Opinion

Nxënës kalues, mësues mbetës

  • 26 Shkurt 2013, 13:24

Mimoza Sulaj/mësuese 


-Kualifikimi i mësuesve është lidhur shumë ngushtë me performancën e nxënësve si dhe ka një impakt përcaktues në edukimin në tërësi. Po çfarë ndodh tek ne për sa i për ketë kualifikimit te mësueseve   si një faktorë përcaktues në edukimin e fëmijëve në tërësi? Në faqen  e IZHA-s (Instituti I zhvillimit të Arsimit) ka teste për kualifikimin  e mësuesve sipas profileve. Në këtë shkrim i referohem testeve për mësuesit e Ciklit  të Ulët. Në opinionin tim, ato teste janë jo profesional.  Ato janë të hartuara  ashtu si dhe vetë shkolla jonë realisht është, shkollë që më shumë stimulon të mësuarin përmendësh. Më poshtë disa shembuj sipas rubrikave të testit:


Shkruaj 1 prej shkaqeve të zakonshme  kur një nxënës shfaq sjellje të  padëshirueshme në klasë dhe 


2) strategji  që mund të përdoren për qetësimin e situatës. 


Sjellja e padëshiruar 


Shkaku 


Strategjitë e zgjidhjes 


Unë mendoj që ky  lloj  formulimi në test  kërkon vetëm përgjigje përmendesh. Testi i sjellë në mënyrë të tillë bënë që  mësuesja mund të sjellë edhe përvojën e një tjetri dhe të sjellë zgjidhjen që ka bërë dikush tjetër. Nuk do ishte më mirë që për të  tillë rubrikë testi të  jepej një shembull si ky më poshtë, pra një  situatë ku mësuesja të sillte ide dhe mendimin e saj origjinal. 


Shembull:


Sara 6, vjeç ndihet gjithmonë keq sa herë ajo shkon për vizitë te babai i saj dhe kjo reflektohet në sjelljen e Sarës si dhe në mësime. 


Interpretimi i mamasë së Sarës: Vizitat te babai e stresojnë shumë Sarën, sidomos kur ajo atje ndeshet dhe me të dashurën e re te babait. Më e mira për Sarën është t’i rrallojë vizitat te babai ose t’i ndërpresë ato përkohësisht.


Interpretimi  i Babait të Sarës: Ish-gruaja ime po e kthen Sarën kundra meje  dhe po përpiqet ta ndalojë atë të takohet me mua. Do ishte më mirë për Sarën të jetojë me mua. Edhe e dashura ime e re ka fëmijë dhe është një nënë e shkëlqyer.


Pyetjet për mësuesen mund të jenë:


1.Cilat do  të ishin pasojat për Sarën nëse problem nuk zgjidhet dhe ajo vazhdon kështu?


2. Si mund t’i ndihmojë mësuesja prindërit e Sarës që ata të gjejnë mirëkuptimin për të ndihmuar Sarën


3. Cila do të ishte zgjidhja  e duhur në interesin më të lartë të Sarës?


Ose rubrika në test ku shkruhet “Për  Përgatitjen Shkencore”. Pyetjet janë elementare. Një mësues qëe ka një diplomë universitare dhe më e pakta ka 5 vite pune, nuk mund t’i jepen pyetje për nivelin një fëmije të klasës së katërt. Duhet  një test ku të  kontrollohen njohuritë bazë në morfologji dhe sintaksë. Shiko me poshtë pyetjen për përgatitjen shkencore të mësuesit  e CU sipas Institutit për Zhvillimin e Arsimit në lëndën e gjuhës për  mësuesit e Ciklit Ulët.


PËR PËRGATITJEN SHKENCORE 


Te cila prej fjalive të mëposhtme fjala Ditë përdoret si kryefjalë? 


A) Sot është një ditë e bukur. 


B) Dita e sotme kaloi shumë bukur në shkollë. 


C) Ditën e sotme s’kam për ta harruar kurrë. 


D) Nga dita e sotme mësova shumë. .


Kjo më sipër është pyetje që ju bëhet fëmijëve të fillores në test. Pra dhe mësuesit dhe nxënësit me të njëjtin nivel testi. Dhe akoma më keq kur kam lexuar në gazetë që në Tiranë ka mësues që dhe këtë lloj testi nuk e kalojnë dot. Për të kontrolluar formimin gjuhësor  dhe profesional të mësuesit  do të ishte më mirë nëse në teste kualifikimi një mësuese të shkruajë një ese, si dhe të jepet një tekst ku të korrigjohen gabimet duke përfshirë ligjëratën e drejtë, shenjat e pikësimit, dialogun etj..Përsa i përket esesë mund të jepet një temë e caktuar. P.sh: Shkruaj për një çështje sociale siç është edukimi, komunikimi, etj.. Ja për shembull me poshtë një teme e caktuar:


Në ditët e sotme një person vlerësohet sipas statusit social dhe pasurisë që ai posedon. Të qenurit  i ndershëm, i drejtë, i pakorruptuar, i sinqertë duket sikur në shoqërinë tonë nuk vlejnë më, por i përkasin vetëm të shkuarës.. Pyetja për mësuesen mund të jetë: 


Jeni ju  dakord me ketë? Përgjigju duke u bazuar në argument, duke sjellë edhe shembuj nga eksperienca juaj. 


Një testim i tillë është tepër  logjik dhe për më tepër tregon më së miri formimin gjuhësor, intelektual si dhe njohuritë dhe eksperiencën që mësuesja ka. Për më tepër nëse me mësuesen aplikohet ky lloj testimi, të njëjtën gjë do bëjë dhe ajo me nxënësit e saj në klasë duke kontribuar në demokratizimin e shkollës.


Po vazhdoj më poshtë me testin e matematikës


Po te kjo rubrikë, shiko më poshtë pyetjen e testit.


PER PERGATITJEN SHKENCORE


Igli udhëton 42.84 km me makinë dhe 1350 m në këmbë në ditë. Sa kilometra bën ai gjithsej në ditë? __________ Sa metra bën ai gjithsej në ditë? __________ 


Kjo është një pyetje me m dhe km që ju bëhet në test fëmijëve të klasës së tretë, madje është  elementare  për një test fëmijësh në klasat fillore. Si është e mundur që mësuesi që zotëron një diplomë universiteti  t’i jepet për kualifikim  ky lloj testi? Në këto teste, sipas opinionit tim,  duhet të përfshihen problema logjike, lojëra matematikore, konceptet bazë të matematikës si; numrat dhjetorë, thyesat, numrat me shenjë, ekuacionet, sistemet e ekuacioneve, mosbarazimet  etj.. Flas gjithmonë për teste për mësuesit që japin mësim nga klasa e parë në të pestën. Vazhdojmë me tej me testin e historisë për njohuritë shkencore të mësuesve. 


PER PERGATITIJEN SHKENCORE 


Plotëso fjalinë: Megjithë ndikimet nga popujt e tjerë, ilirët ruajtën _____, ____, ____ e tyre. 


Kjo pyetje është njëlloj sikur të pyesësh  një fëmijë  “kur e keni pushim,  të hënën apo të dielën”.


Si konkluzion, autoritet e arsimit duhet të marrin të gjitha masat për të ndryshuar mentalitetin si dhe të sigurojnë që në të gjitha strukturat  të punësohen vetëm ata që e meritojnë dhe janë të aftë profesionalisht për të përmbushur sfidat me të cilat shkolla përballet sot. Kurse  për mësuesit e sapo diplomuar për Ciklin Ulët,  si në të gjithë botën, përveç diplomës se universitetit, është një kërkesë e kohës dhe profesionale të jepet  provimi i  gjuhës dhe matematikës. Për ata që e refuzojnë, automatikisht duhet të dalin nga listat për t’u punësuar.  Është turp dhe krim që për mësuesit që mbajnë diplomë universiteti dhe priten të mësojnë fëmijët të  mos  jenë në gjendje t’i nënshtrohen  një provimi gjuhe dhe matematike me përmbajtje që dhe një fëmijë që ka mbaruar  mirë arsimin 9- vjeçar normalisht duhet ta kalojë atë test. Të sapodiplomuarit dalin nëpër gazeta, nëpër sindikata dhe kërkojnë punësim dhe kjo është kërkesë e drejtë, por kur vjen fjala për të dhënë testime, që janë të domosdoshëm për punësimin, ata fillojnë  të protestojnë. 


 

Shtoni një koment
4 Komente
S.Sadiku,Koordinator,HSK-Unterricht,BL/CH/
E nderuar mësuese Moza,e keni trajtur shumë mirë gjendjen e rënduar të arsimit në Shqipëri.Shembujt shkencor që ju keni afruar pranë lexuesit janë specifikë e modeleve të shumë shkollave të Evropës që zbatohen me disiplinë të lartë,si programe profesionale që aprovojnë institucionet arsimore.Uroj të keni sukese në të ardhmen në modele të tilla profesionale që lidhen në pavarësimin e punës profesionale në shkollë nga mentalitete të së kaluarës.Vetëm nëse një shkollë nga Tirana apo Librazhdi,etj,aplikon metoda të përafërta pune me një shkollë si në; Maribor,si në Gjenevë,si në Lion apo Franfurt mund të themi se Shqipria bëhet "de fakto" e integruar në EU.

Genti
Eshte reale dhe mese e vertet tema qe mesuse Mimoza Sulaj diskuton ky inkurajim eshte per tu vleresuar dhe zbatuar ne arsimin tone.
Pa Emër
MIRE ATJE POR MESUESIT I MARIN PIKET QE NE DREJTORITE ARSIMORE ME MIK
ani

kudo formalitete.mjere fmijet
i paafti fiton gjithmone
 

Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 1 =