Sociale

Maturantët e “vjetër”, Formulari A1Z, plotësimi në shkolla

  • 11 Shkurt 2013, 17:26
  • Përditësuar 17:27



Ministria e Arsimit ka hapur procedurat e regjistrimit për të gjithë matuarntët të cilët edhe pse kanë përfunduar shkollën e mesme gjatë viteve të kaluara, dëshirojnë të vazhdojnë studimet në vitin akademik 2013-2014 në institucionet e arsimit të lartë publik në vend. Hapi i parë që këta ish-maturantë duhet të ndjekin është paraqitja ne shkollat ku kanë përfunduar arsimin e mesëm, me qëllim regjistrimin e emrit dhe ndjekjen e procedurave të mëtejshme. Ashtu sikurse edhe është vepruar në vitet e mëparshme, maturantët që i përkasin kategorisë së mësipërme, duhet t’i nënshtrohen provimeve me zgjedhje, përpara se të kalojnë në fazën e konkurimit. Ky rregull vlen për ata ish-maturantë të cilët nuk i kanë dhënë provimet me zgjedhje, në kohën e përfundimit të shkollës së mesme. Në shkollën e mesme “Ismail Qemali” në Tiranë ka nisur plotësimi i formularit përkatës. “Ju bëj me dije se Ministria e Arsimit na ka sjellë formularin A1Z, për kandidatët që kanë mbaruar më pare. Pra, bëhet fjalë për ata maturantë që kanë mbaruar studimet nga 2007 deri në 2012, që nuk ju ka dalë shkollë ose nuk janë regjistruar për arsye të ndryshme.” Vojsava Thanasi drejtoreshë në shkollën Ismail Qemali informon se aplikimi për plotësimin e Formularit A1 dhe A1Z do të bëhet pranë shkollave të mesme ku kandidatët kanë përfunduar studimet ose në komisionet e Maturës Shtetërore, por kjo vetëm në rastet kur nuk kryhet aplikimi. Më pas, këta kandidatë do t’i nënshtrohen rregullores për plotësimin e Formularit A2, ku do të bëjnë renditjen e 10 preferencave. Konkurrimi për studimet e larta do të jetë i njëjtë me maturantët e tjerë. Basir Çollaku zëdhënës në Ministrnë e Arsimit dhe Shkencave shprehet se: “Këta kandidatë duhet që detyrimisht të bëjnë regjistrimin në shkollën e mesme, ku kanë përfunduar studimet, pasi aty do të nisin procedurat që nga përllogaritja e pikëve apo mundësimi i plotësimit të formularëve për të hyrë në konkurrim. Ashtu si dhe maturantët e 2013, ata duhet të aplikojnë online në një vend të caktuar nga shkolla. Dihet që këtë vit edhe Formulari A1 do të plotësohet online. Ndryshe nga viti i kaluar ku plotësimi i Formularit A1 u bë nëpërmjet fletës. Këtë vit, i gjithë procesi do të jetë online. Prandaj, kandidatët duhet të paraqiten në sallat përkatëse që do të kenë akses dhe që do të jenë të monitoruara.” Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe që duan të vazhdojnë në Shqipëri, kriter kryesor kanë njohjen e gjuhës shqipe në nivel të lartë. Ndërsa ata që kanë mbaruar jashtë por nuk kanë dhënë provimet e maturës, duhet të japin detyrimisht në një nga shkollat e mesme provimet e detyruara. Pra, lëndën e Letërsisë dhe Matematikës. Brenda muajit shkurt pritet të plotësohet Formulari A1, për të cilin mësuesit e shkollave të mesme thonë se nxënësit i kanë marrë njohuritë e nevojshme për plotësimin korrekt të tij.


Maturantët e shkëlqyer zgjedhin tëstudiojnë jashtë


Na ndajnë edhe pak ditë nga publikimi i Formularit A1. Një pjesë e mirë e maturantët tashmë kanë bërë zgjedhjen e tyre. Nëse një pjesë kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri, një pjesë tjetër jo pak e konsiderueshme kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit. Në shkollën e mesme “Ismail Qemali” janë afro 30 studentë që përgatiten të studiojnë në universitete të huaja. Ata përbëjnë 15 përqind të maturantëve të shkollës. Vojsava Thanasi, drejtoreshë në shkollën e mësipërme, thotë se maturantët kanë plotësuar procedurat e aplikimit ndërkohë që janë në pritje të konfirmimit nga vendet përkatëse. “Maturantët që kanë aplikuar janë nxënës shumë të mire. Ka qenë zgjedhja e tyre për të shkuar jashtë vendit, duke parë mundësitë e pranimit nga universitetet jashtë si edhe gjendjen e tyre ekonomike.” Eni Loshja është një nga maturantët që ka aplikuar për ndjekjen e studimeve në Francë, në degën e Mjekësisë. “Kam aplikuar për studime në Francë dhe tashmë do të aplikoj edhe në Itali. Dëshirën më të madhe e kam që të fitoj në Francë. Arsyeja është sepse të studiuarit jashtë vendit të ofron më shumë mundësi për të bërë karrierë. Të ofron një treg më të madh pune. Besoj se kriteret i plotësoj, pasi mesataren e viteve të shkollës së mesme e kam 9.9.” Vitet e fundit, numri i maturantëve që kërkon të studiojë jashtë vendit është i lartë. Drejtoresha Vojsava Thanasi thotë se vitet e fundit ka rënë kërkesa e maturantëve për ndjekjen e studimeve në Itali. Ata zgjedhin vende të tjera. Kristi Gushi është një ndër këta maturantë. Ai kërkon të vazhdojë studimet në Belgjikë, ku edhe ka kryer aplikimin. Përpara se të aplikonte ka marrë informacionin e duhur mbi degë e Arkitekturë-Urbanistikës, nga ku ka mësuar për nivelin e lartë që ofron kjo degë. “Kam aplikuar para tre ditësh për në Belgjikë, në degën Arktitekturë- Urbanistikës. Studimin jashtë vendit e zgjodha pasi dua që të kem më shumë mundësi punësimi. Prindërit i kam të së njëjtës fushë dhe ishte dëshira ime dhe e tyre që të studioj jashtë, pasi unë kam edhe mesatare të lartë, 9.9. Për më tepër që atje kam dhe njerëz të afërm që mund të më ndihmojnë”. Por ka nga ata maturantë që edhe pse e kanë mesataren të lartë zgjedhin të studiojnë në Shqipëri. Pavarësisht pasigurive që ndjejnë për punësimin në vend, ata zgjedhin studimet në një nga universitetet e Tiranës. “Unë do të studioj brenda vendit dhe si preferencë të parë do të zgjedh Mjekësinë. Do të doja dhe unë që të studioja jashtë vendit, por familja ime nuk ka mundësi ekonomike. Kështu që do të qëndroj këtu”, thotë Meri Kuteli, maturante.  


Maturantët pëlqejnë Vendet e Ulta


Përzgjedhja e studentëve fillon me orët e veçanta që bëhen për këshillimin e karrierës. “Ata që janë të interesuar të studiojnë jashtë janë nxënësit e mire. Në shkolla vijnë si universitetet shtetërore edhe ato private, të cilat bëjnë Këshillimin e Karrierës. Po kështu, edhe ne i dërgojmë maturantët në këto shkolla apo filiale të universiteteve të huaja për të parë se si studiohet. Gjithashtu, organizojmë orë të hapura dhe biseda të lira mes pedagogëve dhe maturantëve.” Drejtoresha Thanasi informon se aplikimi vazhdon. “Nuk mund të japim një përqindje të saktë, por në shkollën tonë janë 30 nxënës që kanë aplikuar për të vazhduar studimet jashtë. Vendet ku kanë aplikuar janë Hollanda, Gjermania, Amerika etj.”


 


/Shekulli Print/Emanuela Sako/


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

4 + 5 =