Sociale

Një në 50 fëmijë që lind prematurë, ka mungesë dëgjimi

Besarta Basha


-Prevalenca e fëmijëve që lindin me shurdhësi të thellë në Shqipëri është 4 për 1 mijë lindje. Shifra alarmante vjen nga studimet e kryera nga specialistët otorinolaringologë në nivel kombëtar. Mjekja otorhinolaringologë, Prof. Asc. Dr Suela Sallavaci tha që kjo është një shifër shumë e lartë. “Kjo është një shifër shumë e lartë krahasuar me vendet e zhvilluara që e kanë 1-2 për 1 mijë lindje. Kjo i detyrohet kryesisht sëmundjeve infektive te nëna gjatë periudhës së shtatzanisë, e cila mund të kalojë edhe pa u vënë re, ç’rregullimeve gjenetike apo një kujdesi shëndetësor të mangët.” Ky problem në dëgjim mund të shoqërohet me dëmtime të tjera te fëmija duke i shkaktuar mungesë të zhvillimit të të folurit. “Nëse nuk merren masa që në muajt e parë të lindjes, nëse nuk fitohet e folura deri në moshën 3-vjeçare, kohë kur përfitohet e folura, atëherë ne përfitojmë individë shurdhë-memecë të cilët do të jenë invalidë të përhershëm.” Mjekja Sallavaci tha se kujdesin më të madh gratë shtatzëna duhet ta bëjnë në muajt kur fëmija është ende në barkun e nënës. Në këtë rast kemi të bëjmë me një shurdhësi të lindur e cila mund të ketë si shkak sëmundjet gjenetike, çrregullimet kromozonale gjatë shtatzanisë, disa infeksione që kalon nëna, sëmundje infektive të cilat çojnë në dëmtim të aparatit të dëgjimit. Ndërkohë më të prirur për t’u prekur nga ulja e dëgjimit janë fëmijët e lindur  para kohe. “Një në 50 fëmijë të lindur prematurë mund të shfaqë ulje dëgjimi me kalimin e kohës.” Mjekja otorhinolaringologe këshilloi nënat e reja që të ekzaminojnë fëmijët menjëherë pas lindjes, duke ndihmuar kështu në kurimin e sëmundjes në kohë. Ajo tha se problemi nuk mbaron me kaq. Lindja e një fëmije pa probleme me dëgjimin nuk siguron të ardhme të sigurt në këtë aspekt. Në çdo moment individët janë të prirur për t’u prekur nga mangësi me dëgjimin, në veçanti fëmijët. “Pas lindjes, të gjithë fëmijët deri në moshën 11 vjeçare mund të kalojnë një humbje dëgjimi të përkohshme. Kjo humbje dëgjimi mund të ketë si shkak infeksionet respiratore apo infeksione të bajameve.” Më pas janë edhe uljet e dëgjimit që lidhen me pengesat mekanike, në ajrosjen e veshit apo infeksione në rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe veshit në veçanti. Në moshat e vogla këto sëmundje janë më të pranishme dhe më të shpeshta. “Ajrosja e veshit të mesëm bëhet me anë të një tubi që lidh veshin me hundën. Kjo sjell si detyrë për prindin apo atë që rrit fëmijën që të sigurohet në frymëmarrje e rregullt dhe sa më e qetë, në mënyrë që të mos krijohen infeksione të cilat i transmetohen veshit dhe që mund të sjellin humbje të dëgjimit.” Gjithsesi kjo ulje dëgjimi është e vogël dhe nuk e pengon fëmijën të flasë. Rasti më flagrant i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme është kur kemi të bëjmë me një patologji të vazhdueshme të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes apo infeksione të kësaj rruge. Në këtë rast kemi një ulje të dëgjimit e cila shkon duke progresuar negativisht. Doktoreshë Sallavaci, thotë se është e rëndësishme që kjo ulje e dëgjimit të kapet sa më shpejt te fëmijët, në mënyrë që të ndërhyhet për të marrë kurimin e nevojshëm. “Nëse një fëmijë nuk arrin të dëgjojë fjalën e nënës apo të njerëzve që e rrisin, ai fëmijë është i destinuar të mos flasë siç duhet ose asnjëherë në varësi të shkallës së humbjes së dëgjimit. Për të shmangur këtë duhet të bëjmë ekzaminime sa më të shpeshta lidhur me dëgjimin. Sa më shpejt të kapet, aq më shpejt menaxhohet sëmundja.” Nëse fëmija ka infeksione të ndryshme, preket nga sëmundje që mund të shoqërohet me temperaturë shumë të lartë, me konvulsione apo epilepsi, apo qoftë dhe nga një grip, mund të sjellë humbje të dëgjimit te fëmijët.” Ajo që mund t’iu vijë në ndihmë këtyre fëmijëve më humbje dëgjimi është thjesht menaxhimi i rastit, pasi pjesa e humbur e dëgjimit nuk rikthehet. Fëmija mund të pajiset me aparatin e dëgjimit që ndihmon në dëgjim nëpërmjet amplifikimit. Çdo tre muaj dalin pajisje të reja të cilat janë më të avancuarat në këtë drejtim, dhe bëhen gjithnjë më të vogla, të lehta dhe me një kosto më të lartë. Ndërkohë që mund të bëhet dhe Implanti Koklear i cili zëvendëson atë pjesë të veshit që nuk funksionon. 


Shenjat, një fëmijë i pavëmendshëm mund të mos dëgjojë mirë 


Pavarësisht shkaqeve që mund të jenë të ndryshme, një fëmijë me humbje dëgjimi shfaq disa shenja të cilat tregojnë se humbja e dëgjimit po përparon. Kështu fëmija bëhet i pavëmendshëm, kthen përgjigje jo të sakta, kërkon që pyetja të përsëritet më shumë se një herë. Kur vihen përballë një aparature elektronike si televizori, radio apo lojëra elektronike, kërkon t’ia ngrejë volumin dhe të qëndrojë më afër. “Një patologji e vazhdueshme bën që fëmija i cili nuk dëgjon të mos shkojë mirë me mësime, të mos integrohet në shoqëri. Pra bën që të ketë një zhvillim psikosocial më të vonshëm se të tjerët për shkak se jo të gjithë informacionin që merret me vesh arrin ta marrë.” Sipas mjekes otorhinolaringologe, Suela Sallavaci, kjo humbje dëgjimi mund të riparohet nëse kurohen sëmundjet që e kanë shkaktuar atë. Rëndësi ka vetëm që ndjekja e saj të jetë sa më e hershme. “Ky lloj i uljes së dëgjimit është i menaxhueshëm. Nëse ne trajtojmë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes dhe infeksionet e veshëve. Duke i trajtuar ato ne përfitojmë rikthim të dëgjimit në nivelin normal.” Një prind duhet ta kuptojë fëmijën e tij kur ka probleme me dëgjimin. Përveç shenjave të mësipërme që janë shumë të dukshme, ulja e dëgjimit shoqërohet edhe me vështirësi në frymëmarrje, veçanërisht natën, dhimbje të forta të veshit deri në kullim të tij. “Fëmijët deri në 10 vjeç zakonisht janë shumë të shkathët dhe të zgjuar. Kur fëmija nuk është i përqendruar, nuk është faji i tij, pasi ka një arsye të mirëqenë që ai nuk arrin ta mbajë vëmendjen gjatë mësimit.” Mjekja shpjegon raste konkrete kur prindërit kërkojnë medoemos që fëmijët e tyre të qëndrojnë në bankat e para, pasi nuk arrijnë të dëgjojnë mësimin. Kjo duhet të bëhet me porosi të mjekut specialist, i cili në varësi të dëgjimit të fëmijës bën kërkesë që këta fëmijë të qëndrojnë sa më afër mësuesit. 


Rënia nën 90 decibel, sjell shurdh-memecëri


Njihen katër lloje të uljeve të dëgjimit. Një person konsiderohet me dëgjim normal nëse gjatë ekzaminimit përgjigjet në intensitetin e tingullit  20 decibel.  Nëse ai nuk dëgjon rritet volumi deri në 40 decibel që përkon me një ulje të lehtë të dëgjimit. Nëse dëgjimi është në shkallën 60 decibel, shkalla e dëgjimit është e moderuar ose e mesme. Një person me ulje dëgjimi deri 90 decibel ka një humbje të rëndë dëgjimi. “Një person që ka një shkallë dëgjimi midis shkallës së moderuar dhe asaj të rëndë ne i rekomandojmë vendosjen e aparatit të dëgjimit i cili bën të mundur përmirësimin e dëgjimit drejt normës. Shkalla më e rëndë e dëgjimit është ajo që shkon drejt humbjes deri në 120 decibel, që përkon me gradën e thellë të humbjes së dëgjimit.” “Fëmijët që kanë një rënie dëgjimi në nivelet 90- 120 decibel  mund të jenë subjekt për të qenë shurdhë-memecë. Janë subjekte për të cilët nevojitet të kryhet Implanti Koklear, ndërhyrje që korrigjon një mangësi në dëgjim, dhe më tej edukimi i të folurit.” 


Rikuperimi i dëgjimit, vetëm pas lindjes 


Ekzaminimet e zakonshme që bën nëna gjatë një shtatzanie normale nuk zbulon dot nëse një fëmijë dëgjon apo jo. Mund të zbulohen vetëm defekte kongenitale të veshit në rastin e një keqformimi. Por nëse nuk bëhet ekzaminimi i amniocentezës nuk mund të zbulojmë se po lind një fëmijë shurdh. Ky ekzaminim nuk është rutinë dhe rekomandohet në rastet kur nëna ka një moshë mbi 35 vjeç dhe nëse ka një gravidancë në rrezik. Duke qenë kështu, çdo fëmijë duhet të ekzaminohet mundësisht që ditën e lindjes për aftësinë e tij dëgjimore në mënyrë që rasti të ndiqet sa më shpejt për të shmangur mundësinë e invalidizimit.


Ndotja akustike sjell probleme në aparatin e veshit


Mjekja otorhinolaringologe Sallavaci përmend disa faktorë që stimulojnë dhe dëmtojnë dëgjimin e njerëzve. Niveli i lartë i ndotjes akustike në vendin tonë ndikon drejtpërdrejt në uljen e dëgjimit. Kështu zhurmat e makinave në rrugë, dëgjimi i muzikës me zë të lartë, mbajtja e kufjeve pa kriter, ambienti i punës me shumë zhurmë, sjell humbje të dëgjimit. Më të dëmtuarit janë punëtorët e fabrikave dhe më pas janë fëmijët e shkollave të cilat janë buzë rruge. Të tilla janë “Vasil Shanto”, “Sami Frashëri”, “1 Maji”, “Sabaudin Gabrani” etj. “Nëse këto zhurma vijojnë për një kohë të gjatë dhe në mënyrë të vazhdueshme mund të dëmtojnë dëgjimin. Vlen të theksohet se dëmtimet janë të pakthyeshme, sado të lehta të jenë ato.”

Shtoni një koment
1 Komente
xhovana
jeni te mrekullueshem.flm per kuriozitetet qe na jepni
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

2 + 9 =