Para një viti sorollatesha në Spitalin Onkologjik në Tiranë, ndërsa shoqëroja një të afërmin tim të sëmurë. Mungonin citostatikët, ilaçe me të cilat mjekohen të sëmurët me kancer, pasi nuk ishin bërë blerjet e nevojshme.
Ato ditë, në bisedë me një zyrtar, mora vesh që një zv.ministre prej kohësh mungonte në zyrën e saj, për shkak se ishte e sëmurë. Për ironi të fatit, diagnoza m'u tha se qe "kancer i gjirit" dhe nuk mund të mos ndjehesh keq kur dëgjon një lajm të tillë. Por ndjehesh shumë më keq, kur merr vesh që zonja nuk po trajtohej si gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë pranë Spitalit Onkologjik në Tiranë, por... në një klinikë të specializuar në SHBA!!! Kjo u mundësua nga një fond prej 100 milionë lekësh i vënë në dispozicion të saj nga qeveria shqiptare, për kurimin në vendin ku mbijetesa e qytetareve nga kjo sëmundje është më e lartë se kudo tjetër.
I afërmi im e humbi betejën me kancerin, për shkak të vonesës në diagnostikim si dhe mjekimit të vonuar. Krejt ndryshe ndodhi me zyrtaren e lartë. U rikthye në zyrën e saj, pas një viti që mungonte në detyrë. E shëruar nga e keqja që i kishte ndodhur. Nuk mund të mos gëzohet gjithkush, por dhe të trishtohet njëkohësisht për fatin e pabarabartë të njerëzve.
Zyrtarja iku larg, shumë larg. Natyrisht, pasi këtu ilaçe s'kishte, dhe kujdesi ishte i dobët. U pagua me paratë tona, përfshirë edhe të atyre kancerozëve të gjorë që nuk patën fatin e saj të mjekohen si ajo. Qeveria i garantoi qëndrim të qetë në Amerikë, së bashku me një të afërm të vet, jo vetëm duke i ofruar para për kurim në spitalin amerikan, por dhe duke i ruajtur vendin e punës.
Pas një viti, shumë njerëz vdiqën për shkak të mostrajtimit në kohën e duhur me citostatikë. U vonuan së tepërmi procedurat dhe vonoi blerja e ilaçeve.
Ndoshta do ishin shpëtuar shumë jetë njerëzish me ato paratë e shpenzuara nga taksat, ndoshta do ishin blerë më shumë ilaçe. Ndoshta…