Marte, 07 Tetor 2008 13:17:24

Lexoni versionin Print

Meksikani, njeriu me i pasur në botë

Pronari i të famshmes "Microsoft", Bill Gates, ka rënë dy ditë më parë nga froni i njeriut më të pasur në botë.

Shekulli
Enjte, 05 Korrik 2007 10:08:00

Pronari i të famshmes "Microsoft", Bill Gates, ka rënë dy ditë më parë nga froni i njeriut më të pasur në botë. Madje mund të thuhet se ai nuk ka rënë nga froni që mbante që në vitin 1995, por është rrëzuar prej andej me forcë nga një meksikan. Tashmë njeriu më i pasur në botë është Carlos Slim, pronari i "Telekomit" meksikan dhe i kompanisë më të madhe të telefonisë celulare në të gjithë Amerikën e Jugut. Ndoshta edhe vetë Carlos Slim, është habitur kur ka parë se rritja e madhe e aksioneve të kompanisë që zotëron, gjatë gjashtë muajve të fundit, ka bërë që pasuria e tij të vlerësohet me 68 miliardë dollarë amerikanë. Kompania "Telemex" ka bërë kërcimin më të madh në bursat botërore, duke u rritur me 27% gjatë 12 muajve të fundit. Ky informacion është publikuar nga një e përditshme ekonomike evropiane dhe është konsideruar si i besueshëm nga të gjitha agjencitë e lajmeve në botë. Pothuajse të gjithë rrjetet mediatike kanë vendosur si lajmin më të madh ekonomik të ditës, rrëzimin e Bill Bates nga froni i njeriut më të pasur në botë. Por revista "Forbes", e njohur për mbajtjen e llogarive të të gjithë pasanikëve të globit, nuk ka pranuar ende që të vendosë Carlos Slim në vendin e parë. Sipas saj, tre muaj më parë ai ishte në vendin e dytë dhe ende nuk është bërë një rivlerësim i pasurisë së tij, apo të asaj të manjatit të "Microsoft". Por Eduardo García, kryeredaktori i revistës meksikane "Sentido Común" deklaroi se e ka bërë këtë pohim, pasi ka ndjekur nga afër të gjitha lëvizjet e tregut global të aksioneve. "Kur unë deklarova për herë të parë, tre muaj më parë, se Carlos Slim mund të ishte njeriu më i pasur në botë, "Forbes" e nxori atë në vendin e dytë, disa ditë më pas. Le të shohim nëse do e bëjë sërish një gjë të tillë, por unë jam shumë i sigurt në llogaritë e mia", ka deklaruar Garcia për "Reuters". Dhe nëse llogaritë e tij janë të sakta, pasuria e Carlos Slim është e barabartë me 8% të GDP-së së të gjithë Meksikës.

Carlos Slim është djali i një emigranti libanez, Yusef Slim, i cili zotëronte një kafene të Meksiko City. Ai udhëtoi nga Libani për në Meksikë në vitin 1902, për t'i shpëtuar regjimit të egër të asaj kohe. Biznesi i tij i parë, ishte një ushqimore e vogël e quajtur "La Estrella del Oriente" (Ylli i Orientit), në vitin 1911. Më pas ai bleu edhe disa pasuri të paluajtshme dhe u martuar me të bijën e një tjetër emigranti libanez, me të cilën lindi gjashtë fëmijë. Carlos Slim, është fëmija i tyre i pestë.

Kush është Carlos Slim

I biri i një emigranti libanez në Meksikë, 67-vjeçari Carlos Slim e ka bërë pasurinë e tij në fushën e telekomunikacioneve, por edhe duke luajtur rrezikshëm në bursë. Ai është bërë i njohur kur nisi të blinte kompani që ndodheshin pranë falimentimit, e më pas t'i shiste ato me fitime kolosale. Me paratë e tyre, ai u bë pronar i pothuajse të gjitha "telefonatave" të Amerikës së Jugut. Në mars të këtij viti, ai u vlerësua edhe nga revista "Forbes" si njeriu i dytë më i pasur në botë, duke vendosur Bill Gates për të 13-in vit rresht në vend të parë. Sipas "Forbes" ai i është afruar tej mase "Perandorisë Gates", por ende nuk e ka kaluar atë.

Por, ndryshe nga miliarderët e tjerë, ai nuk ka si qëllim dhurimin e një pjesë të pasurisë së tij për bamirësi. Madje, Carlos Slim nuk beson aspak se bamirësia mund të ndihmojë të varfrit. "Bill Gates duhet të studiojë si ai mund të luftojë varfërinë, në të njëjtën mënyrë se si ai po bën që "Microsoft" të ketë sukses në biznes, sepse bamirësia nuk mund të zgjidhë këtë problem. Unë besoj se varfëria nuk duhet të luftohet me donacione dhe aktivitete bamirësie që bëjnë zhurmë të madhe në publik. Ajo luftohet me ndihma në shëndetësi, edukim dhe vende pune. Unë them gjithmonë: Duhet të shijosh frytin, jo pemën",- ka deklaruar Carlos Slim, në lidhje me varfërinë.

Pasaniku me orë plastike

Meksikani 67-vjeçar zotëron një të tretën e "America Movil", kompanisë më të madhe të telefonisë fikse në Meksikë, por edhe shërbimit celular në të gjithë Amerikën Latine. Kjo kompani pa` një rritje të pabesueshme prej 27%, brenda gjashtë muajve të fundit. Përveç pasurisë në telekomunikacione, Carlos Slim, zotëron edhe një sërë lokalesh dhe restorantesh në të gjithë kontinentin e Amerikës së Jugut. Por, edhe pse kaq i pasur, ai deri vonë ka qenë i njohur si pasaniku që mbante në dorë një orë plastike. Mënyra e tij e jetesës ka qenë shumë e thjeshtë, ndërsa shfaqet e tij publike tepër të rralla. Dhe tashmë i pyetur nga gazetarët për faktin që është njeriu më i pasur në botë, Carlos Slim është përgjigjur shumë thjeshtë: "Unë nuk i kushtoj rëndësi një liste të tillë".


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

PERDORIMI
Për motive sigurie është shtuar edhe imazhi i konfirmimit të komentit. Duhet që në kutinë përkatëse të shkruani imazhin që shikoni poshtë saj, nëse një gjë e tillë nuk bëhet komenti nuk do të shtohet. Gjithashtu nga redaksia komentet më të mira botohen ne gazetë. Faleminderit për mirëkuptimin
Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML