SHËNIM I REDAKTORIT - Informacioni i mëposhtëm dhe fotot shoqëruese na janë dërguar për rubrikën Kontakt nga një lexues i “Shekullit” në Nju Jork. Falënderojmë për tekstin dhe sidomos për fotot shumë mbresëlënëse.
NJU JORK - Shqiptarët e Nju Jorkut, festuan të shtunën Ditën e Emigrantëve me një paradë në “Fifth Avenue” në qendër të qytetit. Disa qindra vetë morën pjesë në festimet e kësaj dite, nën tingujt e muzikës shqiptare që buçiste nga sheshi kryesor i Manhatanit. Në të gjithë rrugën valëviteshin flamujt shqiptarë dhe ata kosovarë, ndërsa festa vazhdoi për orë me radhë, duke mbledhur në shesh shqiptarë të diasporës, të mëdhenj e të vegjël, që kujtonin me mall Shqipërinë, kaq larg saj.
Nën tingujt e Dj Ando, i njohur për mbrëmjet e tij mes shqiptarëve të Amerikës, festa vazhdoi edhe me një paradë në Broadway të Times Square, ndërkohë që dhjetëra emigrantë vazhduan të valëvisin flamujt shqiptarë e kosovare në rrugët e Manhatanit.
Në festën shqiptare ishte i pranishëm edhe ish-kongresmeni, Jozef Dioguardi, një ndër mbrojtësit e kauzës shqiptare dhe asaj kosovare. Ai i përshëndeti shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në SHBA, duke u uruar Ditën e Emigrantëve dhe garantoi mbështetjen e tij për çështjen shqiptare.