SHËNIM I REDAKTORIT - Pjesa e mëposhtme komike është marrë nga gazetatema.net, dhe është dërguar në Kontakt nga lexues Elidon Kasemaj. Sigurisht që bëhet fjalë për një fiction që nxjerr në pah karaktere dhe jo për një ngjarje të vërtetë. Lexim të këndshëm!
Një sherr i madh plasi dje pas mbledhjes së qeverisë mes administratorit Flamur dhe Zyrës së Shtypit të Kryeministrit. Flamuri, i cili ndjek rregullisht në TV mbledhjet e qeverisë, përpiqet të kapë çdo detaj të bisedave të Kryeministrit dhe pas kësaj i përdor ato në publik si direktiva, që të duket dhe i informuar. Këtu nisi gjithë keqkuptimi. Kryeministri, në përpjekje për të bërë humor mes planeve të tij për të pjekur domate në sera diellore dhe pjekjes së tij në diell, në Dhërmi, akuzoi me humor median se ka bërë diçka të padobishme duke publikuar pamje nga dita e tij e pushimit në Dhërmi, ku po përpiqej të pozonte duke notuar.
Vërejtjen e tij për median Kryeministri e stërholloi, ngaqë nuk po i dilte ndonjë batutë e hajrit, dhe Flamurit iu duk se ai ishte shqetësimi kryesor i Kryeministrit në mbledhje të qeverisë. Kaq deshi dhe kapi telefonin. Thirri së pari drejtorin e Marrëdhënieve Publike, Gridin, por nuk i dilte asgjëkund. Me vonesë arriti të marrë vesh se ai nuk kishte faj, pasi kishte ikur me leje në SHBA.
I mërzitur, zuri të turfullonte.
- Pikë e zezë, - tha, - gjithë refugjatët punojnë në dimër dhe vijnë në verë në Shqipëri, ky punon në dimër këtu dhe ikën në verë në SHBA!
Pas kësaj mori Juelën, zëdhënësen diskrete të Kryeministrit dhe njeriun më të rëndësishëm të tij. Sipas informacioneve që Flamuri arriti të mbledhë, kjo kishte qenë ideatorja e publikimit të videos.
Juela nuk po ia hapte telefonin. U bë nervoz dhe me të, po s’kishte ç’të bënte. Mori më në fund Petrit Becin.
- Alo, Flamuri jam, - i tha. - Ju i keni shpërndarë ato pamjet e atij burrit në plazh?
- Po, ne, - tha i gëzuar Beci. - Na i solli Juela dhe tha “shpërndajuani gjithë televizioneve”. I thashë që i shpërndajmë, por kujdes, se nuk i japin, po i morën nga ne. “S’ka gjë, - tha, - se do flas vetë me ta një për një”. Po bukur doli, ë? Po sa mirë dinte not Doktori! Se thonë këta plehrat që as not nuk di! Fantastik ishte në not.
- Lëri mo këto, po kush ta jep të drejtën ty të përgjosh Doktorin dhe të shpërndash videon?! A e dëgjove sot në mbledhje qeverie, o zotëri, që e quajti “skandal” publikimin e atyre pamjeve?
Beci i shkretë u hutua fare dhe s’dinte ç’të thoshte.
- Po pse, kemi bërë gabim thua ti?
- Po natyrisht, shumë gabim keni bërë dhe s’do kalojë lehtë kjo,- ia preu Flamuri.
- Po ç’faj kam unë o burrë! Vetë më morën në telefon, më thanë “na e bë këtë shërbim” dhe e bëra. E kam fajin unë që s’u lidha vetë me Doktorin, po e lashë në mirëbesim tek ata. Se ajo në fakt nuk ishte mirë që u transmetua. Se, le se ç’them unë për gallatë, po ai as not nuk dinte. Më thanë shumë vetë që i kishte këmbët në tokë dhe pozonte. Pastaj, dhe ai stili i notit ishte stil “not qeni” dhe duket fyese. Dhe mund të kishin marrë dhe një kamera më të mirë, po të ishte nevoja. S’kishte pse thoshin “amatorë”. Se do na dalë ndonjë problem, do na thonë që bashkëpunoni dhe me amatorë.
- Mirë o mirë, po si i bëhet kësaj pune tani, se dikush duhet të mbajë përgjegjësi?
- Unë them që Juela e ka fajin. Ajo më urdhëroi. Unë nuk kam faj.
- Po ajo ka mbyllur telefonin, s’kam ku ta gjej.
- S’ka gjë se e gjej unë, po ti fol me Doktorin dhe thuaji si është problemi, se mos ma ngec mua.
- Mirë, mirë, se flas unë me të, po ma gjej këtë Juelën.
Pas dy minutash bie zilja e Juelës.
- Ça ishte ai skandal që bëre me videon? - ia preu Flamuri.
- Uaa, pse s’të pëlqeu?- tha Juela. - Doktori u kënaq. Sapo më mori tani dhe më falënderoi që e menaxhuam shumë mirë.
- E di, e di, se ma tha dhe mua, po bëra gallatë me Becin, desha ta trembja dhe i bërtita.
- E mirë ia bëre, se duhet mbajtur nën presion ai, se ndryshe kthen menjëherë ke buka e vjetër. Po jam kurioze, militantët si e kanë pritur.
- Po mirë më duket, aty te PD s’para vijnë tani, se i mbaj kyçur zyrat unë, po ata që takoj rrugëve, mirë thonë. Se ishte si tabu kjo. Thoshin që Doktori nuk zhvishet, Rama zhvishet. Ja, u zhvesh dhe Doktori. Thoshin që Doktori nuk flet me fjalë të pista si njeri normal, ja, foli në Kuvend. Tani s’kanë më gojë të flasin. Thonë vetëm që Doktori s’ka të dashur. Po ato s’i tregon njeri... s’është argument.
- Të drejtë ke, - tha Juela. - S’kanë çfarë thonë më tani.