Politikë

Nishani në Samitin e Budvës: "Bashkëpunimi rajonal do të na integrojë më shpejt në BE"

  • 05 Dhjetor 2012, 15:56
  • Përditësuar 19:38

BUDVA - Presidenti Bujar Nishani ka mbajtur një fjalim në Samitin (Takimin) IV Rajonal të Presidentëve, që u mbajt sot në Budva të Malit të Zi, ku ai ishte i vetmi personalitet i lartë nga Shqipëria i pranishëm. Ndër të tjera ai ka përmendur se gjendet mes miqsh, për të ndarë mendime se si të çojmë më përpara bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh në rajon, në këtë moment, kur fryjnë erërat e ngrohta euroatlantike dhe kur po ndihemi më pranë njëri-tjetrit se kurrë, me dëshirë, vullnet dhe interesa.


Ballkani, i orientuar nga BE-ja


“Ballkani Perëndimor është sot i gjithi i orientuar drejt integrimit evropian dhe, veçanërisht, bashkëpunimi rajonal përbën një instrument shumë të rëndësishëm të zhvillimit shumëdimensional të këtij rajoni, në funksion të përshpejtimit të synimit të përbashkët eurointegrues të vendeve tona”, ka thënë Nishani, duke shtuar se politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Shqipëria nuk ka probleme të hapura me asnjë nga vendet e rajonit.Interesave kombëtare të Shqipërisë i shërbehet mirë në një mjedis rajonal paqësor, të stabilizuar, demokratik, ekonomikisht të zhvilluar.


Mbi krizën financiare


Presidenti Bujar Nishani është shprehur në fjalën e tij edhe lidhur me krizën financiare. Duke u shprehur se Shqipëria inkurajon dialogun dhe përpjekjet institucionale si të vetmet mekanizma për trajtimin dhe zgjidhjen e diferencave të brendshme dhe ndërmjet fqinjëve. Kriza financiare përbën një kërcënim edhe për rajonin tonë, kur efektet e saj janë në kufi me ne. Reformat e suksesshme, sundimi i ligjit, hapja e tregut, projektet e përbashkëta, krijimi i klimës për investime, paqja dhe siguria bëhen më të domosdoshme se kurrë më parë. Ne besojmë se duhet të angazhohemi bashkërisht më shumë për të ndërtuar një infrastrukturë moderne të përbashkët rajonale. Ne po heqim të gjitha barrierat jo-fizike të lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitaleve, duke nxitur shkëmbimet midis vendeve tona. Në të njëjtën kohë, duke njohur më mirë kulturën, historinë e zakonet e fqinjëve, ne mund të përmirësojmë imazhin e rajonit tonë, mund ta bëjmë atë një treg tërheqës dhe konkurrues dhe mund të përafrojmë perspektivën e tij eurointegruese. Ndaj dhe, nën këtë frymë, luajmë një rol moderator për ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan.


Mbi shqiptarët në trojet jashtë Shqipërisë


Nishani ka theksuar se, praninë e faktorit shqiptar në vendet e rajonit ne gjithmonë e kemi konsideruar si urë lidhëse midis vendeve tona dhe kemi inkurajuar shqiptarët në rajon të jenë promotorë bashkëpunimi dhe nxitës të proceseve të përbashkëta eurointegruese të vendeve ku ata jetojnë. Dorëzimi në Komisionin Evropian i Raportit të parë të gatishmërisë për zbatimin e kritereve të dala nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave dhe marrja nga ana e Kosovës e Studimit të Fizibilitetit për MSA-ne janë dëshmi se Kosova ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe bashkëpunimit me BE. Në këtë kuadër, ne kërkojmë mbështetjen tuaj për përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë. Shqipëria mbështet përfshirjen e Kosovës në Kartën e Adriatikut A5, sepse kjo i shërben paqes dhe sigurisë në rajon dhe lehtëson procesin integrues të Kosovës në Aleancën e Atlantikut.


Mbi projektete e përbashkëta


Në Samit, Nishani ka theksuar rëndësinë e projekteve të përbashkëta rajonale, edhe për integrimin në BE. Sipas tij, Shqipëria vlerëson se angazhimi në projekte të përbashkëta në infrastrukturë, mjedis, turizëm, etj është një mundësi e mirë për të përfituar mbështetje nga BE nëpërmjet fondeve IPA.Siguria në sektorin e energjisë mund të arrihet nëpërmjet ndërtimit dhe modernizimit të rrjeteve të interkonjeksionit rajonal, sigurimit të rrjeteve të naftës dhe gazit nga Lindja në Perëndim përmes Rrugëve Ballkanike.  Kjo do të rrisë rolin e veçantë të rajonit si një aktor me peshë dhe rëndësi për vetë të ardhmen e BE-së. Evropa garanton sigurinë e saj nga vartësia ndaj energjisë, ndërsa Ballkani garanton mbi të gjitha sigurinë, paqen dhe mirëqenien  e vetë popujve të tij.Integrimi i rajonit bëhet i domodoshëm edhe për faktin se  pozicionimi i tij aktual si një rajon i rrethuar me kufij të BE-së, por i paintegruar në këtë të fundit, do të ishte i dëmshëm për të gjitha palët. Ndërkohë që perspektiva e Ballkanit si një vatër e re zhvillimi ekonomik dhe punësimi do të lehtësonte edhe vetë BE-në nga një sfidë që është sa politike, po aq edhe ekonomike. Projekte madhore, si TAP, Korridori 8-të, AMBO, “Korridori Adriatiko-Jonian”, i shërbejnë integrimit të tregut rajonal me atë evropian dhe global, si edhe sigurisë në fushën e energjisë. Nga zbatimi i këtyre projekteve fitojnë të gjitha vendet tona.


Mbi sigurinë


Forcimi i dimensionit të sigurisë në konceptin tradicional dhe atë bashkёkohor në rajon, nëpërmjet garantimit të paqes dhe stabilitetit, demokratizimit të shoqërive tona, luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, kontrollit të qarkullimit dhe konfiskimit të parave që disponojnë këto organizata, forcimit deri në përmbushjen e standardeve më të larta të sigurisë dhe menaxhimit të integruar të kufijve, mund të realizohen më shpejt, nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal të agjencive të zbatimit të ligjit së bashku me asistencën e vetë Bashkimit Evropian, ka theksuar Nishani.“Ne duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë më ngushtë për ta shndërruar rajonin tonë në parajsë të mundësive për investime serioze dhe në ferr për veprimtaritë e paligjshme që cënojnë stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe klimën e duhur për qytetarët dhe investitorët. Ne do të mirëprisnim edhe pjesëmarrjen nga vende të tjera të rajonit në Samitet e ardhshme”, ka përfunduar fjalën e tij Presidenti Bujar Nishani. Deklarata e Nishanit në konferencën për shtyp pas Takimit IV Rajonal


Vlerësoj të katër takimet si shprehje e miqësisë së ngushtë midis katër vendeve tona dhe kontribut në formimin e marrëdhënieve të suksesshme dypalëshe dhe rajonale. Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë rritjes dhe forcimit të marrëdhënieve të gjithanshme të bashkëpunimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e sidomos me vendet fqinje të saj si: Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.


Ne mbetemi të angazhuar për intensifikimin në vazhdimësi të dialogut politik midis vendeve tona, nëpërmjet vijueshmërisë  së praktikës së takimeve dhe vizitave të nivelit të lartë, siç është dhe ky takim i sotëm. Theksojmë domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar ndërmjet katër vendeve tona, ku përparësi përbëjnë ndërtimi i një infrastrukture moderne, realizimi i projekteve të përbashkëta, krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, rritja e shkëmbimeve tregtare, intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit e shkencës, infrastrukturës, etj.


Çdo valë rritjeje apo krize ekonomike në kontinent natyrshëm reflektohet edhe në ekonomitë e vendeve tona. Gjykojmë të domosdoshëm zgjerimin akoma më të madh të hapësirës ekonomike rajonale me atë evropiane, një prani më të madhe të programeve ekonomike të BE-së dhe shteteve kryesore përbërëse të saj, si edhe politika evropiane që asistojnë me teknologji e programe zhvillimi projektet e mëdha të infrastrukturës, energjetikës, informatikës, etj.


Në kuadër të interesit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përparësi do të përbënte krijimi i një sistemi të unifikuar energjetik rajonal. Energjia përbën sot faktor të rëndësishëm zhvillimi, në nivel kombëtar, rajonal e global. Nënvizojmë rëndësinë për një promovim më të mirë të mundësive tona turistike, që do të bëjë të mundur shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve turistike jo vetëm nga qytetarët e vendeve tona, por edhe nga ata të vendeve të tjera të rajonit dhe Evropës.


Faktori shqiptar dhe minoritetet përkatëse të secilit nga të katër vendet tona i konsiderojmë ura të miqësisë.  Respektimi i plotë i të drejtave të tyre arrihet nga demokratizimi dhe garanton paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Përkushtimi i vendeve tona ndaj vlerave të përbashkëta euro-atlantike dhe evropiane përbën platformën e sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis vendeve tona. Ne besojmë se integrimi i plotë euroatlantik është në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe Bashkimit Evropian. Vlerësojmë se është e domosdoshme mbështetja e Kosovës në nismat dhe projektet rajonale dhe më gjerë; si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, rajon dhe më gjerë.


/Shekulli Online/Përgatiti:M.A./

Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

3 + 1 =