Thellë

Strasburgu: rrëzon ligjin për legalizimet

Ornela Manjani 


-Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i kërkon shtetit shqiptar të ndryshojë ligjin për legalizimet. Shkak janë tarifat që aplikohen për degazimin e truallit të zënë me ndërtime pa leje i cili është shume herë më i vogël se çmimi i tregut. Ndërkohë që ish-pronarët e këtyre sipërfaqeve duhet të kompensohen me çmimin e tregut. Hendeku i krijuar mes të ardhurave që sigurohen nga procesi i legalizimit dhe fatura që duhet shlyer ish-pronarët është shumë i madh. Duke analizuar këta tregues dhe duke mbajtur në konsideratë faktin se procesi i shpronësimit të ish-pronarëve është shumë i ngadaltë, Gjykata e Strasburgut ka rekomanduar ndryshimin e tarifave të legalizimit. Shoqatat e ish-pronarëve pohojnë se Strasburgu po gjykon të tjera çështje ish-pronarësh të ankimuara pranë kësaj gjykate dhe kostoja financiare që duhet të paguajë buxheti i shtetit arrin në shuma të konsiderueshme, madje të papërballueshme. Sipas ligjit të fuqi tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje ose shtesave informale në ndërtime me leje është në vlerën 4 mijë lekë, për çdo kat të objektit pa leje ose shtesës informale në ndërtime me leje. Ndërkohë që të ardhurat e mbledhura nga tarifa e shërbimit për legalizim përdoren nga ALUIZNI për përditësimin në terren dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik të objekteve pa leje apo shtesave informale në ndërtime me leje, si dhe për ngritjen e funksionimin e zyrave të përkohshme, që do të kryejnë këtë shërbim, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin e përbashkët të Ministrit të Financave.


Tarifat 


Sipas ligjit në fuqi, mbi të cilin janë legalizuar ndërtimet pa leje, edhe është përfituar e drejta e pronës nga persona që kanë ndërtuar në tokat e ish-pronarëve  për ndërtimet jashtë vijës së verdhë,  për të gjitha segmentet nga 0-500 metër katrorë pagesa e tarifës bëhet deri në 70 për qind me letra me vlerë dhe 30% me para në dorë. Për sipërfaqe mbi 500 metër katror pagesa të bëhet sipas çmimit të tregut, me para në dorë. Për të gjitha sipërfaqet deri në 300 metër katrorë pagesa bëhet 70 për qind me letra me vlerë dhe 30 për qind me para në dorë. Ndërsa për sipërfaqet mbi 300 metra katrorë duhet likuiduar 50 për qind me letër me vlerë dhe 50 për qind me para në dorë. Sipas nenit 19 të ligjit aktual banorët e zonave informale jashtë vijave të verdha do të paguajnë për parcelat ndërtimore: a) për sipërfaqe deri në 100 m² 100 mijë lekë; b) për sipërfaqe deri në 200 m² 150 mijë lekë; c) për sipërfaqe deri në 300 m² 200 mijë lekë; ç) për sipërfaqe deri në 400 m² 300 mijë lekë; d) për sipërfaqe deri në 500 m² 400 mijë lekë. Me ndryshimin e bërë 70 për qind e pagesës të bëhet me bono privatizimi. Ndërsa për zonat informale brenda qytetit sipas nenit 20 pagesa kishte me këtë skemë, “a) për sipërfaqe deri në 100 m² 200 mijë lekë; b) për sipërfaqe deri në 200 m² 300 mijë lekë; c) për sipërfaqe deri në 300 m² 400 mijë lekë”. Nga këto vlera vetëm 30 për qind paguhet me para në dorë, pjesën 70 për qind me bono privatizimi. Kurse për sipërfaqe mbi 300 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë dhe deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi. 


Sokol Puto/Avokat i Gjykatës së Strasburgut


Qeveria ka kohë tre muaj të paguajë 1 mln euro 


Avokati Sokol Puto, i cili mbron vetë çështjen e familjes së tij në Strasburg, bën të ditur se ka përfunduar procesi gjyqësor në të gjitha hallkat e Gjykatës së Strasburgut në lidhje me dojes “Puto etj”. :”Vendimi është marrë në mes të muajit dhjetor të vitit të shkuar dhe sipas ligjit shteti shqiptar ka tre muaj kohë për të kryer pagesën. Në rast se afati shkelet, nisin penalitetet financiare”-thotë Sokol Puto, avokat i çështjes. Ndërkaq, Gjykata e Strasburgut që ka refuzuar kërkesën e qeverisë shqiptare për riekzaminim të çështjes së Manushaqe Putos dhe të tjerëve kundër shtetit shqiptar. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur në mënyrë unanime se kishte pasur thyerje të Konventës Evropiane të të drejtave të njeriut (ECHR), në lidhje me dështimin e përsëritur për të zbatuar vendimet administratës për pagesat e kompensimeve ndaj ish-pronarëve apo trashëgimtarëve të tyre për tokat e konfiskuara. Me këtë vendim qeveria e Shqipërisë duhet të paguajë brenda 3 muajsh kompensimin e fituar nga katër aplikantët sipas dëmshpërblimeve në para ose asete ( 1.000.000 euro për anëtarët e familjes Puto, plus 1.000 euro në kosto dhe shpenzime; 280.000 euro për familjen Dani, plus 1.000 euro kosto e shpenzime; 352.400 euro për familjen Ahmatas, plus  1.000 euro kosto e shpenzime; 1.360.000 euro për zotin Muka. Shoqatat e ish-pronarëve në vend bëjnë të ditur se Gjykata Europiane e Strasburgut ka pranuar aktualisht rreth 400 dosje të paraqitura nga pronarët shqiptarë, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për pronën e tyre.


Janë 400 dosje në Strasburg, pritet gjykimi  


Rreth 400 pronarë kanë dorëzuar dosjet në Gjykatën e Strasburgut për të marrë të drejtat mbi pronat e tyre. Ndërkohë që procesin që po ndjek AKKP pronarët e vlerësojnë si të ngadaltë. Shoqatat e ish-pronarëve në vend bëjnë të ditur se Gjykata Evropiane e Strasburgut ka pranuar aktualisht rreth 400 dosje të paraqitura nga pronarët shqiptarë, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për pronën e tyre. Rreth 250 dosje janë në proces gjykimi dhe pjesa tjetër do të merret në shqyrtim në vitet që do të vijnë. Por i gjithë ky proces krijon një faturë tepër të madhe për buxhetin e shtetit, duke bërë që shuma e akumuluar të jetë një detyrim konstant për çdo qeveri shqiptare. Sipas shoqatave rastet kur kjo gjykatë ka dhënë të drejtë për qytetarët shqiptarë, janë tepër të larta, krahasuar me çdo vend tjetër europian. Rreth 14% e rasteve në të cilat Gjykata e Strasburgut ka dhënë drejtësi, i përkasin Shqipërisë. 


Fatura 3. 4 milionë euro duhet shlyer brenda marsit


Qeveria shqiptare duhet të paguajnë brenda tre muajve, pra deri në fund të muajit mars 3. 4 milionë euro për ish-pronarët që kanë fituar betejën me shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut. Pas një maratone gjyqesh, Strasburgu ka vendosur përfundimisht të drejtën e për dosjen “Puto etj”, fatura financiare e të cilës duhet paguar brenda tre muajve nga data e marrjes së vendimit përfundimtar. Vendimi është marrë në mes të dhjetorit të vitit të shkuar. Padia për pronën ishte dorëzuar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut më 16 nëntor 2006, nga aplikantët Refat Puto, Violeta Puto, Saime Puto, Pandi Allabashi, Ermira Allabashi dhe Roza Allabashi. Proceset gjyqësore të familjes Puto kanë nisur më 22 qershor 1994, kur Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, u ka njohur aplikantëve pronësinë mbi një ngastër toke dhe të një ndërtese mbi të në Sarandë. Ndërtesa kishte nisur të rikonstruktohej në 1990, por që nuk kishte përfunduar pasi ishte bërë e pabanueshme, për këtë, familja Puto është dëmshpërblyer 997.230 lekë. Kundërshtimi i familjes Puto mbërriti në Gjykatën e Sarandës, institucion i cili e ngriti këtë shifër në 4.6 milionë lekë të reja, më 14 prill 1995. Më 25 maj 2000, Gjykata e Sarandës nxjerr urdhrin e ekzekutimit të vendimit, ndërsa më 5 korrik 2000 Ministria e Financave informon aplikuesit se ata do të kompensoheshin me anë të letrave me vlerë. Më 7 nëntor 2002, Puto kërkoi ekzekutimin e vendimit nga Përmbarimi i Sarandës, por që deri në vitin 2006 vendimi nuk u ekzekutua. Pas kësaj, më 22 tetor 2005 dhe 3 mars 2006, familja Puto ka dërguar dy letra në Ministrinë e Drejtësisë, por nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë gjatë kësaj kohe, prona i ishte shitur një firme ndërtimi për të ndërtuar aty një pallat. Kjo u përdor si argument nga përfaqësuesja e Qeverisë shqiptare në Strasburg, për të justifikuar mospagimin nga ana e institucioneve shtetërore të shumës së kërkuar. Por Strasburgu, duke pranuar si shkelje këtë, vendosi dëmshpërblimin e familjes Puto me 65 mijë euro, shumë kjo e konvertuar me vlerën e sotme, si dhe dy mijë euro të tjera për shpenzimet gjyqësore. 


Strasburgu: Pronat, edhe 18 muaj afat 


Për një periudhë 18-mujore, të gjitha çështjet që do të depozitohen në Gjykatë pas kësaj date, nuk do të hyjnë në procedurat e shqyrtimit, pra do të “ngrijnë”. Nga ana tjetër, të gjitha çështjet e depozituara aktualisht në Gjykatë do të vazhdojnë të shqyrtohen normalisht. Ky vendim tregon që çështja e pronave në Shqipëri është shndërruar në problem tepër serioz për Gjykatën e Strasburgut. Këtu duhet patur parasysh edhe fakti, që zgjidhja e problemit të pronave është edhe një prej 12 kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian, të cilat duhen përmbushur nga Shqipëria në mënyrë që vendi të fitojë Statusin e vendit kandidat për anëtarësim. 


Qeveria 41 mijë vendime kompensimi presin ekzekutim


Nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut mësohet se qeveria shqiptare ka një situatë problematike në lidhje me çështjen e pronave. Numri i vendimeve të komisioneve të pronave, të cilat janë aktualisht në pritje të ekzekutimit për kompensim, është thuajse 41 mijë. Nga këto, numri i vendimeve të komisioneve, me anë të të cilave është njohur e drejta e pronësisë, arrin në rreth 29 mijë. Gjithashtu, numri i vendimeve të komisioneve, që presin kompensim të plotë e që nuk kanë marrë asgjë deri tani, arrin në rreth 15 mijë. Siç shihet, situata është ende shumë larg zgjidhjes përfundimtare. Deri tani kanë marrë zgjidhje një sërë çështjes të cilat kanë fituar të drejtën nga gjykata për tu kompensuar. Çështja “Beshiri” e vitit 2006 ishte e para e një serie të gjatë çështjesh me problematikë të vetme mosekzekutimin e vendimeve për kompensim. Më pas vijuan çështjet e tjera, si “Ramadhi”, “Driza”, “Nuri”, “Hamzaraj”, “Vrioni” apo “Delvina”. Për vendimet e dhëna deri tani, shteti shqiptar ka paguar rreth 4 milionë euro. Çështja “Dani kundër Shqipërisë” ka të bëjë me mosekzekutimin e një vendimi të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Lezhës në vitin 1994 për kompensimin e një prone prej rreth 1500 metrash katrorë në qytetin e Lezhës. Çështja “Puto kundër Shqipërisë” lidhet me mosekzekutimin e një vendimi të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë të vitit 1995 për kompensimin e një prone prej 5000 metrash katrorë në qytetin e Vlorës. Çështja “Ahmatas kundër Shqipërisë” lidhet me mosekzekutimin e dy vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Korçës në vitet 1996 dhe 1999 për kompensimin e dy pronave, një trualli me sipërfaqe 3800 metra katrorë dhe një toke bujqësore prej rreth 59 mijë metra katrorë të ndodhura në zonën e Korçës. Ndërsa, tre çështjet e para u përfaqësuan nga avokat Sokol Puto, çështja “Muka kundër Shqipërisë” e përfaqësuar nga avokat Agim Tartari ka të bëjë me mosekzekutimin e dy vendimeve të vitit 1995 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë për dy sipërfaqe të ndryshme në total 1200 metra katrorë. Nga sa kuptohet, pritja e secilit prej ankuesve për ekzekutimin e vendimeve ka zgjatur më shumë se 15 vite. 


Shtoni një koment
8 Komente
nastradini
PSE STRASBURGU I THOTE STOP! SALIUT? Saliu mund te ndertoje autostrada te Anti-Kombit nga Bjeshket e nemuna deri ne Durres, pa projekt, pa preventiv dhe pa bere fisibilitetin apo leverdine ekonomike. Saliu mund te vendose te ndertoje edhe autstrade nga Mali i Zi deri ne Tirane permes Vermoshit, mos e dhente Zoti dhe largqofte! Saliu mund te beje edhe shume CUDIRA te tjera alla Enver Hoxha sepse nuk paguan me LEKAT e veta. Por Saliu nuk mund te grabise PRIVATIN duke i falur truajt dhe pronat e tij TALEBANEVE qe i ka si zagare per te vjedhur vota. Prandaj edhe Strasburgu thote STOP!
nastradini
PSE STRASBURGU I THOTE STOP! SALIUT? Saliu mund te ndertoje autostrada te Anti-Kombit nga Bjeshket e nemuna deri ne Durres, pa projekt, pa preventiv dhe pa bere fisibilitetin apo leverdine ekonomike. Saliu mund te vendose te ndertoje edhe autstrade nga Mali i Zi deri ne Tirane permes Vermoshit, mos e dhente Zoti dhe largqofte! Saliu mund te beje edhe shume CUDIRA te tjera alla Enver Hoxha sepse nuk paguan me LEKAT e veta. Por Saliu nuk mund te grabise PRIVATIN duke i falur truajt dhe pronat e tij TALEBANEVE qe i ka si zagare per te vjedhur vota. Prandaj edhe Strasburgu thote STOP!
Pa Emër
NUK KA SE SI TE NDODHI NDRYSHE KU NE KRYE TE VENDIT DREJTON NJE IDIOT
arjan
E nderuar shkruese e artikullit.Nuk jane tarifat e uleta qe paguajne qytetaret ne baze te ketij ligji,por menyra keqmenaxhuese dhe shperdorimi qe u eshte bere parave te mbledhura nga ky proces.Dua te kujtoj se jane te pakten rreth 250000 ndertime pa leje dhe ne mes tyre ka shume objekte ekonomike te cilat faturen e pageses e kane me çmimin e tregut dhe me para ne dore .Pra po te besh llogari 250000ndertime shumezuar me nje mesatare aritmetike te pagesave ne leke ,pa futur fare bonot,kam pershtypjen se shifrat jane kolosale,pra parate mjaftojne dhe teprojne .Por procesi ka ngecur,se ata qe punojne ne keto agjensi ,se kane mendjen tek procesi dhe perfundimi i tij ,por tek xhepi,dhe natyrisht parate nuk mjaftojne asnjehere.
fatmir
Nese doni drejtesi mbi pronen mbeshtetni parti te reja te djathta. Te sotmit jane leniniste.
fatmir
Nese doni drejtesi mbi pronen mbeshtetni parti te reja te djathta. Te sotmit jane leniniste.
sali berrisha
ik pirdhu srasburg ka... , skemi nevoj per mendje ne .
Pa Emër
sali barbari ka vendosur nje adminitrate super te korruptuar. qytetaret paguajne nen dore dhe cmimi i tokes shkon sa cmimi i tregut
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

8 + 6 =