Advertisement
Botë

Masakra në shkollë, vdesin 28 persona, shpëton vajza shqiptare. Nishani ngushëllon Obamën

  • Eliona Lata
  • 15 Dhjetor 2012, 10:00
  • Përditësuar 18:53

Amerika është nën shok pasi mëngjesin e 14 dhjetorit një djali vrau mamanë e tij në shtëpi dhe më pas qëlloi mbi 20 fëmijë dhe 6 të rritur në një shkollë fillore në shtetin e Conektikatit,  80 km në verilindje të New Yorkut. Në shkollën "Sandy Hook School" ku ndodhi masakra ka qenë edhe një vajzë 9-vjeçare shqiptare e Kosovës, e cila i ka shpëtuar masakrës.


Vanesa Baraliu, shqiptare nga Kosova ishte ndodhur në ato momente në shkollën "Sandy Hook School" ku ndodhi masakra, por fatmirësisht ka arritur të shpëtojë. 28 persona humbën jetën në një shkollë fillore në Konektikat.


Autori i ngjarjes, i quajtur Adam Lanza, 20 vjeç i cili kishte një jelek antiplumb dhe mbante dy pistoleta, vrau veten pasi kreu masakrën në shkollë. Masakra në Newtown, të Konektikatit, është masakra e katërt në 5 muaj që kanë tronditur SHBA-në dhe nxënësit e shkollës fillore publike, "Sandy Hook School", ku studionin  fëmijë të moshës 5-10 vjeç, janë viktimat me moshë më të vogël. 


Ndërsa vëllai Vanesws, Mërgim Bajraliu është 17 vjeç dhe është nxënës po në atë shkollë. Në momentin e çmendurisë ai ndodhej në shtëpinë e tij bashkë me të ëmën, pak metra larg shkollës. Pasi dëgjuan të shtëna, ata vrapuan menjëherë për tek e motra, Venesa 9-vjeçare. 


"Isha ndër personat e parë që shkuan aty, ndërkohë që krismat vazhdonin ende. Një vajzë doli me fytyrë të gjakosur. Nuk di ta përshkruaj me fjalë se çfarë ndjeva kur pashë atë vajzë dhe nuk po gjeja dot motrën time. Motra më tha që policët i kishin kërkuar asaj dhe fëmijëve të tjerë që mbijetuan, që të mbyllnin sytë për të mos parë se ç'kishte ndodhur përreth", - rrëfen Bajraliu në një intervistë për "Gazetën Shqiptare".


Obama i përlotur: Zemrat tona të thyera për viktimat, flamujt gjysmë shtizë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama në një konferencë për mediat dhënë pas tragjedisë së sotme në Connecticut, tha se, duhet të bashkohemi për të marrë masa për parandalimin e masakrave të tilla. Duke mos i shmangur dot lotët, Obama tha se flamujt do të jenë në gjysmë shtizë në nderim të viktimave. “Zemra tona janë të thyera për viktimat”, u shpreh presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Raportimet e medieve të huaja


BBC shkruante se të paktën 27 persona mund të kenë mbetur të vdekur, shumë prej të cilëve fëmijë. Por deri më tani, duke marrë parasysh faktin se ngjarja është në zhvillim, informacionet lidhur me të janë ende të pakonfirmuara. Ndërkaq, raportohet nga mediat e huaja se gjendja shëndetësore e tre të plagosurve është shumë e vështirë. Sipas CNN njëri prej fëmijëve është parë i mbuluar në gjak dhe është dërguar menjëherë drejt spitalit në gjendje mjaft kritike për jetën. Sipas një dëshmitari për të njëjtën media mund të kenë qenë mbi 100 të shtëna me armë. Sipas mediave lokale dyshohet se kanë qenë dy agresorë ata që kanë shtënë me armë në brendësi të shkollës. Kjo, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur dy armë. Sipas të njëjtave burime, raportohet se njëri prej agresorëve (nëse kanë qenë dy të tillë) ka mbetur i vdekur, ndërsa tjetri dyshohet të jetë arratisur. 


Nishani Nishani ngushëllon Obamën. "Shpresojmë që gjëra të tilla nuk do të ndodhin më në shoqërinë njerëzore"


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit amerikan Barack Obama, shpreh ndjenjën e solidaritetit dhe ngushëllimet për 26 viktimat në Shkollën “Sandy Hook Elementary” të qytetit Newton në Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


“Me një tronditje dhe hidhërim të madh kam mësuar për ngjarjen tragjike në qytetin e Newtown të Connecticut, ku në shkollën “Sandy Hook Elementary”, kanë humbur jetën 26 qytetarë amerikanë, midis tyre dhe 20 fëmijë të pafajshëm. Më lejoni Shkëlqesia Juaj, që për këtë ngjarje tragjike që tronditi popullin mik amerikan dhe të gjithë botën, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Juve, familjeve të viktimave, si dhe popullit amerikan, ngushëllimet më të ndjera. Fatkeqësisht, në këto raste vuajtja  është aq e thellë sa që fjalët nuk mund të shprehin dot atë që ndodh. Na mbetet vetëm të shpresojmë që gjëra të tilla nuk do të ndodhin më në shoqërinë njerëzore, e cila po përpiqet gjithmonë e më shumë të përparojë dhe nuk duhet të  bjerë kurrë në nivele të tilla tmerri.


Duke shprehur dhe një herë ngushëllimet e mia të sinqerta si dhe ato të familjes sime, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, ndjenjat e solidaritetit të popullit shqiptar me popullin amerikan!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.


Atifete Jahjaga ngushëllon Obamën


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka ngushëlluar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e tragjedisë së sotme, në një shkollë në Konektikat, që la dhjetëra të vdekur.


Në shkrimin  e Jahjagës thuhet: ”Me dhimbje të thellë morëm lajmin e rëndë për të shtënat në shkollën fillore në Konektikat, duke lënë dhjetëra jetë të humbura të fëmijëve dhe familje në dëshpërim. Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të qytetarëve tuaj dhe për dhimbjen shkaktuar familjeve dhe popullit amerikan nga kjo ngjarje e rëndë. Në këtë kohë zie dhe pikëllimi për vendin tuaj, mendimet dhe lutjet tona janë me popullin amerikan në këtë kohë të vështirë. Ju lutem pranoni konsideratat e mia më të larta”, thuhet në shkrim.


Panariti ngushëllon Obamën


Ministri ynë i Jashtën, Edmond Panariti, ka shprehur ngushëllimet lidhur me tragjedinë në Konetikat në SHBA. “Me dhimbje të thellë mësova për tragjedinë që ndodhi në Konetikat të SHBA, nga e cila humbën jetën më shumë se sa 20 persona, pjesa më e madhe e të cilëve fëmijë. Përmes dhimbjes përcjell tek ju dhe tek familjet e viktimave ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe solidaritetin për këtë ngjarje të hidhur. Duke u bashkuar në këtë ditë tragjedie shpreh bindjen se me forcën që e karakterizon popullin amerikan do të dijë ta kalojë këtë moment të vështirë.


 


/Shekulli Online/ E.L/E.Sh/


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al
3 Komente
analisti
ne nje vend ku armet jane te lira dhe ku te gjithe mund ti blejne eshte normale qe ndodhin ngjarje te tilla te perseritura. argumenti eshte i thjeshte,,te ndalohen armet dhe tregtia e tyre e paskrrupullt,,por Amerika nuk e ben kurre se eshte ndertuar me lobe,,per nafte, armet, bankat,,eshte vend absurd
Pa Emër
Iperjetshem qofte kujtimi i tyre e u prefshin ne parajze nje moshe qe nga asnje ane nuk ka faj
tafuti
shqiptarin jo plumbi po as dreqi se han

Shtoni një koment

8 + 8 =