Gjen ushqim të shumëllojshëm, hotele shumë të mira, plazhe shumë të pastër, si dhe një jetë relativisht të larmishme me aktivitete. Kësaj radhe menduam të bëjmë një llogari, për të gjithë ata që duan të dinë se sa kushtojnë këto shërbime në plazhet e Vlorës. Sipas llogarive që bëmë, duke u futur “nën lëkurën” e pushuesit, për të kaluar 15 ditë pushime, një person duhet të shpenzojë mesatarisht 70 mijë lekë të reja, përfshirë qëndrimin në hotele apo shtëpi me qera, si dhe ushqimin.
Kjo është një shifër mesatare. Më hollësisht? Çmimet variojnë sipas zonave, ku më të shtrenjtat mbeten ato në Ujë të Ftohtë dhe në Radhimë. Sa i përket çmimeve të hoteleve dhe restoranteve brenda qytetit duket se janë disi më ekonomike.
HOTELET
Vlora nuk ka një strukturë shumë të qartë të vendndodhjes së hoteleve apo apartamenteve ku turistët mund të qëndrojnë. Një turist mund të gjejë një hotel shumë të mirë si brenda qytetit, ashtu edhe jashtë tij, sepse ndërtimet e tyre janë bërë në të gjithë zonën e plazheve duke nisur nga qendra e qytetit, Plazhi i Vjetër, Plazhi i Ri, Uji i Ftohtë dhe Radhima.
Që të pushosh në qendër të qytetit, në hotelet me kushtet më minimale duhet të paguash duke u nisur nga 3 mijë lekë të reja. Më pas, në hotelet me shërbim më cilësor e kushte më të mira një turist duhet të paguajë mesatarisht 4 mijë lekë të reja. Ndërkohë që akomodimi për një natë e një vizitori në hotelet me cilësi më të lartë, çmimet variojnë nga 5 mijë lekë të reja e deri në 15 mijë lekë të reja.
Karakteristik mbetet fakti që Uji i Ftohtë dhe Radhima, mbeten dy nga zonat më të shtrenjta. Shpjeguar nga menaxherët, cilësia e hoteleve që drejtojnë e arsyeton më së miri çmimin që turistët paguajnë.
SKELA DHE UJI I FTOHTË
Menaxheri i një hoteli në zonën e Skelës, shprehet për “Faqet e Fundjavës” se çmimet kanë mbetur të pandryshuara nga viti i kaluar, pra, 4500 lekë të reja për një natë.
Shqipe N., pronare dhe menaxhere e një hoteli në zonën e Plazhit të Ri, shprehet se çmimet janë më të lira për shkak të prenotimit nga shumë grupe shqiptarësh të Maqedonisë dhe Kosovës.
“Çmimin ne e kemi fiks dhe nuk e kemi ndryshuar. 3 mijë lekë të reja për një natë fjetjeje në hotelin tonë, ku zakonisht përfshihet edhe mëngjesi”,- thotë Shqipja. Sipas saj, çmimet janë shumë të larta në zonën e Ujit të Ftohtë dhe në Radhimë.
Kurse në zonën e Ujit të Ftohtë, çmimet përgjithësisht pësojnë një rritje prej 2 mijë lekësh krahasuar me zonën e Plazhit të Ri.
RRADHIMA
Radhima është vetëm 15 minuta me makinë larg qytetit të Vlorës. Hotelet dhe shtëpitë e pakta që jepen me qera kanë vendosur çmime më të larta për shkak edhe të qetësisë mes pushuesve dhe pastërtisë më të madhe të detit. Atnan S. menaxher i njërit prej hoteleve në këtë zonë thotë se çmimet nisin nga 6 mijë lekë të reja e përfundojnë në 15 mijë lekë të reja për dhomat-suita, të cilësisë maksimale. “Zakonisht përdorim paketat 10-ditore, të cilat janë oferta në çmime pak më të lira ku përfshihet qëndrimi në hotel, ushqimi i mëngjesit, shezlongët dhe çadrat si dhe udhëtime të shkurta si në Zvërnec apo Llogara”, tregon Selmanaj. “Ne në këtë periudhë kemi shtuar edhe stafin deri në 40 persona. Kjo bën që çmimet të jenë në këtë nivel”, shpjegon menaxheri.
USHQIMI
Në Vlorë kryesisht mbizotërojnë restorantet që gatuajnë peshkun por nuk mungojnë edhe piceritë apo restorantet e mishit dhe gatimeve tradicionale shqiptare. Një pushues duhet të paguajë mesatarisht 1 mijë deri në 2 mijë lekë të reja për të ngrënë një drekë apo darkë në këto restorante. Atnani na thotë se elementët bazë të gatimit si peshku dhe perimet janë të freskëta. “Ne furnizohemi me peshk të freskët nga peshkatarët e Skelës ndërkohë që me perime furnizohemi çdo ditë nga tregu i qytetit të Vlorës. Çmimet e produkteve bazë janë shumë të lartë dhe kjo ndikon në çmimin që u japim klientëve”, tregon Selmanaj.
Peshku i freskët, i peshkatarëve ka një çmim shumë të lartë për menaxherët e lokaleve. Një prej tyre, në Rradhimë na thotë:“Në rast se ne e blemë 3 mijë lekë të reja një kilogram peshk ua shesim klientëve 3 mijë e 900 lekë”. Por sipas tij turistët më shumë se çmimin duhet të bëjnë kujdes me cilësinë e ushqimit.
Renato Ll. është kuzhinier i një restoranti në zonën e Plazhit të Ri. Ai ka studiuar për rreth 7 vjet si kuzhinier dhe ka punuar në restorante italiane. “Tek ne kryesisht mbizotëron kuzhina italiane që me thënë të drejtën është një nga më të mirat ndër kuzhinat e tjera dhe turistët që vijnë në Vlorë e preferojnë shumë”, thotë kuzhinieri 25-vjeçar. Sigurisht, që sipas tij çmimet mbeten të larta për shkak se kostoja e produkteve dhe punës është e lartë. “Një pjatë peshk mund të kushtojë edhe 2 mijë lekë të reja por sigurisht që varet nga zgjedhja dhe buxheti i klientët për llojin dhe sasinë e peshkut që preferon”, shpjegon Llanaj. Por, saktësuar nga 25-vjeçari, klientët duhet të zgjedhin mirë dhe të jenë të kujdesshëm. “Shpesh herë në restorante mungon përgjegjësia për t’u servirur klientëve ushqim të freskët dhe të pastër’, thekson kuzhinieri.
NDRYSHIMI I ÇMIMEVE
Të dhënat tregojnë se mund të ketë një luhatje të konsiderueshme të çmimeve nga muaji qershor në atë të korrikut dhe gushtit. Pritet që piku i vërshimit të turistëve të jetë gjysma e dytë e muajit korrik dhe gjysma e parë e muajit gusht. Duket se pronarët e hoteleve dhe restoranteve në Vlorë, nisur edhe nga mungesa e turizmit në muajt e tjerë të vitit, nuk do t’i kursejnë disa shifra më të larta rreth produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë. Nga muaji qershor në atë të korrikut dhe gushtit pritet një rritje prej 1 mijë deri në 2 mijë lekë të reja për akomodimin në hotele dhe një rritje nga 300 deri në 500 lekë të reja për ushqimin e konsumuar në restorante.
Në shumë bare, restorante apo hotele, kamerierët të tregojnë menutë por menjëherë korigjojnë çmimet që janë në to. “Jo, ky nuk është çmimi i saktë, sepse levreku është rritur pak këto ditë. Çmimi i saktë për 500 gramë të gatuar është 1 mijë lekë të reja”, thotë kamerieri i një restoranti në Vlorë kur në menu është shkruar çmimi prej 700 lekësh të reja.
Nehat dhe Semie, bashkëshortë nga Dibra e Madhe e Maqedonisë që kanë rreth 5 ditë që pushojnë në Vlorë thonë se kanë paguar rreth 30 mijë lekë të reja për person ku përfshihet akomodimi në hotel dhe ushqimi. “Edhe pse ka këto çmime ne na pëlqen Vlora sepse ka qetësi dhe pastërti dhe janë pushime do t’i mbajmë mend gjatë”, thotë Nehati. Sipas tij, për 10 ditët e pushimeve që ata do të kalojnë, presin të shpenzojnë rreth 120 mijë lekë të reja.
Çmimet mesatare të ushqimit në Vlorë
Sallatë me fruta deti 600 lek
Antipastë me perime 400 lek
Antipastë me midhje 400 lek
Sallatë mikse 200 lek
Spageti me fruta deti 600 lek
Spageti arrabiata 600 lek
Spageti me salcë 400 lek
Taliatele Bolonjeze 650 lek
Karkalecë 1000 lek
Sepie Zgare 700 lek
Peshk Levrek 1000 lek
Kocë Zgare 1000 lek
Pica 500 lek
Shifrat
2,5orë me makinë është e gjatë rruga Tiranë-Vlorë, ku autostrada Lushnje-Fier është ende e pambaruar
3mijë lekë të reja kushton akomodimi në hotelet e me kushtet minimale në qytetin e Vlorës
3mijë deri në 4 mijë lekë të reja kushton akomodimi i turistëve në hotelet e zonës së Plazhit të Ri në Vlorë
4 mijë deri në 5 mijë lekë të reja kushton akomodimi në hotelet e zonës së Ujit të Ftohtë
4 mijë deri në 12 mijë lekë të reja kushton akomodimi i një turisti në hotelet e Radhimës, vetëm 15 minuta larg Vlorës
30 lekë të reja dhe 100 lekë të reja kushton udhëtimi me autobusët urbanë të Vlorës nga qendra në drejtim të Plazhit të ri dhe nga qendra në Radhimë
600 lekë të reja kushton rruga nga Tirana në Vlorë duke përdorur furgonët e linjës, të cilët funksionojnë nga mëngjesi deri në orën 16 pasdite
800 deri në 3 mijë lekë të reja kushton konsumimi i gjysmë kilogrami peshk të llojeve të ndryshme në restorantet e Vlorës, duke nisur nga qendra deri në Radhimë
1000 lekë të reja pritet të jetë rritja e çmimeve të hoteleve për një natë akomodim në muajin korrik
2000 lekë të reja pritet të jetë rritja e çmimeve të hoteleve për një natë akomodim në muajin gusht