Reportazh nga Gora, krahina e thellë malore që ka nisur të marrë jetë. Blegtorët dhe puna e bujqve në fshatrat e braktisur
GORË- Në Gorë, jeta ka nisur sërish. Krahina me 49 fshatra të ngjeshura në gjoksin e maleve të larta, nga 1000-1500 m mbi nivelin e detit, e njohur për blegtorinë, plantacionet dhe pyjet e shumtë, për vite të tëra në harresë, ka filluar të ndryshojë. Nëse pyet për një arsye mes banorëve, atyre që tashmë kanë mbetur në fshat, të thonë se është këmbëngulja e blegtorëve, tepër krenarë për të mbajtur gjallë shtëpitë e tyre dhe puna e bujqve.
***
Kur nisesh nga rruga e Qafë-Panjës, sytë të shohin vetëm pyje. Lugina të bukura alpine të mbuluara me kurorat e gjelbra të aheve dhe të pishave. Dëgjohet zhurma e ndonjë moto-sharre dhe trokitja ritmike e sëpatës, e cila përzihet me këmborët e tufave të mëdha të bagëtive. Në pjerrësinë e malit shihen ende gjurmë bore, duket sikur dy stinë janë bashkuar me njëra tjetrën. Në faqen përballë ndesh me një plantacion të djegur pylli, gjatë zjarreve në verën e kaluar. “Dikur kjo zonë ka qenë një stabiliment sharrash”,- thotë bariu nga Niça, Petraq Shkëmbi. Ai tregon se me këto pyje në të kaluarën kanë mbajtur gjallë familjet. “Por në vitet e tranzicionit pyjet u masakruan barbarisht. Ja tani pylli ka filluar të përtërihet, por ai duhet të ruhet”,- thotë më tej bariu.
***
Në këtë zonë, më tepër se kudo, barinjtë janë njerëzit e sakrificës. Të tillë janë edhe Safet Muska dhe Kujtim Shkullaku, të dy barinj dhish, që e bëjnë këtë punë prej një jete. Përpara një zjarri që e ndezin në çast, nisin e tregojnë jetën dhe punën, ndërkohë që mendjen e kanë tek bagëtitë. Tufa është e madhe, rreth 400 dhi dhe të gjitha me zile. “Zilet janë armët e çobanit, me ato e mbrojmë kopenë”,- thotë Safeti, duke treguar se tani pas kaq vitesh e kupton gjuhën e zileve. “E kuptoj gjuhën e tyre, e ndjej sado larg të shkojë kopeja; e kuptoj kur ajo është e qetë e patrazuar dhe e kuptoj kur tufa është e ndërkryer dhe para rrezikut. Atëherë ngrihemi dhe së bashku me qentë e stanit iu bëjmë ballë egërsirave”,- thotë ai. Më pas me modesti tregojnë se me shumë mund kanë arritur të mbarështojnë bagëtitë, e të marrin qumësht e produktet që kanë dëshiruar. Sipas Kujtimit, kanë arritur të marrin edhe 200 litra qumësht për çdo dhi dhe kanë realizuar pjellshmëri të mirë.
***
Nuk e kanë pasur të lehtë, por kanë vendosur të qëndrojnë në Gorë. “T’i biem drejt, mua më vjen turp të shkoj të bëhem hyzmeqar i grekut. Të vete të ruaj dhitë e grekut siç kanë bërë disa nga krahina jonë, dhe nuk janë pak”- thotë Safeti. Më pas, të dy bashkë tregojnë punën që bëjnë, si i njohin kullotat si pëllëmbën e dorës dhe kilometrat që përshkojnë ditë pas dite me tufat e bagëtive. “Bari i mirë është ai që njeh kullotën pëllëmbë për pëllëmbë, pasi bagëtitë nuk duhen çuar dy herë në të njëjtin vend”,- tregojnë ata, duke nisur rrëfimin e disa sekreteve të punës së tyre. Kalojnë pastaj në detaje, që mes tyre i kuptojmë më së miri. Tregojnë se kurduhen ushqyer bagëtitë, sa herë duhen mjelë, sa herë u duhet dhënë ujë. Të gjitha këto, në mënyrë që kur të vijë puna te prodhimi që merret, të mos ketë ankesa. Dhe në fakt, këta njerëz që e shohin familjen aq rrallë, ia kanë dalë mbanë. Të paktën, ata shprehen të kënaqur.
***
Kur zona me pyje merr fund, përpara hapen plantacione me kumbulla, arra e mollë. Ca më tej, syri të zë shtëpi të ndërtuara me gurë dhe të mbuluara me rrasa guri, që ngjanë nga larg si shkëmbinj të latuar nga erërat. Një pjesë e shtëpive kanë çati të kuqe prej llamarine. “Të gjitha ato shtëpi që kanë mbulesat e reja prej llamarine janë me njerëz”,- thotë kryetari i komunës, Rushan Çela. Fshati duket i heshtur. Ka 150 shtëpi, por vitet e tranzicionit nga ai janë larguar shumë banorë. “Vetëm 40 shtëpi prej tyre kanë banorë”,- thotë Çela. Është kohë pune dhe njerëzit i sheh nëpër parcela. Sipas kryetarit të komunës, të gjithë janë të përfshirë në punë, ndoshta si asnjë vit tjetër. “Duhet punuar toka, se kjo tokë na ka mbajtur në shekuj. E dëgjoni sa lekë vajti një kg grurë?”,- thotë një i moshuar që ndeshim përpara. Grunjasi është fshati tjetër i thellë i Gorës. Edhe këtu epidemia e largimit duket qartë tek shumë shtëpi të braktisura që qëndrojnë të mbyllura me çelës. Nga 150 familje që ka pasur fshati në të kaluarën kanë mbetur rreth 35 familje. Të mbeturit, edhe këtu i janë rikthyer punëve të fushës. Banorët thonë se fshati ka mundësi të shkëlqyera për turizëm malor, por kërkon shumë investime.
Bardhyl Berberi