për figura si Enver Hoxha ai do t’iu jepet shqiptarëve “me objektivitet”: Udhëheqës i Partisë së Punës që vendosi një diktaturë. Por nuk mund t’i lihen pa përmendur titujt “Hero i Popullit”, “Hero i Popullit” për së dyti, “Hero i Punës Socialiste” etj. Në fakt janë të gjithë heronjtë, nuk janë hequr. “Duhet saktësi të dhënat biografike. Fjalori enciklopedik e ka për detyrë ta bëjë këtë”, thotë akademik Lafe.

Ngjarje tragjike që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, krime të komunizmit që janë futur dhe quhen zëra të rinj si Gjyqi Special i vitit 1945, Gjyqi i deputetëve 2 vjet më pas, apo figura të historisë, intelektualë që janë ekzekutuar apo dënuar.

Një parantezë për një periudhë gjatë luftës. Për Shefqet Vërlacin, Lef Nosin, Mustafa Krujën, apo padër Anton Harapin emrat e të cilëve janë futur në Fjalor, nuk thuhet “kolaboracionistë” por që kanë bashkëpunuar me italianët fashistë.

Janë përfshirë gjithë krerët e komuniteteve fetare, por nuk përmenden figura të rëndësishme jo vetëm të klerit, si At Zef Pllumi apo Frano Illia, arkipeshkv i Shkodrës.

Figurat politike zënë jo pak vend, edhe ato që vazhdojnë të jenë aktive. Është Sali Berisha si mjek, ish- president dhe kryeministër; Skënder Gjinushi për statusin e akademikut; Ilir Meta si ish- kryeministër.

Deri në këto nivele të postit politik, kanë lejuar hartuesit e Fjalorit Enciklopedik hyrjen në memorjen e botës shqiptare. Nuk përfshihet posti i kryetarit të bashkisë së kryeqytetit. Pra Edi Rama ka mbetur jashtë jo vetëm si kryetar bashkie i Tiranës, po edhe si kryetar i Partisë Socialiste, madje edhe si artist, është lënë jashtë. “Por babain e Ramës, Kristaq Ramën, e kemi përfshirë. Fjalori Enciklopedik nuk i përgjigjet flakë për flakë aktualitetit. Bëjmë detyrën të pasqyrojmë thjesht të shkuarën”, thotë shefi prej tetë vjetësh i redaksisë së Fjalorit.

Sadoqë pasqyron të shkuarën, nuk është për t’ia pasur frikën një konkurrence që mund t’i bëjë interneti. Jo vetëm se interneti, sipas prof. Lafes, mbetet internet që nuk di çfarë të ofrojë për botën shqiptare, por ka të ngjarë që ky Fjalor të mbetet avangardë për të dhënat bazë, gur themeli informimi për një botë që ka probleme të mëdha të vetëdëshmisë dhe artikulimit të një historie objektive.

Specialistët më të mirë e kanë shtyrë kërkimin e të dhënave pesë vjet më shumë nga fjalori i parë i 1985-ës, pra deri në vitin 1990. Kjo do të thotë se është lënë jashtë një fenomen si viti 1997 për pasojat politike, ekonomike, sociale, apo fenomeni i migrimit të brendshëm dhe i zonave informale pranë qendrave të mëdha urbane. Prof. Lafe kujton se në zërin më të madh të Fjalorit, që është “Shqipëria”, është prekur disi kjo çështje kur flitet për lëvizjet dhe ndryshimet demografike.

Pyetjes përse Fjalori ka lënë jashtë zëra të tillë ai iu përgjigj se në historinë politike historianët nuk janë shtyrë përtej vitit 1997. “Është një çështje e historisë si histori e cila do fakte dhe dokumente, dokumente të cilat nuk janë hapur, janë sekret. Ngrihet në këmbë dhe e mbyll me fjalët se për aq forca sa kanë qenë, në tetë vjet punë, ky Fjalor është hartuar në kushtet e tranzicionit. Nuk ka qenë e lehtë.

Vëllimi i dytë do të jetë gati brenda për proces botimi në shkurt. Fjalori do të ketë një tirazh në 3500 kopje.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML