Sociale

Maturantët mbetës, si llogariten pikët

Një maturant nuk do të mund të pajiset me diplomën e Maturës Shtetërore, në rast se rezulton mbetës në njërin prej 4 provimeve. Maturantët që kanë mbaruar vitin e kaluar por që nuk kanë marrë diplomën e pjekurisë për shkak se kanë rezultuar mbetës në njërin prej provimeve, mund të japin provimin respektiv këtë vit. Kështu ka deklaruar Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në MASH. Në rast të aplikimit për në fakultet, duhet të jepen dy lëndët me zgjedhje dhe të plotësohet shuma e krediteve. Maturantët e viteve të mëparshme, të cilët kanë marrë nota kaluese për një pjesë të provimeve, mund t’i mbartin ato, por jo të përmirësojnë notën.


Një nga ndryshimet e këtij viti është se maturantët e para vitit 2012 nuk do të lejohen që të zhvillojnë provimet e detyruara, nëse kanë rezultuar kalues në maturat e viteve të mëparshme. Mirëpo, përjashtim bëjnë maturantët që janë vlerësuar me 4.50. Kjo do të thotë që, ai nuk do të lejohet të përmirësojë notën për një provim ku nuk ka marrë rezultatin e dëshiruar. Përveç kësaj, këtyre maturantëve, në rast se janë testuar më shumë se një herë në një lëndë me zgjedhje, u njihet vetëm rezultati që kanë marrë herën e fundit. Një tjetër element për këta kandidatë është se në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë, merren koeficientet e vitit shkollor 2011-2012. Për sa i përket mënyrës së vlerësimit të testeve, Vejsiu thotë se do të jetë e njëjtë me atë të viteve të mëparshme, i trefishtë.


Korrigjimi i provimeve të maturës, sipas ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, ka rezultuar i efektshëm, nisur edhe nga fakti se nuk ka pasur shumë ankimime nga të rinjtë që kanë konkurruar. Ndryshim këtë vit do të pësojnë procedurat e zhvillimit të provimeve, të cilat do të jenë në masa më të rrepta sigurie. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, do të rritet numri i administratorëve të maturës, si dhe numri i maturantëve për klasë do të jetë më i vogël. Ndryshimi i numrit të lëndëve me zgjedhje që këtë vit do të jenë vetëm dy, prek edhe maturantët e vitit të kaluar. Edhe për këta të fundit kushti do të jetë i njëjtë me maturantët e këtij viti. 


 


 


Në provim edhe mësuesit me kontratë


 


 


Urdhri i Ministrisë së Arsimit parashikon të mos njihet asnjë master mësuesie nëse nuk merret notë kaluese në provimin e shtetit. Nisur nga kjo, asnjë mësues i ri nuk do të mund të ushtrojë profesionin nëse nuk ka kryer më parë praktikën profesionale dhe provimin e parashikuar në fund të vitit. Futja e mësuesisë si profesion i rregulluar me ligj ka krijuar mjaft paqartësi edhe për sa i takon kategorive që duhet t’i nënshtrohen këtij provimi. Po ata mësues që kanë një kohë të gjatë që japin mësim dhe kanë përfunduar një master për kualifikim të mëtejshëm? Dorina Rapti, specialiste në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencave ka sqaruar kategoritë e mësuesve që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Sipas Raptit, do të futen në provim të gjithë mësuesit e rinj që kanë kryer një master mësuesie në degët respektive dhe që nuk kanë punuar ndonjëherë. Po ashtu ka edhe një kategori tjetër mësuesish të cilët kanë një kontratë të përhershme pune. Kjo kategori mësuesish ka kryer një master për kualifikime të mëtejshme, edhe pse nuk ua kërkon vend i punës. Këtu futen mësuesit e arsimit fillor, mësuesit e arsimit të mesëm, mësuesit e gjimnazit dhe mësuesit e kulturës së përgjithshme të arsimit profesional të orientuar. Lidhi i ri parashikon që kësaj kategorie nuk u njihet kualifikimi që kanë kryer nëse ata nuk marrin një rezultat pozitiv ne provimin e shtetit.


Sapo janë shpallur kuotat e mësuesve që do të kryejnë praktikën profesionale. Janë rreth 1500 kuota të llogaritura në bazë të numrit të atyre që kanë përfunduar një degë mësuesie vitin e kaluar. Ndërkohë janë rreth 600 praktikantë të cilët po kryejnë regjistrimin pranë Drejtorive Arsimore Rajonale për të kryer praktikën profesionale. Kjo bëhet duke u bazuar në vendbanimin e secilit prej praktikantëve. Por ka edhe nga ata që duan të kryejnë praktikën profesionale në kryeqytet. “Në rast se ka kërkesë të lartë për të kryer praktikën në kryeqytet do të pritet deri sa të sistemohen sistemohen ata që kanë vendbanimet e tyre ne Tiranë dhe të drejtohen më vonë për të kryer praktikën profesionale në kryeqytet”, sqaroi Rapti. 


Besarta Basha

Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 3 =