Sociale

Arsimi në një vit, arritjet dhe ngecjet

Në bilancin e një vit që shkoi në arsim dhe shkencë, ministri Myqerem Tafaj rendit në listën e sukseseve ndërtimin e shkollave të reja, kurrikulat e reja për arsimin parauniversitar dhe provimin e shtetit për mësuesit. Me realizimin e tekstit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë vitin që shkoi, pritet hartimi i teksteve të Gjuhës Shqipe dhe të Historisë. Gjatë 2013-s do të ngrihet një komision mbarëkombëtar akademikësh dhe hartues të teksteve të përbashkëta. Janë tekste që do t’u shërbejnë jo vetëm shqiptarëve të Republikës së Kosovës, po aq edhe shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës dhe më gjerë në rajon. Kreun e listës së mosarritjeve, me gjithë premtimet që janë bërë nga MASH, e zë reforma e financimit të universiteteve publike dhe private në vend, e cila, e pakta edhe për këtë vit, nuk mund të kryhet. Sepse kjo reformë, thotë ministri, kërkon kohë dhe disa masa për t’u implementuar e plotë. Ministri vetëm sa i ceku disa nga problematikat që shqetësojnë arsimin para dhe atë pasuniversitar si arsimi i fëmijëve të emigrantëve të kthyer në Shqipëri, njohja e diplomave universitareshqiptare jashtë kufijve dhe zhvillimi i arsimit profesional. Fëmijët e emigrantëve Kriza ekonomike në disa vende evropiane ka shtyrë emigrantët shqiptarë të rikthehen në atdhe. Tani ata përballen ndër të tjera me problemin e shkollimit të fëmijëve, të cilët e dinë pak ose aspak gjuhën shqipe.


Sipas ministrit Myqerem Tafaj, të gjithë fëmijët e emigrantëve të kthyer në Shqipëri do të trajtohen në mënyrë të veçantë në shkollat ku do të mësojnë. Këtë përgjegjësi për integrimin e tyre, ministri ua lë kompetencë drejtorive arsimore të rretheve, mësuesve dhe nxënësve të klasave ku ata mësojnë. “Çdo fëmijë-nxënës i familjeve që kthehen në Shqipëri do të integrohet në klasën përkatëse dhe menjëherë. Në rast se ka mbaruar klasën e dytë, duhet të shkojë menjëherë në klasën e tretë. Drejtoritë e arsimit në rrethe dhe shkollat janë të instruktuara që të ofrojnë ndihmë për nxënësit e familjeve të emigrantëve. Nuk bëhet fjalë për vlerësimin e menjëhershëm me notë apo për moskalim të klasës.” Më tej ministri ka theksuar se është e pamundur që fëmijët e emigrantëve të grupohen në klasa të veçanta duke parë si nevojë kthimin e tyre në rolin e dëgjuesit. E rëndësishme është ndihma e madhe që japin nxënësit dhe mësuesit për të mbështetur të sapoardhurit. Ata që ndjekin shkollën 9-vjeçare e kanë më të thjeshtë të punojnë me mësimin e gjuhës shqipe dhe programin mësimor. Vështirësi paraqesin të rinjtë që kandidojnë këtë vit për në universitet. Para se të japin provimet e detyruara, ata duhet të japin provimin e gjuhës shqipe. Njehsimi i diplomave në Luginën e Preshevës Në axhendën e diskutimeve dhe marrëveshjeve që pritet të kryejë Ministria e Arsimit dhe Shkencës për këtë vit është edhe njehsimi i diplomave shqiptare në disa vende të huaja. Një problem i zgjatur në vite është njohja e diplomave të studentëve të Luginës së Preshevës në Serbi. Edhe pas gjashtë viteve debat me ministrinë serbe të arsimit, ministri Tafaj theksoi dje mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në verë 2013. “Njohja reciproke e diplomave është kusht për të gjitha vendet që duan të integrohen në BE. Për sa kohë që Serbia dhe Shqipëria kanë aderuar në procesin e Bolonjës, ekziston mundësia e një marrëveshjeje për njohjen reciproke të diplomave.”


Ky problem prek më së shumti studentët e Luginës së Preshevës që studiojnë në Shqipëri, por edhe ata që studiojnë aktualisht në Republikën e Kosovës. Në analizën vjetore të Ministrisë së Arsimit u fol edhe për mundësinë e unifikimit të teksteve shkollore me synimin për të mbërritur te një unifikim i gjithë sistemit arsimor në vendet ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë. Pas krijimit të abetares së përbashkët Shqipëri- Kosovë, nisma e radhës është krijimi i teksteve të përbashkëta të Historisë dhe Gjuhës Shqipe. “Kemi tashmë komisione të përbashkëta që vazhdojnë të punojnë për njehsimin e planeve të programeve mësimore me Republikën e Kosovës dhe jo vetëm. Kemi bashkëpunuar për të bashkërenduar të gjithë punën për krijimin e mësimit për nxënësit në diasporë, hartimin e programit dhe teksteve jo vetëm në letër por dhe në rrugë elektronike”, tha ministri Tafaj.


 


Raporti


 Ku çalon arsimi profesional


Edhe pas rritjes me 23% të numrit të nxënësve në sistemin arsimor profesional, niveli arsimor nuk është i kënaqshëm. Kështu u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës në analizën e djeshme vjetore. Ky fakt pohohet edhe në raportin vjetor të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar (IKAP). Ai vë në dukje disa nga problemet e hasura vitin që kaloi në arsimin profesional. Sipas inspektorëve, mësuesit i kushtojnë pak vëmendje hartimit të planit vjetor lëndor duke i dhënë vlerën e një “dokumenti formal” që nuk shfrytëzohet në punën e tyre të përditshme. Po ashtu kurrikulat me zgjedhje dhe orët e lira nuk plotësohen në bazë të preferencave të nxënësve. Ka raste kur zgjedhja nuk plotëson kriteret, prandaj ndodh që nxënës me rezultate të ulëta “zgjedhin” lëndë të avancuara apo e gjithë klasa “preferon” të njëjtën lëndë. Gjithashtu orët e lira planifikohen kryesisht për veprimtari, module apo projekte, por mënyra se si hartohen dhe realizohen ato, nuk plotëson formatet dhe kërkesat përkatëse. Për t’i nxitur nxënësit që të ndjekin shkollat profesionale, Ministria e Arsimit ka përpunuar strategji për hapjen e disa degëve dhe profileve të reja si dhe për zbatimin e paketës së bursave për nxënësit konviktorë.


 


 1500 kuota për mësues


Këshilli i Ministrave miratoi dje 1500 kuotat e praktikantëve mësues të cilët do të kryejnë praktikën profesionale për vitin 2013, në periudhat 1 janar-15 qershor dhe 15 shtator-31 dhjetor. Praktikantët përveç përvojës profesionale, përfitojnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në masën 16.7% , përllogaritur mbi pagën minimale 21 mijë lekë. Pas praktikës ata i nënshtrohen Provimit të Shtetit që u jep mundësinë praktikantëve të marrin licencën për të ushtruar profesionin.


 


 Doktoratura, 1305 kuota


Qeveria miraton kuotat dhe tarifat e pranimit për ciklin e tretë të studimeve të doktoraturës. 1305 persona brenda dhe jashtë vendit e kanë mundësinë për të ndjekur studimet e avancuara për vitin akademik 2012-2013. Për kandidatët brenda territorit të vendit janë 1141 kuota; për kandidatët nga trojet jashtë kufijve 154 kuota dhe për shtetasit e huaj 10 kuota. Tarifa e shkollimit është 216 320 lekë. Kjo mund të paguhet me këste.


Besarta Basha



Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 8 =