SHËNIM I REDAKTORIT - Dy historitë e mëposhtme janë marrë nga Blogu i Shekullit (blog.shekulli.com.al). Janë histori të dy lexuesve, të ardhur si reagime, pas botimit të historisë së dhunimit të një gruaje në Librazhd. Ftojmë gjithë lexuesit e gazetës print, të na shkruajnë mendimet e tyre rreth temës delikate të dhunës në familje.
1
...Rasti që po shkruaj me poshtë, është i jetuar dhe shumë tipik shqiptar: një djalosh i cili kishte lindur, punonte dhe kishte mbaruar studimet e larta në Tiranë martohet me një vajzë po qytetare, po nga Tirana. Me gjithë që familja e vajzës ishte një familje intelektuale, ajo pranonte që kontradiktat në familjen e re do të kalonin me kohë. Por arkaizmi i trashëguar nga familja e burrit, sjellja intolerante edhe për veprimet e thjeshta qytetare prej saj, të cilat theksoheshin dhe merrnin trajtën e një psikomanie, bëri që të vinte një ndarje e përkohshme dhe më pas, një sëmundje e pashërueshme e gruas, deri në përfundim fatal të saj.
Pas shumë vitesh burri-baba me fëmijët ndodhet në Melburn, Australi. Nuk di t’i trajtojë, nuk di të sillet me ata në atë vend tolerant me ligje të sakta për detyrimet e prindit dhe trajtimit të fëmijës. Ai vazhdonte të sillej si në Shqipëri; shante, ofshante, godiste, ulërinte etj.
Pas disa kohësh vjen punonjësi social dhe pasi merr informacionin e thërrasin burrin-baba, e këshillojnë si fillim. Po rastet përsëriteshin. Thërritet në polici dhe në prani të punonjësit social i vendoset “record”, pra i kujtojnë “që në rast të përsëritur, fëmijët do t’i kalojnë institucioneve sociale, ndërsa ai mund të shkojë në burg, ose më e pakta të rikthehet forcërisht në vend të tij”.
E kupton situatën dhe nuk ka ç’të bëjë. Tani është mëse i qetë, me raste të rralla të dhunës (vetëm të dhunës verbale). Ka kuptuar se si trajtohet familjari, qoftë edhe fëmija i cili nuk është pronë e tij. Jo më gruaja.
Pra, ambienti dhe shoqëria e detyroi me dhunë dhe me ndërgjegje të ndryshojë, të kuptojë se kur jep njeriu dashuri, edhe merr dashuri, ndërsa kur jep dhunë, trashëgon dhunë dhe pret dhunë.
(Nga adresa antero@hotmail.com)
2
Po tregoj pak për historinë time. U martova 18 vjeç, ishte viti 1998. Jeta ime mbaroi aty, im shoq ishte polic dhe të tëra vitet e martuar i kam larë me lot. Në vitin 1996, linda një djalë. Erdha nga materniteti në shtëpi, po qëndroja me vjehrrën time dhe djalin në dhomë, po ushqeja djalin tim treditësh dhe nuk lëvizja dot sepse kisha bërë operacion. Në atë kohë im shoq futet në dhomë, më shikon shtrembër dhe në sy të nënës së tij më bërtet duke më thënë, “unë u futa në dhomë e ti s’po lëviz vendit”. Më kapi prej flokësh në sy të saj, duke e larguar djalin nga gjiri im. E ëma doli jashtë.
Lotët s’më pushonin, sepse dhimbja e plagës ishte e madhe, por dhimbja e shpirtit ishte dyfish. I ranë nervat, por ai moment bashkëjeton me mua edhe sot e kësaj dite këtu ku jam, në kurbet. Jetova me të derisa djali u bë 4 vjeç. I fala atij njeriu, vitet e mia më të bukura. E doja, por ajo dashuri u zbeh e u shua sa nuk e shihja dot më me sy. Nuk kisha rrugëdalje tjetër veçse të largohem. Mora djalin dhe ika te familja ime. Ishte viti 2000, ëndrrat e mia ishin prerë prej kohësh, se di as vetë pse jetoja. Sot jetoj larg, aq larg, sa dhimbja në shpirtin tim nuk u ndal kurrë...
(Nga lexuese A.D.)