Premte, 29 Gusht 2008 08:56:50

Lexoni versionin Print

Hyrja në Shqipëri, makthi i turistëve të huaj

Ditën e premte, nën diellin përvëlues të Dubrovnikut, te stacioni i autobusëve takova një grup turistësh amerikanë nga Kalifornia, të shoqëruar nga Kola, një 22-vjeçar i lindur në Shkodër, aktualisht i natyralizuar në SHBA.

Gjergj Erebara
Hene, 30 Qershor 2008 08:33:00

 

Shqipëria është vendi i fundit në Europë pa asnjë lidhje hekurudhore ndërkombëtare, si dhe pa linjë autobusësh me fqinjin e vet

Nëse kërkon në internet, rezulton praktikisht e pamundur të gjesh informacion të vlefshëm për udhëtimin në Shqipëri

Ditën e premte, nën diellin përvëlues të Dubrovnikut, te stacioni i autobusëve takova një grup turistësh amerikanë nga Kalifornia, të shoqëruar nga Kola, një 22-vjeçar i lindur në Shkodër, aktualisht i natyralizuar në SHBA. Destinacioni i tyre qe Shqipëria. Jo se kishin parë reklamën te CNN, por se i kishte bindur Kola për një udhëtim njëjavor nëpër Shqipëri. Të gjithë qenë studentë amerikanë që kishin kryer një semestër në Itali nën Programin “Erasmus”. Kola i kishte premtuar një guidë turistike falas, si dhe arranxhimin e gjithçkaje.

“Si është më kollaj për të hyrë në Shkodër, të shkojmë në Podgoricë apo të shkojmë në Ulqin?!”, më pyeti Kola. Pyetja se si mund të udhëtohet në Shqipëri nga Mali i Zi, qarkullon prej kohësh nëpër faqet e promovimit të turizmit në të gjithë botën dhe përgjigjja është e njëjtë: “Mes Shkodrës dhe Podgoricës, nuk ka asnjë linjë të rregullt autobusi. Prej vitesh flitet për një linjë hekurudhore që nuk është hapur ende. E vetmja mënyrë është për të marrë një taksi, e cila kushton 70 euro”. Kjo është përgjigjja që merr nga virtualtourist.com. Për turistin e huaj, kjo është paksa absurde. Nga Podgorica, ata mund të shkojnë në Beograd për 22 euro me tren, në Dubrovnik për 7 euro, në bregdetin Malazez për tre-katër euro ose në Mostar për 15 euro.

Pa stacion autobusi

Në të gjitha qytetet e Ballkanit, udhëtimi është shumë i lehtë për shkak se çdo qytet ka stacionin e vet të autobusëve. Mjafton të mbërrish te stacioni dhe mund të marrësh një biletë sipas dëshirës. “Ishte një kaos i vërtetë. Askush nuk dinte të të shpjegonte se ku nisen autobusët dhe për ku”, - më tha Shinzo, një japonez student në Hungari që kishte udhëtuar nga Greqia për në Mal të Zi përmes Shqipërisë, të cilin e takova në hotel në Dubrovnik.

Natyrisht, në mungesë të organizimit publik të udhëtimeve, shqiptarët e kanë zgjidhur problemin me furgona e me “stacione të lëvizshme”. Furgona që qarkullojnë nëpër kthesa pallatesh gjysmë ilegalisht e taksi pa taksimetër që e ndërrojnë çmimin sipas fytyrës së klientit. Por të huajt, duket se e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë lloj sistemi. Nëse kërkojnë të udhëtojnë nga Mali i Zi për në Maqedoni apo Greqi, ka shumë gjasa që do të zgjedhin një rrugë alternative me Shqipërinë.

Informacioni zyrtar

Disa institucione si Ministria e Kulturës dhe ajo e Brendshme, tentojnë të japin informacione me interes për turistët e huaj. Informacionet e disponueshme te Ministria e Kulturës në anglisht, janë të llojit: bileta e autobusit urban në Tiranë është 20 lekë, bileta për në Durrës, 100 lekë etj., por në asnjë vend nuk ka informacione për mundësitë e udhëtimit nga vendet fqinje për në Shqipëri e anasjelltas. Ministria e Brendshme ka një baner që reklamon informacion për të huajt, por që kur e klikon të del një informacion në shqip, për vendet ku ne shqiptarët mund të hyjmë pa vizë. Te edicioni në anglisht i keshilliministrave.al, ka një baner që të tregon në shqip “enti i turizmit”. Kur e klikon, të del se linku nuk është i saktë. Te baneri “Shqipëria”, dalin foto të bukurive natyrore dhe arkeologjike të vendit, që qeveria i ka huazuar nga shqiperia.com, por nuk del asgjëkund, asnjë informacion i vlefshëm për turistët e huaj.

Vapë në Muriqan

Kështu ndodhi që ditën e premte, në një autobus të mbushur përplot me turistë që po vinin në Shqipëri, mbërritëm në Ulqin, ku të gjithë zbuluan se kishte vetëm një furgon që e bënte linjën Ulqin-Shkodër në mënyrë gjysmë ilegale. Furgoni kushton 5 euro, çmim shumë i lartë për 40 kilometra rrugë, ndërsa alternativa tjetër e mbetur qe të merrje një taksi, gjithashtu ilegale. “Ne po qëndrojmë këtu sepse nuk ka autobus për në Shkodër”, - më thanë një çift turistësh suedezë. Në Ulqin qe e vështirë që të gjeje dikë për të komunikuar në anglisht. Falë Kolës, të gjithë u sqaruan se taksia për në Shkodër kushton 8 euro personi, gjithsej 24 euro, për turistët e huaj. Nëse je shqiptar dhe bën pazar, mund ta marrësh për 20 euro ose më pak. Kështu, unë ndava taksinë me çiftin e turistëve suedezë për në Shkodër. Por surpriza e hidhur doli pak më vonë. Taksisti ulqinak vendosi papritur të na rrisë pazarin, dhe na kërkoi 30 euro në udhëtim e sipër, si dhe më njoftoi se turistët e huaj duhet të paguajnë një taksë për të hyrë në kufi. Kur e pyeta se sa është taksa, më tha: “Sa ta vendosi polici”. Nganjëherë është 10 euro, nganjëherë më pak. Në Muriqan, një australian që po kalonte kufirin para nesh, pagoi 10 euro dhe iku. Unë fillova të negocioj çmimin e taksës së kufirit për dy suedezët. “Nëse do të ikin brenda ditës, nuk do të paguajnë taksë, nëse qëndrojnë më shumë, do të paguajnë”,- më tha polici kufitar. I thashë se e gjej këtë situatë ca të çuditshme, se duket si një lloj takse që dëshiron t’i përzë turistët e huaj brenda ditësh. Pas pak negociatash, taksa për dy turistët suedezë u ul në 1 euro secili. Kërkova nëpër arkiva lajmesh të zbuloja taksat për turistët e huaj dhe më doli një vendim i qeverisë i vitit 2006, ku hiqet taksa nga data 1 Maj deri në 1 Nëntor. Nuk e kuptova dot se pse policia e Muriqanit e mblidhte sërish këtë taksë dhe kësaj here në vlerë sipas rastit.

Dy turistët suedezë më thanë se dëshironin të qëndronin një natë në Shkodër dhe më pyetën se çfarë duhej të bënin për të udhëtuar nga Shkodra për në Tiranë. Përgjigjja ime tipike shqiptare qe: “Bëni autostop buzë rrugës dhe kapni furgonin e parë”. Por ata e kishin të vështirë ta kuptonin. Më pyetën më pas, se si mund të udhëtonin nga Tirana për në Shkup, ku do të merrnin tren për në Europën Qendrore. Qe shumë e pamundur që t’i shpjegoja dy njerëzve nga Malmo, që shkelnin për herë të parë në Shqipëri, që furgoni i Shkodrës do t’i lërë te “Zogu i Zi” dhe se ata duhet të shkojnë te Stacioni i Trenit, ku në orën 9 niset autobusi për në Tetovë, prej nga ku mund të marrin një autobus tjetër për në Shkup. Ose që të shkojnë nga “Zogu i Zi” për te “Rruga e Elbasanit”, ku t’i hipin furgonave të Korçës. E gjitha kjo qe shumë e komplikuar në krahasim me sistemin e transportit në të gjithë botën, ku mjafton të shkosh në stacionin e autobusit, për të udhëtuar ku të të mbushet mendja.

Më pyetën gjithashtu se si mund të shkonin në plazhet shqiptare. Mendova t’i sugjeroja Velipojën, por ata kërkonin një vend ku të kishte ATM për të tërhequr para dhe unë nuk isha fort i bindur nëse në Velipojë ka mbërritur ATM-ja. Nuk e dija gjithashtu nëse mund të orientoheshin me sistemin e furgonave, për të përshkuar ato 15 kilometra rrugë nga Shkodra për në plazh.

Ndryshe nga turistët vetmitarë suedezë, grupi i amerikanëve qe më i përgatitur. Falë Kolës, ata e kishin njeriun e tyre shqiptar që mund të negociojë çmimet me taksistë dhe me furgonistë, si dhe të orientohen nëpër rrugët e Shqipërisë.

Shkurt, Shqipëria ofron një shans të mrekullueshëm për të udhëtuar kuturu, por nëse e humbet vëmendjen, një taksist pa taksimetër mund të të masë kokën me pe.

Shqipëria, destinacioni më i shtrenjtë për turistët

Problemi më i madh që turistët e huaj hasin kur mendojnë të udhëtojnë për në Shqipëri, duket se janë biletat e shtrenjta të aeroplanëve. Për të udhëtuar nga Suedia për në Dubrovnik, Split apo qytete të tjera turistike të zonës, një linjë ajrore me kosto të ulët, të kërkon 40 deri në 70 euro biletë. Për të udhëtuar nga Londra për në Korfuz, të duhet të paguash 100 euro ose më pak. Nëse të pëlqen udhëtimi me tren, “Interrail” ka një ofertë për pesë ditë udhëtim brenda dhjetë ditëve, dhe që kushton 100 euro gjithsej. “Eurostar” ka një ofertë abonimi mujor prej 300 eurosh, me të cilin mund të udhëtosh kudo dhe sa të duash, brenda një muaji. Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Turqia, Mali i Zi dhe Kroacia janë vende të lidhura me rrjetin hekurudhor evropian, por jo Shqipëria. Grupi i turistëve amerikanë kishin marrë një biletë trageti me gjithë fjetore nga Ankona për në Split, për 26 euro. Trageti Durrës-Bari, me gjithë fjetore, klasi i dytë, kushton 70 apo 80 euro.

Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Qiejve të Hapur me Shqipërinë, por deri më sot, vetëm një linjë me Athinën është hapur me kosto të ulët. Dhe kur turisti i huaj mbërrin në Rinas, ka një linjë autobusi për në Tiranë, por nuk ka linjë për në Durrës. Një udhëtim ajror për në Shqipëri nga kryeqytetet e Europës Perëndimore, kushton minimalisht 300 euro. Reklamat mbi turizmin shqiptar paraqesin bukuritë natyrore dhe arkeologjike të vendit, por mjetet për të arritur dhe shijuar këto bukuri, duket se mungojnë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

PERDORIMI
Për motive sigurie është shtuar edhe imazhi i konfirmimit të komentit. Duhet që në kutinë përkatëse të shkruani imazhin që shikoni poshtë saj, nëse një gjë e tillë nuk bëhet komenti nuk do të shtohet. Gjithashtu nga redaksia komentet më të mira botohen ne gazetë. Faleminderit për mirëkuptimin
Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Template Page


Kosova si shembull për njohjen e Osetisë Jugore dhe Abkazisë?

Presidenti rus Medvedev i referohet Kosovës për të justifikuar

Gruevski përsërit idenë e referendumit

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka përsëritur qëndrimin e

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML