Thellë

Një ushtar na vrau komisarin me 10 plumba

  • 03 Mars 2013, 06:20
  • Përditësuar 14:10

Leonard Veizi -Si të gjithë komisarët e ushtrisë edhe ai do të shfuqizohej nga funksioni në vitin 1991 kur vetë partia nuk kishte më nevojë për punëtorët e saj. E megjithatë ai ishte një ushtarak karriere më Akademi e Kurs e Shtatmadhorie. Ymer Shulku, një kuadër me eksperiencë të madhe në ushtrinë shqiptare të para viteve ’90 rrëfen disa episode nga jeta e tij si ushtarak: 


Cili është Ymer Shulku, duke pasur parasysh karrierën profesionale të tij? 


Shkollën e Bashkuar e mbarova në 1962 për Artileri Tokësore. Më 1977- ‘79 vazhdova Akademinë Ushtarake si “Gjitharmësh”. Në vitin ‘89 përfundova kursin e lartë të Shtatmadhorisë. Gjithashtu kam mbaruar dhe shkollën e Lartë të Partisë. Si ushtarak karriere e kam filluar nga komandant toge për të vazhduar hapat një pas një si komandant baterie, si propagandist në Brigadë, komisar Batalioni, komisar Brigade, e më pas komisar Divizioni. 


Ju kemi qenë komisar. Si keni shkuar me komandantët? 


Mund të them pa frikë se me të gjithë kam shkuar shumë mirë. Kam punuar për një kohë të gjatë me Asllan Hysin me të cilin kemi drejtuar një batalion të brigadës 58 të Fierit, ashtu edhe vetë brigadën më pas. Ishte rast i rrallë në ushtri që komandant-komisar batalioni të ngriheshin në detyrë në të njëjtën ditë për të marrë në dorëzim brigadën. Po ashtu punova shuam mirë dhe me Ibrahim Goxhollin e Skënder Serajn në Divizionin e Vlorës si dhe me Naun Galloshin në Divizionin e Lushnjes. Kemi pasur frymë të mirë bashkëpunimi sepse ndodhte në ushtri që komandanti me komisarit përplaseshin për shumë probleme, deri dhe te gjëra ordinere, si në rastin se kush do të hipte në vendin e parë të BÇ-së. Pasi në atë kohë një makinë përdorej për komandantin, komisarit me për zv/sekretarin e partisë kur u shtua në organikë. 


Keni pasur bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ministrat e mbrojtjes? 


Unë kam takuar nga afër dy herë Mehmet Shehun dhe një herë Kadri Hazbiun kur të dy ishin në funksionin e ministrit të mbrojtjes. 


Si ishin takimet me Mehmet Shehun? 


Në tetor të vitit 1975 ai erdhi në Lushnje, ku komanda jonë ishte dislokuar në Gradishtë, pasi interesohej për fortifikimin bregdetar. Në 07.00 të mëngjesit, dolëm ta prisnim tek “Klubi i shoferit” unë e Asllan Hysi si drejtues të brigadës, por dhe Lenka Çuko si sekretare e parë dhe Miti Rrapi si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Lushnjës. Mehmeti vinte nga Vlora ku kishte qenë për pushime dhe eskorta e tij përbëhej nga të paktën 10 makina, ku hap pas hapi e shoqëronte dhe komandanti i korpusit të Fierit, Myfit Bardhi. Ne i raportuam ushtarakisht dhe pasi takoi Lenkën e Mitin, morëm rrugën për në Divjakë duke kaluan nëpër itinerarin: Këmishtaj-Gradishtë-Mizë-Kryekuq- Divjakë. Rrugës pa mbërritur në fshatin Mizë, një çetë me vajza nga të Forcave Vullnetare bënin stërvitje zjarri. Sapo i pa Mehmeti ndaloi makinën. Komandanti i çetës, një oficer rezervist, shpejtoi të delte përpara dhe t’i raportonte, por u mek nga pranie e kryeministrit dhe u bllokua fare. Atëhere Mehmeti me autoritetin e tij i thotë “largohu” dhe shkon tek zboristet. Por një nga vajzat i doli përpara me guxim dhe i shpjegoi se po bënin stërvitje zjarri duke shënjuar me ‘stanok’ si dhe qitje me granata dore. Atëherë Mehmeti i thotë vajzës: “Merr në shenjë dhe unë do të të kontrolloj”. Vajza u shtri ushtarakisht, vendosi pushkën mbi stanok e mori në shenjë. Pas saj vetë kryeministri u shtri barkas për ta kontrolluar. Ai mbeti i kënaqur dhe e mbylli me kaq. Vazhduam rrugën për të mbërritur në bunkerët e bregdetit të Divjakës. Edhe aty ai u shpreh i kënaqur pas inspektimit. Iu drejtua Lenka Çukos duke i thënë. “Këta bunkerë merren në dy mënyra; me tradhti ose po të kesh lepuj aty brenda”. Pas kësaj batute ai foli me Lenka Çukon për rendimentet në grurë e misër. Foli për blegtorinë, e për shumë gjëra të tjera dhe unë u habita me njohuritë e tij shumë të thella në këtë drejtim. Në fund foli dhe për mushkat meqenëse zona kërkonte kafshë të tilla ngarkese. Madje ai vuri si detyrë që tre mushka të mira të ishin një për Enver Hoxhën, një për Hysni Kapon dhe një për Mehmet Shehun. Kjo punë vazhdoi deri pas orës 14.00 kur ai u largua për në Tiranë, pasi nuk pranoi të hante drekë. 


Po takimi i dytë? 


Kur organizuam një stërvitje me trupat e brigadës, u lajmëruam se Mehmet Shehu do të vinte në pikën tonë të vrojtimit. Ai erdhi fikës në orën e lajmëruar. Në pikë kishte edhe oficerë të tjerë, që drejtonin stërvitjen por Mehmeti dha urdhër që aty të qëndronin vetëm komandanti dhe komisari i njësisë. Na pyeti nga ishim me origjinë: ‘Nga Dibra’ i them unë. ‘Nga Tepelena’ thotë Asllani. Ai na rrahu shpatullat dhe na dha shumë kurajë. Pasi mbaroi stërvitja pamë që makinat që shoqëronin kryeministrin ishin vendosur në atë pozicion që të largoheshin andej nga kishin ardhur. Atë çast Mehmeti i thotë kreut të truprojave Ali Çenos: “Do të shkojmë këndej nga ana tjetër, di unë një rrugë përmes pyllit”. Dhe vërtet që kishte një rrugë përmes pyllit që ne si zot të vendit nuk e dinim, por ai e njihte. Pra them se Mehmeti ishte dhe një njohës i mirë i terrenit. 


Simon Stefani: Një rast tjetër, ushtari na vrau një komandant 


Në vitin 1982 kur unë isha zv/ komisar në Divizionin e Vlorës ku komisar ishte Ibrahim Guxholli dhe komandant Skënder Seraj na ndodhi një ngjarje e rëndë. Na erdhi një kontroll nga Komiteti Qëndror kryesuar nga Miti Nito që ishte ndihmës i Simon Stefanit. Për 10 ditë u kontrollua gjithçka dhe ekipi mbeti i kënaqur nga puna jonë. Ditën e fundit menduam të hanim një drekë në shtëpinë e ushtarakëve në Vlorë. Para kësaj Miti Nito i telefonoi Simon Stefanit ku i foli mirë për punën tonë e në fund i tha: Nesër ekipi do të japi konkluzionet, por unë mendoj që te jeni edhe ju i pranishëm. Simoni pranoi, madje tha se do të mbërrinte që atë darkë. Sapo zbresim nga makina për në Shtëpinë e Ushtarakëve, një ushtar i postbllokut shkëputet me vrap dhe lajmëron komandant Skënderin se e kërkonin urgjentisht në telefon. Nuk kaloi pak dhe nga kati i dytë i ndërtesës dëgjojmë të bërtiturat e Skënderit. Miti më thotë; ‘Eja të shkojmë të shohim se ç’bëhet se nuk më duken për mirë këto të thirrura’. Kishte ndodhur që një ushtar nga Vlora kishte vrarë me 10 plumba, komisarit e kompanisë, po nga Vlora, një djalë të ri e i sapofejuar të cilin unë e kisha pasur oficer dhe në Himarë. Ngjarja ishte vërtet tronditëse. Por në darkë vjen Simon Stefani. Problemi është se ai ishte përgatitur që do të merrte lajme të mira nga Divizioni. Po kush do t’ia thoshte këtë lajm të keq? Atëherë e mori përsipër Enver Halili që ishte Sekretar i Parë i Vlorës: Ai i tha duke u munduar ta zbuste disi: Shoku Simon, këta djemtë kanë punuar mirë, edhe unë i kam parë. Tani ka ndonjë problem, se ja dhe sot nga ka ndodhur diçka...” Por fytyra e Simonit u zverdh dhe kërkoi të dinte se çfarë kishte ndodhur. Kur mori vesh për ngjarjen u bë keq. Atu na tha se një gjë e tillë para disa vitesh kishte ndodhur edhe në një postë në kufi ku ushtari kishte vrarë komandantin e postës. Të nesërmen u bë një analizë e thellë e çështjes, ku doli se ushtari, një huligan, kishte vrarë komisarin vetëm se ai i bënte vërejte: ‘mos ri i zbërthyer’, ‘mbaj në rregull uniformën’, e të tjera si këto. Por aty u ngrit shumë dhe problemi i gatishmërisë, pasi Simon Stefani e pa si hallkë të dobët së një ushtar të marrë armë e fishekët nga truproja e të qëllojë një oficer me 10 plumba. Pas kësaj ne morëm pjesë në varrimin e oficerit, që për të thënë të vërtetën, ishte një djalë i shkëlqyer. 


Kadri Hazbiu e ftuam në restorant, na pagoi drekën


“Në vitin 1979 pasi mbarova Akademinë u emërova komisar në brigadën 72 të këmbësorisë në Himarë me komandant Polikron Liton, një ushtarak mjaft i përgatitur. Meqenëse isha më familjen i sistemuar në Fier, mu desh një vit të fle në zyrë, e më pas mora shtypu ku tërhoqa familjen. Kur ishte ministër Kadri Hazbiu u lajmëruam se ai do të vinte në Brigadën tonë. Udhëtonte nga Saranda dhe shoqërohej nga Veli Llakaj e Nazer Berberi. Ishte shumë i thjeshtë në komunikim. Dy gjëra më bënë shumë përshtypje gjatë takimit më të. Ai preferoi të futej në zyrën time. Kur i ofrova vendin tim, si ministër që ishte, ai ma ktheu: Kjo karrige të është dhënë ty dhe do ta mbash deri ditën e fundit që do jesh në këtë detyre. Pas inspektimin e ftuam për drekë. Kishim menduar se tre ushtarakë dhe tre të pushtetit lokal të ndanin paratë për një drekë me ministrin. Por ai na befasoi kur në fund urdhëroi kamerierin: ‘llogarinë’. I thamë se na takonte ne pasi na kishte ardhur në shtëpi. Por ai pagoi paratë për 10 veta që ishin në atë drekë dhe tha: Unë marr më shumë se ju, por nëse ju e keni bërë dhe herë tjetër një gjë të tillë keni bërë gabim. Unë dhe komandanti i brigadën bënë një fotografi me të ku ai më vendosi në krahun e tij të djathtë. Këtë foto unë e mbaja në zyrë njëlloj me atë të Enver Hoxhës, deri ditën kur na thanë se Kadri Hazbiu ka devijuar nga rruga e Partisë”.  


Shtoni një koment
1 Komente
ps
E po gjynah se si i theri Enveri gjithe keta "burra te mire"...Mehmetin, Kadriun
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

3 + 3 =