Sociale

Sindikata e taksistëve kërkon tarifa të reja

  • 11 Janar 2013, 13:04

Taksistët e licencuar ankohen që taksitë ilegale ua vjedhin punën duke u zënë vendqëndrimet. Për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat, ata i janë drejtuar në rrugë zyrtare Bashkisë së Tiranës, nga e cila nuk kanë mundur të marrin asgjë përgjigje dhe ka një vit që nuk i pret kush. Kryetari i Sindikatës Shqiptare të Taksive 4 plus 1, Gëzim Bardhi, shprehet se për kërkesat që ata kanë rënë dakord apo të tjera që kërkojnë t’ia shprehin Bashkisë së Tiranës, kanë mbetur në udhëkryq. I kanë nisur Bashkisë dhjetëra kërkesa, ka pasur raste që kanë qëndruar para selisë me orë të tëra, me shpresën që një zyrtar t’i presë, por askush nuk ka dalë nga porta për t’u dhënë një përgjigje. “Lufta kundër informalitetit po mbetet një frazë që ne e kërkojmë vazhdimisht dhe Policia Bashkiake ende nuk po vepron. Vendqëndrimet tona po zihen në mënyrë të padrejtë nga taksi të palicencuara apo nga taksi që e kanë licencën, por nuk paguajnë taksat. Ndërsa të tjerët që janë taksapagues të rregullt, u duhet të kërkojnë vendqëndrime kudo që të ndodhen nëpër rrugë kryesore e rrugica”, shprehet Gëzim Bardhi. Sipas tij, Policia Bashkiake e sheh situatën se çfarë po ndodh dhe nuk lëviz për të ndërmarrë ndonjë hap, për t’i shpallur luftë informalitetit që zhvillohet si në qendër të qytetit, ashtu dhe në periferi. Aktualisht, taksitë e licencuara nuk po e përdorin taksimetrin, sepse presin rezultatin e diskutimit në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili do të vendosë miratimin e tarifave të reja të taksimetrit. Por Bashkia edhe për këtë çështje nuk u ka kthyer një përgjigje se kur do t’i vijë radha këtij diskutimi. Në korrik 2012 sindikata i ka dërguar Bashkisë së Tiranës një kërkesë, së bashku me propozimin për ndryshimin e pagesës së taksimetrit, kërkesë që nuk ka marrë përgjigje. “Sindikata i ka dërguar propozimet për ndryshimin e tarifës fillestare të taksimetrit pranë Drejtorisë së Transportit në Bashki. Na është thënë që do të diskutohen në Këshillin Bashkiak. Tarifa fillestare ishte 300 lekë për 2 kilometra, ndërsa ne kërkojmë që të jetë 300 lekë për 1.5 kilometra. Përderisa situata është e pazgjidhur, kjo po bëhet shkak për abuzime me tarifën nga taksistët kundrejt klientit”, thotë Gëzim Bardhi. Një pikë tjetër për të cilën është rënë dakord parimisht mes palëve, por që Bashkia e Tiranës nuk po e bën realitet, është akt-marrëveshja Bashki- Sindikatë, nëpërmjet së cilës sindikatës i njihet e drejta e dhënies së mendimit për rregulloret që do të dalin nga bashkia në lidhje me taksitë. Taksistët po përballen edhe me një fenomen tjetër, gjë që i step ata në shërbim: mungesa e sigurisë është një shqetësim i pranishëm, sidomos gjatë orëve të vona të natës, ku nuk dihet se kush hipën në makinë. Ka pasur raste kur taksistët janë bërë objekt i dhunës së klientëve për motive të ndryshme. Madje kanë arritur deri aty sa “klienti” i ka marrë jetën. Gëzim Bardhi na përmend rastin më të fundit të dhunës, që ka ndodhur para 3 ditëve, ku një taksist është rrahur barbarisht në mes të ditës pranë zonës së Bërrylit. “Vazhdimisht jemi bërë pre e kërcënimeve të ndryshme. Një problem për nxitje konflikti janë edhe zënkat që taksistët me licencë kanë me ata pa licencë”, shton kreu i Sindikatës së Taksistëve. Sindikata vazhdimisht ka bërë protesta duke kërkuar zgjidhje kundër informalitetit, në mënyrë që të jenë të lirë të punojnë brenda rregullave. Por asgjë. E vetmja gjë që Gëzim Bardhi rendit si meritë të Bashkisë është kufizimi i dhënies së licencave deri në 1 mijë, sepse liberalizimi i licencave ka qenë një kërcënim për tregun e punës. 


/Shekulli Print/Emanuela Sako/ 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

3 + 7 =