"Zieu Uilli birrë me kazanë / dhe ne të gjithë na ftoi të pimë / S'ka njohur bota kapedanë / si ne të tre në tavolinë... shkruante 230 vjet më parë Robert Burnsi në të famshem "Xhoni, kokërr elbi". 200 e ca vjet më pas Dritëroi ynë e pasonte me baladën e Rrush-Rushitit, një himn për rakinë shqiptare, po aq e denjë sa birra skoceze e Burnsit.
Në vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të një rilindjeje të birrës së shijshme. Publikimi i veprave mbi shijën e birrës, bar-et e specializuara dhe muzetë e parë të birrës, tregojnë përhapjen në masë të birrës. Shpesh harroet që birra ka pasur një "fementim të gjatë" historik që e ka futut këtë pije në "listën fisnike" të pijeve, pavarësisht staturës popullore të dukshme. Birra është një pasion mijëvjeçar që bashkon jugun dhe veriun e botës, ndërmjet besimeve fetare, praktikave magjike dhe supersticioneve.
Në vitet '60 marketingu e trasformoi birrën në një "pije për të shuar etjen". Kërkimet e para në treg treguan në fakt që sa më pak të jetë e hidhur birra aq më shumë shitet. Nga një studim mbi konsumin e birrës doli se 75% e klientëve ndjenin tërheqje për birrën që nuk është shumë e hidhur. Prodhuesit nuk mendohen dy herë dhe zvogëlojnë hidhërimin e saj në të gjithë prodhimin. Lindi kështu "birra e shijshme", një fenomen origjinal i cili i jep jetë një kulture të hershme të pirjes së birrës.
Birra e ka zanafillën në momentin kur njeriu vendosi "të bënte një pushim". I lodhur nga jeta endacake dhe pa paqe,njeriu primitiv vendosi të ndalonte. Të ngulej në një tokë dhe të provonte të jetonte pa lëvizur tutje-tëhu. Sigurisht që për tu ushqyer, duhej të kultivonte diçka. Dhe drithi i parë që njeriu arriti të merrte nga toka, ishte elbi. Sapo teknikat e prodhimit u përmirësuan lindi dhe nevoja që ky drith të konservohej kundër krimbave dhe dëmtuesve të tjerë, për të ruajtur rezervat e drithit. U pa e arsyeshme që elbi të ruhej në enë të mbushura me ujë dhe nga pikëpamja historike, këtu ndodh edhe episodi i parë i fermentimit: këtu lind pak a shumë birra.Njeriu i dikurshëm që luftonte gjithë ditën për mbijetesë, ndjeu se kur ushqehej me këtë lloj pijeje, ndjehej paprituri rifuqizuar. Rreth 3700 vjet më parë gjenden gjurmët e para të birrës: një tryezë argjili, e epokës së pre-dinastike së sumerëve, (i famshmi "monumenti blu"), tregon dhuratat që i ofroheshin yjneshës Nin-Harra: qengja, mjaltë dhe ... birrë.Kurse një tavolinë guri e kohës së babilonasve e zbuluar në 1981, dëshmon se ata prodhonin një lloj birre që në 6000 para Krishtit
Ndërsa burrat shqetësoheshin të lidhnin në ndonjë mënyrë birrën me zotat, (ajo pije duhej të kishte patjetër diçka hyjnore) është gruaja ajo që bën zbulimet vendimtare për përgatitjen e saj. Nga gruaja vjen zbulimi se birra fermentohet më shpejt sesa mund të përtypen kokrrat e elbit. "Enzima ptialine", që gjendet tek elbi, shndërron niseshten në sheqerna të përshtatshme për fermentimin. Sot, në shumë zona të Amerikës Latine, gratë që përtypin kokrrat, dhe më pas i hedhin në kazanpunues, në fund të fundit përsërisin një nga ritualet më antike të birrifikimit.
Por atëbotë birrës i mungonte ende aroma speciale që do ta vishte atë me një cilësi tjetër tërheqëse që të gjithë e njohim: Aroma. Vjen koha e Lupulus. Birra fillon të aromatizohet në shek e XIII, kur Sour Hildegard vëren aftësitë e Lupulus për të ndaluar prishjen e birrës duke i dhënë asaj jetëgjatësi. Në Bohemi, më pas në Gjermani dhe Hollandë, fillon kultivimi i Lupulus, ndërsa anglosaksonët fillojnë të përdorin këtë bimë disa shekuj më vonë. Ndërkohë priftërinjtë e epokës Karolinge, kishin filluar të dëfreheshin dhe me pretekstin e kultivimit të elbit dhe të studimit të procesit të fermentimit, prodhonin birrë pafund. 7-8 shekuj më vonë James Watt, i njohur për shpikjen e lokomotivës me avull dhe për impulsin e madh që i dha Revolucionit Industrial, vë në përdorim makinën e parë me avull të përdorur për ... shpërndarjen e birrës.Por, gjithsesi birra kishte arritur deri në Itali para se të shpikej kjo lloj makine. Duhet të kenë qenë etruskët ata që sollën në gadishull kulturën e kultivimit të elbit, lënda e parë për prodhimin e birrës. Romakët konsumonin me mijëra lirta birrë në perandorinë e tyre, por gjithsesi nuk arritën kurrë ta konceptojnë atë si një pije fisnike. Vendi i verës atje mbetet i paprekshëm. Në vitin 87 pas Krishtit, birra e gjermanëve krahasohet me "vinus corruptus" (përjashtohet birra nga përdorimi, ajo mendohej se ishte një "korruptim" i verës). Në shekujt në vazhdim, ishte kultura katolike e cila i dha një goditje birrës duke e konsideruar një simbol pagan të popujve veriore. Do të duhej të kalonin dekada që birra do të rifitonte përsëri lavdinë. Tashmë ajo konsumohet në mbarë botën, madje duke sfiduar bindshëm edhe verën.
Birra në Shqipëri...
Tradita e konsumimit të birrës në Shqipëri ështe e vonë. Deri në vitin 1938, birra në Shqipëri njihej, por nuk prodhohej. Në tavolinat shqiptare mbretëronin ende pijet tradicionale siç ishin vera jonë dhe sigurisht rakia. Në Shqipëri birra filloi të prodhohej vetëm pasi nis zhvillimi i industrisë ushqimore, dhe specialistët e parë në prodhimin e kësaj pijeje u diplomuan në shtete si ish -Bashkimi Sovjetik. Pas rënies së komunizmit, pati një pauzë deri në vitet e fundit kur prodhimi ka marrë hov falë inisiativave private, madje këtë vit në Tiranë u organizua e para Festë publike e Birrës me pjesëmarrjen e firmave shqiptare të prodhimit, festë goxha e mirëpritur nga publiku vendas.
Të çmendur pas birrës..
Heronj të letërsisë popullore si: Maigret e Nero Wolfe, shkrimtarë të përjetshëm si Shekspir, Dylan Thomas, Haine dhe Xhojs, kineastë si John Ford e Robert Altman, të gjithë na shfaqen të magjepsur nga shija e parezistueshme e birrës.
Benjamin Franklin
Birra është provë që zoti na do ne dhe dëshiron që të jemi të lumtur.
Gëte
Një birrë e fortë, një cigare plot aromë dhe një grua, kjo është kënaqësia
Cary Grant
Birra është një pije e mrekullueshme: ruan gjithçka, veç sekreteve
Anonim
Birrat janë si gratë, ka të mirë, të këqija por në fund të fundit... të gjitha duhen provuar.