Tani për tani janë 13. Thonë që 13-a është numër ters, por kjo nuk vlen për djemtë shqiptarë të Harley-t. Si tipa aventurierë dhe me shpirt udhëtari, ata janë shumë larg fatalizmit dhe numrave të tij.
Nëse dikush do më thoshte që në Tiranë egziston një shoqatë e djemve Harley Davidson, nuk do ta besoja. Jo vetëm për shkakun se motora të tillë janë të rrallë, dhe kushtojnë shumë, por sepse në racën tonë është e vështirë të përfytyrosh pamjen klasike të të apasionuarve të famshëm të Harleyt (xhaketa ose jelekë me lëkurë të zezë, flokë të gjata, mjekra e mustaqe, motorra të mëdhenj dhe që përshkruajnë rrugë të gjata në grup)..
E megjithatë ata janë këtu. Në zemër të Tiranës, në një nga rrugicat e Bllokut. Kanë lokalin e tyre të preferuar që sigurisht ka pamjen dhe shenjat e tyre. Përpara lokalit, gjenden të parkuara, krenaria e tyre, motorrat e mëdhenj e plot shkëlqim Harley Davidson ose Choppers.
“Harley Davidson“-i shqiptar është krijuar verën e kaluar. Anëtarët e tij me të drejta të plota janë 13, shumë të tjerë aderojnë të bëhen anëtarë, por nga sa kuptojmë kushtet e pranimit janë të vështira...
Takojmë Redonin një nga anëtarët e “13-shes“ fatlume. Pasi ulemi dhe na ofrohet “pija e grupit“, një lloj kokteji në broke, e pyesim Redonin çfarë duhet për të qenë njëri prej tyre.
Eeh, nuk është kaq e lehtë. Për tu bërë anëtar i kësaj shoqate duhet të kalosh “në vrimë të gjilpërës“. Që të jesh i devotshëm të mbash stemën e Harley Davisdon, kushti kryesor është të kesh një motorr të tillë. Dhe po ta mendosh kjo gjë nuk është fare e thjeshtë. Njohësit e mirë të motorrëve e dinë shumë mirë se një motorr i tillë kushton, por ajo çfarë është më e rëndësishmjua është se është shumë i vështirë për tu gjetur.
Pasi ke plotësuar kushtin e parë, kalon në fyzën e dytë, e cila është dhe më e fortë akoma...Duhet ti dëshmosh grupit devotshëmri dhe pasion të madh, pasi nuk mund të bëhesh anëtar nëse pasioni yt për motorrat është kalimtar. Dhe për të qenë anëtari i 14 i shoqatës, të duhet të marrësh pro 13 votat e anëtarëve ekzistues.
Redoni na tregon se si çdo shoqatë dhe Harley Davidson ka “dekalogun“ e vet, një program strikt, tip urdhërese (edhe pse nuk ka dhjetë pika).
Ajo zbatohet në grup me motorrat Harley ose Choppers, (të cilët janë motorra me grup motorri Harley dhe pjesët e tjera janë fantazi). Një tjetër karakteristikë është dhe mënyra se si ky grup ecën në rrugë. Ai që kryeson vargun është prijësi, apo “kapiteni“ ndërsa i fundit është ai që në gjuhën e tyre quhet “marshall“, i cili është i gatshëm deri në rrezikimin e jetës së tij, pasi ka për detyrë të mbrojë shokët e tjerë. Dhe pse secili ka motorrin e tij, nuk i duhet të jetë në tension apo nën ankthin e fitores, pasi në këtë lloj udhëtimi nuk bëhen gara.
Ditët kur mblidhen, përveç netëve kur ulen për të pirë diçka në lokalin e tyre, zakonisht janë fundjava. Udhëtimet janë një ditore, dy ditore apo vajtje ardhje brenda ditës, ne vendeku bëjnë “barbecue“ apo kur ftohen nëpër festa nga homologët e tyre. Festa e fundit ku ata ishin të ftuar dhe ku kanë ikur grup, ishte në Maqedoni, ku i prisnin shumë motorra të tjerë dhe sigurisht vendi ku ndonjë nga të apasionuarit për motorrat “do të kishte lënë mendjen“ nga aq shumë motorra të tipeve nga më të ndryshmet.
Udhëtimi i tyre më i afërt është ai për në Lago di Garda, në Itali, ku do të mbahet 105 vjetori i shoqatës HOG (shoqatë mbarëkombëtare për Harley Davidson). Grupi do të niset i plotë, pra plot 13 motorra.
I bëjmë Redonit një pyetje tipike shqiptare: Por si do kalojnë kufirin pa vizë? Redoni na tregon se një pjesë e 13 anëtarëve jetojnë jashtë dhe janë anëtarë dhe të shoqatave të Harleyt në vendet ku ata jetojnë, (ai vetë është pjesë e shoqatës angleze). Dhe për ata që nuk janë të tillë, do kërkohet një vizë, besojnë se për një eveniment kaq të madh për ta, nuk do hasin probleme për të marrë vizën...
Nëse do hasin apo jo probleme për të marrë vizën këtë nuk e dimë, por që hasin disa probleme të tjera, këtë e kemi të sigurt. Redoni na tregon se problemi më i madh për ta janë pjesët e këmbimit të motorrëve, të cilët tregun e tyre më të madh e kanë në Amerikë. Nëse atyre u prishet ndonjë pjesë e motorrit, gjë që deri tani nuk ka ndodhur, por...ku i dihet.
Atyre u duhet të porosisin pjesët jashtë e për shumë ditë ndoshta do tu duhet vetëm ta shohin motorrin, duke iu “qarë syri“ që nuk mund ta ngasin.
Një problem tjetër i tyre janë edhe veshjet, ato janë shumë të rëndësishme, pasi janë pjesë dalluese, por në Shqipëri ende nuk ka një treg të specializuar për Harleyt. Rrobat u duhet ti marrin nga shumë larg, nga përtej oqeanit.
Çmimet e motorrave të tyre, një pjesë të të cilëve i shohim të parkuar para barit të tyre, janë marramendëse, janë motorra që nuk mund ti kenë të gjithë dhe pse dëshira nuk mund tu mungojë. Çmimet variojnë nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë ( ky çmim i fundi, kuptohet është për motorra jashtë serie, të cilët zakonisht bëhen me porosi).
Çunat, më i vogli i të cilëve është 20 vjeç, ndërsa më i madhi 50 vjeç, vërtet nuk kanë mundur të shtien në dorë një nga motorrat më të fundit, por ama kanë motorra të cilët janë pjesë koleksioni.
I tillë është motorri i Redonit, i cili ka një çmim afërsisht 20 mijë dollarë dhe është një motorr shumë i rrallë në llojin e vet.
E sigurisht, shoqata nuk kishte se si të mos kishte një “shtëpi të vetën“ ku të “pleqëronin vendimet“ dhe ku të “mikpresin“ miqtë. Bari i tyre është jo vetëm vendi ku ata mblidhen, por ku mund të shijosh dhe magjinë e një “mini muzeu“ për të apasionuarit e Harrley Davidson. Por nuk mbaron me kaq, nuk është vetëm kjo e veçanta.
Një tjetër e veçantë e barit është dhe pjata e tyre karakteristike Nachos, një pjatë amrikane dhe një kokteil ekskluziv i Harley, i cili ndryshe nga kokteilet e tjerë shërbehet në një broke, pramund ta kuptoni që është një kokteil “gjigand“.
Tani do pyesni pse pjata karakteristike është amerikane, pse kokteili është amerikan...? Sepse dhe vetë bari është tipik një Pub amerikan. Ndërsa anëtarët nuk janë amerikanë, janë shqiptarë, madje më shumë se shqiptarë.. Janë tipa “no limit“, jo vetëm nga personaliteti, por edhe pse kjo lloj aventure nuk njeh kufij...