Një shëtitje në butikët e kryeqytetit, të bind se ca gradë më shumë, nuk janë mjaft për të thënë që vera ka ardhur..
I nisim bisedat tona për veshjet me Entelën, shitëse në një dyqan me emër në kryeqytet. Na tregon e para për furnizimet e reja të këtij sezoni. Ka katër vjet që e bën këtë punë dhe është gati të verë dorën në zjarr (atë të majtën, ku nuk ka byzylykë..) se kjo verë do të jetë një mozaik i vërtetë. Dhe vërtet, po të shohësh vitrinat e dyqaneve, ato vezullojnë nga ngjyrat. Ngjyrat do të jenë edhe trendi i kësaj verë.. Kryeson e verdha dhe roza.
Tendenca
Kush ka hequr nga garderoba e saj xhinset me prehër të lartë, ka bërë gabim. Moda e kësaj verë ka rikthyer nëpër vitrinat e dyqaneve këtë lloj xhinsi.
E jo vetëm kaq. Ato që janë mësuar të shohin veten të veshur vetëm më xhinse të ngushta, duhet të mësohen me ndryshimin. Stilistët për këtë pranverë- verë kanë menduar të kthejnë sërisht në të dëshiruara xhinset e gjera në fund, apo siç njihen ndryshe model "kauboj".
Ndërsa për sa i përket ngjyrave, trendi i kësaj vere do të jetë e verdha, jeshilja dhe është rikthyer sërisht ngjyra rozë. E zeza është ajo, që nuk do të preferohet shumë këtë verë, e megjithatë kjo nuk do të thotë që nuk do ta shohim nëpër vitrinat e dyqaneve, pasi e zeza, ka dëshmuar veten se është një nga ngjyrat që i reziston kohërave.
Kësaj vere nuk do ti mungojnë as të florinjtat dhe të argjendëtat, të cilat mund të jenë këpucë, aksesorë, çanta, veshje. Çantat këtë vit, janë të bollshme, nga ato me të cilat mund të transportohet me vete gjithë "shtëpia". Preferohen kombinime të ndryshme ngjyrash.
Po këpucët? Ato që preferojnë klasiket, takat e larta, këtë sezon butiqet servirin shumëllojshmëri ngjyrash dhe modelesh. Ndërsa për ato që për tu veshur preferojnë një stil disi më sportiv edhe këtë vit mund të zgjedhin balerinat, që gjithashtu janë të modeleve dhe ngjyrave të ndryshme.
Sa për aksesorët, këtë verë mbizotërojnë ato në ngjyrë argjendi apo ngjyrë floriri, por edhe rruazat mbeten të preferuara.
Aida S, shitëse në një dyqan aksesorësh na tregon disa nga aksesorët më të preferuar për këtë verë, janë varëset dhe unazat. A janë origjinale? Vështirë. Edhe Aida vetë, pranon se këto aksesorë janë imitime të mira, por që nuk janë firma të vërteta.
"Të sjellësh në Shqipëri firma të vërteta, është e pamundur, jo sepse nuk arrihet një gjë e tillë, por fuqia blerëse për ato lloj artikujsh në vendin tonë është shumë e ulët, nuk ia vlen barra qeranë.. Megjithatë, këto imitimet janë të mira dhe këtë fillim sezoni kanë ecur shumë".
Çmimet
Çmimet ama, si çdo artikull tjetër të krahasuar me verën e kaluar janë në rritje. Mira, shitëse prej dy vjetësh në një dyqan xhinsessh tregon se këtë verë çmimet e xhinseve janë rritur, jo vetëm xhinset, por pothuajse të të gjitha veshjeve. "Krahasuar me sezonin e kaluar ka një rritje prej gati 20%- thotë ajo.
Çmimet vërtetë mund të duken shumë të larta, por po të llogaritësh se sa paguhet për të zhdoganuar mallin, sa taksa duhen paguar, në shumë raste paguhet dhe qeraja, dhe rroga e shitëses, aty- aty pothuajse shkon".
Mesatarisht çmimi i një fustani, të cilët janë shumë të preferuar këtë verë, varion nga 400 mijë deri në 12 mijë lek të reja.
Xhinset janë ato të kanë një çmim më të lartë, krahasuar me çmimet e veshjeve dhe aksesorëve të tjerë, çmimet e tyre variojnë nga 8 mijë lek të reja- deri në 250 euro, (ka dhe nga ato dyqane të cilat mallin e tyre e shesin vetëm me euro).
Edhe çantat janë një aksesor shumë i rëndësishëm për garderobën e një vajze. Madje vajzat e dinë shumë mirë se si funksionon, nëse blejnë një çantë, duhet të blejnë një palë këpucë të reja, e nëse blejnë këpucë, duhet të mendojnë se me çfarë çante do ti kombinojnë. E nëse vvendos të blesh një çantë dhe një palë këpucë, vështirë se do të mundesh ti kesh, pa paguar minimalisht 200 euro në total.
Vështirë se çmimet që ekzistojnë në butiqet e kryeqytetit janë të përballueshme nga xhepat e shqiptarëve, të cilët, tashmë duhet të mendojnë më shumë se si do të arrijnë të sigurojnë gjërat elementare dhe sigurisht, janë më të rrallë ata që nddjekin modën dhe ecin gjithnjë me hapat e saj.
(Jo) Firmatot
Vitet e fundit, tendenca e rrobave firmato, siç thuhen në gjuhën e përditshme ka hyrë shumë në Shqipëri. Firma të njohura të pasarelave të modës, kanë hapur butiqet e tyre, ose ato i gjen dhe në butiqe të cilat shesin rroba të firmave të ndryshme. Megjithatë një fakttë bën përshtypje, se si ka mundësi, që një firmë, e cila njihet shumë mirë nga të gjithë që është italiane, të jetë "made in china", apo siç ndodh rëndom "made in turkey".Çdokujt që i ka rënë rrasti të shkojë jashtë shtetit, kryesisht në Itali, apo Franca, të cilat njihen si "shtëpitë e modës në Europë" e ka shumë të lehtë të vërejë një fakt. E njëjta rrobë, e së njëjtës markë, është më e shtrenjë atje, sesa në Shqipëri. Që këtu rrjedhin shumë dyshime sa sa origjinale janë mallrat që hyjnë dhe që ekspozohen në xhamat e vitrinave të butiqeve shqiptare.
Dilema për këto lloje rrobash mbetet tek cilido nga ne, kur hap portofolin për të bërë pagesën: "janë apo nuk janë firmato". Eksperiencat e shumë atyre që njihen si "gjahtarët e firmatove" kanë treguar se një rrobë e blerë në Shqipëri, dhe pse mund të jetë firmato, është shumë e dobët dhe lë shumë për të dëshiruar.
Klientët
E dihet tashmë, ata që vënë në lëvizje të gjithë ekonominë, janë blerësit. Shitëset tregojnë se në butiqet e "shtrenjta" zakonisht klientët janë të rregullt, pra janë të njëjtët klientë, të rralë janë ata që vijnë nga rastësia dhe vlejnë diçka. Kjo sepse sipas tyre çmimet janë të larta dhe jo të gjithve ua mban xhepi.
E megjithatë, ata që janë më shumë të fiskuar pas rrobave "firmato" preferojnë që nëse i blejnë, të mos i blejnë këtu.
Keti, është një 27 vjeçar i cili pothuajse të gjitha veshjet, apo aksesorët i blen "firma", pasi gjendja ekonomike ia lejon një gjë të tillë.
"Vërtet më pëlqëjnë shumë rrobat "firmato", në fund të fundit kujt nuk do ti pëlqenin, por gjithmonë preferoj ti ble ato në Milano, asnjëherë nuk kam blerë këtu. Disa herë që e kam provuar, kam parë që sado shtrenjtë ti marrësh, nuk e kanë kurrë cilësinë që kanë rrobat e blera jashtë.
Ndërsa Oli, studente në vit të dytë Filologjik, tregon se asnjëherë nuk ka blerë veshje të shtrenjta, jo se nuk i pëlqejnë, por sepse nuk mundet të shpenzojë aq shumë para për veshjen. E megjithatë mendimi i saj është se çmimet e vendosura nëpër butiqe janë shumë abuzive. "Shumë butiqe çmimet i vendosin në bazë të vendit ku ndodhen, jo rrallë herë, na qëllon me shoqet që të njëjtin artikull, ta shohim me çmime me një diferencë shumë të madhe nga njëri- tjetri, në butiqe të ndryshme. Nëse pyet për mallin se nga vjen, të gjitha shitëset thonë se malli i tyre vjen nga Italia, apo Greqia, e megjithatë dihet që shumica e tregëtarëve shqiptarë, furnizimin për dyqanin e tyre e bëjnë në Turqi".