Premte, 19 Mars 2010 08:57:48

Lexoni versionin Print

Zvërneci, manastiri ku turistët humbin

Kur pamë tabelën ngjyrë kafe që na tregonte cilën rrugë duhet të merrnim për në zonën turistike të Zvërnecit, u emocionuam të gjithë.

Arlinda Gjypi
Premte, 14 Nentor 2008 09:47:00

VLORË - Kur pamë tabelën ngjyrë kafe që na tregonte cilën rrugë duhet të merrnim për në zonën turistike të Zvërnecit, u emocionuam të gjithë. Kishim kohë që kishim bërë planet tona për një vizitë në vende të ndryshme të Shqipërisë, zona që ia vlenin t’i shihje dhe një prej tyre ishte edhe një kishë në një ishull në mes të detit (të paktën kështu na kishin thënë) e pikërisht, Manastiri i Zvërnecit.

Ecëm drejt disa metra në një rrugë që më bëri të nxirrja menjëherë celularin (një mjet shumë domethënës në kohët e fundit), ndërsa pyeta personin që drejtonte makinën nëse ishte i sigurt se kjo ishte rruga që na çonte në zonën turistike të Zvërnecit. “Nuk e di”, u shpreh. “Tabela tregonte se duhet të hynim këtej.

Gjithsesi, mund të pyesim”. Dhe vetëm pakmetra më tutje ndaluam për të pyetur një djalë se nga shkohej për në Manastirin e Zvërnecit. “Drejt”, ishte përgjigjja, ndërsa ne qeshëm tek shihnim rrugën e pashtruar e gropa-gropa, që vazhdonte përpara nesh. Në fakt, e kishim menduar pak ndryshe vizitën në këtë zonë, megjithëse të mësuar me surpriza të tilla rrugësh. Fundja, jemi një “vend në ndërtim” dhe e gjithë Shqipëria është “një kantier ndërtimi”.

Megjithatë, rreth 500 metra më tutje ndjemë një tjetër pasiguri. Miku im në timon tha: “Ç’pata që e lava makinën në mëngjes?!” dhe si për të miratuar fjalët e tij hymë në një pellg të madh me ujë që ndodhej në mes të një rruge të rrethuar me plehra dhe me dhera të hedhura pirg. “Duhet të pyesim sërish”, mendova e më pas propozova mendimin tim, që u miratua. Tashmë e kishin radhën një grua dhe një vajzë. Nuk e di se sa mund të jenë habitur me pyetjen se nga duhet të vazhdonin, edhe pse ndoshta ishin mësuar me pyetje të tilla. Na treguan që duhet të ecnim ende. Dhe ne vazhduam.

…Më kujtohet se kur merrja leksionet e teorisë për patentën, instruktori na shpjegoi se tabelat ngjyrë kafe tregojnë zonat turistike. Dhe tabela buzë rrugës me mbishkrimin “Manastiri i Zvërnecit” ishte në ngjyrë kafe…

Kthyem djathtas, ndërsa rruga e frikshme vazhdonte. Tashmë po bënim shaka me baltën dhe rrugën e keqe që na rrethonte. Pyesim sërish? Po, pyesim. Dhe pyetëm. Pastaj vazhduam. Pas disa metrash mbetëm sërish. Në kryqëzim nuk kishte asnjë lloj tabele. Nga të shkonim?! Një karburant në të djathtë. Pamë njëri-tjetrin dhe thamë se me këtë rast bëjmë një rrugë e dy punë.

Pasi mbushëm makinën me benzinë iu drejtuam të zotit të pikës së karburantit të na tregonte se nga ishte rruga për në Zvërnec. Ishte njeriu i katërt që pyesnim, e megjithatë, nga tabela e parë që na tregoi ku duhet të futeshim, nuk kishin kaluar më tepër se dy kilometra. Përgjigjja ishte standarde: “Ecni drejt!” “O Zot”, mendova. “Ky drejt-i do të na i marrë mendtë”. Dhe ndodhi. Ecëm drejt dhe përfunduam në oborrin e një shoqërie çimentoje.

Po qeshnim. Rruga që na çoi në atë oborr ishte shtruar shumë mirë. Që aty duhet ta kishim kuptuar se ishim futur në rrugën e gabuar. U kthyem prapë mbrapsht dhe morëm rrugën tjetër që duhet të ishte “drejt”. Dëgjova drejtuesin e makinës që tha: “Shyqyr! Qenka një copë rrugë e asfaltuar”. Por zhgënjimi ishte i menjëhershëm. Ndërsa hymë sërish në një rrugë të paasfaltuar, një tjetër u përgjigj: “Sa herë të kemi thënë të mos flasësh? E ke gojën ters. Hë? Ku e ke rrugën e asfaltuar?” Përpara ishte një rrugë e tërë me gropa, me çakull.

... Më kujtoi Divjakën ajo rrugë. E ngushtë, me pisha, në një zonë vërtet të bukur, që po të investohej, do të ishte një perlë për këdo...

“Duhet të pyesim prapë”, dëgjova në një kohë që para nesh u shfaqën dy rrugë. “Tashmë u mësuam, nuk ka problem”. Një kamion kishte ndaluar, ndërsa një person ndodhej pranë saj. “Na falni! Cila është rruga për në Zvërnec?” pyeta. Tjetri na pa dhe ktheu kokën nga rrugët. “Këtej nuk mund të kaloni”, tha duke treguar rrugën në të majtë. “Duhet të ketë dalë deti. Më mirë merrni këtë rrugën tjetër”.

Vazhduam. Ndërsa ecnim, pyesnim njëri-tjetrin. “Ç’është kjo: ka dalë deti? Kushedi se si duhet të jetë rruga andej. Ishallah kjo rruga nuk është shumë e gjatë. I sati është ky që pyetëm? I pesti? O Zot! Imagjinoni sikur të vinte një i huaj për të vizituar Zvërnecin. Mendoni se do të arrinte ta gjente rrugën se ku duhet të shkonte?”. Përpara kishim një makinë. Ndoqëm atë me shpresën se mund ta kishte drejtimin njësoj me ne dhe të mos pyesnim sërish.

Rruga “e bardhë” vazhdonte të shtrihej përpara nesh. Megjithatë, pasi ecëm disa minuta në një rrugë mes pyllit dhe u futëm në një zonë të banuar, makina para nesh ndaloi. Ndjemë sërish nevojën për të pyetur. Ndaluam. Hapa xhamin e makinës dhe iu drejtova një burri në moshë: “Këtej është rruga për në Zvërnec?”. Përgjigjen që më dha, u mundova ta ngulisja mirë në kokë: “Ecni drejt deri tek një vësht. Pastaj do t’i kaloni vështit djathtas.

Kur të keni kthyer mos merrni rrugën drejt po zbrisni poshtë”. “Obobo!”, mendova, ndërsa ktheva kokën nga drejtuesi i automjetit. Ai e pyeti edhe një herë dhe morëm të njëjtën përgjigje. Vazhduam lëvizjen. Pas mbylljes së xhamit, njëri m’u drejtua: “T’i ke mbaruar shkollën për gjuhën shqipe. Na e përkthe pak se ç’donte të thoshte?” Përpara na dolën disa ullinj, të rrethuar me gardh. “Ky duhet të jetë vështi”, thamë.

Ecëm dhe pak dhe përpara na u shfaq ishulli. Zbritëm dhe morëm rrugën që menduam se duhet të ishte e sakta. “Pyesim edhe një herë”, dëgjova pas meje. “Nuk ka lezet të humbasim tani në fund”. Një burrë me biçikletë vinte drejt nesh. “Ky është Manastiri i Zvërnecit?” “Po!”, na u përgjigj. “Lëreni makinën në fillim të urës dhe pastaj vazhdoni në këmbë”. Ecëm edhe 50 metra dhe mbërritëm.

...Pamja ishte e mrekullueshme. Një ishull në mes të lagunës, plot me qiparisa dhe një manastir i vogël. Ura që të çonte deri atje, e drunjtë, e ngushtë. Era të merrte me vete, ndërsa ecje me druajtjen se mos ndoshta asgjë nuk ishte e sigurt dhe në një moment mund të rrëzoheshe. Tek afroheshim, magjepseshim. Jeshillëk kudo, një kishë e vockël para nesh, një bujtinë në të majtë dhe qiparisa madhështorë. Gjithçka e bukur, çlodhëse, e mahnitëse.

Kishëza dukej që ishte restauruar së fundmi. Brenda, errësirë. Ndezëm ca qirinj, ndërsa në pjesën e saj qendrore, rëra kish zënë vendin e pluhurit (...kushedi sa kohë më parë mund të ishte futur dikush aty brenda). Jashtë... disa varre. Pas... qiparisat. Ngjitëm shkallët pas kishës për të parë më mirë gjithçka dhe për mos t’i humbur asgjë asaj panorame.

Bëmë foto, pa iu shmangur vendeve ku njerëzit kishin fjetur dhe nuk kishin “përtuar” që edhe mbeturinat t’i linin aty, duke krijuar vende-vende koshë artificial plehrash, shenjë e pakujdesisë. Era të rrëmbente. E pamë ishullin të rrethuar me ujë nga çdo cep, ndërsa pëshpëritëm me njëri-tjetrin se sa bukur do të kishte qenë të kishe një shtëpi në atë vend...

Bëmë edhe disa foto dhe morëm rrugën e kthimit. “Ia vlejti”, i thamë njëri-tjetrit. “Por unë nuk do të kthehesha më asnjëherë këtu”, tha një tjetër. Të gjithë në heshtje menduam të njëjtën gjë. Rruga e pashtruar dhe disa dhi që kullosnin rrotull ishin përgjigjja. Vazhduam rrugën për në Tiranë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

PERDORIMI
Për motive sigurie është shtuar edhe imazhi i konfirmimit të komentit. Duhet që në kutinë përkatëse të shkruani imazhin që shikoni poshtë saj, nëse një gjë e tillë nuk bëhet komenti nuk do të shtohet. Gjithashtu nga redaksia komentet më të mira botohen ne gazetë. Faleminderit për mirëkuptimin
Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Maqedoni, liderët e partive në takim për zgjedhjet e marsit

09/01/09 08:22:00 | Katër partitë më të mëdha politike në Maqedoni sot do të..

Një termet 4.5 ballë bie në Maqedoni, ndjehet edhe në Tiranë. S’ka dëme

08/01/09 17:17:00 | Një tërmet me fuqi rreth 4,5 ballë sipas shkallës Rihter goditi..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML