Thellë

Rriten tarifat e sigurimit të makinave, vlera rekord 18 500 lekë

  • 10 Shkurt 2013, 07:16
  • Përditësuar 13:07


Ornela Manjani 


-Tarifa e sigurimit të detyrueshëm të makinave arrin në 18 500 lekë. Kompanitë e sigurimeve kanë hequr diferencimet sipas fuqisë motorike të mjetit dhe, kështu çmimi i policës së sigurimit TPL është i njëjtë si për të gjitha makinat, pavarësisht fuqisë motorike. Kjo shkakton protestën e parë të pronarëve të makinave. AMF: Mblidhni sa më shumë lekë Shkak për rritjen e tarifës është bërë vendimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) i cili ka caktuar primin e riskut në masën 14. 400 lekë të reja. Autoriteti i Mbikëqyrjes argumenton vendimin për rritjen e vlerës së primit të riskut me faktin se u jep kompanive mundësinë për të paguar dëmet, të cilat gjatë vitit të shkuar kishin një trend në rënie. Ndërkohë kompanitë e sigurimit mbi vlerën e primit të riskut të fiksuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në vlerën 14 400 lekë të reja kanë aplikuar marzhin e fitimit dhe natyrisht kanë shtuar edhe shpenzimet për shërbimin. Problematike mbetet vendosja e të njëjtës tarifë nga të gjithë kompanitë e sigurimeve që operojnë në treg. Agjencitë e Sigurimeve thonë se çmimet e reja kanë hyrë në fuqi në datën 21 janar dhe po zbatohen nga të gjitha kompanitë. Para kësaj date tarifat varionin nga 60 deri 65 mijë lekë të vjetra. Për fuqinë motorike të mjetit nga 0 deri 1600 kubikë, çmimi ishte 139 mijë lekë, mbi 1600 kubikë shkonte deri në 145 mijë lekë. 


Mbledhja që rriti çmimin 


Kryetarja e AMF-së, Enkeleda Shehi, thirri një mbledhje urgjente me drejtuesit e kompanitë e sigurimeve për caktimin e primit të riskut rreth një javë më parë. Gjatë mbledhjes, siç thuhet në njoftimin zyrtar, ajo e ka vënë theksin tek tarifat e ulëta, që sipas saj nuk mbulojnë rrezikun dhe ka paralajmëruar se do të marrë të gjitha masat për të ndryshuar këtë situatë. Çmimet siguracioneve të makinave kanë qenë shpesh objekt përplasjesh mes Autoritetit të Konkurrencës dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Lufta për treg ndërmjet kompanive ka çuar disa herë në çmime që sipas Autoritetit Financiar janë dukshëm nën kosto duke rrezikuar funksionimin normal të tregut dhe pagesën e dëmeve. Një situatë e ngjashme u vu re në muajt e parë të vitit të kaluar ku çmimet për policat e autoveturave zbritën deri në 4500 lekë. Në atë kohë, AMF ndërhyri me një vendim të debatueshëm që detyronte kompanitë të deklaronin njëkohësisht çmimet pa patur të drejtë t'i ndryshonin ato për një periudhë gjashtëmujore. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare primet e sigurimit të detyrueshëm motorik arritën rreth 4,577 milionë lekë, ose rreth 22.82% më shumë se në vitin e kaluar. Produkti TPL e brendshme, gjatë vitit 2012, pati rritje prej 52.81% për primet e shkruara bruto po kështu edhe numri i kontratave pati një rritje prej 3.68% krahasuar me vitin 2011. Produkti Sigurim Kufitar, në vitin 2012, pati rritje prej 23.80% për primet e shkruara bruto dhe po kështu u rrit edhe numri i kontratave me rreth 4.91% krahasuar me vitin e kaluar. Produkti Karton Jeshil, gjatë vitit 2012, pati ulje me 37.56% për primet e shkruara bruto, krahasuar me vitin 2011, ndërsa numri i kontratave pati rritje prej 17.63%. Kjo ulje e primit shkruar bruto Karton Jeshil lidhet me liberalizimin tregut të sigurimit të detyrueshëm në gusht të vitit 2011. 


Verifikimi i policës 


Në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se nga data 1 Dhjetor 2007 ka hyrë në funksionim të plotë Regjistri Elektronik Online i Shitjeve të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik. Çdo policë e sigurimit të detyrueshëm motorik shitet nga përfaqësues të autorizuar të shoqërive të sigurimit. Polica lëshohet nëpërmjet sistemit kompjuterik të lidhur online me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Polica ka të printuar në pjesën e sipërme apo të poshtme të saj një kod numrash dhe shifrash me 15 karaktere që përben kodin identifikues të raportimit të gjeneruar automatikisht në kohë reale nga serverat e Autoritetit. Shoqëritë e sigurimit janë të detyruara të afishojnë çmimet e policave të sigurimit të detyrueshëm ne çdo pikë të tyre të shitjeve. 


Reagim 


Kompanitë pro rritjes së çmimit 


Tomorr Kalaja, drejtor i të vetmes kompani shtetërore, INSIG, e aprovon rritjen e çmimit dhe sugjeron që sigurimi të behet si në BE, 1000 euro e sipër. Në prononcimin për Shekullin ai tha se kjo rrit sigurinë e klientëve për të përfituar pagesën e dëmeve. 


Si e vlerësoni ndërhyrjen e Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare për të rritur primin e riskut në tregun e sigurimit të makinave? 


Është një ndërhyrje decizive dhe në momentin e duhur. Rritja e primit të sigurimit, që aktualisht është vendosur 14. 400 lekë të reja rrit garancinë e qytetarëve për të përfituar pagesat e dëmit nga kompanitë e sigurimit që operojnë në treg. 


A është e lartë kjo vlerë? 


Çmimet e sigurimit të makinave në vendin tonë janë shumë të ulëta madje mund të krahasohem me tarifat që vendosen në vendet afrikane. Ndërkohë që në vendet e Bashkimit Evropian këto prime kanë vlera shumë më ta larta që nisin nga 1 000 euro. 


Çmimin e sigurimit e vendosin kompanitë 


Qeveria shqiptare ka lejuar me ligj kompanitë e sigurimit që të vendosin vetë tarifat e sigurimit. Bëhet fjalë për sigurimin që janë të detyruar ta paguajnë një herë në vit, ata që lëvizin me makina në të gjithë vendin. Ndryshimi i ligjit parashikon që do të jenë vetë kompanitë e sigurimit ato që do të përcaktojnë, në bazë të tregut, se sa do të jetë çmimi i siguracionit të detyrueshëm. Fillimisht sigurimi për rreth 427 mijë mjete që qarkullonin në treg kushtoi më lirë pasi kompanitë për të ruajtur pozitat në treg ulën tarifat. Por ky ndryshim ligjor kanë dhënë efekt të kundërt gjatë vitit 2012 dhe sidomos në fillim të këtij viti. Qeveria ndryshoi nenin 10 të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e Transportit. Në ligjin ligjin e vjetër tarifat përcaktoheshin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili miratonte rregullat për përcaktimin e nivelit të primeve dhe të provigjoneve teknike, bazës teknike dhe metodikave për përllogaritjen e primeve të sigurimeve të detyrueshme. “Rregullat e miratuara nga autoriteti, sipas kësaj pike, duhet të parashikojnë një trajtim të barabartë dhe konkurrues të shoqërive, duke përdorur baza të njëjta për përllogaritjen e primit. Me ndryshimet ligjore u vendos që autoriteti miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin të provigjoneve teknike. Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi njofton zyrtarisht autoritetin.  


 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

7 + 7 =