Hollivudi, Australia dhe të gjithë e apasionuarit e kinemasë dhe ekranit të vogël janë në zi. Aktori i ri dhe i talentuar Heath Ledger, protagonist i famshëm i filmit "Brokeback Mountain",është gjetur i vdekur në apartamentin e tij në Nju Jork. Aktori australian ishte 28 vjeç dhe në prill mbushte 29. Jetonte në një rezidencë në Manhatan. Mesa duket tragjedia është zbuluar nga kamarierja, e cila kishte shkuar në dhomën e Ledger për ta lajmëruar për ardhjen e një masazhatoreje, me të cilën ai kishte lënë takim.
I riu Ledger është gjetur në krevat, i zhveshur dhe pa ndjenja, nga dy gratë, të cilat menjëherë kanë lajmëruar policinë. Agjentët nuk mundën të bënin dot asgjë, ishte shumë vonë për gjithçka, tragjedia kishte ndodhur dhe asgjë nuk mund të parandalohej. Ata vetëm sa konstatuan vdekjen e të riut dhe hodhën hipotezat se ajo që i kishte shkaktuar vdekjen të riut ishte një mbidozë lëndësh narkotike. Dhe hipoteza e vetëvrasjes është plotësisht e përjashtuar, megjithse hetimet vazhdojnë për të gjetur shkakun e vërtetë që çoi të riun në vdekje.
Bibliografia
Heath Ledger ishte një nga aktorët më premtues të Hollivudit. Ai lindi në Perth, në Australi në vitin 1979. emri i tij ishte marrë nga personazhi i "Heathcliffe", protagonist i romanit "Maja të stuhishme" të Emily Bronte. Është bërë i njohur në Hollivud, kjo falë komedisë "10 gjëra që urrej tek ty " ku ka luajtur në krah të aktores Julia Styles, dhe më pas aktori është zgjedhur nga i famshmi Mel Gibson, për të interpretuar në filmin "Patrioti", në vitin 2000.
Megjithatë, popullariteti i vërtetë për aktorin ka ardhur më vonë me filma si "Vëllezërit Grim dhe shtriga magjistare" nga Terry Gilliam, "Kazanova"nga Lasse Hallstrom dhe sidomos nga filmi "Sekretet e Brokeback Mountain" i Ang Lee.
Në këtë film të fundit, Ledger kishte luajtur rolin e një prej kaubojëve gei protagonistë
( kauboi tjetër ka qenë Jake Gyllenhaal), dhe për interpretimin e tij në këtë film, i riu Ledger ka qenë kandidat për çmimin "Oscar". Gjatë filmimeve të këtij filmi , aktori ishte dashuruar me aktoren Michelle Williams, e cila në film kishte rolin e gruas së tij dhe më vonë do të bëhëj gruaja e tij e vërtetë dhe në jetë, duke i falur aktorit një vajzë, e cila mban emrin Matilda. Por martesa e tyre nuk do të zgjase për një kohë të gjatë, pasi çifti ishte ndarë një vit më parë.
Këtë vit aktori kishte marrë pjesë në filmin "Nuk jam atje", një film ky i Todd Haynes, i cili flet për jetën e Bob Dylan. Ledger sapo kishte mbaruar xhirimet e "The dark knight" të regjisorit Christopher Nolan, në të cilin ka interpretuar rolin e Xhoker.
Me të Hollivudit i iku një nga aktorët më interesantë dhe të talentuar të kinemasë botërore, një aktor ky i cili është krahasuar dhe me aktorë të tillë si Marlon Brando dhe James Dean. Fatkeqësisht, me këtë të fundit, nga sot, i riu Ledger ka dhe të njëjtin fat, atë që u nda nga jeta shumë shpejt.