Muzeu më i madh Arkeologjik në Shqipëri, vuan harresën e vizitorëve dhe shtetit. Objektet arkeologjike të zbuluara të gjitha në Durrës, të keqmenaxhuara, edhe pse mbartin një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike
“Unë erdha në Dyrrah për arsye se ky është qytet i lirë, besnik ndaj meje…”, do të shkruante Ciceroni, historiani dhe filozofi antik, mjaft vite më parë teksa vizitonte Dyrrahun e hershëm që tani e quajmë Durrës. Dhe kështu bëmë edhe ne, u nisëm drejt Dyrrahut në atë mes historie e vlere, në Muzeun Arkeologjik buzë Adriatikut. Ditët me shi ta shtojnë më shumë dëshirën për të vizituar një muze. Sa i madh nga brenda, po sa i vogël nga jashtë muzeu 57-vjeçar! I padukshëm nga ata mijëra njerëz që kalojnë buzë tij çdo ditë e nuk e vënë re.
***
E kundruam mirë atë ndërtesë mermeri, objektet e së cilës vijnë që nga Prehistoria e deri në periudhën Romake. Prej andej duket se vjen edhe një tabelë me shkronja të grira nga era, veçse me një shqipe të kulluar që të uron mirëseardhjen: “Or i vizitave. Paraie 09:15. Mbasdite. Uhim e Hënë”. Edhe po ta shohësh me shumë vëmendje e të përpiqesh tej mase të ç’kodosh ato pak fjalë, nuk del dot në rrugë të mbarë. Në ndihmë të vjen gjuha angleze, fjalët e së cilës mund të deshifrohen më lehtësisht: “ Visits timetable. Morning, 09.15. Aternoo. Cosed Monday”.
Ngjitemi në shkallaren e gjatë të oborrit e përfundojmë në paradhomën me xhama, ku qëndron udhërrëfyesja e muzeut e restauratori i tij. Një grua flokëzezë e një burrë thinjosh, presin t’u shpjegosh se kush je dhe çfarë kërkon në këtë muze ku mbretëron qetësia.
Me të marrë vesh që ka të bëjë me shtypin, udhërrëfyesja Lumturie Taga, rreth të pesëdhjetave ndryshon, bëhet më e zellshme e gatitet për të na shoqëruar në dhomën e madhe ku qëndrojnë dy mijë objektet, të gjitha të zbuluara në nëntokën e Durrësit. “Ja, e shihni, kjo është Gea, Perëndesha e Tokës dhe e Begatisë, zbuluar vetëm tre vjet më parë në Durrës”,- fillon të mburrë “muzeun e vet” ajo. Tek e sodisim Gea-n, të bie në sy që në skulpturën e Perëndeshës, qëndrojnë të fshehur poshtë krahëve dy fëmijë. Nuk dihet se pse Gea paska zgjedhur vetëm dy fëmijë, nga 25 që sipas legjendës ka patur. Rrush, shegë e mollë të vendosur bashkë me dy fëmijët, të bëjnë të kuptosh se paskan qenë simbole të begatisë. Nuk harrojmë ta nxjerrim me ngut aparatin fotografik për të fiksuar njëherë e përgjithmonë atë skulpturë Parazeusiane. Dhe të bësh fotografi në një muze të përmasave të tilla është e ndaluar, por ne e thyejmë rregullin, me pak nxitje nga ata që na pritën. “Po pse jo, mund ta bësh një foto. Këtu ka edhe më keq”,- nis të tregojë udhërrëfyesja Lumturie. “Kur i thashë një vizitori të moshuar nga Kosova se duhet të paguash 100 lekë për të vizituar muzeun, ai ktheu kokën drejt meje dhe më pa me habi”,- tregon ciceronia. “Ani pse po më kërkon me pagujt, unë mezi prita me taku vllaznit shqiptarë e nanën Shqipni”,- i qenkësh përgjigjur vizitori cicerones.
PAK MË TUTJE...
Të gjitha objektet arkeologjike janë ekspozuar në katin e parë të godinës trekatëshe. Katet e tjerë presin objekte të zbuluara që u përkasin periudhave pas atyre të ekspozuara. Zyrtarët u paskëshin thënë pesë punonjësve të këtij muzeu se objektet do mbërrijnë, por do vonojnë paksa. Askush nuk e ka marrë vesh, prej atyre që u shërbejnë vizitorëve, se për çfarë objektesh bëhet fjalë. Lumturia, për shembull, na flet vetëm për ato që shohim me sy, se ato të tjerat do kenë vaft.
Eshtrat e një femre ta shkëpusin fillin e bisedës që nisëm me Lumturinë rreth objekteve të reja. Gruaja ilire qëndron krahas tre vazove prej balte, shenjë që sipas restauratorit të muzeut- edhe ky një burrë rreth të pesëdhjetave, por që nuk dëshiron të na rrëfejë emrin- shpjegon se ilirët mund të besonin në jetën e përtejme. Orenditë përreth mund të shpjegojnë se ilirët dëshironin të nderonin perënditë. Pranë eshtrave të gruas së vdekur, pikërisht pranë këmbës së djathtë, ndodhet një vazo me kapak të gdhendur, kurse dy qypa të vegjël qëndrojnë sipër dy supeve të saj. Duket qartë edhe një byzylyk bronzi në krahun e djathtë që tregon se paraardhësit tanë ishin mjeshtër të punimit të stolive.
Pas saj shfaqet Sanktuari i Afërditës, disa kokë grash, që ilirët ia kishin përshtatur Perëndeshës së Dashurisë, të cilën e mendonin se ishte pikërisht kështu si po e shohim. Afërdita, adhurohej aq shumë nga ilirët, sa këta të fundit i kishin krijuar rreth 40 kokë statujash, të cilat shfaqen shumë femërore por edhe tek-tuk të dëmtuara nga vitet që mbajnë.
“Ja, këtu shfaqen monedhat e vjetra, me të cilat ilirët bënin tregti”,- thotë ciceronia Lumturi, e cila ua shpjegon këto gjëra edhe vizitorëve të huaj, por vetëm në gjuhën frënge, se atë angleze nuk e zotëron edhe aq mirë. Dhe harta që ka në qendër Ilirinë tregon se paraardhësit kryenin tregti me Kostandinopojën, Greqinë, Italinë por edhe me Afrikën e largët. Dhe Dyrrahu ishte një pikëpjekja e këmbimeve materiale në atë kohë.
Sipas historisë, qyteti i Durrësit ishte ndërtuar fillimisht nga Mbreti Epidamn. Ai u mor kryesisht me pjesën e fortifikuar të qytetit në Juglindje të Malit të Durrësit e më pas, nipi i tij Dyrrah ndërtoi Portin. Kurse udhërrëfyesja jonë na shpjegon se romakët, të ndikuar nga gjuha latine nuk e kishin fort për zemër emrin Epidamn, pasi pjesëza “damn” për ta do të thoshte diçka e keqe, e mallkuar. Për këtë arsye, duket se ky vend do të quhej Dyrrah, fjalë e afërt me atë që e quajmë sot. Megjithatë Aristoteli, filozofi i njohur grek, e përmend këtë qytet me emrin “Epidamn”. “Kushtetuta pësoi edhe në Epidamn një ndryshim të pjesshëm; vendin e Fylarhëve (kryetar fisi) e zuri Bulea (Këshilli i Qytetit) kurse në Helie (Mbledhja e Përgjithshme e Popullit) është e nevojshme akoma që të marrë pjesë Paria kur është rasti për të zgjedhur ndonjë zyrtar, nga ana tjetër qenia në krye e një arhonti ishte një shprehje e regjimit Oligarkik në këtë shtet”,- shkruan ai.
Nga syri, në këtë muze, nuk të shpëton edhe një tabelë me emra ilirë. Aty lexojmë Andena, Genthos, Zaimina, Klebeta, Koreta, Madena, Preuratos, Teutaia e shumë e shumë të tjerë.
VIZITA KA, VIZITA S’KA
“Pastaj vjen Iliria, një tokë e gjatë me shumë popuj brenda. Thonë se popullsia e saj është shumë e madhe… thonë se janë shumë të drejtë e mikpritës, se e duan jetën shoqërore dhe janë të shtënë pas një jete shumë të hieshme…”, shkruan Skymni, gjeograf grek, tek vepra e tij "Periegesis" (Përshkimi i Botës). Por çfarë mikpritje se! Aq të dashur janë pasardhësit e tyre, e aq të respektuar, sa ndonjëherë i falin vizitorët që nuk kanë për të paguar, me kushtin e vetëm që ta vizitojnë muzeun.
Sipas udhërrëfyeses, numri i vizitorëve në muze ka rënë ndjeshëm. Dhe ne, për besë, nuk gjetëm asnjë! “Po e shohim çdo ditë që numri i vizitorëve bie, më parë shihje edhe 200 vetë në ditë, kurse tani tek-tuk ndonjë grup të vogël vizitorësh të huaj apo ndonjë vizitor të veçuar”,- tregon Lumturia. Thënë nga ajo, të paktën mbahen me ndonjë mësues a ndonjë nxënës që i shtie në kokë të bëjë një vizitë në Durrës tek Muzeu Arkeologjik. Por çfarë të jetë vallë?! Indiferencë e vizitorëve apo ndonjë menaxhim dashakeq?!
“Ne vërtetë nuk e kemi sistemuar katin sipër me objekte të Periudhës së Mesjetës por kemi boll për të parë këtu poshtë. Janë sende me vlerë të rrallë në Ballkan dhe Europë”,- thotë Lumturia që ligështohet kur kujton se Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ua ka marrë pa të drejtë “Bukuroshen e Durrësit”, një mozaik i punuar me gurë shumëngjyrësh që në qendër ka portretin e një gruaje, që u zbulua në vitin 1916, në Durrës, por që daton në Shekullin e IV-t p.e.s.
MENAXHIMI
Që me reformat lidhur me shkrirjen e Akademisë së Shkencave, prej së cilës varej menaxhimi i muzeut, pesë punonjësve, ciceronia, restauratori, portieri, pastruesja dhe dikush tjetër që mikpritësit nuk na e thanë u ka mbetur vetëm të presin nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Kanë mbetur me sytë nga rruga se mos ndonjë zyrtar nga ata të lartit, siç e quan Lumturia, të vijë e t’u japë ndonjë haber. Madje kanë pritur së tepërmi të mendosh që kanë pesë muaj pa u paguar. Dhe të mendosh që muzeut i nevojitej edhe një kopshtar për të disiplinuar barërat që kanë kapluar deri në gjysmë kolonat e lashta që qëndrojnë në oborrin e muzeut. Tek i shikon ato kolona që qëndrojnë herë në këmbë e herë të shtrira, mund të ngatërrohesh fare lehtë me ato mbetjet inerte dy apo tre-vjeçare që “vegjetojnë” shumë pranë hekurave ndarës mes ish-pishinave të qytetit e Muzeut Arkeologjik.
E kush do të tentonte që më pas të hidhte ndonjë ide për menaxhim privat a për ndonjë promovim të fuqishëm të muzeut, qoftë edhe me ndonjë fletushkë rrugëve të Durrësit, ku turistët mund ta lexonin me një frymë e të drejtoheshin njëherë për nga “Shëtitore Taulantia”.
Ani pse punonjësit presin me dorë në zemër ndonjë lajm prej Tirane, vizitorët duket se bashkohen me vuajtjen e tyre për të mos i shqetësuar shumë në këto ditë. Qetësinë e ka thyer vetëm ndonjë si John Withers, Ambasadori Amerikan në Shqipëri, që nuk do t’ia dijë për hallet e punonjësve që presin nga çasti në çast se kush nga ata të pestë duhet të mbledhë plaçkat. “Gruaja ime dhe unë kaluam kohën më të madhe mes këtyre thesareve arkeologjikë të pasur dhe tërheqës të Durrësit. Gama e gjerë dhe cilësia e këtyre objekteve arkeologjike është shumë mbresëlënëse dhe përçon periudhat e pasura kulturore të këtij qyteti historik… Do të rikthehemi”,- shkruan në Librin e Përshtypjeve, John Withers, Ambasadori Amerikan në Shqipëri.
PAK HISTORI PËR DURRËSIN…
Banorët e parë të Dyrrahut, para Ilirëve, të quajtur Protoiler, Pellazgë, ngritën në rrethinat e këtij qyteti, vendbanimet e para prehistorike. Në kushtet e një klime mesdhetare, zona më e përshtatshme për banim ishte ajo e lumit Erzen (Ululeus) si dhe Ultësira Perëndimore përreth saj. Në bregdetin e Gjirit të Durrësit u vendos qendra e parë apo limani me emrin Dyrrah. Sipas autorëve antikë, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjinë ilire, të quajtur Dyrrah dhe Epidamn. Nga këto dy emra, mbijetoi deri në ditët tona emri Dyrrah-Durrësi, për vetë rolin e tij si liman-Port. Emri i vërtetë i mbretit vendas Dyrrah, identifikohej dhe me paraqitjen gadishullore të relievit, duke shprehur qenien e dy shpateve (dy rrahë), që duken kur hyn në Gjirin e Durrësit. Në shekujt X-VIII Para Krishtit u krijua Federata Taulane, të cilat ishin Shtete me Kryeqendër Dyrrahun, qytet me zhvillim të gjithanshëm "Derë e dritare" të Europës.
Gjatë periudhës Bizantine vazhdoi të mbetej qyteti më i rëndësishëm në brigjet perëndimore të Gadishullit të Ballkanit. Ai ishte kryeqendra e Provincës "Epiri i Ri", ku përfshiheshin krahinat nga lumi Mat deri tek lumi Vjosa.