Hene, 06 Tetor 2008 18:20:00

Lexoni versionin Print

Bajza, një Gërdec i mbushur me helme

Tonelatat e "pesticideve për bujqësinë" që erdhën në vitet 1991-1992 dhe mashtrimi i gjermanëve të "Schmid-Cretan". Zyrtari i korruptuar, që firmosi lejimin dhe shkëmbimin me 413 kuaj të racës arabe. Pas 18 vitesh në magazinat e stacionit hekurudhor, falë projektit të PNUD-it dhe donacionit holandez, helmet toksike do të hiqen.

Arben Rrozhani
Shtune, 10 Maj 2008 08:27:00

 

Tonelatat e "pesticideve për bujqësinë" që erdhën në vitet 1991-1992 dhe mashtrimi i gjermanëve të "Schmid-Cretan". Zyrtari i korruptuar, që firmosi lejimin dhe shkëmbimin me 413 kuaj të racës arabe. Pas 18 vitesh në magazinat e stacionit hekurudhor, falë projektit të PNUD-it dhe donacionit holandez, helmet toksike do të hiqen. Por çfarë ka mbetur pas? Tokë e helmuar, gjallesa të zhdukura, fëmijë të lindur me probleme dhe pacientë me kancer. Një Gërdec buzë liqenit të Shkodrës, që nuk ka shpërthyer ende…

 

Arben Rrozhani

Bajza është më keq se Gërdeci. Të paktën atje plasi dhe…mbaroi, thonë specialistët, por këtu prej mëse 18 vitesh, njerëzit vriten pa u ndjerë dhe në dukje gjithçka shkon fjollë. Ashtu si në Gërdec, autori i masakrës është korruptimi i zyrtarëve shtetërorë. Në fillimvitet '90 ai nuk ishin as Berisha, as Mediu, as Hoxha si përfaqësues të shtetit të korruptuar. Ishte një specialist i quajtur Mejton Kodra, i cili, sipas të dhënave zyrtare, ka qenë zyrtari që pranoi hyrjen e dërgesave nga Gjermania me pesticide të skaduara.

Ahmet Osja është një figurë e respektuar e Shkodrës. Prej shumë vitesh ishte ndër shkencëtarët më të spikatur dhe punoi në Institutin e Misrit dhe të Orizit. "Na sollën këto helme, gjoja për pesticide në ndihmë të bujqësisë dhe si këmbim ne u dhamë 413 kuaj të racës arabe, ku secili prej tyre vlen të paktën 1 milionë dollarë",- kujton shkencëtari i njohur shkodran.

60-vjeçari Xhemal Mato, gazetar televizioni, regjisor, krijues dhe aktivist ekologjie i ka kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndë edhe një reportazh. "Treni i vdekjes", njëri prej 74 dokumentarëve që ka bërë gjatë karrierës, shkundi opinionin publik dhe qeverinë gjermane. Ai i kushtohet ardhjes së pesticideve në Shqipëri dhe faktit se si korruptimi i zyrtarëve shqiptarë dhe "komploti" i të huajve për të shndërruar vendet e varfra si Shqipëria në varreza helmesh, krijojnë vatra të tilla helmuese, siç është magazina e stacionit hekurudhor të Bajzës.

Ai drejton shoqatën "Masmedia dhe Mjedisi" për problemet mjedisore në Shqipëri dhe boton gazetën mjedisore "Ekolëvizja". Katër vite më parë, Xhemal Mato ishte në krye të protestës së disa dhjetëra organizatave Joqeveritare që kundërshtonin një projekt-marrëveshje të qeverisë shqiptare me një kompani italiane, për ngritjen e një impianti për trajtimin e mbeturinave të qytetit të Tiranës dhe Durrësit. Një kompani italiane synonte të ndërtonte impiantin që do të trajtonte mbetjet e qyteteve të Durrësit dhe Tiranës dhe si shkëmbim i përpunimit të tyre falas, firma italiane do të sillte mbeturina për përpunim edhe nga Italia. Edhe ky ishte një akt i pastër korruptimi, por që fatmirësisht mbeti në tentativë. Duke folur për helmet e Bajzës dhe ndikimin e tyre në mjedis, Mato thotë se ato janë pasqyra e asaj që mund të bëjë një zyrtar i korruptuar ndaj vendit të tij. Pas shumë protestash dhe sensibilizimesh, gjermanët paguan 12 milionë marka për të tërhequr një pjesë të pesticideve të sjella, ndërsa prej vitit 2007 holandezët po paguajnë mbi 2 milionë dollarë, shto këtu edhe paratë e qeverisë shqiptare.

Dosja Numër 359

Shqipëria ishte njëri prej vendeve të varfra, ku u magazinuan helmet e Europës së pasur në fund të viteve '80 dhe fillimvitet '90. Bajza, Miloti apo vatra të tjera të helmuara me të ashtuquajtura pesticide gjermane, zënë një vend të rëndësishëm në raportimin e organizatës "Green Peace".

Është Dosja Nr.359 e vitit 1996, e cila risjell historinë e ardhjes së pesticideve nga Gjermania prej firmës "Schmid-Cretan" dhe dëmet e pariparueshme në mjedisin e Bajzës dhe të Liqenit të Shkodrës. Pesticidet, 480 tonë kimikatesh të rrezikshme, ishin sjellë nga kompania gjermane Schmidt-Cretan në vitet 1991 and 1992. Ishin pesë dërgesa, shumica me materiale toksike. Kimikatet më të rrezikshme janë "Toxaphene" dhe "Phenyl Mercury Acetate", të cilat ndalohen në vendet e BE-së nga viti 1983. Një litër toxaphene, ndot 2 milionë kubik metër ujë dhe vret gjithë gjallesat dhe sipas llogarive, 480 tonët e sjellë në Shqipëri janë rreth 6,000 litra.

Dërgesat ishin zyrtarisht "ndihmë humanitare" për sektorin bujqësor. Sipas rregullave të BE-së, transferta e materialeve nga Gjermania në Shqipëri është komplet ligjore, por moralisht e dënueshme. Xhemal Mato thotë se gjermanët këmbëngulnin në këtë pikë, se nuk kishte asgjë kundërligjore. "Por ne i pyetëm, se pse i keni lënë të eksportohen këto helme të ndaluara jashtë kufijve të Gjermanisë, dhe aty ata mbeteshin pa përgjigje. Shto këtu edhe faktin se firma "Schmid-Cretan" që nuk kishte asnjë lidhje me pesticidet, por merrej me prodhimin e letrave të bixhozit, ishte zhdukur pa lënë gjurmë pas "transaksioneve" me helmet.

Helmet

Ajo çfarë është mbi tokë mund të hiqet dhe shpresa është e madhe, pas projektit 30 mujor të prezantuar nga PNUD-i. Por, a do të shërohet nëntoka dhe sa e sëmurë është ajo? Kjo është pikëpyetja e madhe, sepse helmet toksike prej 18 vitesh kanë depërtuar në thellësi të tokës, janë infiltruar në damarët e ujit të pijshëm që nxirret në sipërfaqe me anë të puseve dhe më shkurt, kanë përfunduar edhe në liqenin e Shkodrës.

Gëzim Uruçi është njeri "shpellash". Është kryetar i Shoqatës së Speleologjisë dhe ka patur fatin të shohë nëntokën e vendit ku jeton, të zhytet bashkë me Xhemal Maton atje ku nuk mund të arrijnë njerëzit e zakonshëm. "Në çdo vend ka ndotje, ka radioaktivitet-thotë ai, duke përshkruar nëntokën e Bajzës. Ai përmend me shembuj se sa shumë ka ndikuar prania e helmeve toksike në shfarosjen e florës dhe të faunës ujore. "Janë zhdukur me dhjetëra gjallesa, si ngjala bishthollë",- thotë Uruçi. Dëme të mëdha ka edhe mbitokë te njerëzit, te mutacionet e tyre gjenetike: "Kam parë fëmijë me gjashtë gishta dore apo këmbe",- shprehet ai. T'i kesh personazhe viktimat njerëzore të ndotjes në Bajzë, është e pamundur, sepse banorët i fshihen publikimit të anomalive që kanë, ndërsa Shëndeti Publik është memec.

xxxxxxxx

Bajza

Bajza është një qytet i vogël (Komuna Kastrat), në pjesën veriore të Shqipërisë, me 2000 banorë, rreth 30 km nga qyteti i Shkodrës. Stacioni hekurudhor i Bajzës ndodhet në breg të liqenit të Shkodrës dhe i gjithë transporti hekurudhor për/dhe nga Mali i Zi kalon nëpërmjet zhdoganimit në stacionin hekurudhor të Bajzës. Në 2007 aty kaluan mbi 8 mijë vagonë me mallra. Në vitin 2006, liqeni i Shkodrës hyri në listën Ramsar, si liqen me rëndësi ndërkombëtare.

F 2

box

Projekti i PNUD-it, largim dhe pastrim të zonës

Pak vite më parë ish-kryetari i komunës shprehej se me 10 milionë lekë të vjetra dhe ndihmën për t'i çuar në tunelet e ushtrisë në malin e Jeranit, problemi do të mbyllej përfundimisht. "Ishte një premtim i pavend dhe mirë që nuk u bë",- thonë zyrtarët e tanishëm të Bajzës. "Fajin" këtu e ka toka. Ajo është shumë e filtrueshme dhe nuk është çudi që nga 2000 milimetra shi që bien mesatarisht në vit, toka thahet shumë shpejt. Kështu kanë depërtuar në thellësi të tokës edhe helmet e Bajzës, duke e bërë të pasigurt të ardhmen e mjedisit në këtë zonë.

Ndaj, nuk është e papritur që ky vend të jetë një nga zonat e nxehta ambientale, realizuar nga Mbrojtja Mjedisore e Kombeve te Bashkuara (UNEP). Sipas një studimi të vitit 2002 thuhet se janë rreth 3100 tonë produkte kimike në sektorin e Ekonomisë Publike dhe 1000 tonë pesticide në sektorin e Bujqësisë. Bajza përfiton nga Programi Rajonal me një vlerë totale rreth 15 milionë dollarë, që mbulon 9 zona të nxehta në rajon, i cili financohet edhe nga Qeveria Holandeze me shumën prej 2,1 milionë dollarë. "Nëpërmjet këtij projekti ne synojmë të përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve që jetojnë në dhe rreth zonave të ndotura, të përmirësojmë gjendjen ambientale duke përkrahur dialogun për politika konstruktive kombëtare dhe lokale",- shprehet Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it dhe Koordinatore e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslett.

Klodiana Marika, koordinatore teknike e projektit: "Identifikimi dhe prioriteti i pikave të nxehta mjedisore në Shqipëri", thotë se objektivat specifike janë te mbështetja e qeverisë shqiptare për të arritur objektivin e saj afatmesëm, në lidhje me rehabilitimin e zonave të ndotura përmes eliminimit të materialeve toksike, si dhe në forcimin e administratës mjedisore për kryerjen e vlerësimeve të plota të zonave të raportuara, të cilat kanë probleme mjedisore dhe shëndetësore".

Prof.dr.Lirim Selfo, menaxher i projektit për pikat e nxehta mjedisore, thotë se projekti ka filluar në shtator 2007 dhe do të përfundojë në mars 2010. Përzgjedhja e firmës që do të zbatojë projektin, do të bëhet me një tender ndërkombëtar, ku do të kryhet jo vetëm largimi i helmeve, por edhe rahabilitimi i zonës së ndotur për ta rikthyer në një zonë të pastër.

Ndotja me helme toksike, ka hyrë edhe nëpër shtëpi. Njerëzit, të painformuar

Kryetari i komunës: "Banorët mbajnë ushqimet në bidonët që dikur kishin helmet"

Nga Bajza, Anila Dushi

Banorët e Bajzës, veçanërisht ato që i kanë shtëpitë pranë stacionit hekurudhor janë të rrezikuar seriozisht nga sëmundjet e ndryshme. Ndonëse askush deri tani nuk ka bërë analiza për shëndetin, është e qartë se ndotja e mjedisit për shkak të pesticideve që akoma vazhdojnë të jenë në këtë stacion, ka ndikuar negativisht për jetën e tyre. Këtë e pohon kryetari i komunës, Kastrat Gjovalin Vneshti, i cili shton se banorët që bashkëjetojnë me këto pesticide që në vitin 1991, ambalazhet e tyre, kryesisht bidonë plastikë e fuçi të llojeve e përmasave, i përdorin për shërbime të ndryshme. Banesat afër stacionit kanë nga 10 deri 15 bidonë plastikë, dikur me pesticide helmuese që prej vitesh përdoren për ruajtjen e produkteve ushqimore, nga turshitë deri te bërsitë e rrushit.

Për të siguruar ujë të pijshëm, banorët kanë hapur puse që shkojnë në thellësi 60-120 metra dhe nuk përjashtohet mundësia që nën tokë pesticidet e lëngshme të derdhura prej vitesh të kenë depërtuar dhe të ndikojnë në ndotjen e ujit të pijshëm. Me gjithë shqetësimin e shprehur, institucionet e Shëndetit Publik nuk kanë bërë analiza të hollësishme për situatën e ndotjes në këtë rajon, duke analizuar ujin, produktet e ndryshme që prodhohen këtu, ajrin apo dhe vetë banorët. Vitet e fundit, thekson kryekomunari Vneshti, ka patur shtim të rasteve të personave të sëmurë me kancer, në zonën përreth vendit ku prej shumë vitesh ndodhen këto pesticide, ku duket se një nga faktorët është e lidhur me praninë e tyre këtu.

***

Që nga viti 1991, në stacionin ndërkombëtar hekurudhor të mallrave në Bajzë të komunës Kastrat ndodhen një sasi e konsiderueshme helmesh, kimikate të rrezikshme për shëndetin e banorëve përreth. Deri vitin e kaluar ato kanë qenë të vendosura në një prej magazinave të stacionit, të cilat janë drejt degradimit dhe të hapura në disa anë. Era e rëndë është shoqëruese sapo i afrohesh vendit ku ndodhen lëndët e rrezikshme, ndërsa përreth janë së paku 1000 banorë që i kanë shtëpitë fare pranë. Sasia e tyre shkon në rreth 250 ton kimikate të paidentifikuara. Ambalazhi i tyre prej thasësh është grisur duke bërë që ato të përhapen në ambientet e magazinës, ndërsa ato në gjendje të lëngët janë derdhur pasi u janë marrë fuçitë e bidonët nga banorët. Këta të fundit pohojnë se deri para pak vitesh nuk kanë patur sensibilizim apo njoftim për rrezikun që përbën qëndrimi pranë ambienteve të pesticideve, apo përdorimi i ambalazhit të tyre. Pesticidet janë në gjendje të ngurtë dhe të lëngët, ku ato të ngurta janë forcuar së tepërmi, ndërsa në mes tyre ka dhe mbeturina lëkurësh të këpucëve, mbi të cilat janë derdhur lëndët helmuese në gjendje të lëngët. Këto pesticide kanë ardhur nga Gjermania në vitet 1991- 1992 dhe 480 tonë kimikate janë ruajtur përkohësisht në këtë stacion hekurudhor. Mes kimikateve janë dhe helme të tilla të rrezikshme për shëndetin e ambientin, si toksafenina, acetate e fenil mërkuri etj. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të drejtuesve të komunës dhe atyre të stacionit hekurudhor të Bajzës, për largimin e tyre, ato vazhdojnë të jenë të pranishme dhe pse projektet nuk kanë munguar. Fakti që stacioni hekurudhor i mallrave në Bajzë është i rrethuar dhe ruhet 24 orë me roje, ka ndikuar në uljen e përmasave të asaj që mund të ndodhte nga kontakti me këto pesticide që ndodhen në magazinat e këtij stacioni. Por ky stacion për disa vite ka qenë jashtë funksionit dhe aty kanë lëvizur lirisht banorët, përfshirë dhe fëmijët që kullotin bagëtitë. Banorët e Bajzës dhe veçanërisht rreth 1000 prej tyre që jetojnë në territorin pranë stacionit ndodhen të rrezikuar. Pasojat në shëndetin e tyre do të duken më vonë dhe aktualisht, ato nuk e dinë se në ç'masë rreziku ndodhen. Dhe drejtuesit e punonjësit e këtij stacioni janë të shqetësuar për praninë e këtyre mbetjeve toksike në magazinat ku ato punojë. Apeli i banorëve, drejtuesve të komunës e punonjësve të këtij stacioni është që të ndërhyhet menjëherë për largimin e këtyre lëndëve të rrezikshme nga territori tyre. Burime nga ish-punonjës të këtij stacioni pohojnë se kur këto lëndë kimike janë sjellë me tren këtu, ndonëse ishin në fuçi e thasë, drejtues të atëhershëm disa herë kanë refuzuar shkarkimin e tyre, por me urdhër nga Tirana kjo ndodhi dhe ato u vendosën në dy magazina të veçanta. Gjatë kohës së luftës në ish-Jugosllavi, kur në këtë zonë bëhej tregtia e karburantit, fuçitë ku ndodheshin kimikatet e lëngshme u morën për naftë dhe këto kimikate u dredhën mbi mbeturinat e lëkurëve, duke përhapur dhe erë të rëndë, e cila ndihet dhe aktualisht, tregojnë banorët e Bajzës. Ato shprehen se shteti duhet të ndërhyjë për largimin e tyre, pasi dhe rrjedhja e tyre në tokë nga magazinat ku ndodhen prej vitesh, bën që të rrezikohet bashkimi me ujin. Gjovalin Vneshti, kryetar i komunës Kastrat, shprehet se ka besim tek projekti i fundit për forcimin e kapaciteteve në vendet e Ballkanit Perëndimor për të zgjidhur problemet mjedisore nëpërmjet rehabilitimit të pikave të nxehta mjedisore, ku është përfshirë dhe stacioni hekurudhor i Bajzës dhe pikërisht zgjidhja e problemit të pesticideve. Por ky projekt ka një afat zbatimi 30 mujor dhe ndodhet në fillimin e tij dhe banorët e Bajzës, shpresojnë se së shpejti do të jenë të çliruar nga rreziku e ankthi i pranisë së këtyre pesticideve.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

PERDORIMI
Për motive sigurie është shtuar edhe imazhi i konfirmimit të komentit. Duhet që në kutinë përkatëse të shkruani imazhin që shikoni poshtë saj, nëse një gjë e tillë nuk bëhet komenti nuk do të shtohet. Gjithashtu nga redaksia komentet më të mira botohen ne gazetë. Faleminderit për mirëkuptimin
Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Rohan: Ndarja e Kosovës s’është zgjidhje

Ish-ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës,

Hyseni: Rezoluta serbe mund t'i sigurojë votat

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni pas kthimit nga Nju

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML