Diel, 07 Shtator 2008 16:11:25

Lexoni versionin Print

“Përshtypjet e mia prej udhëtari pas vizitës në Tiranë...”

Kur flet për qytetin e ëndrrave të tua, atje ku u linde dhe u rrite, menjëherë të kujtohen muret me qerpiç dhe shtëpitë e vogla pas njëra-tjetrës, me portat e hapura dhe me oborret prej kalldrëmi që rrethojnë një shtëpi së cilës vende-vende suvaja i ka rënë.

Shekulli
Marte, 24 Qershor 2008 08:06:00

 

SHËNIM I REDAKTORIT: Artikulli i mëposhtëm është shkruar nga lexues Bashkim Bajraktari dhe është një nga reagimet e lexuesve për shkrimin “Urbanët e Tiranës, si karroca e Dylit” me autor gazetarin Dritan Laci. Në artikull, jepen përshtypjet e lexuesit, emigrant në SHBA, nga vizita e tij në Tiranë.

Kur flet për qytetin e ëndrrave të tua, atje ku u linde dhe u rrite, menjëherë të kujtohen muret me qerpiç dhe shtëpitë e vogla pas njëra-tjetrës, me portat e hapura dhe me oborret prej kalldrëmi që rrethojnë një shtëpi së cilës vende-vende suvaja i ka rënë. Gjelbërimi ishte një bashkim i përgjithshëm i kësaj pikture të mrekullueshme ëndërrore, e cila bashkohej me Malin e Dajtit, të cilin i nderuari dhe i paharruari Mihal Hanxhari e quante “princ i bukur i veshur në blu”.

Pasi le avionin e radhës në Rinas, rruga të befason me ndërtime industriale majtas dhe djathtas hyrjes për në Tiranë. Diku në një cep muri, të zë syri një grafit me diciturën “Mirësevini në Saligrad”. Rruga në afërsi të hyrjes për në qytet hapet me katër korsi, por shpejt kjo hapësirë mbyllet nga një rreth trafiku, ku dikush, për shpejtësi e pret shkurt për të kaluar në sens të kundërt. Mendon se ndoshta ka ndonjë urgjencë, por pas disa minutash kupton se në trafikun konfuz duhet të ruhesh nga të gjitha drejtimet dhe ndoshta edhe nga lart. Këtij kaosi duhet t’i shtosh edhe boritë e makinave, të cilat fillojnë pa u hapur drita jeshile.

Duket sikur të gjithë nxitojnë në një garë për jetë ose vdekje... Thonë se trafiku i makinave edhe njerëzve tregon edhe psikozën e një qyteti. Kur nget makinën në Tiranë mendon se je në mes të një mase njerëzish që sapo janë kuruar pas një shoku fizik ose psikologjik. Kjo veçori është aq e dallueshme sa shpesh mund të shikosh një grup shoferësh gladiatorë të cilët lëvizin si grup në sens të kundërt të trafikut që vjen. (për çudi, grupin që pashë unë e kryesonte një familje e cila kishte një fëmijë në këmbë në vendin e pasagjerit). O Zot sa shumë rrezik për... të dalë i pari në rrugë! Policia është kudo e pranishme por duket e pazonja të kontrollojë këtë masë gjigante kohë-humburish. Në stacionet e benzinës paguhet sa dyfishi në Amerikë.

Pasi mbërrin në destinacionin ku do të qëndrosh, është e pamundur të parkosh makinën. Mendon se ke gjetur një vend disi të sigurt, por gabohesh. Kur kthehesh të marrësh makinën, gjen një copë letër që mezi lexohet, që thotë se je gjobitur me 2000 lekë të reja. Menjëherë revoltohesh, por edhe gëzohesh. Është gjoba e parë në mëmëdhe. Befasia tjetër është që menjëherë mund ta paguash në Postë Telegraf. Me kënaqësi shkon edhe paguan gjobën e shumëpritur. Punonjësja e postës të jep përsëri një copë letër të palexueshme dhe të thotë: “Kujdes mos e humbësh këtë letër, përndryshe je i djegur”. Kjo të bën që ta vendosësh me kujdes letrën e palexueshme në brendësi të letrave të tjera të shumta që duhet për të ngarë një makinë. Sepse unë kisha menduar që kisha mjaftueshëm letra identifikimi për makinën që ngisja, por isha gabuar.

Në mbrëmje u ndalova nga një dyshe policësh rrugorë të cilët mbajnë disa shenja rrumbullake të kuqe, sikur të jenë magjistarë. Pasi na ndaluan, (njeri ishte i shkurtër dhe tjetri i gjatë), i shkurtri tha: Unë e di që ke pirë... Jo,- iu përgjigja. Polici i gjatë, në mënyrë më të ëmbël, kërkoi dokumentet. Unë i dhashë një grumbull letrash të cilat i përkisnin makinës. Pas inspektimit, polici kërkoi patentën time të Massachusetts në SHBA. Pasi e pa me kujdes më tha se dokumentacioni nuk ishte i plotë.

Kur u kërkova pse, ata u zemëruan. Më thanë që dokumentet duhet të provonin që unë dhe gruaja ime nuk ishim hajdutë makinash(!) Në këtë kohë ndërhyri gruaja, e cila iu lut policit të gjatë që të na linte të shkonim për atje ku ishim nisur. Polici i gjatë u konsultua me të shkurtrin dhe na kthyen DOKUMENTAT.Na këshilluan që “të kishim kujdes për herë tjetër”!? U larguam të habitur. Çfarë gabimi kishim kryer?

Pata shumë takime të përzemërta, por edhe disa të bezdisura me njerëz të afërt e të largët. Të gjithë flisnin vetëm për një gjë: Sa lekë mund të bëhej me këtë apo atë biznes. Aq shumë m’u duk në modë kjo gjë sa një miku im, në përvjetorin e ditëlindjes së tij tha se: “Ishte shumë krenar që ishte i pasur dhe jo i varfër”. M’u kujtua nëna ime, e cila thoshte në përvjetorë: “Me mend në kokë!”. Miku im kishte vetëm para në kokë.

Pjesa tjetër vetëm ankoheshin papushim për gjithçka që i rrethonte.

Pas largimit nga Tirana ndihesh i befasuar. Mendon: A ia vlen të vij dhe vitin tjetër? Mendohesh dhe nuk ke një përgjigje për momentin...


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML