Trup&Shpirt

Pedagogu që e gjen lirinë në ajër

  • 28 Janar 2013, 16:51


Julian Bejko vjen sot në “Trup dhe Shpirt” për të na rrëfyer se si parashutizmi, më saktësisht fluturimi me velë, është një mënyrë shumë e mirë për të pasur një trup dhe një shpirt të shëndetshëm. Pedagogu i Sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale këtu në kryeqytet, ka zgjedhur që gjatë fundjavës t’i largohet shkronjave, leksioneve, studentëve dhe stresit që mbledh gjatë javës. Fluturimi është mënyra më e mirë që ai të shijojë një lloj lirie që nuk ta jep toka. “Në ajër ndihesh ndryshe, harron që kompjuteri të pret aty për të shkruar diçka tjetër”, na rrëfen ai për teknologjinë që po e mbyt njeriun e sotëm gjithmonë e më shumë. Një teknologji që duket se të ofron para, po nga ato para të cilat nuk e blejnë lirinë. Në fakt, aktiviteti me të cilin ai merret nuk është parashutizëm nga ato me motorë. Ai shëtit me një velë të thjeshtë dhe fluturon pa ndonjë element që do të prishte të shijuarit e natyrës ashtu siç ofrohet. Juliani përpiqet të na mbushë mendjen se ky nuk është një sport i rrezikshëm, siç janë përpjekur ta prezantojnë atë. Ai na shpjegon se në ajër nuk mund të të ndodhë asgjë.


“Natyra ka logjikën e vet të funksionimit, ka disa rregulla që janë shumë më të thjeshta se rregullat e qarkullimit rrugor në Tiranë”, thotë ai për të na treguar se të fluturosh me velë është më pak e rrezikshme sesa të udhëtosh me biçikletë në kryeqytet. Është toka ajo që rezervon surpriza. Nëse dikush i njeh mirë ligjet e natyrës dhe e respekton atë, ajo do të falë ty kënaqësinë dhe adrenalinën që jo të gjithë llojet e sporteve ta ofrojnë. “Që kur kam nisur të fluturoj, kam zbuluar vende të cilat, ndoshta, nuk do t’i zbuloja po të isha marrë me ndonjë aktivitet tjetër. Është bukur edhe nëse shkon në një majë mali për të nisur udhëtimin e radhës dhe të mos fluturosh dot për shkak të drejtimit të erës. Detyrohesh të shijosh qoftë edhe në heshtje natyrën, apo të takosh banorë që rrallë takojnë vizitorë majave të malit. Ka nga ata që fillojnë të tregojnë histori njerëzore apo edhe legjenda të jashtëzakonshme. Unë nuk mërzitem edhe kur nuk fluturoj dot, mjaft të jem larg teknologjisë dhe smogut, me të cilat jam i detyruar të bashkëpunoj gjatë gjithë javës”, na thotë Juliani. Julian Bejko e ka marrë licencën e pilotit të avancuar në Zvicër. Së bashku, me mikun e tij ata kanë hapur një shkollë ku mund të mësohen lëndë si ligjet e fizikës apo meteorologjia, në mënyrë që më pas të mund të fillosh praktikën në tokë me këtë sport. Miku i tij, Landi, ka një licencë ndërkombëtare fluturimi dhe ai është i vetmi që ka të drejtë të japë licencë fluturimi edhe për të tjerët. E kanë quajtur Aero Club Albania, shkollën e fluturimit të cilën mund ta gjeni edhe në rrjetet sociale. Por, në të nuk pranohen njerëzit që mendojnë se janë trima dhe se duan të sfidojnë patjetër natyrën. “Ne nuk fluturojmë për të treguar se jemi trima dhe egoistë, ne nuk i dalim kundër natyrës, ne nuk fluturojmë nëse ajo nuk do”, na thotë Juliani edhe në emër të miqve të tij pilotë. Ai ka konkurruar në disa aktivitete ndërkombëtare. Ka qenë pjesë e aktivitetit Ëorld Acro Cup në Austri dhe në Turqi. Spektakli i zhvilluar në Turqi nga 500 parashutistë që gjendeshin në ajër do të jetë për të një kujtim shumë i bukur. “Oludeniz është një vend turistik në Turqi. Ekonomia e këtij qyteti është e zhvilluar më së shumti me anë të këtij aktiviteti. Nuk e kuptoj se si Shqipëria gjithnjë e më shumë i largohet fitimit nga turizmi, kur në fakt, ne kemi një vend i cili ofron mundësi të jashtëzakonshme turistike”, na thotë Juliani, në përpjekje për të ngritur zërin për një kauzë të drejtë. Në planet e së ardhmes renditet një udhëtim drejt Francës, në dunat më të mëdha të Europës dhe gjatë fillimit të verës në Itali ku nisja do të bëhet nga 4000 metra lartësi. Duke i uruar rezultate të mira në këto konkurse, ne përcjellim sot pedagogun që e gjen lirinë në ajër. 


Jeta ime 


Ka lindur në Korçë, por prej vitesh banon në Tiranë ku punon prej shtatë vjetësh. Është pedagog i Sociologjisë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale. Ka studiuar në Francë dhe ka mbrojtur gradën Doktor Filozofie. E megjithatë, Julianin nuk mund ta gjesh në Tiranë gjatë gjithë javës. Ka katër vjet që ka nisur të shijojë lirinë që i ofron ajri. Juliani merret me parashutizëm. Na e shpjegon këtë aktivitet si mënyrën më të mirë për të shfryrë stresin që mund të kesh mbledhur gjatë gjithë javës. Ai zotëron një licencë zvicerane për ushtrimin e këtij aktiviteti, meqenëse shteti shqiptar nuk ka institucion që të lëshojë licenca fluturimi të këtij lloji. Ai ka bërë pothuajse 400 fluturime gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare dhe gjithsej i bëhen 90 orë në ajër. Ka katër vjet që nuk e sheh më parashikimin e motit, sepse ai ka arritur t’i njohë shumë mirë elementet e natyrës, falë këtij aktiviteti. 


bio 


Emri: Julian Bejko 


Datëlindja: 1980 


Vendlindja: Korçë 


Vendbanimi: Tiranë 


Profesioni: Pedagog i Sociologjisë në UT 


Statusi: Beqar  


/Shekulli Print/ Luela Myftari/


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

3 + 1 =