Në fshatin e minierave të qymyrit ku fëmijët luajnë mbi gërmadha dhe mbizotëron braktisja
Banorët e fshatit ku u vodh ari nuk besojnë se ndonjë ditë do të mësohet e vërteta e vjedhjes së Thesarit të Shtetit
Ka kaluar shumë kohë që kur Kërraba, 30 kilometra nga Tirana, "jetonte" me togfjalëshin "thesar i vjedhur" dhe pikëpyetjet që i shtoheshin pas atij. Tani fshati është krejt i heshtur. Është e vështirë të shohësh njerëz nëpër rrugicat e lagjeve, për t'u orientuar në atë që ishte një herë gjysmë qytezë minatorësh.I zbrazur nga njerëzit që në pjesën më të madhe sigurojnë jetesën në emigracion dhe i populluar me rrënoja të minierave, që tani shërbejnë vetëm si fusha të rrezikshme lodrash për fëmijë, Kërraba, as që do ta dijë se në kryeqytet kanë vendosur sërish të hapin dosjen e vjetër të "thesarit të tyre". 10 vjetnga koha kur thuhet se ka ndodhur ngjarja, 6 vjet pasi gjykata kishte dhënë vendimin e fundit duke dënuar tre banorë të fshatit dhe pak ditë pasi prokuroria vendosi të rihapë dosjen në kërkim të copave të humbura të floririt të shtetit shqiptar, në Kërrabë nuk besojnë se e vërteta do të dalë ndonjëherë në shesh. Ata ironizojnë barijtë që gjetën të hapura dyert e thesarit dhe hedhin thumba për politikanë e drejtues shteti që gjoja futeshin në tunel për të kontrolluar "e dilnin me çantat plot", nga floriri që nuk inventarizohej. Duket sikur banorët e këtij fshati jetojnë prej kohësh me atë buzëqeshjen, që të thotë: "I dimë ne si janë këto punë, por kot që të flasim"...
Kur hyjmë thuajse në mesditë, fshati është krejt i përgjumur. Ka vetëm një duzinë njerëzish në tre a katër tavolina të të vetmit klub të hapur në qendër të Kërrabës, të cilëve u shërben Fatosi, barist,kamerierë dhe i zoti i lokalit me karrige të arnuara me tela, i rrethuar nga kioska të mbyllura të kush e di kujt kohe. Nuk duhet shumë të miqësohesh me Fatosin, po ashtu siç nuk të duhet shumë të mësosh se në tavolinat e mbushura dëng me gota të zbrazura birre 50 lekëshe, ka të paktën një njeri të kthyer nga jashtë. "Kot bëjnë këta asgjë s'kanë për të zbardhur," thotë Fatosi, pasi ne i kemi treguar për rihapjen e"dosjes". Në Kërrabë nuk duket se mbërrijnë gazeta dhe oraret e ndezjes së kufizuar të dritave duket se nuk e kanë sjellë deri këtej lajmin, sidoqoftë as Fatosi as të tjerët aty nuk duken shumë kuriozë për të ditur ç'po ndodh, ndoshta të mësuar me vizitorë si puna jonë që u japin lajme të tilla. "Kështu e kanë këta, tani e hapin gjoja për ta zbardhur dhe do ta mbyllin po vetë sapo të kuptojnë që po prekin interesat e të mëdhenjve",- vazhdon baristi. Historia e thesarit për këta burra që dikur kanë gërmuar në nëntokë, e tani jetojnë ja duke punuar atë pak tokëntë rrethuar me shkurre e mbajtur vreshtin, ja duke pritur me ditë të tëra dyerve të ambasadave për një vizë, është tashmë e largët edhe pse të gjithë thuajse e dinë përmendësh.
"Mua më ka thënë vetë polici që ruante tunelin, se si vinin zyrtarë të lartë gjoja për të kontrolluar dhe pastaj dilnin pa lënë asnjë inventar, duke thënë vetëm fjalët në rregull është",- tregon një burrë që sapo ka kthyer krikon e tij të birrës së lirë dhe pret në këmbë t'i kthejnë kusurin...
Fatosi miraton fjalët e tij, ndërsa mundohet të na shpjegojë se si tre fshatarë të lagjes së poshtme, u futën në tunel. "Në 1997 e gjithë Kërraba iu lëshua tunelit, s'numërohet sa eksploziv u është vënë dyerve të tij dhe ato nuk lëvizën nga vendi",- thotë ai duke bërë me shenja nga vendi ku ndodhet tuneli tashmë i ruajtur nga një repart ushtarak. Shpejt banorët e dinin mirë se tuneli që ruante thesarin ishte shumë i mbrojtur për t'u thyer me tritol dhe ëndrra për t'u bërë të pasur duke marrë floririn u venit shpejt ndër ta.
Por jo të gjithë i kishte lënë "shpresa" ose më mirë tre prej tyre dhe në kishin qenë ashtu si shumica të pashpresë patën fatin ndoshta të keq të ishin për pak kohë zotërues të një sasie të majme floriri. Për Fatosin ajo që u ndodhi dy vëllezërve Enver dhe Ahmet Hyka dhe Pëllumb Daltit, më shumë se sa zbritja nga qielli e ndonjë zane që ndihmon barijtë ( të tre burrat kullosnin bagëtitë në atë zonë të malit) si në eposin e Mujit, ishte një kurth i stisur me mjeshtëri për të "gjetur" hajdutët e arit. "Atyre dikush ua tregoi vendin prej ku mund të futeshe përmes ajrimit në tunelet ku ndodhej floriri dhe pastaj i arrestuan se njëri prej tyre më duket u tregoi shokëve. Por ata as nuk dinin çfarë të bënin me arin që morën dhe vajtën dhe e groposën në dhe",- thotë baristi, ndërsa për ta mbyllur historinë na tregon se ku banonin dy vëllezërit dhe i dënuari i tretë për vjedhjen e floririt.
Zbresim sërish poshtë rrugicave me kthesa të shumta ku tek tuk numërohen pallate trekatëshe me tulla të bardha, në formë magazinash, ku e ke të vështirë të kuptosh nëse jeton ose jo njeri. Pa ditur të orientohemi në kthesat e shumta dhe në shtëpitë e fshehura pas pemëve, përfundojmë atje ku mbaron edhe zona e banuar e Kërrabës dhe ku duket se fillonin minierat e dikurshme të qymyrit, të cilat s'dihet kush i ka mbyllur duke u vënë eksplozivin që ka rrëzuar ngrehinat sipër tyre. Një turmë fëmijësh që luajnë "shtëpiash" në një të tillë, e cila ka ende të nxirat e qymyrit, ndërsa na duket se shtyllat e ngrëna të betonit të saj do të rrëzohen nga momenti në moment. Por fëmijët e Kërrabës, pak e vrasin mendjen se çfarë mund të ndodhë, ata janë të zënë me lojën, tenxheret e vjetra me rërë që personifikojnë gjellën, kukulla me flokë të rëna që duhet të jenë foshnja e një mori vogëlsirash, të vetmet që mund t'i kënaqin në fshatin e tyre që dikur kishte minierë. Thuajse si të gjithë banorët që takuam në këtë fshat ata janë po kaq të sjellshëm, të gjithë të gatshëm të të tregojnë një rrugë, një histori më vete dhe thuajse të gjithë ata që i kanë kaluar të 7 vjetët në dijeni të historisë së floririt edhe pse atë e tregojnë o të trilluar nga mendja, ose si përrallë për gjumë. Ndërsa thërrasin duke kërkuar secili vëmendje më vete, për të treguar se sa të zotë janë në bërjen e punëve të shtëpisë dhe u japin me sa fuqi kanë fshesave që çojnë pluhur mbytës, kalamajtë e Kërrabës nuk dinë më shumë për ngrehinat se sa fakti që dikur i kanë shërbyer minierës dhe dikush i hodhi në erë...
Fëmijët na ndihmojnë edhe për të gjetur shtëpinë e njërit prej atyre që u dënuan se vodhën floririn. E fshehur mes pemëve dhe misrit të zverdhur, ndërtesa njëkatëshe ka pamjen e një shtëpie të thjeshtë fshati e rrethuar me karafila dhe lule të tjera ngjitur me të cilën është hauri i bagëtive.Në derë na pret gruaja e Enver Hykës, por gjithçka çfarë marrim prej saj është një mbledhje supesh dhe adresat e paditura të vëllait të të shoqit dhe personit të tretë të dënuar për vjedhjen. Gruaja na ndihmon vetëm me numrin e telefonit të të shoqit që nuk ndodhet aty, ndërsa ky i fundit në telefon na thotë se është në një dasmë që për çudi ka filluar të hënën, krejt ndryshe nga zakoni shqiptar.
Por në këtë rast pak rëndësi ka nëse është e vërtetë apo jo ajo që thotë Hyka, ai duket se nuk do t'i kthehet më kapitullit që e ka mbyllur duke bërë disa vite burg, duke humbur arin për të cilin e dënuan dhe duke mbajtur mbi supe namin e njeriut që "theu" tunelin fortesë ku fshihej thesari i shtetit shqiptar. Pas kësaj në Kërrabë nuk mund të bësh më asgjë. E vetmja gjë që e lidh këtë vend tani me arin është ndonjë byzylyk që mund të jetë edhe fals në duart e ndonjë gruaje apo fantazia e çmendur se rrënojat e minierave të qymyrit mund të ngjajnë me simotrat e tyre në Amerikën e largët të përfshirë nga "ethet e arit", veçse këtu askush nuk vuan më nga këto ethe.