Thellë

Lista e KQZ-së, mungojnë 25 deputetë e 3 ministra

  • 07 Janar 2013, 06:56
  • Përditësuar 13:34

Shfaqen mangësitë e para në listën paraprake të zgjedhësve të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Nga kërkimi i bërë në këto lista nga redaksia jonë, rezulton se 28 deputetë të Kuvendit nuk e kanë emrin e tyre në listat e zgjedhësve në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së. Bëhet fjalë për 15 deputetë të PD-së, 10 deputetë të PS-së dhe 3 deputetë të LSI-së, ndër të cilët dhe vetë kreu i saj Ilir Meta. 


Mazhoranca 


Sa i përket mazhorancës qeverisëse, nga këta parlamentarë, të cilëve nuk u figuron emri në listat e votuesve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit, 3 prej tyre janë ministra të kabinetit Berisha (Genc Ruli, Vangjel Tavo dhe Spiro Ksera). Gjithashtu, në këtë listë bie në sy dhe mungesa e emrit të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, deputetit të PDsë, Ilir Rusmali. Ndërkohë, sa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, bëhet fjalë për mungesën e emrave në listat e zgjedhësve të deputetëve Ilir Meta, Lefter Koka dhe Vangjel Tavo. 


Partia Socialiste


Edhe pse i druhet vjedhjes së votave, PS-ja duket se nuk i kushtuar vëmendjen e duhur këtyre listave paraprake të publikuara nga KQZja. Edhe pse e angazhuar prej muajsh për një kontroll dhe mbikëqyrje të rreptë të listave të zgjedhësve, Partia Socialiste që prej 3 janarit, që janë publikuar listat paraprake nga ana e KQZ-së, nuk ka bërë asnjë reagim për mungesën në këto të lista të 10 emrave të deputetëve të saj, ndër ta dhe ai i nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, apo kryetares së Forumit të Gruas Socialiste, Olta Xhaçka. Por, duke qenë se kemi të bëjmë vetëm me ekstraktin paraprak të listës zgjedhore, forcat politike kanë tashmë 20 ditë kohë për të konstatuar të gjitha dublimet e mundshme, jo vetëm në rang parlamentar, për të denoncuar mangësitë e para, pasi lista do të shihet në nivel lokal dhe do të kontrollohet çdo 30 ditë për parregullsitë dhe ankesat të mundshme që do të vijnë në drejtim të Njësive Vendore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile. Ky dokument gjenerohet nga Regjistri Kombëtar i shtetasve dhe përditësohet nga nëpunësit e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore. 


Kërkimi


Me një klikim tek tabela “lista e zgjedhësve” hapet një dritare e re nga ku mund të gjendet dhe verifikohet lehtësisht nëse e kemi emrin në këtë listë votuesish, si dhe ku është qendra jote e votimit. Në këtë faqe shpjegohen me detaje të gjitha procedurat që duhen ndjekur nga aplikuesi i këtij programi për të kryer kërkimin për gjetjen e emrit që dëshiron. Sipas udhëzimeve të kësaj faqeje, dy janë mënyrat e kërkimit: ajo standarde dhe kërkimi i avancuar. Në tabelën e kërkimit standard mjafton të shkruhet emri, atësia dhe mbiemri për t'u shfaqur të dhënat e kërkuara. Nëse me këto tre të dhëna nuk arrihet të merret rezultati, atëherë mund të provohet edhe kërkimin e avancuar, në të cilin shtohen detajet, të cilat mund të përdoren për kërkimin si psh, viti i lindjes dhe njësia e qeverisjes vendore. Konkretisht, në të majtë të kësaj faqeje është komanda “kërko në listë”. Nëse klikohet në këtë komandë, menjëherë shfaqet tabela e kërkimit, e cila kërkon që të plotësohen të paktën dy nga tre fushat e kërkuara, të cilat janë emri, mbiemri dhe atësia. Pasi shkruhet psh, emri dhe mbiemri për të cilin kërkohet informacion, jepet komanda “kërko” dhe më pas shfaqet rezultati, i cili përfshin disa të dhëna si: datëlindja, adresa e qendrës së votimit, njësia e qeverisjes vendore si dhe kodin shifror. 


Deputetët që nuk e kanë emrin në listat e KQ Z-së 


Partia Socialiste


Ermonela Koço Felaj (Berat) 


Fidel Bahir Ylli (Berat) 


Marko Naum Bello (Berat) 


Gazmir Halo Bizhga (Durrës) 


Hazir Sadri Gashi (Durrës) 


Klodiana Fatmir Spahiu (Durrës) 


Ilir Tomorr Bejtja (Elbasan) 


Mimi Pjerin Kodheli (Korçë) 


Olta Sotir Xhaçka (Korçë) 


Dashamir Myslym Peza (Tiranë)


Partia Demokratike 


Lefter Novruz Maliqi (Berat) 


Selami Eqerem Xhepa (Dibër) 


Luçiano Dhimiter Boçi (Elbasan) 


Rrahim Xhevit Çota 


Genc Pellumb Ruli (Gjirokastër) 


Spiro Foto Ksera (Gjirokastër) 


Ledina Bardhyl Aliolli (Korçë) 


Rrajmond Erzan Hoxha (Lezhë) 


Gjok Tom Uldedaj (Shkodër) 


Florian Prokop Mima (Tiranë) 


Ilir Çajup Rusmali (Tiranë) 


Luan Shyqyri Skuqi (Tiranë) 


Rajmonda Skënder Bulku (Tiranë) 


Koço Barka (Vlorë) 


Kreshnik Tomorr Çipi (Vlorë)  


Lëvizja Socialiste për Integrim 


Lefter Haki Koka (Durrës) 


Vangjel Llambi Tavo (Gjirokastër) 


Ilir Rexhep Meta (Tiranë) 


Mbrojtja e votës, PS miraton strategjinë Elektorale 


Një grup pune me drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste do të monitorojë fushatën për zgjedhjet e vitit 2013. Grupi i punës përbëhet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruci, Sekretari për Koordinimin Fatmir Xhafa, sekretari organizativ Blendi Klosi si dhe sekretari për pushtetin vendor Bashkim Fino. Puna e tij do të jetë koordinimi i veprimeve nga qendra deri në bazë. Për këtë ranë dakord mbledhjen e 30 nëntorit anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste, forum në të cilin u miratua edhe strategjia për organizimin e fushatës. Tashmë janë ngritur grupe pune që po kryejnë verifikimin e listave të votuesve në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. Ky proces, sipas socialistëve, është në funksion të strategjisë për ruajtjen e votës, pasi ata akuzojnë se ekziston mundësia e manipulimit të listave të zgjedhjeve nga Ministria e Brendëshme. Verifikimin e listave të votuesve, socialistët pritet ta përmbyllin në fund të janarit. Në mbledhjen e kryesisë janë diskutuar të gjitha detajet e organizimit të zgjedhjeve, ku përfshihet edhe angazhimi i drejtuesve të partisë dhe grupit parlamentar në të gjitha qarqet e vendit. Ndërkohë, “Census derë më derë për të regjistruar votuesit dhe denoncuar abuzimet e Sali Berishës”- është ajo çfarë PSja paralajmëroi më 15 dhjetor se do bënte në muajt e mbetur nga zgjedhjet, në kuadër të strategjisë së saj elektorale për të mbrojtur votat e saj. Kryetari i Grupit Parlamentar Gramoz Ruçi, në Asamblenë e Partisë Socialiste për degën e Tiranës, tha se duhet të krijohen kushte për pjesëmarrje të gjerë në votim dhe duhet evidentimi i zgjedhësve. “Na duhen dy elementë të tjerë: evidentimin e zgjedhësve, mobilizimin për krijimin e kushteve për pjesëmarrje në votim, pasi sot janë 700 mijë votues dhe marrin pjesë 370 mijë”- tha Ruçi.


“Lista është paraprake, ka kohë për rregullimet” 


I pyetur mbrëmjen e djeshme në lidhje me mangësitë e hasura gjatë hulumtimit të bërë nga “Shekulli”, të listave të zgjedhësve të publikuara nga KQZ-ja, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Leonard Olli tha për “Shekulli”-n se këto lista janë paraprake dhe se ka kohë të mjaftueshme që të bëhen të gjitha rregullimet e duhura deri në hartimin e listës përfundimtare. 


Z. Olli, sapo përfunduam një këqyrje të listave të publikuara nga KQZ-ja në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, nga ku rezultoi se 28 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë nuk e kishin emrin e tyre në këto lista. Si e komentoni ju këtë? 


Kjo prandaj quhet dhe listë paraprake, ku secili shikon nëse e ka apo jo emrin në këtë listë. Unë nuk e besoj se këta nuk janë në listë, por kam përshtypjen se elementet e kërkimit mund të jenë bërë pak më të sostifikuara, për të ruajtur pak më shumë të dhënat e tyre personale. Por, unë mendoj që njerëzit dhe në mënyrë individuale të fillojnë dhe të këqyrin këto lista, sepse ka mjaftueshmërisht kohë deri në përgatitjen e listës përfundimtare. 


Si procedurë, çfarë duhet të bëjnë këta njerëz, të cilët aktualisht nuk e kanë emrin në këtë listë të parë të zgjedhësve? 


Këtu ka shumë kohë në dispozicion. Problemi i parë është që Gjendja Civile ka përgatitur një listë të votuesve në bazë të listës së votuesve që i dërgon Njësia Vendore dhe në këtë kuptim kjo është lista kryesore e punës. Në qoftë se do nisin interesimet e njerëzve, të cilët ankohen qoftë tek Njësia e tyre vendore, qoftë në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, parimi i punës është që ata fillojnë dhe komunikojnë me njësitë vendore për mangësitë e hasura në hartimin e kësaj liste, deri në rregullimin përfundimtar të listës. Dhe, Kodi i ri Zgjedhor është më i sostifikuar se herët e tjera, pasi ka ekstraktet e listave të zgjedhësve çdo muaj, ku parashikon çdo 30 ditë rishikimin e këtyre listave. Kështu që, në këtë fazë, për mua nuk është se kjo përbën ndonjë shqetësim. Por, ka një problem të thjeshtë, që listat e zgjedhësve, por dhe listat e banorëve që u bë zhurma për Kukësin, janë të gjitha kompetenca të njësive vendore. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në këtë fazë merr të dhënat që i kanë sjellë vendorët dhe i ballafaqon me regjistrin elektronik kombëtar, sipas njësive përkatëse. Dhe, më pas Gjendja Civile fillon punën për shikimin e dublimeve, mangësitë etj. Këto lloj defektesh ja përcjell njësisë vendore dhe, është njësia vendore ajo që thotë fjalën e fundit, jo Drejtoria e Gjendjes Civile. Pra të gjitha vendimet për hartimin e listave merren nga përgjegjësi i Zyrës së Gjendjes Civile dhe kryetari i Njësisë Vendore. Por sidoqoftë, këto shkrime janë të domosdoshme, pasi janë të karakterit sensibilizues, që njerëzit duhet të fillojnë në mënyrë individuale të merren me këtë çështje. Pasi, kjo e ndihmon më shumë situatën dhe rrit shkallën e angazhimit të qytetarëve dhe institucioneve, qofshin këto qendrore, qofshin dhe vendore. 


/Shekulli Online/Herion Mesi/


 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

9 + 2 =