Jetë

"Doja të bëhesha gazetare, Ekonomiku ishte zgjedhja e fundit"

  • 02 Mars 2013, 13:41
  • Përditësuar 13:44

Mimi Kodheli është nga gratë e forta të parlamentit shqiptar. Kjo për sa i përket forcës së argumentit që parashtron në debate të ndryshme që lidhen me ekonominë e vendit. Me një bukuri fizike për t’u admiruar ajo mbetet një nga zërat më të spikatur femëror në politikën e sotme. Por kështu ka qenë edhe në rininë e saj. Në vitet ‘80 ajo ishte një vajzë që nuk kalonte pa rënë në sy në rrugët e Tiranës. Ishte nga ato vajza të emancipuara të cilat e kishin hedhur përtej paragjykimin dhe guxonin të pinin edhe ndonjë birrë, apo të shkonin në stadium. Gjithmonë në këtë pikë ka pasur mbështetjen e familjes. Ajo ka jetuar për shumë vite në rrugën “Fortuzi”, në një lagje të vjetër tiranase. Arsimin 8-vjeçar e ka kryer në shkollën “Kosova”, gjë që thotë se e ka ndihmuar të hedhë gurë të fortë drejt dijes. Më tej vjen periudha e kaluar në gjimnazin “Sami Frashëri”, një ndër më të fortët edhe sot për nga ana pedagogjike. Edhe pse e cilësuar si një grua e vendosur në politikë, përtej syve blu fshihet një grua e ndjeshme. Një kohë ka menduar se jeta e ka mundur. Kjo periudhë ka qenë kur babai i saj është ndarë nga jeta në vitin 1990. Por e ka kuptuar se njeriu jeton dhe merr kënaqësi të mëdha në jetë, kështu që dorëzimi as nuk duhet menduar. Erdhi në politikën shqiptare në një moment kur Tirana ishte në gjendjen më kritike të saj. Nga kreu aktual i Partisë Socialiste Edi Rama dëgjoi frazën: “Nëse nuk do e bëjmë unë edhe ti, atëherë kush mund ta bëj tjetër!? Kjo fjali e bëri të ndryshojë rrjedhën e jetës dhe sot të jetë jo vetëm një ekonomiste, por edhe një politikane e zonja. 


Zonja Mimi ku e keni bërë shkollën fillore?


Filloren e kam bërë në shkollën “Kosova”. Besoj ka qenë shkolla më e mirë në atë kohë, me mësuese të formuara që vinin nga instituti i “Nënës Mbretëreshë”. Kam kapur brezin e vjetër që jepnin mësim aty. Pastaj kam bërë një gjimnaz po aq të respektueshëm që ishte ndoshta më i forti në atë kohë që është “Sami Frashëri”. Kush dilte mirë në “Sami Frashëri” e kishte shumë të thjeshtë në universitet, madje edhe notat, pasi shkolla ishte shumë kërkuese. 


Çfarë kujton nga periudha e gjimnazit? 


Gjëja më normale e asaj periudhe ishte të shkoje në aksion. Kjo gjë më ndodhi edhe mua. Pak më herët, pasi mbaruam vitin e dytë, ne shkuam për të marrë pjesë në ndërtimin e hekurudhës Lezhë-Shkodër. Përgjithësisht aksionet bëheshin në një moshë më të rritur, por sigurisht kur je e re, gjërat i merr më me lehtësi dhe vështirësitë i kapërcen kollaj. 


Duhet të keni dhe kujtime të bukura? 


E bukur ishte, sepse ishte hera e parë që shkëputesha nga shtëpia. Dhe me gjithë vështirësitë dhe kushtet që kemi qëndruar atë muaj, e kujtoj me nostalgji. Tani tregohen vetëm gjërat e këndshme të atij qëndrimi. 


Kultura e punës në atë kohë ishte më e fortë? 


Në fakt kjo disiplinë, të formon në karakter. Duhet të jem brezi i fundit apo i parafundit i njerëzve që janë mësuar me disiplinën e punës. Që asnjëherë dhe në asnjë rast nuk është diçka e keqe. Po ashtu unë mendoj që sot ka humbur edhe respekti ndaj njerëzve. Brezat, në epoka të ndryshme, veprojnë ndryshe, por pa dyshim që brenda një brezi janë të gjitha nuancat. Shoqëria është e larmishme. Ka njerëz që punojnë shumë, ka njerëz që punojnë më pak. Ka nga ata që jetojnë në kurriz të të tjerëve, ka nga ata që abuzojnë me shoqërinë, ka nga ata që japin më shumë. Kjo është larmishmëria e karakterit të njeriut, që e bën edhe brezin edhe shoqërinë në një sens të njëjtë. Pavarësisht se brez pas brezi, mentalitetet ndryshojnë dhe jo domosdoshmërish brezi im ka qenë më i mirë se ai i djalit tim apo anasjelltas, këtë nuk mund ta them. 


Sipas jush cilat janë problemet e shoqërisë shqiptare sot?


E para është; që janë krijuar disa precedentë që për mua personalisht janë aspak të këndshëm. Ne kemi marrë sot mësimin që mund të mbërrish shkallët e karrierës shumë lehtë. Duke pasur shumë para, t’i mund të bëhesh njeri publik dhe të arrish suksesin me fare pak mundim ose aspak. Për mua kjo nuk duhet të jetë kështu. Njeriu duhet të bëjë patjetër gavetë në jetë, që kur të mbërrijë atje ku synon të jetë krenar. Kur të kthej kokën prapa, të mos ketë turp as nga ku ka ardhur as çfarë ka bërë në jetë. Dhe e dyta, të ketë respekt për veten. Për atë çka jep edhe për shoqërinë. Në mënyrë që kur të mbërrijë atje ku do, askush të mos i thotë; “Po ti?” Në këto kohë me ndihmën e internetit, rrjeteve sociale apo informacionit të jashtëzakonshëm që teknologjia të ofron, brezat e sotëm mendojnë që janë më të ditur. Ka më shumë njohuri, por jam e sigurtë që ka më pak dije. Dija është njohuri e thellë e fenomenit, ndërsa njohuria është si një magazinë pa inventar. Unë mendoj që shoqëria shqiptare po kalon sot në një krizë të ekzistencës së saj. Ndoshta kjo shoqërohet me një krizë që nuk është vetëm ekzistenciale, por është edhe një krizë ekonomike sociale me të cilën bota përballet. Gjërat themelore dhe fondamentale të një shoqërie janë; respekti ndaj familjes, respekti ndaj fëmijëve, ambientit, respekti ndaj lirisë së tjetrit. Sepse atje ku mbaron liria jote fillon ajo e tjetrit. Të gjitha këto, kanë filluar të harrohen nga pak. 


Domethënë sipas jush sot ka më pak respekt? 


Sot ka absolutisht më pak respekt. Sot ka egoizëm, agresivitet. Ka pak altruizëm, pak edukatë qytetare. Ka shumë fjalor banal. E cila ndoshta në dukje e bën shoqërinë tonë më “moderne”, por aspak më të mirë. Po kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. 


Ky është një fenomen global?


Është pa dyshim. Ka influencat e veta, por shoqëria shqiptare është akoma tradicionale. Ku duhet dhe mund të kishte ruajtur vlerat e vërteta të familjes së saj. Pa i hequr asgjë modernizimit dhe hapjes së shoqërisë shqiptare, sepse e thënë nga një person si unë që kam qenë ndoshta një ndër gratë apo vajzat më të emancipuara të brezit tim, besoj që ka vlerë. Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë, në një familje shumë të emancipuar, pra ky perceptim “konservator” nuk më vjen për shkak të ambientit konservator në të cilin unë mund të isha rritur, sepse nuk është kështu. Vjen sepse unë mendoj që baza e çdo shoqërie është familja e cila duhet respektuar nga gjithsekush prej nesh dhe nga shteti patjetër, i cili i menaxhon punët e shoqërisë. Nuk mund të flasim për internet, për rrugë, pse jo edhe për integrim, pa folur për shëndetin që duhet të ketë familja shqiptare në të gjitha dimensionet e saj. Kur thoni keni qenë një femër e emancipuar çfarë do të thotë.


Ju dallonit nga vajzat e tjera?


Po, besoj që po. Jo vetë për shkak të gjatësisë në centimetra më shumë, por kisha fatin të rritesha në një familje me dy prindër intelektualë. Babai im ka qenë gazetar dhe më pas diplomat. Ka studiuar jashtë. Mamaja ime po ashtu ka studiuar jashtë. Pra ata vinin nga një botë shumë e emancipuar. Pa dyshim të studioje jashtë në ato vite, ishte luks. Kjo më mundësonte që të kisha akses në dokumente apo në letërsi, të cilën jo domosdoshmërisht të gjithë e kishin këtë hapësirë. Ishte një dritë shumë e madhe për mua në atë botë të mbyllur. Por sigurisht edhe karakteri im i fortë, i një natyre si djalë. Merresha shumë edhe me sport. E shoqëruar nga babai im nuk lija asnjë ndeshje futbolli pa parë. Shkoja në stadium apo për të pirë birrë. Prindërit e mi kishin shumë besim tek unë, besim që nuk e kam shkelur asnjëherë besoj. Nuk më kërkonte “llogari” familja. Të gjitha këto edhe shumë gjëra të tjera, më bënin të isha pa dyshim një vajzë më mendje të hapur dhe më e emancipuar se shumë vajza të brezit tim. 


Ke qenë e vëzhguar nga djemtë? 


Po si çdo vajzë e re, pa ndonjë gjë të ekzagjeruar. Mosha është e tillë dhe është normale që të ishte ashtu. 


Ju zonja Mimi keni studiuar Ekonomi Financë. Ishte zgjedhja juaj? 


Në atë kohë kam dashur të studioj gazetari. Doja të ndiqja gjurmët e babait. Fakulteti i gazetarisë hapej dhe mbyllej, për arsye totalisht ideologjike dhe politike. Në momentin kur unë përfundova gjimnazin, fakulteti ishte i mbyllur. Kështu që për mua pas kësaj djegie dëshire ishte e parëndësishme se për çfarë do i vazhdoja studimet e larta. E fundit shkollë që doja të ndiqja ishte Ekonomia, por kjo nuk më ka bërë mua që ta lë pas dore detyrimin tim për të mësuar dhe pse jo për të spikatur. 


“Tirana mbetet dashuria ime"


Jo më kot Edi Rama, kryebashkiak i Tiranës për 12 vite e zgjodhi ta ketë në krah, në detyrën e zv/kryetares në punët bashkiake. Mimi Kodheli ruan një dashuri të veçantë për Tiranën si qytet. Kjo sepse këtu ka lindur, është edukuar, por edhe ka shijuar kënaqësitë dhe ndarë hidhërimet e jetës. 


Që në angazhimin tuaj të parë politik keni spikatur. Si u bëtë pjesë e kësaj familjeje? 


Unë jam rritur me diskutime politike në shtëpi, për shkak të profesionit të babait i cili merrej me politikë të jashtme, por edhe për shkak të natyrës kureshtare që unë kisha për botën që më rrethonte. Kështu që rridhte normal ky diskutim politik në familjen tonë. Padyshim që ka një vullnet kur t’i vendos të ndryshosh në mënyrë edhe drastike rrugën e jetës tende. Ky moment ka qenë kur unë jam kërkuar nga Edi Rama, të jem zëvendësja e tij për një periudhë relativisht të gjatë në Bashkinë e Tiranës. Një pozicion politik, madje shumë i ekspozuar nga pikëpamja mediatike. 


Pranuat menjëherë? 


Jo, jo. Më janë dashur rreth dy-tre muaj që të pranoj. Njeriu bën reflektim gjithsesi. Gjëja që më bëri të pranoj nuk ka qenë fakti që do të merresha me politikë, por ka qenë një fjali e Edi Ramës. Tirana ishte në ditën e saj më të keqe. Sigurisht Tirana është pa më të voglin dyshim qyteti që dua më shumë jo në Shqipëri, po në botë. Të gjithë historitë e mia, dashuritë e mia, shoqëria ime, ngjarjet e mia, çdo gjë më ka ndodhur brenda këtij qyteti. Fakti që ai më tha; “Nëse nuk do e bënim unë edhe ti këtë ndryshim, kush do e bënte?” Duhet ta duash punën që të mbërrish rezultate të mira. Nuk duhet vetëm të jesh i zoti dhe i ditur. Kjo ka qenë gjëja që ndoshta më bëri që unë thashë: “Po”. Jam shumë e kënaqur që e kam bërë këtë gjë pasi ndihem shumë krenare për atë periudhë. Gjëja që ishte më e rëndësishme është që t’i të merrje një vendim dhe të nesërmen të shikoje tek realizoheshe, ishte e prekshme. Ishin edhe vite të mundimshme. 


Tashmë politika për ju është profesion? 


Politika për mua është një impenjim qytetar, profesional, moral. Për t’i dhënë diçka më shumë shoqërisë. Thonë që politika është për të pamoralshmit. Ju si mendoni? Nëse e vendosim veten në gjykimin e publikut, është një guxim shumë i madh, por kjo jo domosdoshmërish duhet të të bëj të paskrupullt. Mua më është thënë fillimisht që do të regjet lëkura. Në fakt jo. Nuk më ndodh. Unë jam po aq e ndjeshme sa kam qenë ditën e parë kur i kam hyrë kësaj rruge ndaj të gjitha opinioneve sidomos ndaj atyre që janë negative dhe të pamerituara. 


Çfarë ndodh te ju kur dëgjoni një opinion negativ dhe të pamerituar? 


Sigurisht që mundohem të reflektoj pse vjen kjo dhe mundohem ta justifikoj maksimalisht atë që e bën këtë gjë. Shpesh herë është justifikimi; “A bëhet kjo për arsye politike?” Por nuk duhet të jetë kështu. Arsye politike për çfarë? Për të goditur një person që merret me politikë personalisht. Nuk e kuptoj. Ne pavarësisht të gjithave duhet të kemi të gjithë një emërues të përbashkët. Ky është të çuarit të Shqipërisë në një stad më të zhvilluar. Kjo që them nuk është as hipokrizi, as shtirje. Unë kështu e mendoj, ndaj ditën që do të mendoj ndryshe, unë do e lë këtë gjë. Dhe kjo nuk është tërheqje. Mbase do të vij dikush që do e bëj më mirë se sa unë. 


Është e vështirë për femrat të qenit në politikë? 


Patjetër. Kjo është një shoqëri që abuzon më figurën e femrës. Është një shoqëri, që nuk e mbron figurën e gruas, nënës apo motrës. Shoqëria e mendon që e bën këtë detyrë kur flitet për gratë që gjithsekush ka në shtëpi. Gratë vetë duhet të luftojnë më shumë për të mbrojtur njëra-tjetrën. Unë nuk jam kundër botës mashkullore. Përkundrazi, jam gruaja e një zotërie dhe nënë e një djali tashmë të rritur dhe gjëja e fundit që mund të mendoj është të shikoj botën pa djemtë e shtëpisë sime. Shoqëria shqiptare është shumë mbrapa në respektin, që duhet të ketë ndaj femrës. Politika shumë më shumë.  


 


“Pishman? Do të doja të kisha edhe një fëmijë tjetër”


 


 


Në jetë Mimi Kodheli është përkëdhelur nga fati. Jo vetëm i të pasurit dy prindër të mrekullueshëm, por edhe të një bashkëshorti, i cili ia ka lehtësuar rrugën në karrierë. Ajo është nënë e një djali të vetëm, i cili vazhdon studimet jashtë vendi. Mimi e pranon që do të kishte dashur të kishte edhe një fëmijë tjetër. Nuk ka qenë ndjenjë egoizmi, por siç edhe e thotë vetë, kështu ka qenë e thënë.


Bashkëshorti juaj çfarë profesioni ka?


Arkitekt. Njohja jonë daton shumë larg. Kanë kaluar më shumë se 25 vjet. Jemi njohur siç mund të njihen dy njerëz në atë kohë. Kemi punuar në të njëjtin sistem. Edhe pas futjes në politikë vazhdoj të ushtroj profesionin tim. Nuk lë mangët asnjë nga gjërat që kam bërë më parë. Sigurisht më me shumë sforco. Por nuk ngelem pas detyrimet familjare që kam. Ndoshta i kam hyrë pak në hak abuzimit me kohën e lirë apo pushimet, por të gjitha gjërat e tjera vazhdoj t’i bëj po njësoj.


Si i keni marrëdhëniet me djalin?


I kam shumë të mira, si çdo nënë që thotë për djalin e vet. Kam qenë shumë e afërt me të, me përjashtim të ndonjë rasti që mund të kem munguar për shkak të impenjimeve të mia politike. Besoj që kordoni i një nëne me fëmijën e tij, këputet fizikisht, por nuk këputet asnjëherë, ndoshta kjo është edhe diçka tipike e posesivitetit të nënës shqiptare.


Ju ka munguar një vajzë?


Shumë. Nëse kam ndonjë pishman është se nuk kam mundur të kem një fëmijë tjetër. Nuk e di se sa më ka munguar një vajzë, pasi nuk e kam provuar këtë ndjesi. Këtë boshllëk ma ka mbushur motra ime e vogël. Ajo ka qenë e përkëdhelura e shtëpisë për shumë vite. Ndoshta do e kisha ndjerë më shumë nëse nuk do e kisha këtë motër. Një vajzë mbetet gjithmonë shumë e mrekullueshme për një prind. Unë jam vajzë vetë, tashmë vetëm e mamasë sime, pasi babanë nuk e kam më. Vajzat bëjnë shumë për prindërit, por kjo nuk e mënjanon faktin që edhe djemtë të sillen në të njëjtën mënyrë.


Ju jeni një grua aktive në shtëpi?


Jam një grua aktive në shtëpi. Gatuaj relativisht mirë. Për fatin tim, kam mamanë në shtëpi e cila plotëson edhe ndonjë mangësi timen. E kam këtë luks ta kem në shtëpi dhe ndërkohë të merrem me punët e politikës. Edhe ju duhet të keni kaluar momente të vështira në jetë... Pa dyshim. Një ndër momentet më të trishta të jetës sime ka qenë koha kur babai im është ndarë nga jeta. Kam pasur një lidhje shumë të afërt me të. E kam konsideruar atë shokun tim më të mirë, jo vetëm baba. E përjetova keq atë moment. Kam qenë e re. Sapo isha bërë nënë. Bëhet fjalë për vitin 1990. Djalin e kisha vetëm katër muajsh edhe sapo kisha filluar të kuptoja se çfarë do të thoshte prind. Kam menduar se gati-gati kam qenë e mundur nga jeta, por kam kuptuar që jeta të falë edhe shumë gëzime. Sigurisht njerëzit janë edhe për të përballuar hidhërimet të kësaj natyre, sigurisht.


Çfarë bëni për të qenë në formë?


Raporti im me veten, jo domosdoshmërish është aq intensiv sa duket. Jam një natyrë sportive. Nuk jam ai tipi që ‘del nga kutia” kur del nga shtëpia. Dhe kjo më rri mirë, sepse më afron me karakterin. Po pa dyshim sot ka edhe lehtësira. Kam përpara syve, shëmbëlltyrën e mamasë sime. Ime më ka qenë një grua e pashme, e spikatur. Ndaj kjo gjë vjen normalisht dhe pa forcim. Por nuk jam ndonjë fanatike e pamjes së jashtme. Jam më shumë e pamjes së brendshme. Që te jem e sinqertë me ju deri në fund, edhe pazar bëj kur ka ulje, sepse unë e respektoj paranë. 


 


/Shekulli Print/Entela Resuli/


Shtoni një koment
9 Komente
ADRIAN HAJDINAJ
NJI PYETJE PER MIMIKEN MEQE E PASKE HARUAR O JU GAZETARI I SHEKULLIT ... A DO TA VERI NE LISTEN PER DEPUTETE KESAJ HERE SDVIN KRSITAQ RAMA MIMIN SE DERI ME TASH E VURI SE E KISHTE DHE NDIMESE NE BASHKI ... ME KETO LLOJ PLERASH HUP GJITHMON PS SERVILAT DHE LEPIRSET SI KJO MIMI JAN BER PENGES PER PROGRESIN E PS troc me e then keto jan ato xhaketa te vjetra ....opinionisti adrian hajdinaj
Mark uk
Sa ju paskan prekur fjalt e tij,po nuk e beme bashk kush do ta bej.Dhe ju mbas tre muajsh vendoset dhe e bete,ju lumt se te till i kerkon partia.
Alb
Paska syte e bukura... femrat ne pergjithsi i ka te mira PS-ja.
Arnoud Albanais
Znj. Kodheli eshte tipi i gruas qe i mungon politikes shqiptare. Nese do te ishin te gjitha politikanet si ajo, Shqiperia do te ishte ndryshe.
Pa Emër
Fillova me e lexue me interes ket artikul mbasi lexoi me kenaqesi shkrimet qe shkruhen per cdo njeri qe eshte i suksesshem ne fusha te ndryshme te jetes. Fatkeqesisht qysh ne reshtat e pare e humba interesin.Fjalia se une jam ndikuar nga fjalet "kur se bejme na dy kush do ta bejne" te Edi Rames jane sa qesharake e jo bindse.Keto fjal keqkuptohen edhe nga lexuesi mbasi ndoshta Gezim Kruja do ti perkthente ndryshej keto fjal. Edi Rama mund te jet i suksesshem ne shum drejtime po kushdo ne bot qe thot se jam frymzue nga ky person ai vec genjen.Tani po kthehem e lexoi artikullin se si nje njeri i pa afte ka ba karrier nen kujdesin e Edi Rames.
Pa Emër
Hiene.
lixhi
Mimi Kodheli meriton respekt, eshte nje nga femrat me integritet dhe me kulture. Sinqerisht nga nje emigrant i brezit te viteve 80
sa
teknollogjia moderne eshte shum e nevojshme po ka edhe kjo ato te metat e veta qe u jep mundesi qe te shprehen te gjitheve si ata qe kane nje loj kulture dhe atyre me me pak dhe injoranteve un nuk kam preferenca politike por me mrekullon fakti qe megjithese mimi kodheli eshte shume kritike me qeverine dhe paska qene dhe nenkryetare e bashkise qeveria e sotme qe eshte aq edhene per gjetjen e te metave dhe kesaj zonje me plot kuptimin e fjales nuk i ka gjetur asnje kjo me ben te mendoj qe pikerisht ky lloj njeriu i duhet politiles shqiptare bravo
luani
MIMI JE SEXY LOVE YOU BABE RING ME TEL .129
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

7 + 8 =