Advertisement
Extra

Ramize Gjebreja, ja si u pushkatua para 400 burrave

Leonard Veizi


-Ai emocionohet dhe sot kur i kujton ato çaste tronditëse. Ka qenë vetëm disa metra larg të gjithës asaj që më pas do të cilësohej si një “ekzekutim makabër”. Nuk kishte skuadër pushkatimi, dhe as drejtues që do të jepte komandën “zjarr”. Më shumë se sa një njësi e organizuar ushtarake, ajo që ndodhi paraditen e 6 marsit të vitit 1944 në Ramicë të Vlorës, i ngjante një hakmarrje barbare të njerëzve që thoshin se besonin tek morali. Mato Hasmataj, atëherë vetëm 15 vjeç, është tronditur teksa para syve të tij ishte zhvilluar skena e një vrasje të paparalajmëruar.  Të gjithë historinë e ekzekutimit të vajzës 21 vjeçare e cila shquhej për bukurinë dhe oratorinë e saj, e sjell për “Shekullin” dëshmia e Mato Hasmatajt.


A është hapur dosja e Ramize Gjebresë?


Dosja e Ramize Gjebresë, për herë të parë është hapur në fillim të viteve ’70. Sa për histori mund të themi se Ramize Gjebrea u lind në Gjirokastër në 20 prill 1923. Me konkurs fiton të drejtën për të vazhduar studimet në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”  në Tiranë. Merr ndikim nga idetë komuniste dhe bie në kontakt me ilegalët Misto Mame, Mihal Duri, Liri Belishova, Mexhmie Xhunglini, Fiqret Sanxhaktari etj. Në verën e vitit 1942 arrestohet, por lirohet për mungesë provash. Në vitin 1943 caktohet sekretare politike e rinisë në Berat. Më pas kalon në Brigadën V-S. 


Kur e keni njohur për herë të parë Ramizenë? 


Për herë të parë Ramize Gjebrenë e kam njohur gjatë përurimit të Brigadës më 20 janar 1944. Atë ditë ajo kishte përgatitur një fjalim që u ngriti zemrat peshë të gjithë partizanëve. Ishte e re, e bukur dhe kishte një elokuencë që të habiste. Por duket se gjatë kësaj periudhe, kjo vajzë e bukur që ishte pagëzuar me pseudonimin “Interesantja”, kishte ndjenja të veçanta për një nga trimat e Brigadës, dhe pikërisht për Zaho Kokën. Dyshimet në ishte një dashuri e mirëfilltë, apo një ndjenjë e pastër shoqërore, janë debatuar gjatë në qarqet politike të kohës. Por më në fund u vendos që të bazohej tek një letërkëmbim që Ramize Gjebreja kishte pasur me shokun e saj Zaho Kokën. Në ditarin e Ramize Gjebresë janë gjetur fletë të shkruara prej dorës së saj: “Sot do të shkruaj dhe për ndjenjat e mija..… S’më kanë parë sytë djalë si ky!… Megjithëse e qortoj veten për shkujdesje, përsëri më tradhtojnë sytë, kur i kryqëzoj me sytë e Zahos”. Dhe duket se kjo shkujdesje ka sjellë dhe pjesën tjetër të problemit tragjik. Ndërkohë që çështja e dashurisë së “paligjshme” të Ramize Gjebresë me Zaho Kokën, kishte shkuar deri në shtabin e Brigadës.


Si trajtohej morali nga partizanët në vitet e Luftës NAÇL?


“Morali partizan” ishte një ligj i pashkruar, por gjithsesi shumë i rreptë në ato vite të vështira lufte. Në të njëjtën kohë nga kundërshtarët politikë të Ballit Kombëtar, përflitej më së shumti se në mal bëhej “nami” mes partizanëve, të cilët kishin pranuar të merrnin me vete dhe femrat. Për t’iu shmangur një gjëje të tillë, që kish gjasa të përhapej edhe tek ata që ishin në mëdyshje të veprimtarisë partizane, ishte vendosur që në të tilla raste të mbaheshin qëndrime të rrepta. Fjalët se mes Ramizesë dhe Zahos kishte “diçka” qarkullonin rëndom. Mirëpo Ramize Gjebreja ishte një nga përfaqësueset e seksionit politik të Brigadës e për rrjedhojë cilësohej si një nga kuadrot kryesore të saj. Për t‘i vënë “frerin” një dashurie që mund të krijonte dhe probleme të tjera, krerët e Brigadës në atë kohë, morë vendimin për të bërë një gjyq ushtarak. Shtabi i Brigadës së Pestë e kishte rezidencën e vet në shtëpinë e Zotajve në Ramicë. Zaho Kokën e thirrën me urgjencë nga Vunoi. Ndërsa Ramizenë e njoftoi Hito Çako për t’u paraqitur në shtab. Erdhi ora e gjyqit. Të dy me uniformën e partizanit veç e veç qëndronin në këmbë, të shtangur e duarlidhur. U dha urdhër për tu zgjidhur duart. Ata kishin qëndruar gjithë natën pa vënë gjë në gojë, ndërsa Zaho kishte pirë vetëm duhan. 


Si u zhvillua gjyqi partizan?


Unë nuk kam qenë i pranishëm në gjyq, por këto gjëra u morën vesh më vonë. Ka qenë Komandanti i Brigadës, Shefqet Peçi, i cili bëri dhe bëri akuzën e drejtpërdrejtë. “Ke shkelur ligjin e shenjtë partizan”. Ramizeja nuk e ka pranuar. “Jo asnjëherë”, është shprehur ajo. Akuzohej se kishte shkuar me Zahon dhe se duke qenë e fejuara e Nako Spiros e kishte tradhtuar atë. Madje akuza thoshte se kishte një raportim se më 20 shkurt Ramizeja ishte parë me Zahon. Ramizeja kërkon që dëshmitari ta dëshmojë në sy atë që ka parë. Madje në këtë gjyq Ramize Gjebreja deklaron se marrëdhëniet e saj me Zaho Kokën ishin të pastra dhe ajo nuk e kishte tradhtuar të fejuarin e saj Nako Spiron. Pasi çojnë në një dhomë tjetër Ramizenë, gjyqi vazhdon me Zaho Kokën. E njëjta akuzë, “shkelje e moralit partizan”. Zaho nuk pranon të ketë marrëdhënie me Ramizenë. Por Shtabi kishte marrë dhe masa të tjera. I tregojnë disa letra. Por Zaho u thotë se të tilla letra kishte dhe të tjera në çantën e tij të cilat mund t’i bënte publike. 


Në fakt ky gjyq a ka pasur dëshmitarë për të vërtetuar “fajësinë”?


Në gjyq kishte vetëm 2 të pandehur. Dëshmitarët rinin të fshehur. Pranimi ose jo i dashurisë së Ramizesë me Zahon kishte të bënte me shkeljen e moralit. Këtu e kishte dhe rrënjët kundërvënia apo mospranimi i akuzës. Për 10-të ditë rresht, Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka janë mbajtur të izoluar në dhoma të ndryshme. Gjithsesi thashethemet nën zë qarkullonin mes partizanëve, porse asnjërit nuk mund t’i shkonte ndër mend që shoqja e luftës do dënohej me vdekje.


Jetëshkrim i shkurtër


Ai është një veteran i Luftës NAÇl. U lind në vitin 1928 në Matogjin të Smokthinës në Vlorë. Në vitin 1943, edhe pse në një moshë fare të re, vetëm 15 vjeç, bashkohet te çetën territoriale. Ndërsa në nëntor të po këtij viti inkuadrohet në forcat e Brigadës së V-të sulmuese. Më 1 gusht 1944, gjatë luftimeve për çlirimin e Dibrës, plagose në vendin e quajtur Maqellarë. Që prej asaj kohe ka marrë statusin e invalidit të luftës. 


Ekzekutimi në Brigadën V


Më 6 mars të vitit 1944, kur lufta antifashiste shqiptare ishte në kulmin e saj, në Brigadën e V-të Sulmuese, ndodhi një ngjarje e pazakontë. Mato Hasamataj ishte një partizan e i thjesht e pa detyra drejtuese, pasi ishte vetëm 15 vjeç. Por ai është dëshmitar i një ndodhie e cila vazhdon ta emocionojë edhe tani që është 83 vjeç. Thotë se pjesëmarrës në gjyqin e Ramizesë dhe Zahops morën pjesë Komandanti i Brigadës Shefqet Peçi, komisari Hysni Kapo, zëvendëskomisari Manush Myftiu. Ishin gjithashtu Tanush Shyti, Zenel Hamiti, Ramadan Xhangolli, Saliko Sulo, Liri Gega dhe Stoli Lipivani. Të ulur në karriget e drunjta ishin Hysni Kapo, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Hito Çako, Veis Pipa. I ftuar i Komitetit Qarkor i Vlorës, Pajo Islami. Shumica e tyre kundër një vajze 21 vjeçare dhe një djali 24 vjeçar. I pari ishte Tanush Shyti ai që parashtroi arsyet se përse po gjykohej Ramizeja dhe Zaho. Më pas nisi procesi.  Thuhet se dy orë më vonë në Shtabin e Brigadës V, mbërriti një letër e Enver Hoxhës, ku urdhërohej: “Asnjëri të mos ekzekutohet”. Mato Hasanmataj thotë se Brigada nuk u informua asnjëherë për një urdhër të tillë ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm. Madje ai thotë se pas ekzekutimit të Ramizesë, kjo çështje u mbyll, për të mos u folur më për të.


Dëshmia


Mato Hasamataj tregon gjithçka ndodhi atë ditë dimri, kur përpara 400 partizanëve u pushkatua Ramize Gjebrea. Ishte 6 mars 1944. Dimri ende s’kishte dalë, ndërsa një pjesë e lëndinës ku ishin rreshtuar 2 Batalionet e Brigadës V, mbulohej pjesërisht nga dëbora. Hasamataj tregon se diku nga ora 10-të i mëngjesit u dha urdhri për rreshtimin e Batalionit 1+2 pasi 3 batalionet e tjera të Brigadës ndodheshin në luftime. “Për shkak se isha inkuadruar në Skuadrën I të Batalionit I, isha në fillim të rreshtit dhe e pashë të gjithë ngjarjen nga afër”, dëshmon Hasamataj. Sipas tij, fillimisht partizanët kanë menduar se do të shkonin në ndonjë aksion kundër forcave gjermane, ndaj të bindur u rreshtuan dhe qëndruan në pritje. “Përpara dy Batalioneve doli shefi i sektorit politik të Brigadës, Hito Çako. Ndryshe nga çfarë prisnim ai filloi të fliste për moralin partizan, dhe më në fund përmendi emrat e Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës. Isha i pari në rresht dhe nga e djathta, ku shtrihej dhe fshati, pashë të vinte Ramize Gjebrea, e shoqëruar nga dy partizanë dhe me duar të lidhura. Nuk mund ta besoja që një nga kuadrot kryesore të Brigadës, e cila kishte fituar simpatinë e të gjithëve, të ndodhej përpara nesh në ato rrethana. Po në të njëjtën kohë Hito Çako u shmang dhe u fut mes radhëve të Batalionit. Në të majtë, në fund të Batalionit II, dolën 3 partizanë, 2 meshkuj dhe një femër dhe drejtuan armët nga Ramizeja. Ne të gjithë mbetëm të shtangur. Ramizeja ishte e vetme përballë tytave të tyre dhe iu drejtua: “Prisni more shokë, ç’bëni kështu”. Por në fakt ata të tre ishin shumë të irrituar, qëlluan në ajër dhe kërkuan që të kthehej pas. Ramizeja kur e pa që s’kishte rrugë shpëtimi iu drejtua: “Mos qëlloni nga mbrapa. Plumbat tuaj unë i pres ndryshe… Qëllomëni!”. Dhe ata e qëlluan. Të gjithë skenën makabre e kam përpara sysh edhe sot, kur kanë kaluar 68 vjet nga ajo ditë”, tregon Mato Hasamataj. Po sipas ish-partizanit 15 vjeçar, në të njëjtën kohë kur partizanët e urdhëruar për të kryer ekzekutimin e shëmtuar po qëllonin, dëshmon se ka dëgjuar komandantin e Brigadës, Shefqet Peçin t’u drejtohej: “Mjaft, mjaft more egërsira”. Por në fakt egërsia e tyre nuk ndaloi. Ramizeja ra përpara 400 partizanëve të Brigadës së saj, të cilët edhe pse nuk donin që ajo të ekzekutohej, nuk kishin asnjë fuqi për ta shpëtuar. Mato Hasamataj thotë se në gjyqin e Ramize Gjebresë ai që është treguar më agresori kundër saj ka qenë Hito Çako, por që u mbështet edhe nga Manush Myftiu. Ndërsa ka qenë në mbrojtje të Ramizesë dhe Zaho Kokës, komisari i brigadës Hysni Kapo ndërkohë që edhe Shefqet Peçi si komandant nuk ka qenë për masa radikale. Në përfundim, çdo gjë i është lënë votës dhe ndërsa Shefqet Peçi së fundi i është bashkangjitur votave pro dënimit me vdekje edhe historia e jetës së saj ka marrë fund. Por Mato Hasamataj thotë se për dënimin e Ramize Gjebresë nuk janë pyetur bashkëluftëtarët e saj. “Në ato vite ishte bërë traditë që për çdo lloj vendimi të gjyqit partizan pyetej edhe masa. Por nëse do të pyetej për Ramizenë, e them me bindje se askush nuk do të ishte dakord që ajo të ekzekutohej. Në këtë mënyrë Shtabi e anashkaloi këtë procedurë dhe e bëri fakt të kryer ekzekutimin”.


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al
6 Komente
Pa Emër
E kush nuk i trembet zgjuarsis edhe bukuris.

Jan te pakt ata Trima.
Erald
Ramizeja e ka vendin tek deshmoret e kombit.
Pa Emër
Apostoli sqe gjirokasrtit qe ta ndihmonte,ku ishte ate kohe apo levizte akoma per te humbyr gjurmet!!!
s. ahmeti
Po, ky ishte morali slavokomunist,te vras e likuidoi vellezerit e vet. Partizanet e udhehequr nga slavokomunstet serb nuk luftuan fashizmin po bene luften vllavrasese me te turpshme te luftes se dyte boterore. Kur thuhet keshtu duhet argumentuar, e nje argument me i forte eshte edhe masakra eTivarit e kryer nga sllavokomunistet serbe malazez dhe e ndihmuar nga partizanet shqiptare te cilet ishin ne gjendje qe per nje fjale goje kundra serbeve te vrisnin si lepur vllaun e tyre nga Kosova. Kjo eshte qeverisja enveriane, turpi i gjitha koherave dhe tradhtia ma e madhe kombetare.
Rilind
Hito Cako ishte me i agresivi. Diku kam lexuar se e donte per vehte por ajo e injoronte kete lab koktrashe. Dhe mbas pushkatimit, ai vajti i futi dhe nje plumb me pistolete ne koke qe te sigurihej qe kishte vdekur. Ishin dhe te tjeret. Sot po lexoj qe edhe Manush Myftiu, qe ishte intelektual, paska ndikuar negativisht. Si nuk kane mundur ta shpetojne Shefqet Peci dhe Hysni Kapo me autoritetin e tyre? Shefqet Peci gjithmone ka deklaruar se ishte kunder, pushkatimit dhe keshtu del edhe ketu. E akuzonin se e mbronte se e kishte nga Gjirokastra. Po te lene leberit e tjere qe permenden me emer edhe ketu? Dhe te imagjinosh qe te gjithe keta u bene kuadro te larta me vone pas lufte. Histori per nje film te madh.
KONKURENTI
E po E paska pasur ne hak plumin nga ENVERI, si kriminel HITO CAKUA mori ate qe i takonte, po cfaje kishte vajza e varfer

Shtoni një koment

1 + 8 =