Jetë

Mbetjet spitalore shëtisin frikshëm në kontenierët urbanë

  • 09 Janar 2013, 17:08

Dritan Laci


Vetëm mendimi do të ishte i mjaftueshëm për të ngjallur krupën, e jo më të rrosh me idenë se vetëm një hap të ndan nga vdekja që ndodhet fare pranë banesës tënde. Me dhjetëra ton mbetje spitalore, shiringa, pjesë anatomike të trupave njerëzorë, qese gjaku etj., hidhen si pa të keq në kontenierët e mbetjeve urbane si të ishin teprica ushqimore nga një festë familjare. Raporti i frikshëm bëhet i ditur nga Inspektorati i Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit. Edhe pse ka një ligj, i cili përcakton qartë mënyrën se si do të kryhet menaxhimi dhe eliminimi i mbetjeve spitalore, drejtoritë e disa spitaleve në vend, e kanë parë më të udhës t’i hedhin mbetjet e tyre në ambiente të hapura, sesa t’i depozitojnë në bazë të kontratave të rregullta në autoklavat e licencuara nga autoritetet shtetërore. Enver Halitaj, inspektor i mbrojtjes së mjedisit, tha për gazetën “Shekulli”, se me gjithë punën e madhe që është bërë në këtë drejtim, ka institucione shëndetësore të cilat, në kundërshtim të hapur me ligjin, ndotin mjedisin, duke i hedhur mbetjet spitalore vend e pa vend, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e popullatës. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për institucione shëndetësore të dorës së dytë, që gjithsesi edhe për to tolerimi do të ishte i papranueshëm, por për qytete me përqendrim të lartë të popullatës. Të tilla janë spitalet në rrethet Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër etj., të cilat ndonëse janë gjobitur herë pas here nga Inspektorati i Mjedisit, vazhdojnë të mos lidhin kontrata me kompanitë që merren me menaxhimin e mbetjeve spitalore. “Puna jonë përfshin të gjitha qarqet në vend ku është i shtrirë shërbimi shëndetësor. Në fakt ka ndodhur që një pjesë e mirë e institucioneve shëndetësore të kenë marrë parasysh kërkesën nga Inspektorati i Mjedisit. Në kërcënimin e gjobitjes së vazhdueshme ka institucione që kanë bërë hapa përpara në këtë aspekt. Por kjo nuk ka ndodhur me institucione të tjera të cilat ende edhe sot, kur kanë kaluar afro dy vjet nga miratimi i ligjit për mbetjet spitalore, nuk kanë ndërmarrë hapa për zbatimin e tyre.” Vetëm në vitin 2012 Inspektorati i Mjedisit kreu 223 inspektime në qendrat spitalore dhe klinikat private. “Qëllimi ishte verifikimi nëse këto institucione shëndetësore, i kishin lidhur apo jo kontratat me kompanitë që merren me menaxhimin e mbetjeve spitalore. Nga kontrollet e Inspektoratit të Mjedisit u konstatua se, në krahasim me situatën e para 2-3 viteve kur mbetjet spitalore hidheshin në koshat e mbetjeve urbane dhe tërhiqeshin nga firmat e pastrimit të qyteteve duke u hedhur të patrajtuara në vend depozitimet e mbetjeve urbane, gjendja aktuale e menaxhimit të mbetjeve spitalore ka një përmirësim. Megjithatë problemet mbeten.” Inspektori Halitaj rendit më tej një sërë problemesh. “Problemi i parë është moszbatimi nga drejtoritë rajonale spitalore i kërkesave lidhur me trajtimin, etiketimin, ndarjen e mbetjeve të rrezikshme dhe depozitimin e tyre në vende të veçanta magazinimi, transportimi dhe monitorimi. Ministria e Shëndetësisë bën licencimin e subjekteve private në fushën e shëndetësisë pa kërkuar më parë mënyrën e trajtimit të mbetjeve spitalore që subjektet do të gjenerojnë.” Vetëm në vitin 2012, Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur 22 institucione shëndetësore në vend. Vlera totale e gjobës që Ministria e Shëndetësisë duhet të paguajë si pasojë e shkeljes së ligjit për mbetjet spitalore është 17 milionë lekë. Por me gjithë masat ndëshkuese dhe sado që një pjesë e mirë spitaleve kanë lidhur kontrata me kompanitë e licencuara për menaxhimin dhe eliminimin e mbetjeve spitalore, ato janë pjesë e këtij procesi thjesht sa për sy e faqe. Në kontratë thuhet qartë që mbetjet spitalore duhet të depozitohen çdo muaj në autoklava. Ka spitale të cilat kanë muaj të tërë që nuk e kanë kryer një proces të tillë. Se ku i kanë depozituar mbetjet gjatë këtyre muajve, institucionet shëndetësore në Lushnjë, Berat, Durrës, Kavajë, Kukës etj., afërmendsh, kjo është e kuptueshme. Inspektorati i Mjedisit u ka bërë të qartë këtyre institucioneve se tolerimi nuk do të zgjasë më. “Në masat për vitin 2013, Inspektorati i Mjedisit, planifikon që brenda muajit mars të inspektohen të gjitha subjektet që gjenerojnë mbetje spitalore qofshin këto subjekte private apo shtetërore. Për ato spitale dhe qendra shëndetësore që nuk do t’i dorëzojnë mbetjet spitalore në subjektet e licencuara për trajtimin e mbetjeve spitalore, do të vendosen sanksionet administrative që parashikon ligji Nr. 10464 datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, thotë qartë e shkoqur inspektori Halitaj.


Spitalet justifikohen se nuk kanë fonde


Drejtoritë Rajonale të Spitaleve në rrethe justifikohen se nuk kanë fonde për të kryer depozitimin e mbetjeve spitalore ashtu sikur e kërkon dhe ligji. Ky është argumenti që ato përdorin me inspektorët e mjedisit. Në këto kushte ata kanë gjetur rrugën më të shkurtër duke i hedhur në kontenierët e mbetjeve urbane. Por ka edhe më keq. Në mënyrë konfindenciale subjekte që merren me administrimin e mbetjeve spitalore, thanë për gazetën “Shekulli” se ka spitale që mbetjet spitalore i hedhin në terrene të hapura, duke rrezikuar kontaminimin e ujërave nëntokësore dhe për pasojë, shëndetin e popullatës. I tillë është edhe spitali i Shkodrës ku qeset e gjakut derdhen në ambiente të hapura, një shkelje flagrante kjo e protokollit të mbetjeve spitalore.


Zgjidhje është dhënia me koncesion


Enver Halitaj, inspektor në Ministrinë e Mjedisit, tha për gazetën “Shekulli” se do të kërkohet bashkëpunimi nga Ministria e Shëndetësisë, që për spitalet dhe qendrat shëndetësore shtetërore, të planifikohen në buxhetet e tyre fonde për asgjësimin e mbetjeve spitalore. Inspektorati mendon se zgjidhja përfundimtare e menaxhimit të mbetjeve spitalore, mbetet dhënia me koncesion. “Mendojmë që për menaxhimin e mbetjeve spitalore sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian, zgjidhja më e mirë do të ishte dhënia me koncesion operatorëve që disponojnë teknikat dhe teknologjitë më të mira të mundshme për asgjësimin e mbetjeve spitalore dhe që janë të licencuara nga Ministria e Mjedisit”, tha Halitaj.


Rreziku i kontaminimit me ujërat nëntokësore


Dëmi më i madh që mund të shkaktojë depozitimi i mbetjeve spitalore në ambiente të hapura është kontaminimi me ujërat nëntokësore, çka mund të sjellë rrezik serioz për shëndetin e popullatës. Duke marrë parasysh rrjetin e amortizuar hidrik në Shqipëri, rreziku nga mikrobet është i pranishëm. Nga ajo që dihet është se mbetjet spitalore, në të shumtën e herëve përfundojnë në fushat e mbetjeve urbane bashkë me mbetjet e tjera, duke u kthyer edhe në ushqim për kafshët e rrugës. 


Shtoni një koment
1 Komente
thesproti
Shqipria 'natyrale' eshte vendi me i ndotur ne Europe. nuk ka shume per te argumentuar, emi bote e katert dhe jo e trete ironia eshte qe themi'jemi vend BIO' jemi nje vend plot me plehera
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

2 + 4 =