Jetë

Vazhdon shitja e bukës me qese plastike

Amarildo Lumani


Që prej një viti Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur mostregtimin e bukës me qese plastike por shitja në të tilla qese ende vazhdon. AKU ka bërë inspektime të shpeshta dhe ka vendosur gjoba për furrat që shkelin vendimin por kjo nuk i ka ndaluar prodhuesit e bukës. “Nuk kemi çfarë të bëjmë. Nëse nuk i shesim në qese plastike nuk na i blejnë bukët. Do të shkojnë të blejnë në një furrë tjetër. Na thonë që thahet buka shpejt” thotë një shitëse. AKU gjithashtu i ka kërkuar bukëpjekësve që përveçse të zëvendësojnë qeset plastike me qese letre në një kohë sa më të shpejtë të bëjnë dhe  vendosjen e etiketave ku të paraqiten të gjithë të dhënat e saj, si pesha dhe të dhënat e tjera. Ndër qarqet të cilat kanë bërë zëvendësimin e qeseve plastike me qese letre në masën 100% mund të përmendim Durrësin, Gjirokastrën, Elbasanin, Kukësin dhe Beratin. Në Tiranë situata vazhdon të jetë e njëjtë përpos inspektimeve të vazhdueshme të AKU. Të pyetur nga Shekulli për sa i përket masave të marra, nga AKU thonë që janë marra masa por ende nuk ka pasur një reagim. “Kemi bërë inspektime të vazhdueshme dhe në furrat ku kemi konstatuar shkelje kemi bërë konfiskimin e bukëve në qese plastike dhe kemi proceduar me gjobitje të furrës” tha Bruno Gjymshana. Sipas tij nuk është përgjegjësia vetëm e prodhuesve të bukës por edhe e konsumatorit. Ata e blejnë bukën në qese plastike pasi nuk janë të ndërgjegjësuar për rreziqet që mund të vijnë nga përdorimi i plastikës. Gjymshana u bën një apel konsumatorëve duke u kërkuar të respektojnë vendimin e furrave për ambalazhimin e bukës në qese letre dhe të refuzojnë kategorikisht blerjen e bukës në qese plastike. Gëzim Peshkëpia, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës tha se nuk janë verifikuar raste konkrete të shkeljeve, por edhe kur ndodh, ato bëhen nga furrat në periferi ku mungon kontrolli i vazhdueshëm. Masat e parashikuara për furrat që nuk zbatojnë vendimin e AKU për zëvendësimin e qeseve plastike me qese letre janë gjobitje nga 5 milionë deri në 50 milionë. Për rastet e përsëritura mund të bëhet edhe heqja e licencës së furrës. Por deri tani AKU-ja është kufizuar me vendosjen e gjobave minimale pasi nuk është gjithë faji i prodhuesve të bukës. “Kemi vendosur gjoba në dhjetëra furra që kur hyri në fuqi vendimi. Por nuk është faji vetëm i furrave. Nëse gjobisim një furrë me 50 milionë lekë ato do të jenë të detyruara të mbyllin biznesin e tyre. Duhet një mirëkuptim edhe nga ana e konsumatorit. Vendimi për heqjen e qeseve plastike është për të parandaluar efektet që mund të vijnë nga përdorimi i plastikës. Konsumatori duhet ta kuptojë këtë dhe të respektojë vendimin e shitësve të bukës” tha Bruno Gjymshana.


Biçaku : Të shtohen kontrollet në furrat e bukës


Fatmira Biçaku specialiste pranë Shoqatës  së Konsumatorit Shqiptar


Si është gjendja e furrave dhe kontrolli teknik i pikave të prodhimit ne vendin tonë ?


Aktualisht është rritur numri i furrave dhe në kushte të tilla  është e pamundur që të kontrollohen  300 furrat e bukës ku secila prej tyre të ketë nga një inxhinier teknolog. Me këtë dua të them se nuk arrihet kontrolli i të gjitha pikave, furrave mbi ndjekjen e procesit të prodhimit, të analizave, të certifikimit të produkteve. Si rrjedhojë procesi i prodhimit dhe ambalazhimit të bukës do të lihet spontanisht në dorë të furrxhiut. Në kushte të tilla do të përballemi me rreziqe të bukës që prodhojmë e konsumojmë. Sot kontrolli në furra, për shkak të numrit të madh të tyre, është i pamundur të bëhet një qind për qind. Për pasojë konsumatorët janë ndeshur me produkt jo të sigurt, jo cilësor.


Përse vazhdon të ambalazhohet buka me qese plastike? Sa raste janë evidentuar?


Sipas ankesave të konsumatorëve shumë pika shitje nuk e realizojnë ambalazhimin e bukës me letrën e përcaktuar dhe kjo është një mangësi e inspektorateve. Ambalazhimi i bukës duhet të bëhet me letër sepse plastika që përdoret për ambalazhin e bukëve mbingarkon me lagështi bukën, ndryshon peshën, cilësinë dhe aromën e bukës. Gjithashtu duhet thënë se qeset plastike janë nënprodukt i naftës dhe çlirojnë gazra që janë shumë të dëmshëm për shëndetin e njeriut.


Çfarë duhet bërë nga institucionet kontrolluese?


Mendoj se duhet të ushtrohet kontrolli teknologjik e ushqimor si dhe të shtohen teknologët në pikat e prodhimit.


Specialistet e AKU te jenë aktivë dhe të vëmendshëm dhe të shtohen ekspertët e fushave përkatëse. Duhet


të zbatohen ligjet e Ushqimit, Mbrojtjes së Konsumatorit nenet: 4,5,6,7,8 etj.

Shtoni një koment
2 Komente
Zef Kallami
Buka qendron e fresket ne qese letre e futun ne qese plastike.Provojeni do mbeteni super te kenaqur.
Pa Emër
Ne Itali , qeset plastike jane zevendesuar me qese organike , qe nuk kane asnje dem per amballazhimin e ushqimeve , ndersa qeset plastike , jane rreptesisht te ndaluara , bile jane zhdukur nga qarkullimi . Me sa di , kjo eshte nje direktive e detyrueshme e BE-se .
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

6 + 2 =