Kulturë

Cilin Ruso duhet të njohin shqiptarët?

Valeria Dedaj


Krahas problemeve me amnezinë, kujtesa e shoqërisë sonë nuk dallon dot më kush dhe çfarë meriton të nderohet: nga muzika te letërsia, nga fitoret luftarake te qytetërimet e harruara, nga fitoret e politike te zërat e shkencës. Ky shqetësim përbën një tezë për diskutim që hedh Eriona Tartari, studiuese pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, në treqind vjetorin e lindjes së iluministit frëng Jean-Jacques Rousseau (1712-1778).  


Dr. Tartari u bë iniciatore e Konferencës Shkencore “Leximet e iluminizmit në Evropën Lindore” që u mbajt për dy ditë në Bibliotekën Kombëtare. Ajo vetë referoi dje për “Leximet e iluminizmitnë Shqipërinë Komuniste” duke e parë figurën e Zhan-Zhak Rusoit dhe frymën iluministe si më emblematiket e kësaj periudhe. Në radhë të parë kanë qenë të pamjaftueshme njohja dhe trajtimi në shqip i përfaqësuesve të iluminizmit. Pak nga Volteri e Deni Didroi (Kandidi, Nipi i Romonit, Murgesha, Paradoksi i Aktorit) dhe vetëm një vepër nga Rusoi, romani “Emil” (1762) i botuar në shqip në vitin 1966. 


“Emil” një vepër mbi edukimin, një nga tre veprat kryesore që mishëron mendimin rusoian, ku i bëhet kritikë institucioneve fetare dhe nxit iluminizmin e arsyes njerëzore dhe prirjen e njeriut drejt natyrës. Ky roman nuk do të kishte botim tjetër. “Në këtë jubile të Shqipërisë së pavarur që përkon me treqind vjetorin e lindjes së Rusoit, ne kërkojmë më shumë se kurrë të njohim këtë kulturë moderne të arkitekturës politike të kombeve europiane, kulturë e krijuar nga Rusoi, kulturë që mban emrin dhe datën e iluminizmit.” 


Fjala është për atë filozofi të re në shkencë, arsim e art në shekullin 18, që kishte për qëllim emancipimin e ndërgjegjes njerëzore, ndriçimin dhe çlirimin mendor, nevojën për të kuptuar natyrën. Dhe për ata mendimtarë, të cilët u dhanë rëndësi studimit të ligjeve dhe institucioneve politike, pa të cilat një shoqëri e lirë nuk mund të ekzistojë. 


Misioni i iluminizmit binte ndesh me një shoqëri e cila aplikonte barazinë e vëllazërinë në mënyrë të gënjeshtërt. Një shoqëri që funksiononte me kodet e kolektivizimit dhe ishte kundër individualizimit dhe nocioneve humane. “Në Shqipërinë komuniste keqpërdorimi i konceptit të lirisë, dogmatizmi për të drejtën e fjalës degjeneroi në lavazh truri dhe manipulim të turmave”, thotë dr. Eriona Tartari. Kontradiktat me kulturën iluministe u shfaqën në Shqipërinë e kësaj epoke në muzikë, arte figurative, por sidomos në fushën e librit, në natyrën e teksteve që përktheheshin e lexoheshin gjatë kësaj periudhe. “Vallë, a është lexuar vërtet siç është pretenduar gjatë periudhës komuniste në Shqipëri?”, pyet dr. Tartari. “Ne përkujtojmë sot Rusoin, por cilin Ruso? Çështja është se ne shqiptarëve na mbetet të njohim shumë prej tij: Rusoin letrar që na hap zemrën duke ndarë dhimbjen e tij; Rusoin muzikant që është jo më pak i njohur, pasi përveçse ka shkruar fjalorë muzike, në mbështetje të shprehive natyrore, ka kompozuar dhe muzikë. Apo të njohim Rusoin botanist, i famshëm në epokën e tij, si klasifikues i bimëve, të cilat përdoren ende dhe sot në studimet farmaceutike. Të njohim Rusoin pedagog dhe autor i “Emilit”, “Eliozës së re” dhe “Kontratës së sociale”.” 


“Elioza e re” (1761), e cila mishëron gjithmonë natyrën e arsyeshme, pavarësisht tundimeve, dhe “Kontrata sociale” (1762) që përshkruan kalimin në shoqëritë civile, që u përgjigjet ligjeve me të cilat qeverisin njerëzit, ekzistojnë tanimë në shqip, pas vitit ’90. “Siç shihet shqiptarët duhet të lexojnë Rusoin që nuk është cituar ende, Rusoin e panjohur, atë të fshehurin prej pamjeve të kohës, atë të cunguarin. Rusoin e përdorur, të thyer e të pathyer nën ideologjinë komuniste”, thotë Eriona Tartari. Analiza e përkthimeve me gabimet e mundshme ndaj veprave dhe autorëve të veçantë gjatë regjimit komunist, na njeh me shoqërinë shqiptare të atyre viteve, me sistemin tipik diktatorial që u vendos në vendin tonë, ku veprat e “mendjes” autorizoheshin, vetëm nëpërmjet kanoneve zyrtare. 


Prof. Klara Kodra bëri një analizë ku krahason “Serafina Topinë” e De Radës me Julian e “Eliozës së re” të Rusoit. Ajo sjell disa karakteristika të romantizmit dhe iluminizmit, përplasjen e të kundërtave, kultin e arsyes te iluminizmi dhe kulti i ndjenjës te romantizmi; iluminizmi në thelb anti-liberal dhe mohues i feve tradicionale me besimin te progresi njerëzor dhe romantizmi me atë dëshpërimin historik dhe ekzistencial që u quajt “brenga e Shekullit”, i cili alternonte kultin e së kaluarës dhe kultin e së ardhmes. Kur flasim për personazhet e këtyre dy veprave, është e qartë se, personazhi që mbrun filozofinë iluministe arrin në kufijtë e ftohtë të individit abstrakt, ndërsa personazhi romantik shihet në mesin e një pasurie të jashtëzakonshme ndjenjash dhe mendimesh. 


Referuesit i fundit, prof. Alfred Uçi me temën “Iluminizmi  te Kavalioti. Shek. XVIII në Shqipëri”, prezantoi ndikimin e Kavaliotit nga Dekarti. Ai tha se “në botimet që Kavalioti u referonte nxënësve të tij, gjen fragmente të shkëputura njëlloj sikur t’i kishte shkruar Dekarti”. Dhe Rëne Dekart si pararendës i iluministëve është gjithashtu një autor i refuzuar gjatë epokës komuniste. Në të vërtetë “Fjalimin e metodës” e ka sjellë në shqip Vangjel Koça qysh në vitin 1937.


Kristaq Jorgo 


Gjurmë të iluminizmit në letrat shqipe


Prof. Kristaq Jorgo fenomenin e iluminizmit në hapësirat shqiptare e shikon si një debat të heshtur, por dhe të shfaqur tek-tuk. Prof. Jorgo e ndan këtë debat në dy kategori: si debat midis minimalistëve dhe maksimalistëve. Fillimisht, iluminizmi në botimin e “Fjalorit enciklopedik” të Akademisë së Shkencave citohej si rrymë ideore në Evropën Perëndimore e përhapur shek. XVII-XVIII. “Por në Shqipëri”, thotë prof. Jorgo “kur përhapet në gjysmën e shek. e XIX ishte karakteristikë për lëvizjen e kombëtare shqiptare. Kishte përfaqësues Veqilharxhin, Vreton, vëllezërit Frashëri, Naimin dhe Samiun etj.” Përpjekjet për përhapjen e kulturës dhe të diturisë në arsim, për përhapjen e gjuhës shqipe, bashkuan në luftë kundër pushtuesit dhe qarqeve shoviniste shumë intelektualë. Për këtë iluminizmi i tyre mori përmbajte patriotike dhe përparimtare. Iluminizmi që cilësohet nga minimalistët rrymë ideore, është pjesë përbërëse vetëm e Rilindjes Kombëtare shek. XIX, dhe asgjë përveç kësaj. Më shumti lidhet me aksionin kulturor dhe politik sesa me përkthimet shkrimore. “Nuk përmendet termi letërsi, shpërfillet fakti se nuk kemi ende Shqipëri në kuptimin politik dhe administrativ të termit. Respektivisht nuk bëhet fjalë për gjurmë të mëhershme të iluminizmit. Po ashtu shpërfillet fakti për lëvizjet e individëve”, thotë prof. Jorgo, studiues i letërsisë pranë Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë.


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 1 =