DITARI I NJË TURISTI
E mërkurë ora 07.33
U nisa nga Tirana drejt Vlorës për të pushuar nja katër ditë në bregdet. Në furgon takova dy gra, të cilat kishin banuar më parë në qytetin për ku isha nisur por më pas kishin ardhur me banim në kryeqytet. Duke qenë se kishin lindur në Vlorë e njihnin shumë mirë këtë qytet. Tasha, një mesogrua me syze, më jep menjëherë muhabet e unë përfitoj ta pyes për ndonjë hotel të hajrit në qendër të Vlorës. Ku ka guidë më të mirë se një udhërrëfyese prej Vlore që di mirë çdo detaj. Po sa keq se,Tasha nuk dinte asgjë rreth hoteleve për turistë që mund të ndodheshin në Vlorë. “Ka, ka shumë por duhet të kërkosh se me siguri në qendër do i gjesh”, më thotë dhe e zhvendos bisedën në një tjetër çështje. “Aman se kjo rruga të këput. Më duhet të kthehem shpesh në Vlorë se shtëpinë dhe dyqanin i kam dhënë me qera dhe tani ai që e kishte do të dalë, më duhet ta lyej nga e para”, kështu më thotë, e cila paskëtaj me pak nxitje nga unë fillon të flasë për turizmin krahasues mes Durrësit e Vlorës. “Ah, nuk ka të krahasuar Vlora me Durrësin, deti i pastër dhe plazhe shumë të bukur. Unë në Durrës e kam të vështirë të bëj plazh vetëm se turizmi është më i zhvilluar në Durrës se ka hotele bare, restorante, gjithçka ka. Për të shkuar në Vlorë duhet të tundesh e të shkundesh në furgona në këto rrugë për faqen e zezë”, më thotë.
Dhe kishte të drejtë. Pasi përshkova një copë rrugë shumë të mirë nga Durrësi në Lushnje m’u desh të kaloja superstradën “në ndërtim”, Lushnje-Fier. Ora 09.07 më gjen në fillim të saj. Shoh tabelën që sinjalizon punime në rrugë, shoh eskavatorë, shoh rulat e mëdhenj që ngjeshin zhavorin, shoh edhe supervizorët që bëjnë me shenjë se deri ku ka arritur puna. Ndërsa pas 5 minutash gëzohem si fëmijë se superstrada është e mbaruarnë të dyja drejtimet. Një superstradë 2 minuta e gjatë. Në 09.14, gjithçka mbaron dhe shoferi i furgonit, që më thotë se është i punësuar nga dikush tjetër, do të duhet të manovrojë më shumë timonin që të dredhojë sipas rastit. 40 minuta rrugë nga Lushnja në Fier ende nuk kanë përfunduar. Më në fund në Vlorë, në 10.20 minuta.
E enjte
Pasi prenotova në një hotel në qendër të Vlorës që e gjeta pas nja 20 minutash kërkimi, pata nevojën e një guide. Por shumë shpejt doli se banorët e zonës, që përkundër thonë shumë, se janë të ashpër, u treguan të komunikueshëm dhe më shpjeguan me saktësinë më të madhe se ku ndodheshin ato që kisha nevojë.
Ka shumë mundësi që Vlora të jetë qyteti bregdetar më i gjatë në Shqipërinë tonë. Nga qendra deri tek Rrapi në Ujë të ftohtë, siç i thonë vlonjatët, u desh një dy-orësh i mirë për ta përshkuar. Ishte mirë të ecje në këmbë, sidomos pasdite kur dielli po fillonte të perëndonte e kur pushuesit po shkrehnin çadrat për t’i thënë plazhit lamtumirë, të paktën për atë ditë. Sytë më kapën, në Plazhin e Ri nja dy “vendroje”, që u ishin lënë rojeve të plazhistëve. Por çe do që ishin bosh. “E kanë bërë shumë mirë plazhin këta të bashkisë por rojet e plazhistëve i kanë harruar t’i vendosin. Ishallah na ruan zoti se nuk i dihet detit”, më thotë Anisa, një vajzë nga Fieri që vinte çdo ditë për të pushuar në Vlorë. Por Anisa bën shyqyr që kishte gjetur një nga ato çadrat e bashkisë, të cilat u ndahen falas pushuesve, se zakonisht zihen shumë shpejt.
Kthehem në hotel dhe duke u kthyer dal në përfundimin se në Vlorë nuk paska nisur mirë sezoni. Shumë pak turistë për një qytet aq të gjatë.
E premte
Ora 07:50 e mëngjesit, nisem për Rradhimë. Shoferët e furgonave të Vlorës ia kishin mësuar hilenë punës. Ishin rreshtuar në afërsi të Xhamisë së Muradies dhe prisnin turistët apo ndonjë punëtor sezonal që kish nisur të shërbente në lokalet a restorantet e Rradhimës. Fatmirësisht furgonat lëviznin çdo 20 minuta nga Vlora në Rradhimë e anasjelltas. Një rrugë e këndshme por që bëhej edhe më,kur në të djathtë të shfaqej deti. Por kur hidhje shikimin në të majtë të zinte koka po të numëroje hotelet, baret apo ndërtime të çfarëdolloji të vjetra e të saponisura. Me sa duket banorët e zonës kishin kuptuar se nga Uji i Ftohtë e tutje turistët ishin më të shpeshtë. “Hë, ku po shkon apo ke filluar punë?”, i thotë një pasagjer një djali të ri, i cili pas një sekonde i gjegjet se ka nisur punë si kamerier. “Çfarë të bëj o vëlla, kam nisur punë, kot të rri në shtëpi këto tre muaj, më mirë të marr ndonjë lek e të shtyhem”, i përgjigjet djaloshi bashkëudhëtarit që e njihte. Shoferit i pagova 100 lekë të reja dhe pas 15 minutash u ndodha në Rradhimë, në një hotel që ma kishin prezantuar si të “klasit të parë”. Bukur, shumë bukur. Që kjo Shqipëria jonë të kishte një cep kaq të këndshëm e të qetë nuk ma kishte marrë mendja. “Sikur të jesh jashtë”, më tha një turist nga kryeqyteti që kishte ardhur të pushonte në Rradhimë. Dhe pse mos të ishe se. Ujë i kristaltë, restorant shumë i mirë, bar-kafene, hotel me të gjitha kushtet por edhe të njëjtat çmime me jashtë. Gjithçka përputhej. Edhe shumë gjuhë që fliteshin ndër turistë. Edhe shumë harmoni në stafin që shërbente. Tre orë të këndshme në Rradhimë dhe vrap furgonit për t’u kthyer në Vlorë.
E shtunë
Vlora njihet më shumë për plazhet e bukura. Por unë doja të shihja të tjera gjëra. Pyeta se ku ndodhej Muzeu Historik dhe Muzeu i Pavarësisë. Ia nisa me atë të historisë se e kisha edhe më afër. Por çfarë të shihje nga jashtë, mure me lagështirë që të thoshin t’ja fusje vrapit e ta lije për njëherë tjetër vizitën. Por unë u futa brenda. Ciceronia më tha se kanë kërkuar fond në bashki e do ju vijnë, që t’i rregullojnë muret. Në Muzeun Historik ka objekte prehistorike e deri tek ato të viteve 1924, si arkëmorti i vërtetë i Avni Rustemit. Thonë se kur Avni Rustemi vdiq, ia ndërruan arkëmortin, duke e vënë në një tjetër kështu që ai i pari u bë pjesë e këtij muzeu.
Objekti që përsëritej më shpesh në këtë muze ishin amforat, vazo të bëra me gur apo baltë që nga banorët e Aulonës përdoreshin për të transportuar ushqim. Kushedi sa herë cieronia e përsëriti fjalën “amforë”.
Nuk pashë asnjë turist të hynte në muze, të paktën për një orë qëndrimi. Po kështu la të kuptohej edhe ciceronia, e cila më pohoi me gjysmë zëri se numri i vizitorëve nuk është i lartë.
Nga qendra në Skelë më çoi një nga autobusët urbanë të qytetit. Ishin autobusë të rregullt dhe lëviznin çdo 10 minuta. Pas 7 minutash u gjenda para rezidencës së qeverisë së parë shqiptare, Muzeut të Pavarësisë në Skelë. Gjendja ndryshon. Nuk ka të krahasuar me Muzeun Historik. I vogël por i këndshëm dhe tepër i mirëmbajtur. Që prej dy vjetësh më thanë se ka vënë dorë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Me që ky muze është monument kulture duhet një kujdesje më e madhe për historinë tonë të afërt.
Vendi ku ka punuar Ismail Qemali me 10 ministrat e tij, pas shpalljes së pavarësisë më 1912 është me të vërtetë shumë i vogël, i ndarë në 7 dhomadhe 2 sallone. Menjëherë shkoj tek dhoma e “kabinetit” qeveritar. Kjo po që është qeveri në dietë! Një tavolinë e vogël me ca karrige rreth. Në një nga dhomat e tjera, që fatkeqësisht nuk e mbaj mend se cila qe, se vëmendjen ma tërhoqi një detaj nga një firmë, pashë Aktin e Pavarësisë. Albiona, ciceronia e muzeut që ishte e zhdërvjellët në të folur, shjegon se ky akt është dhuratë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit për muzeun. Krahas 40 firmave të vitit 1912 nga të pranishmit kur u nënshkrua akti i pavarsisë, qëndronte edhe firma e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli. Albiona më thotë se ky është një akt i dhuruar nga Znj. Topalli, sepse ajo ka mundur ta gjejë në origjinal dhe të paretushuar aktin e pavarsisë, ndryshe nga ç’ishte i njohur në ish-regjimin komunist ku mungonin firmat e Mustafa Krujës, Mithat Frashërit dhe Lef Nosit. Madje Albiona më thotë se muzeu e ka pranuar këtë dhuratë nga kryetarja e Kuvendit dhe nuk e sheh me aq vërejtje një firmë shtesë fare të freskët. Po ne si duhet ta shohim?!
E diel
Para se të nisesha në Tiranë doja të vizitoja lokalet e Skelës. Qëndroj në njërin prej tyre. Prej andej duket Porti i Vlorës që siç më thonë ca peshkatarë, mund ta marrësh si modelin e një porti primitiv. “Pse port është ky, një rrip rëre dhe betoni dhe anijet nuk kanë vend ku të qëndrojnë”, më ankohet njëri prej tyre.
Po ç’të dëgjosh prej një zotërie tjetër që e takoj rastësisht. “Këtu gjuhet me dinamit. Na çmendën natën dhe ditën dhe policia nuk vepron”, tregon rrëmbimthi sepse i duhet të largohet. Unë mbetem pa folur. “Ore për çfarë dinamiti e keni fjalën ju, se qeveria ka vendosur moratoriumin anti-skaf si ka mundësi që nuk kontrolloka dot dinamitët ?”, pyes nja dy burra që duket se u çliruan kur unë e mora vesh që peshqit kapen me dinamit. “Aman, lëre anti-skafin ti. Këtu bëhet nami edhe me motorrët në det që kapërcejnë brigjet. Po si, ta merr mendja ty se moratoriumi do ju bëjë derman?!”, kundërpërgjigjen vlonjatët. Hajde e merre vesh ti se si është e vërteta. Të masakrojnë me argumente, se njerëzit e Vlorës po të duan ndonjëherë nxjerrin xhevahire.
Shpejt e shpejt ndërrojnë argument e të “çojnë” në turizëm. “Hajde TEC hajde, hajde Petroliferë hajde. Po këta do e mbushin me turistë Vlorën apo me naftë?”, më thotë njëra palë e burrave. “Po pse çfarë doni ju, që të rrijnë pa punë njerëzit. Ore më mirë që po ngrihet një industri që të hapen punë të reja se vlonjatët po vdesin për bukë. Po nuk bëhet dot Vlora me turizëm ore jo. Se turizmi është pasi e ke mbushur barkun me bukë dhe pastaj bën plazh”, më thotë një vlonjat që punon në Itali e që është kthyer në Vlorë për të qëndruar nja ca ditë me familjen. “Ore Venecia çfarë e di veten dhe kur vjen puna ka industri të rënda që njerëzit të punojnë. Se vlonjatët nuk do mbahen me tre muaj turizëm e pastaj të hapin sytë e të shohin”, vazhdon emigranti. “Ah sa mirë që banka s’iu dha lekët. Se kujtojnë që i kanë projektet e mira këta qeveritarët tanë. Po të paktën të na pyesnin një çikë, se jemi ne që jetojmë këtu në Vlorë e jo ata”, thotë njëri nga burrat që e kundërshtoi ashpër emigrantin. “Rri të keqen, se ti ikën në Itali. Po ne çfarë do bëjmë sikur të derdhen anijet me naftë në det?”, i hakërrehet burri thinjosh emigrantit.
Të më falni mua, u them, se më duhet të nisem për rrugë. Çohem prej andej duke ua lënë përgjysmë bisedën. Zakonisht turistët ndjekin një axhendë të caktuar dhe kur vjen puna për debate të gjata nuk i kanë edhe aq qejf. Sidomos në ditë pushimesh.