SHËNIM I REDAKTORIT - Artikulli i mëposhtëm është shkruar nga një prej bashkëpunëtorëve të rinj të rubrikës sonë, Elton Xhanari, në përgjigje të pyetjes së një lexueseje për foto-lajmin e botuar numrin e djeshëm, ku paraqitej një fëmijë kinez i sëmurë. Pyetja e dërguar me SMS (në 0692061489) kërkonte hollësi mbi situatën e kësaj sëmundjeje që gjendte prej disa ditësh në qendër të interesit të mediave botërore.
Kjo është një histori kriminale, një nga më të këqijat; dhe krimi është nga ata që nuk të lënë indiferent, që të fusin dridhmat. Numrat flasin vetë: 54 mijë të helmuar, 13 mijë të shtruar në spital me dëme fizike që mund t’u ngelen përgjithmonë, 104 në rrezik jete dhe 4 të vdekur.
Ekziston një detaj që e bën tragjedinë akoma më dramatike: pas këtyre numrave fshihen foshnje të helmuara nga qumështi që në fakt duhej t'i rriste.
Por le ta marrim me radhë, dhe ndiqni me kujdes datat, sepse nga ato mund të kuptoni shumë.
02 Gusht.
Janë duke filluar Lojërat Olimpike, Kina ngjyroset sërish, pastron xhamat e saj të veshur dhe pasqyrohet në vitrinën e botës. Nuk ka hapësira për polemika, çdo fije zëri jo në sintoni me regjimin, thjesht pritet.
Por diçka e rëndë po ndodh në një qytet industrial 300 km larg Pekinit (Shijiashuang). Mbi tavolinën e kryetarit të bashkisë, Ji, arrin një dosje e mprehtë, e cila do të ciflosë në mënyrë të pariparueshme murin mediatik të lëmuar dhe perfekt që mban nën mburojë Lojërat Olimpike dhe vetë Kinën.
Në territorin e zotit Ji, ka 22 ndërmarrje të cilat po helmojnë qumështin pluhur (kryesisht i prodhuar për foshnjat), me melaminë. Ajo është një pluhur i imët i bardhë, që ka 50% azot në përbërjen e saj, perfekte për t’u përdorur si pleh kimik, dhe për të prodhuar plastikë. Problemi është që azoti, tek qeniet njerëzore, i bën kockat të dobëta dhe bllokon disa funksione të mëlçisë, përveçse shkakton probleme në aparatin riprodhues, probleme në veshka, derisa të shfaqet tumori. Është e përzier me lopata me qumështin, është shumë e leverdishme (29 dollarë për thes), dhe ka avantazhin që e tregon qumështin më të pasur në proteina.
Në të vërtetë, është thjesht një marifet; nëse melamina përdoret tej disa dozave minimale të përcaktuara, s'është gjë tjetër veçse helm. Analizat e konfirmojnë, por ky nuk është momenti për të përhapur lajmin; fëmijët që kanë patur fatin e keq të lindin dhe të rriten në prag të Lojërave Olimpike, dhe tani disa prej tyre, duhet të vdesin me ngadalë dhe shumë të tjerë të ngelen të gjymtuar përjetë.
Që shteti Kinez të mos bëjë figurë të keqe, dosja kyçet në një sirtar, dhe çelësi humbet.
04 Shtator. Skandali fillon të përhapet sa hap dhe mbyll sytë, mijëra fëmijë shtrohen në spital dhe disa fillojnë edhe të vdesin. Nuk është më e mundur të mbulohet dielli me shoshë. Lojërat kanë përfunduar, reflektorët e botës nuk ndriçojnë më mbi Pekin, dhe ka ardhur momenti të zgjidhen problemet. Pas muajit reklamues, rimerr rëndësi jeta e fëmijëve.
Është pikërisht kjo që të bën më shumë përshtypje, që në një shtet të stërmadh si Kina (1 miliardë e 300 milionë banorë), nuk është vendosur akoma një hierarki vlerash; bën përshtypje si shëndeti i mijëra fëmijëve mund të jetë kaq i parëndësishëm.
Bëhet thjesht kujdes mos fiken fishekzjarrët, imazhi në radhë të parë.