Me këngën "Ëngjëjt vrasin njësoj", Besa u shpall fituese e edicionit të pestë të "Top Festit"
Kësaj radhe publiku nuk fërshëlleu e nuk u largua nga salla, kur në skenë u ngjit fituesja e çmimit të madh. Të gjithë donin Besën. Kënga "Ëngjëjt vrasin njësoj" është fituesja e edicionit të pestë të Festivalit të muzikës moderne "Top Fest". Një baladë rroku e ndjerë që flet për dashuri të vrara, tradhëti, mëkat, zhgënjim, por edhe për shpresë, fillim nga e para, heqje të rrobës së zezë të humbjes. Një dëshmi se publiku e do muzikën e mirë.
Mbrëmjen e së dielës, në sallën e Pallatit të Kongreseve, në një atmosferë entuziaste, nën drejtimin e Ledios dhe Albanës u zhvillua nata finale e "Top Festit". Pas muaj prezantimesh e votimesh, të dielën ishte mbrëmja e madhe, ajo e çmimeve. Mes 250 këngëtarëve që konkurruan këtë vit në këtë festival, "mbijetuan" më të mirët. Një garë tepër e fortë duhet thënë, ku u ndanë 15 çmime, përfshi edhe çmimin e madh prej 10 mijë eurosh. Mes fituesve mund të përmendim Çiljetën si këngëtarja më e mirë femër, duetin Gledi & Gent Bushpepa, që morën trofeun e këngëtarëve më të mirë meshkuj, Vitmar Bashën në çmimin e Top Albania Radios, Teuta Kurtin si interpretuesja më e mirë, etj. Festivali ishte menduar si një maratonë, kandidaturash, interpretimesh dhe trofesh. Por momenti më emocionues i mbrëmjes ishte pa dyshim shpallja e çmimit të madh. Ishte këngëtarja Irma Libohova që lexoi emrin e fitueses. E shpallur si më e votuara edhe përmes internetit, Besa Kokëdhima meritoi trofeun e "Top Festit".
Edhe pse një vit më parë, këngëtarja fitoi dy çmime të rëndësishme, "Best rrok-alternative" në "Top Fest 4" dhe "Jon production" në "Kënga Magjike 2007", nuk e mendonte se mund të fitonte këtë festival. Tepër të mëdha emocionet e këngëtares, e cila nuk i mbajti dot lotët, madje u ul në skenë. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit, përveç miratimit të publikut, mori edhe vlerësimin e një jurie profesioniste në sallë. "Top Fest 2007" u fitua nga Greta Koçi dhe kënga e saj pati kontestime nga publiku, që braktisi sallën në momentin e interpretimit, "Ëngjëjt vrasin njësoj" vijon vazhdën e baladave fituese të Alban Skënderajt e "Kthjellu", që megjithëse festivali u bë 5 vjeç mbeten ndër baladat më të bukura të dashurisë.
Fituesit e "Top Fest 5"
Best neë artist: Shpat Deda
Best female: Çiljeta
Best TAR: Vitmar Basha
Best Group: CODY
Best Hip Hop & R 'n B: Skillz ft. Viagra
Best male: Gledi & Gent Bushpepa
Best alternative: Linda ne Boten e Çudirave
Best pop and rock: Upstream ft. Kelly
Best Digitalb: Vesa Luma
Best internet: Besa
Best Vodafone Club: "Ngroba"
Best video: Aida Hani
Best interpret: Teuta Kurti
Best song: Hana
Çmimi i madh: Besa