Sociale

Detyrohen farmacitë t'i deklarojnë recetat online brenda 48 orëve

  • 12 Janar 2013, 13:21

Miratohen kontratat e reja me dhënësit e shërbimeve shëndetësore. Prioritet është kontrolli i listës së barnave të rimbursueshme në farmacitë e kontraktuara dhe matja e hemoglobinës në gjak. Gjatë këtij viti do të ushtrohen kontrolle të rrepta në farmacitë e kontraktuara për të garantuar cilësinë e listës së barnave të rimbursueshme. Në kontratat që Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka lidhur me rrjetin farmaceutik, parashikohet forma se si do të kryhen këto kontrolle. Gjithashtu në kontrata janë përcaktuar tashmë të drejtat dhe detyrat e farmacive. Farmacitë janë të detyruara që të dërgojnë pranë ISKSH-së të dhënat e recetave të rimbursueshme online brenda 48 orëve nga koha që kjo recetë i është dhënë pacientit. Kjo kohë konsiderohet e mjaftueshme për farmacistin që të bëjë regjistrimin e recetës pavarësisht fluksit të punës. Nuk është e justifikueshme nëse kjo e dhënë nuk regjistrohet. Madje pe- nalizime të rënda parashikohen në rast se në farmaci gjendet një faturë apo recetë fiktive që nuk është regjistruar në rrjetin online, kjo konsiderohet shkelje e rëndë e kontratës. Nuk tolerohen studentët apo persona të palicencuar nga Urdhri i Farmacistit që të shërbejnë në farmaci. Në rast së ndeshet një person i tillë do të merren masa ndaj tij. Të gjithë farmacistët që kanë një kontratë me ISKSH-në janë të detyruar që t’i japin pacientit barnat e lëshuara në recetën e mjekut pa bërë asnjë lloj zëvendësimi apo ndryshimi të formëdozës, apo të sasisë së barit të përshkruar. Penalizimet shkojnë deri në zgjidhjen e kontratës. Gjithashtu, në kuadër të rritjes së transparencës si dhe për të lehtësuar inventarët e farmacive, ISKSH në bashkëpunim me Urdhrin e Farmacistëve kanë propozuar që, jo vetëm barnat e rimbursueshme, por të gjitha barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë, të përfshihen në kasat fiskale. Propozimi është parë me prioritet nga Ministria e Shëndetësisë dhe implementimi i tij, pritet të sjellë transparencë në sistem. Një tjetër pikë kyçe e sistemit shëndetësor është vënia nën kontroll e sëmundjeve të shfaqura në masë. Sëmundja e diabetit ka kapur shifra alarmante. Kjo situata ka çuar në marrjen e masave për të minimizuar dëmet që mund të shkaktojë diabeti. Pikërisht për këtë arsye kontratat e reja parashikojnë mundësinë e kryerjes së testit të hemoglobinës së glukozuar për pacientët diabetikë, aty ku ka mundësi reale për bërjen e këtij testi. Deri tani bëhet vetëm matja e glicemisë në gjak. Kjo bëhet me qëllim që të reduktohen komplikacionet e pacientëve që çojnë deri në invaliditet. Rastet me diabet janë rritur ndjeshëm, madje kanë prekur dhe moshat e reja. Numërohen 510 raste të reja vetëm gjatë një muaji. Diabetikët po shtohen dhe shifrat nga viti në vit e tregojnë qartë këtë. Po të kthehemi në vitin 2004 në vend kishte 32 mijë pacientë që trajtoheshin me barna antidiabetike, ndërsa në vitin 2011 ky numër ishte 57 mijë. Vetëm gjatë 9-muajve të vitit 2012 mendohet që kjo shifër është tejkaluar. Nuk ka të dhëna të sakta se sa është shifra e diabetikëve, por mendohet të jetë shqetësuese dhe një pjesë e madhe nuk e dinë që vuajnë nga diabeti. 25% e të prekurve me diabet janë fëmijë. Bota regjistron rreth 218 milionë diabetikë dhe në një vit humbin jetën 4 milionë të prekur. 


Financimet për Qendrat Shëndetësore dhe si përfitohen bonuset 


Financimi i Qendrave Shëndetësore gjatë viti 2013 do të bëhet sipas një sistemi miks, i cili është i pasqyruar në kontratën që ISKSH ka me qendrat. 80% e financimeve varet nga numri i banorëve, 10% do të jetë financimi shtesë që do të merret nga mjeku i familjes në varësi të vizitave të bëra si dhe 10% për realizimin e treguesve të cilësisë. Regjistri elektronik do të shihet me përparësi, do të evidentohen pacientët dhe do të pasqyrohen ndryshimet çdo muaj. Procesi i regjistrimit me kartë identiteti ka arritur në 1.6 milionë banorë dhe pritet të përfundojë brenda pak muajsh. ISKSH financon Qendrat Shëndetësore me një pagesë fikse në masën 80% të buxhetit të kontraktuar që do të arkëtohen në 12 këste mujore të barabarta, jo më vonë se ditën e fundit të muajit paraardhës. Pagesa për aktivitet do të jetë më vete në masën 10% dhe do të përllogaritet sipas një skeme ku do të merret parasysh numri i vizitave. Ky buxhet do të transferohet jo më vonë se dita e fundit e muajit pasardhës. Pagesa për performancën dhe nxitjen e cilësisë dhe efektivitetit të shërbimeve është në masën 10% dhe do të shpërndahet në katër këste, në fund të çdo tremujori, jo më vonë se dita e fundit e muajit të parë të tremujorit pasardhës. Bonusi do t’i paguhet Qendrave Shëndetësore proporcionalisht kundrejt plotësimit të standardeve të secilit prej 10 indikatorëve të përcaktuara hollësisht.  


Indikatorët 


1. Përqindja e pacientëve të regjistruar që janë vizituar për herë të parë të padublikuar nga personeli shëndetësor gjatë vitit. 


2. Kosto mesatare e recetave për diagnozë, për 4 diagnoza të zgjedhura. 


3. Përqindja e pacientëve kronike të vizituar çdo muaj. 


4. Përqindja e grave shtatzëna që marrin vizitën e parë të detyrueshme nga personeli shëndetësor brenda tremujorit të parë. 


5. Përqindja e fëmijëve të moshës 0 – 1 vjeç që marrin vizitën e detyrueshme për mirë-rritjen e tyre nga personeli shëndetësor. 


6. Përqindja e fëmijëve të moshës 0-14 vjeç të vaksinuar gjatë 3- mujorit. 


7. Përqindja e pacienteve me HTA të diagnostikuar nën mjekim (gjithë stadet) që kanë vlerën e TA brenda “normës”. 


8. Përqindja e pacientëve me Diabet Melitus të diagnostikuar nën mjekim që kanë nivelin e glicemisë esëll në “normë”/ hemoglobina e glukozuar. 


9. Përqindja e stafit që merr pjesë në Edukimin Mjekësor të Vazhdueshëm. 


10. Përqindja e grave mbi 35 vjeç të depistuara me Ca gjiri. Pagesa për Aktivitet (10%) dhe Bonusi (10%) do të llogariten në bazë të formularit të vizitës të plotësuar saktë nga personeli shëndetësor i QSH për çdo vizite. Vlerësimi i diferencuar i indikatorëve, bëhet sipas një sistemi pikëzimi me udhëzim të posaçëm të ISKSH-së.


/Shekulli Print/Albinë Hoxhaj/ 


Shtoni një koment
1 Komente
Pa Emër
prsh. Ne lidhje me oraret e ketyre farmacive psh ne qytetin ku une banoj ka mbi 10 farmaci por mbas ores 5 te darkes nuk do gjesh as edhe nje hapur..a eshte e drejte kjo??
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

8 + 1 =