Advertisement
Jetë

Anglishtja që s’ka të paguar

  • 26 Janar 2013, 13:11
  • Përditësuar 19:14


Të gjithë ata që duan të ndjekin studimet master apo dhe ato doktorale duhet t’i bëjnë mirë llogaritë. Prej vitit 2011 specializimeve u kërkohet një gjuhë e huaj e certifikuar si kusht për t’u diplomuar. Duan apo s’duan, të gjithë tashmë duhet të zbatojnë udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Askush nuk mund të diplomohet pa u certifikuar në gjuhën angleze në një nga programet ndërkombëtare. Nisma e mbrojtjes së anglishtes shumë e kontestuar nga akademikë dhe studentë ka filluar të implementohet në universitetet tona në më pak se një vit. Pas një marrëveshjeje me ETS Global, Universiteti i Tiranës ofron testimet ndërkombëtare të Gjuhës Angleze, atë të TOEFL ITP dhe TOEIC L&R. Këto janë qendrat që kanë zgjedhur studentët më shumë për t’u testuar. Të gjendur për herë të parë përballë kësaj situate, studentët e vitit të kaluar e patën më të vështirë duke qenë nën presionin që të mbrojnë anglishten në një periudhë të kufizuar kohe. Kjo për dy arsye. Së pari, ai që nuk e kishte mësuar për vite të tëra nuk mund dhe nuk kishte ndërmend ta mësonte në disa muaj. Dhe së dyti, ata që e kishin mësuar nuk pranonin të paguanin më tepër, pasi anglishten e kishin mbrojtur dikur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Ky është një ndër argumentet që shtron Anisa Hoda, studente e diplomuar vitin e kaluar. “E kam mbrojtur anglishten që në vit të parë të universitetit dhe ato njohuri dhe diplomë e kam për gjithë jetën, kurse TOEFL-i është me afat 2-vjeçar, nuk kam ç’e dua.” Edhe dekanati i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja i qëndron mendimit që periudha dyvjeçare e njohjes së certifikatës është absurde dhe e padrejtë. “Studentët nuk mund të detyrohen të mbrojnë anglishten çdo dy vite, pasi në të kundërt kjo certifikatë nuk ka vlerë. Vendimi është i padrejtë”, thekson dekania Klodeta Dibra. Studentë që presin të regjistrohen pranë zyrave të TOEFL lënë të kuptojnë që testimi është thjesht një proces që i pengon ata në marrjen e diplomës. Pavarësisht kësaj, interesi i studentëve për të dhënë testet e TOEFL dhe TOEIC ka qenë shumë i madh. Përveç aprovimeve të tipit që ne duhet të ecim në përputhje me standardet e vëna nga ekspertët të arsimit europian, ka zëra që kundërshtojnë hapur mbrojtjen e gjuhës së huaj si kusht për t’u diplomuar. Po ashtu, ka nga ata që di- kur e kanë kundërshtuar dhe sot i qëndrojnë parimit të mbrojtjes së gjuhës. Pse në privat dhe jo në shtet? Kjo është çështja. Valentina Duka, një zë i fortë që fillimisht ka kundërshtuar mbrojtjen e anglishtes tashmë e mbron tezën e mbrojtjes së anglishtes, edhe pse e imponuar nga struktura shtetërore. Sipas saj, mbrojtja e një gjuhe të huaj, sidomos anglishtes e njohur ndërkombëtarisht, i ndihmon shumë studentët në kërkimet shkencore dhe doktorale. Por sa i shfrytëzojnë në të vërtetë ata? “Në lëndët e Historisë që unë jap në nivelin Master, një pjesë të madhe në literaturë e zë gjuha e huaj. Një pjesë e mirë e detyrave duhet të kenë literaturë edhe në anglisht. Se sa ata i zbatojnë, mbetet për t’u parë më tej. Ky është një proces që zgjat në kohë dhe kërkon vazhdimisht vëmendje.” Teksa flet për domosdoshmërine gjuhës së huaj, profesor Stefan Çapaliku nuk harron të na kujtojë që anglishtja po ndërhyn në gjuhën shqipe në mënyrën më të keqe të mundshme, duke e zëvendësuar atë. “70% e literaturës së universiteteve tona është në gjuhën angleze. Medoemos studentët duhet të update-ohen (!) me të rejat më të fundit në fushën e specializimit të tyre. Ministria ka bërë një gjë shumë të mirë duke futur mbrojtjen e saj si kusht për t’u diplomuar në master apo dhe në doktoraturë.”


Kostot 


Mbrojtja e Anglishtes ka një kosto të lartë financiare për xhepat e studentëve. Këta janë të detyruar ta mbrojnë, përndryshe nuk marrin dot diplomën. TOEFL dhe TOEIC janë dy testet që kanë zgjedhur të mbrojnë më tepër studentët shqiptarë. Pas diskutimit akademik për nivelin e mbrojtjes së anglishtes, u arrit të gjendej një e mesme që edhe studentët të mbeteshin të kënaqur. Kështu u ul niveli i mbrojtjes së anglishtes në atë bazik, pra A2. Lidhur me këtë, punonjësit e kompanisë ETS Global shprehen se studentëve që studiojnë në Universitetin e Tiranës u mjafton niveli fillestar për të kaluar testimin dhe për të marrë diplomën e masterit apo doktoraturës. Nuk ka shpëtuar nga pazaret edhe çmimi që është caktuar për mbrojtjen e gjuhës. Pas shumë kontestimesh janë vendosur çmime dysheme të këtyre dy testeve. TOEFL kushton 66 euro, kurse testi i TOEIC mund të merret duke paguar 135 euro. Koordinatorët e UT-ETS global shprehen se kompania ETS Global i ofron të dyja testimet me çmime të reduktuara. Kjo me qëllim që t’i vijë në ndihmë studentëve shqiptarë. Dallim tjetër mes dy testeve është dhe kohëzgjatja e njohjes së dy certifikatave. Nëse TOEFL njihet për një periudhë dyvjeçare, për TOEIC thonë se “është për gjithë jetën”, paçka se kjo kundërshtohet nga akademikët. Nga ana tjetër, pedagogët e gjuhëve të huaja, i japin përparësi mbrojtjes së gjuhës së huaj në një instancë shtetërore, pasi vetëm kjo bën të mundur kualifikimin e tyre në universitete dhe në punë. 


Kundërshtimi 


Ulen aplikimet tek Gjuhët e Huaja 


Nëse do të studiosh në Shqipëri, medoemos duhet të trokasësh në një nga pesë qendrat private ndërkombëtare të certifikimit të gjuhës. Ndryshe nga vite më parë ku të gjithë rendnin në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për mbrojtjen e një gjuhe, tani duhet të drejtohen në qendrat private, të njohura ndërkombëtarisht. Ndërkohë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja vazhdon të ofrojë certifikim të vlefshëm kombëtar për gjuhët e huaja. Sekretaria mësimore e Departamentit të Gjuhëve të Huaja bën të ditur se me daljen e udhëzimit të MASH-it, ka rënë ndjeshëm interesi i personave për të mbrojtur anglishten në këtë fakultet. Për dekanen e fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, vendimi është i padrejtë, pasi 98% e programeve të cikleve të studimit në universitete është në gjuhën shqipe. Sipas saj, një vëmendje e rëndësishme duhet t’i kushtohet kurrikulës dhe cilësisë së mësimdhënies dhe jo imponimit të mësimit të një gjuhe të huaj. “Kam mendimin se po humbasim shumë nga tradita jonë. Nuk duhet të mësojmë vetëm anglisht, kemi shumë gjuhë të bukura të tjera në fakultet që kanë nevojë të kurohen dhe të përparojnë. Ky vendim është imponues dhe anashkalon gjuhët e tjera.”


/Shekulli Print/Besarta Basha/ 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al
5 Komente
Niko Maloku
I nderuar gazetar! Edhe para vitit 1990 nuk mund te merrje asnje grade shkencore pa mbrojtur me pare njeren nga gjuhet kryesore te huaja. Eshte mire te japim informacione sa me te sakta. Eshte ne dinjitetin e gazetes.
Niko Maloku
I nderuar gazetar! Edhe para vitit 1990 nuk mund te merrje asnje grade shkencore pa mbrojtur me pare njeren nga gjuhet kryesore te huaja. Eshte mire te japim informacione sa me te sakta.
SHKODRANI
Eshte mire dhe e dobishme qe gjuha Anglishte te jete gjuha e dyte zyrtare ne Shqiperi. Gjithesesi, Anglishtja sot eshte gjuhe boterore.
Pa Emër
Dhis is ë mirakëll of fridëm. :) Edhe neper vendet e zhvilluara e konomikisht si Anglia, SHBa, Kanada eshte e veshtire te marresh master. Anglishtja ai gjuhe nuk eshte problem kryesor, por jane standartet qe duhen plotesuar per tu pranuar gjate procesite te aplikimit. Marrja e kredive akademike eshte si nje udhetim i pafund ne perendim, ne Shqiperi kreditet akademike merren ndoshta me lehte, por hasen me problemin e gjuhes. Nqse doni te beni master mos u tutni, por vazhdoni me doemos edhe sikur te jeni ne nje moshe madhore. Bejeni per veten tuaj dhe per brezat qe do ju vijne pas. Sakrifica ka, por nuk ka asnje pengese te pakapercyeshme. Me sinqeritet, Nga nje student Shqiptar jashte atdheut.
Ligor Luarasi
NJE FAKT.
Kam 20 vite ne SHBA dhe shoh shqiptare inteligjente qe i pengon vetem gjuha angleze te perparojne, nderkohe Indianet qe e mesojne kete gjuhe qe ne fillore kane punra te zgjedhura doktor,ingjinjer,pedagog,etj,etj,vetem prej gjuhes.
Pse keshtu? sepse Enveri na futi rusishten vetem per bythet e tij te rinin mbi fron sa me gjate,dhe jo se popullit i hynte ne pune rusishtja.

Shtoni një koment

4 + 3 =