A është e lehtë të gjesh një armë në Shqipëri, duke pasur parasysh këtu kuadrin ligjor, rrethanat sociale dhe shoqërore? Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjem sinqerisht, edhe pse përgjigjja nuk është shumë entuziaste. Është e lehtë dhe plotësisht e mundshme të gjesh një armë si në mënyrë të ligjshme, ashtu edhe të paligjshme. Le të jemi më konkretë:
Si mund të pajisesh me një armë në mënyrë të ligjshme? Po punohet për të përgatitur një ligj më bashkëkohor, në mënyrë që të kufizohen në ekstrem mundësitë e pajisjes me lejë të armëve, por aktualisht ne kemi në fuqi një ligj të vitit 1992,- (tashmë një ligj tejet i vjetruar dhe që ka mjaft hapësira) - që mundëson pajisjen me armë zjarri të: personave që kryejnë detyra shtetërore dhe politike (deputetë, anëtarë të qeverisë, kryetarë të partive politike, drejtuesit e lartë të organeve të drejtësisë e prokurorë, gjyqtarë e përmbarues gjyqësorë, drejtuesit e pushtetit vendor dhe shoferët e tyre); persona të ndryshëm fizikë (punonjës të policive të ndryshme, roje civile dhe punonjës të sistemit bankar, Shërbimi i Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, përgjegjësa të trenave, e disa kategori të tjera).
Kjo është “kategoria ligjore”. A ka rrugë dhe mundësi të tjera? Po. Është trafikimi i armëve. Ekzistenca ekrimit dhe e grupeve kriminale me natyra të ndryshme, e mundëson këtë. Dhe ne e dimë që arma në duart e një personi të varfër, të pashkolluar i cili të vetmen mburojë ka “nderin e familjes”, është burim i vazhdueshëm rreziku, premisë për degjenerimin e konflikteve të thjeshta ndërmjet shtetasve apo edhe në familje, në vepra të rënda penale të kryera me armët e zjarrit. (kjo shpjegon dhe faktin se në zonat rurale ku niveli i varfërisë është më i lartë, krimet kundër jetës janë më prezente, ndërkohë që në zonat urbane janë më të theksuara krimet kundër pronës).
Ka edhe një arsye të tretë pse në Shqipëri mund të gjesh armë lehtësisht. Në duart e një pjese të popullsisë, gjenden akoma armët e pasngjarjeve të vitit 1997. Edhe pse veproi për disa vjet një ligj për grumbullimin vullnetar të tyre, sipas burimeve zyrtare, ekzistojnë rreth 170.000 – 200.000 armë zjarrit në duart e njerëzve , (ose rreth 45% e armëve të grabitura në vitin 1997). Në Shqipëri, mbas përfundimit të afatit të këtij ligji, janë ashpërsuar dispozitat e Kodit Penal që kanë të bëjnë me prodhimin dhe mbajtjen e armëve luftarake dhe municioneve pa lejë, të trafikimit të tyre, etj., duke parashikuar afate më të gjata burgimi për autorët e tyre.
Përveç sa më sipër, fenomeni i gjakmarrjes (sidomos në veri të vendit), i stimuluar veçanërisht nga mentaliteti, psikologjia dhe reminishenca e veprimit të kanunit, detyron familjet që kanë këtë problem, të sigurojnë armë me dhe pa leje, për të “vënë nderin në vend”. Gjithashtu, në Shqipëri ka më shumë liberalizëm në drejtim të pajisjes së shtetasve me armë gjuetie. Qytetarë të ndryshëm bëjnë kërkesë dhe pajisen me këto armë, jo për pasion për sportin e gjuetisë, por si rrjedhojë e një mentaliteti të trashëguar nga e kaluara për të pasur një armë zjarri.
Përveç disa kërkesave të tjera, kriteri i moshës për t’u pajisur me armë zjarri tek ne është 22 vjeç, moshë e cila mendoj se duhet të rritet. (vëmë re se autorët e vrasjeve më armë zjarri, për disa vite rresht, statistikisht janë rreth kësaj moshe).
Më shqetësuese e bëjnë këtë çështje, rastet e përdorimit të lëndëve eksplozive, si për të kryer krime kundër personit, shkatërrimin e pronës, por edhe rastet e përdorimit për aktivitete ekonomike të paligjshme. E gjithë kjo prani masive dhe e pakontrolluar e armëve dhe e eksplozivave, ndikon ndjeshëm në uljen e sigurisë publike.
Gjendja e sigurisë në shkollat tona
Në Shqipëri ka një traditë disavjeçare që Policia e Shtetit dhe Drejtoritë Arsimore Rajonale (apo drejtuesit e Universiteteve), përforcojnë masat e sigurisë në fillimet e vitit të ri shkollor.
Në detyrat e tyre, punonjësit e policisë kanë të përcaktuar të marrin kontakt me drejtuesit e shkollave, për problemet e rendit e të sigurisë aty. Nëse e keni vënë re ka patrulla, autopatrulla, dhe shërbime të policisë rrugore, në afërsi të shkollave, në veçanti gjatë kohës që fëmijët hyjnë e dalin nga godina.
Por shpesh janë evidentuar shqetësime në shkolla, si: vjedhje të regjistrave apo vulave, grisje të regjistrave, frekuentim të ambienteve pranë shkollave nga të rinj të tjerë të pashkollë, sherre e grindje banale midis tyre e vetë nxënësve, deri edhe ndonjë tentativë për kryerje vepre penale brenda apo në afërsi të mjediseve të shkollave.
Në Qarkun e Tiranës, ka mbi 400 shkolla publike e private 9 vjeçare, të mesme, universitete, konvikte e qendra studentore. Ky numër e vështirëson mjaft punën e Policisë së Shtetit, për t’i mbikëqyrur në çdo kohë ato. Gjendja fizike e mjaft shkollave e vështirëson gjithashtu punën. Ende ka shkolla që nuk plotësojnë standardet e sigurisë (p.sh. nuk kane rrethim të oborrit të tyre); një problem tjetër që krijon shqetësim është edhe fakti që pranë shkollave janë ndërtuar lokale e disko, ku konsumohet alkool dhe jo vetëm; në mënyrë permanente vazhdon nga njëri vit në tjetrin fenomeni i telefonatave anonime për vendosje “eksplozivi”, apo “bombash” etj.
Atëherë, kur në një botë të trazuar dhe në vende relativisht të qeta dhe me standarde sigurie si Finlanda apo SHBA, ndodhin ngjarje kaq tragjike, a janë të sigurta shkollat tona, nga hyrja në to e njerëzve të armatosur? Mendoj se me një roje civile që rri tek dera e shkollës, apo qoftë edhe ndonjë punonjës policie tek shkollat e mesme, janë shumë pak për të prevenuar ngjarje të tilla. Kërkohet një rritje e vëmendjes së të gjithëve: prindërve kur dërgojnë fëmijët në shkollë, por edhe edukimin përkatës, i rojeve civile dhe punonjësve të policisë, i stafit mësimor dhe i bordeve prindër – mësues, në përgjithësi për rritjen e vëmendjes dhe informacionit në parandalimin e ngjarjeve të tilla.
Unë mendoj se marrja e përgjegjësisë për një garantim të plotë të sigurisë në shkolla, vetëm nga Policia e Shtetit, është krejt e pamundur, sidomos në kushtet kur limiti organik i saj, është shkurtuar ndjeshëm.
Sugjerimi im është që sigurimi i Shkollave, gradualisht duhet të realizohet me Shërbimin e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike (me kontratë), duke përllogaritur fondin buxhetor nga Qeveria. Aktualisht prej disa vitesh, zgjidhja është gjetur duke vendosur një roje civil në hyrje të shkollës, pagesa e të cilit bëhet nga Bordi i Shkollave, nëpërmjet kontributit të prindërve, (gjë që nuk është as e drejtë), por as nuk krijon garancitë e nevojshme për të qenë fëmijët të sigurt.
TESTIMI
Në tre shkolla u futëm me një thikë në xhep të pantallonave
Dritan Laci
Në një testim të kryer në disa shkolla të Tiranës, gazeta “Shekulli” vë re me shqetësim se siguria megjithë prezencën e përforcuar të rojeve të sigurisë apo uniformave blu lë për të dëshiruar.
Për të parë se sa e lehtë apo e vështirë është të futësh në ambientet shkollore objekte të ndaluara që përbëjnë rrezik për jetën e nxënësve, na u desh të improvizonim vetë një “skenë terrori” duke “u armatosur” me një thikë që plotëson kushtet e armëmbajtjes së ftohtë.
Provuam tre shkolla. Thikën e kishim futur në xhepin e përparmë të pantallonave (pantallona xhins të thjeshta). Në të tri institucionet arritëm deri në zyrën e drejtorisë pa u shqetësuar nga askush.
I pyetur nga gazeta “Shekulli” lidhur mbi sigurinë në institucionin arsimor që ai drejton, Preng Vata, drejtor në shkollën e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, u shpreh “i sigurt se ajo ishte e lartë” dhe se “informacioni për elementët keqbërës merret në rrugë operative”. Të njëjtën metodë përdorëm edhe në shkollat e tjera. E thënë shkurt: Mund të fusje lirisht armë brenda rrethimit dhe në ambiente të brendshme.
Ka edhe shkolla pa rrethim fare. P.sh shkolla 9-vjeçare “Mustafa Greblleshi” dhe ajo e mesme “Sandër Prosi”, vetëm 2 kilometra në të dalë të Tiranës. Të dy shkollat gjenden puthitur me njëra-tjetrën dhe nuk kanë rrethim. Për të hyrë në oborr gjenden pesë hyrje në drejtime të ndryshme. Punonjësi i sigurisë te “Mustafa Greblleshi”, shprehu shqetësim: “Jam i pafuqishëm. Nuk mbaj përgjegjësi në oborr. Këtu si shkolla e mesme ashtu edhe ajo 9-vjeçare kanë një oborr, ndërkohë që siç e shikoni mund të hyjë kush të dojë dhe nuk ke çfarë llogarie t’i kërkosh”.
Drejtori i shkollës Hazbi Çikozi nuk pranoi të flasë pasi sipas tij “gazetarët janë mashtrues”. Gjithsesi, mungesa e sigurisë në këtë shkollë është e dukshme. Nxënësit na rrëfyen edhe për sherret me kaçavida.
Makthi në Finlandë, çfarë ndodhi?
Elton Xhanari
Masakra e paralajmëruar e Matti Saarit: 11 të vdekur në parajsën e qetë finlandeze.
“You will die next”, (Ti e ke radhën për të vdekur). Matti Saari e kishte paralajmëruar botën mbi marrëzinë e vet. Deri të martën e shkuar, mund ta shikoje në YouTube; dorë që s'dridhej, dhe shikim i akullt. Një djalë i paqëndrueshëm, ose ndoshta një garip që i dukej vetja i pathyeshëm. Videot përfunduan madje edhe në duart e policisë, e cila nuhati erën e barutit, por që nuk ia doli të kuptonte që Mr. Saari (nickname i tij në internet), e kishte seriozisht.
Pastaj vjen e marta e 23 shtatorit, dhe kronika bëhet e zezë si nata. Matti hyn në institutin e hotelerisë ku studion, ndërkohë që shokët e tij po bëjnë provimin e ekonomisë. Por ai nuk gjendet aty për këtë. Lë çantën e errët në korridor, nxjerr pistoletën, hyn në klasë dhe mbyll derën. Gjuan njëzet herë, vret një mësues dhe nëntë nxënës. Plumbin e fundit e ka për vete: gjithsej njëmbëdhjetë trupa pa jetë që plandosen mbi dysheme.
Nuk jemi në Irak apo në periferitë e kequshqyera të Kabulit. Jemi në Finlandë, ku nuk vuan urie, dhe ku nuk ka qitës mbi çatitë e shtëpive që të të qëllojnë. Jemi në një shtet model, i mbushur me parqe dhe liqene, ndër të parët në botë për cilësinë e të jetuarit. Një kopsht i gjelbër në këmbët e polit të veriut.
Dhe atëherë reflekton pak dhe ngre pyetjen: nga na doli ky i çmendur? Të lindin dyshime nëse ai ishte normal, dhe të ngërthen një ankth kur mendon që nesër në mëngjes, do çosh tët bir në shkollë.
Mbase Matti kishte vërtet probleme psikike, mbase neuronet e tij nuk lëviznin në kahun e duhur, por një i çekuilibruar mendërisht, rrallë sillet si killer profesionist. Dhe është pikërisht gjakftohtësia që të bën përshtypje, ai plan vrasës i përmbushur në mënyrë perfekte, aq sa disa dëshmitarëve ju duk sikur Matti “po zbavitej”.
Të frikëson cinizmi i këtij djali, banaliteti me të cilin vrau dhjetë qenie njerëzore, dhe është e kotë të përpiqemi të gjejmë fajtorët thjesht për të qetësuar shpirtin.
Problemi i vërtetë qëndron në karakteristikën më të thellë të kohërave tona, ku virtualja ngatërrohet gjithmonë e më shumë me realen, ku kufijtë nuk janë kurrë të qartë, ku e mira dhe e keqja shkrihen në një miks të pandashëm, dhe zgjedhja bëhet thjesht një çështje shijesh.
Nga 84 nxënës të pyetur, 36 kanë parë thikat dhe doreza në klasë
Elona Demollari
SONDAZH
Në sondazhin e kësaj jave pyetëm 55 nxënës të një gjimnazi në Tiranë (publik) dhe 29 të rinj të moshave të ndryshme (9-vjeçare dhe gjimnaz) të grumbulluar në një kurs për mësimin e gjuhëve të huaja. Pyetja që kemi drejtuar është:
Keni parë nxënës të shkollës suaj me armë në ambientet e shkollës? Nëse po, çfarë arme. Përgjigjet janë më poshtë.
Bie në sy për fat të mirë se vetëm në 2 raste na u raportua që ishin parë armë zjarri. (një pistoletë dhe një granatë). Në rastet e tjera, mjetet që qarkullojnë në shkollat tona janë thikat dhe dorezat (këto të fundit janë disa mjete për agresion kryesisht në fytyrë, në formën e dhëmbëzave që futen në mes të gishtërinjve)
GJIMNAZI (55 TË PYETUR)
32 - JO
23 - PO
7- po (thikë) 1- po (dorezë hekuri, kaçavidë, thikë) 11- po (dorezë hekuri) 1- po (shkop bejsbolli, kaçavidë) 3- po (thikë, kaçavidë)
KURSI I TË RINJVE (29 TË PYETUR)
16 – JO
13 – Po
(tek ata që kanë thënë PO, kanë parë thikë, biçak, dorezë, një ka thënë pistoletë dhe një tjetër ka thënë që ka parë dikë me granatë)