Jetë

Provimi i Shtetit, mbesin 20% e mësuesve të rinj

Dyzet e një kandidatë, mësues të sapodiplomuar, iu nënshtruan dje për herë të parë Provimit të Shtetit. Ata u testuan në lëndët e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Përpara se t’i nënshtroheshin këtij provimi, kandidatët kanë kryer një vit stazh pranë Drejtorive Arsimore Rajonale, kusht ky për të marrë licencën e zhvillimit të profesionit. Provimi i Shtetit ka për qëllim pajisjen e kandidatëve që i nënshtrohen testimit, me licencën e mësuesit, e cila u krijon mundësinë të nisin karrierën në institucionet arsimore publike dhe jo publike në vend. Kjo vetëm nëse këta kandidatë do të marrin nota kaluese. “Ky provim shteti lejon të gjithë mësuesit e rinj që të ushtrojnë profesionin e tyre, në rast se e përfundojnë me sukses. Që të kryhet provimi i shtetit ata duhet të kenë kryer praktikën profesionale prej një viti shkollor pranë drejtorive arsimore të udhëhequr nga mentori përkatës i profilit të tyre”, sqaroi Dorina Rapti, drejtoreshë e arsimit profesional në MASH.


Provimi i mësuesve të rinj përmban 70 për qind pjesë të profilit të tyre përkatës si dhe 30 për qind njohuri të formimit të përgjithshëm si zhvillimi i kurrikulës së arsimit parauniversitar, metodat e mësimdhënies dhe mendimi kritik, komunikimin dhe etikën në shkollë si dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe e me radhë. Testi është hartuar nga pedagogë të fushës së gjuhës shqipe dhe letërsisë. “Ky është një standard i ri që synon rritjen e cilësisë së përgatitjes së mësuesve të rinj. Provimi i shtetit për mësuesit u zhvillua në mënyrë dixhitale, ndërsa pyetjet ishin të ndërtuara me alternativa.”


Lidhur me rezultatin e testit të kryer, drejtori i provimeve të shtetit Niko Terezi shprehet: “Rezultatet ishin shumë të larta, 80% kalueshmëria dhe notë mesatare 8 tregon për një testim shumë të mirë. Në përgjithësi u ruajt nota që ata kishin, ndaj dhe mënyra e hartimit të pyetjeve dhe sistemi ka nxjerrë atë nivel që ka secili nga mësuesit.”


Vlerësimi i testit u krye me pikë sipas një skeme të caktuar. Një mësues për të kaluar testin duhet të merrte 50 pikë nga 100 të mundshme. Në provimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, të zhvilluar dje, 80 për qind të mësuesve të rinj morën pikë kaluese. Ndërkohë që 20 për qind e tyre rezultuan mbetës. “Nëse mësuesit vlerësohen nën kufirin minimal, ata duhet ta japin sërish provimin. Por, dhe në rast se provimi nuk merret, çdo kandidat për mësues ka të drejtë të japë provimin e shtetit deri në pesë herë. Ata që nuk arrijnë të shpallen kalues në këtë provim, aktualisht nuk do të mund të aplikojnë për vendet e lira të punës”, u shprehën specialistët e testimit. Ata që mbesin në Provimin e Shtetit duhet të marrin parasysh edhe kostot. Kush ngel në provime do të ketë gjithmonë barrë nëse do të rijapë provimin, tarifat e rritura të provimit.


 


 


 


Test për të mbushur arkën e shtetit


Çmimi i kripur i mandatit të pagesës që duhet të paguajnë për të marrë pjesë në Provimin e Shtetit, ka sjellë pakënaqësi te kandidatët dhe prindërit e tyre. Për të marrë pjesë në provim ata kanë paguar 10 mijë lekë të reja. Po përfshirë këtu edhe shpenzimet e tjera. Gjithsesi ata me pahir kanë paguar. E kanë bërë pasi në të kundërt, nuk kanë mundësi për të ushtruar profesionin. Kandidatë por edhe të afërm të tyre e kanë cilësuar pagesën si një formë që shteti përdor për të mbushur arkat e boshatisura. “Karta e Bolonjës nuk e parashikonte këtë provim. Vajza ime ka kryer nivelin 3-vjeçar bachelor, masterin shkencor si dhe një vit stazh profesional. Ndërsa tani na nxjerrin edhe testime. Për mua është i tepërt dhe pa vlerë. Kjo gjë bëhet vetëm për të mbushur arkat e shtetit”, thotë njëri nga prindërit që pret t’i dalë vajza nga provimi. Të tjerë shprehin mendimin e tyre lidhur me testin, në pritje të të afërmve të tyre për përfundimin e provimit. Alban Karaj është totalisht kundër testimit dhe stazhit profesional të mësuesve të rinj. “Kjo reformë është e padrejtë për arsye ekonomike dhe kohore. Me këtë pushteti po mban në mënyrë skllavërore studentët, pa marrë parasysh nevojat operative për të realizuar këtë proces, pa marrë parasysh edhe barrën e rëndë të familjarëve të këtyre studentëve për t’i mbajtur ata me ushqim dhe veshmbathje edhe pas mbarimit të shkollës.” Por ka edhe nga ata prindër të cilët shprehen të kënaqur nga pjesa organizative e provimit. Ata e shohin këtë provim si një “sitë” në të cilët duhet të kalojnë medoemos ata që mësojnë brezat e ardhshëm.


 


 


 


Histori njerëzore


 


Nga punonjëse në spitalin infektiv, tani mësuese me kohë të plotë


 


Mësuesit të cilët i nënshtrohen provimit të shtetit janë të moshave të ndryshme. Ata vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe kanë përvojë të dallueshme pune. Arjana Duka ka udhëtuar nga një fshat i Elbasanit. Ajo është 40 vjeç. Dje ajo kaloi testin më të rëndësishëm të jetës së saj. Fitoi të drejtën për të punuar si mësuese.


 


Kur e keni nisur universitetin?


Kam gjashtë vite me radhë që jam ulur në auditorët e universitetit. Kam përfunduar fillimisht nivelin e parë të studimeve dhe më pas kam kryer masterin shkencor.


 


Keni punuar më parë si mësuese?


Kam pasur gjithnjë dëshirë të ushtroj profesionin e mësueses, por nuk kisha kualifikimin e duhur. Kam mësuar fort për të arritur deri këtu, ndaj ndihem shumë e kënaqur me arritjen time. Punoj tek spitali infektiv i Elbasanit, por gjithnjë kam dashur të bëhem mësuese.


 


Si dolët në testim?


Kam dalë shumë mirë në testim. Mora 84 pikë nga 100 gjithsej. Kushtet e testit ishin nën masa të rrepta sigurie, çdo student vëzhgohej nga katër kamera. Testi kryhej me kompjuter, ndaj nuk kishte asnjë mundësi manipulimi apo kopjimi.


 


Në ç’nivel ishte provimi?


Testi ishte i një niveli mesatar. Nuk mund të them se pyetjet ishin të vështira. Ishin pyetje që patjetër çdo mësues i ardhshëm duhet t’i dijë, pasi ka në dorë fatin e një brezi.


 


Keni hasur vështirësi?


Pak problem lidhur me metodologjinë për materialet e plota të teksteve të cilat i kisha vështirë t’i gjeja, por asnjë lloj tjetër vështirësie. Që në muajin qershor kemi pasur një program si dhe fondin e pyetjeve ku disa prej tyre ishin pjesë e testit. Tani vetëm shpresoj të gjej një punë ku të kem mundësi të ushtroj zanatin. 


 


Besarta Basha

Shtoni një koment
2 Komente
hasani
vallaj ku mos me met ajo msuse qe ka dal me sytjenat sheshit para kalamajve...
Pa Emër
Niveli i pikeve duhet te jete mbi 70% dhe jo 50% ne radhe te pare te testojne keta qe kane hyre meues me pagesa deri ne kater mij euro pastaj te kolohet cdo mesues nepermjet nje testimi te tille dhe pastaj do te themi se eshte bere dicka ne perzgjedhjen e kanditateve per mesues, nuk e di se ku ishte deri tana ministria e arsimit qe nuk ka vendosur kete kriter por ja ka lene matrapazeve ne dore kete pune, dhe statusi civil nuk duhet votuar deri kur e gjithe administrata civile te kaloje nepermjet nje testimi profesional sipas drejtimit te gjithe se cilit ku te marre fund njehere e pergjithmone nepotizmi e paraja per vendet e punes.Kerte gje duhet te garanrtoje cilado parti qe do te marre pushtetin nese kete gje nuk e garantojne atehere perse te shkojme ne te votojme te votojme per te perfituar nje grusht njerezish dhe te na shesin pordhe per kater vjet kjo duhet te marre fund nese duam te ecim perpara,drejt europes se bashkuar.
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

9 + 2 =