Hene, 13 Tetor 2008 16:03:44

Lexoni versionin Print

Një ditë me Flamurin, baltëpunuesi që braktisin Greqinë për Durrësin

Me pak baltë, vetëm me pak, por me baltë shqiptare ama. E nis punën e tij, e modelon, vazhdon ta modelojë, e shkatërron por prapë e nis nga e para dhe vijon t’i japë motive, e bashkë me to pak jetë shqiptare, tek i skalit sipër një vajzë nga Zadrima a një Skënderbe shqiptar.

Nga Valmora Gogo
Shtune, 14 Qershor 2008 08:07:00

 

Me pak baltë, vetëm me pak, por me baltë shqiptare ama. E nis punën e tij, e modelon, vazhdon ta modelojë, e shkatërron por prapë e nis nga e para dhe vijon t’i japë motive, e bashkë me to pak jetë shqiptare, tek i skalit sipër një vajzë nga Zadrima a një Skënderbe shqiptar. Baltëpunuesi vazhdon të fshijë ato çurka djerse që i dalin në ballë e nuk rresht. Burri 47-vjeçar nuk ndalet së krijuari sepse balta shqiptare është me vlerë për të… ajo i ka mësuar ta dojë e ta ledhatojë ashtu siç di të ledhatojë vetëm një artist punët e tij.

***

Flamur Kalemin e takuam në studion e tij të thjeshtë e plot gjallëri, a thua se punët e tij të flisnin e të tregonin se ishin prej Shqipërie. Studio përbëhej vetëm nga tre dhoma e një oborr i madh gjysmë i mbuluar. Në njërën prej tyre ai krijonte, e në tjetrën i kishte renditur punimet pa ndonjë rregull të veçantë. Aq e mbushur ishte studioja e tij, sa edhe oborri e kishte të vështirë t’i përballonte të gjitha.

U bë mëse një vit që Flamuri e braktisi Greqinë, ku për herë të parë nisi të krijojë nga balta. Tani ai gjendet i vetëm sipër makinës rrotulluese që e thërret çdo ditë për t’i vënë veç pak baltë e për ta punuar me duart e trashura nga puna. “E lashë, e lashë Greqinë sepse nuk kisha menduar kurrë të jetoja atje”, nis të rrëfejë Flamuri, i cili erdhi në Tiranë pas 11 vjet jetesë në ishullin e Kretës. Dhe ky burrë trupmadh nuk e fsheh që tani ndjehet i lirë të gdhendë mbi pllakata dheu të lagura e të sapopjekura malësorin me lahutë, Lasgush Poradecin, “Kosova Pavarësi” e mbi të gjitha, emrin “Albania”.

QE NGA BALTA…

Kur e pyetën Flamurin djemtë e Tatimores se ku e gjen baltën, ai u ishte përgjigjur: “A mos vallë duhet të marr leje tek ju për të krijuar me dheun tim?!” dhe me këtë pyetje çuditëse, djemtë e Tatimores ishin kthyer andej prej nga kishin ardhur. Ndërsa ai ishte kthyer në fuçinë me baltë të njomë, më pas e kishte marrë, e kishte hedhur në thasët e kullimit dhe e kishte bërë gati për ta punuar. Kështu, çdo ditë ai ka vazhduar të formojë vazo të vogla e të mëdha, trupa femrash, gra me fëmijë në krahë a me fruta në duar apo ndonjë vazo të stërmadhe ku mbizotëron Dantja së bashku me Xhevahir Spahiun.

“Ja, e mbarova, tani duhet të marr këtë vazo e ta çoj në furrën e pjekjes” të thotë baltëpunuesi. E tek janë tharë e kanë marrë ngjyrë kafe të çelur ose kafe të errët 47-vjeçari nxjerr daltat e shumëllojshme për të pleksur mbi vazo figura të njohura, si Berati 2400-vjeçar, Gjirokastra apo Shkodra. “Kanë ardhur edhe të huaj për të marrë vazo të tilla, sidomos punonjësit e ambasadave në Shqipëri”,- duket se thotë i kënaqur Flamuri. Por kur e pyet se sa punime numërohen në studion e tij, ai nuk di të përgjigjet. “Numrin e tyre nuk e di, se shumë më ikin e shumë krijoj, por mund të të them se këtyre punëve u dedikoj gjashtë orë në ditë nga jeta ime”,- tregon si i zënë në faj artisti.

PËR NJË GRUSHT PARA

Artisti që mbaroi Liceun Artistik në Tiranë për Pikturë, fiton 100 lekë nga çdo pllakat i vogël, e në rastin më të mirë edhe 500 mijë lekë. “Zakonisht u kam bërë dhurata miqve të mi dhe ata që kanë dashur të porositin gjëra të veçanta kanë ardhur vetë këtu”,- thotë Flamuri kur e pyet se si i shet punimet e tij. Tek e fundit, ai ka nevojë edhe të mbijetojë. “Jam lidhur vetëm me dy-tre dyqane që shesin punë si këto të miat, por edhe kjo mënyrë nuk më duket e drejtë, se ata nuk përtojnë ta ngrenë dyfish çmimin ”,- nuk ngurron të theksojë Flamuri se i vjen keq për paratë e tepërta që harxhojnë blerësit. Ajo që i ka mbetur peng është që nuk ka arritur t’i shfaqë punët e veta jashtë vendit. “Jo, ende nuk i kam nxjerrë jashtë vendit, se është e vështirë”,- thotë ai. Por kur e pyet se a vlerësohet siç duhet kjo formë arti, ai të rrëfen se nuk është fare e parakohshme që të krijosh nga balta. “Unë kështu i shpreh ndjesitë e mia prej artisti, por duhet ta dini se nuk ka më të shtrenjtë se kjo baltë”,- ta pret shkurt ish-emigranti.

FAMILJA

Kishte mbetur i befasuar kur pronari grek e kishte futur në fabrikë e i kishte dhënë në dorë një copë balte. Po ashtu si gjyshi i tij që gdhendte gurë, ai duhej të gdhendte baltën e pjekur. “Prej 11 vjetësh punova me gruan time në atë fabrikë, ku mësova shumë por kurrë nuk u ndjeva si në shtëpinë time”,- tregon për gruan e tij Elvirën dhe punën në Greqi. Për Flamurin, guri peshon më shumë në vendin e vet. Dhe këtu ai ka gjetur parajsën çlodhëse, atë parajsën e vërtetë që ndonjë nuk e gjen dot kurrë.

Në studion e tij shfaqen njëri pas tjetrit edhe portretet e vajzave dhe gruas të tij, sepse Flamuri është edhe piktor.

“Tani ndjehemi mirë madje jam me fat, se katër vajzat më studiojnë në shkollë”,- vazhdon të tregojë për vajzat e veta Zenkildën, Klean, Flaelën e Evin. Por edhe ati-artist nuk harron që t’i porositë: “Mësoni e merrni dhjeta se për një dhjetë më shumë, Shqipëria do të bëhet 1 kilometër më e madhe”. Teksa largohemi, Flamurin e lëmë ashtu të buzëqeshur, siç na priti, me mjekrën e zbardhur dhe flokët që u kanë dalë thinjat.

“Tashmë objekteve të huaja prej luksi ua kanë zënë vendin sendet zbukuruese tradicionale pasi punimet artizanale shqiptare shfaqen edhe më shumë se dje. Shqiptarët kanë kuptuar se për ta kanë më shumë vlera punimet me motive të Shqipërisë së Veriut, të Jugut a Shqipërisë së Mesme sesa ato suvenire që vijnë nga Afrika apo Azia”.

“Dhe ky burrë trupmadh, nuk e fsheh që tani ndjehet i lirë të gdhendë mbi pllakata dheu të lagura e të sapopjekura malësorin me lahutë, Lasgush Poradecin, “Kosova Pavarësi” e mbi të gjitha, emrin “Albania”. Çdo ditë ai ka vazhduar të formojë vazo të vogla e të mëdha, trupa femrash, gra me fëmijë në krahë a me fruta në duar apo ndonjë vazo të stërmadhe ku mbizotëron Dantja e Xhevahir Spahiu”.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

PERDORIMI
Për motive sigurie është shtuar edhe imazhi i konfirmimit të komentit. Duhet që në kutinë përkatëse të shkruani imazhin që shikoni poshtë saj, nëse një gjë e tillë nuk bëhet komenti nuk do të shtohet. Gjithashtu nga redaksia komentet më të mira botohen ne gazetë. Faleminderit për mirëkuptimin
Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML