Extra

Si u ngrita në ajër të asgjësoja avionin jugosllav

  • 14 Mars 2013, 14:06

Leonard Veizi- “Komandant Kesi...” Emërtimi tej territorit të mbuluar me tabela imponuese: “ndal-zonë ushtarake”, nuk ka të bëjë aspak me atë që mbart me tërë kuptimin një uniformë elegante si ajo e forcave ajrore. Nëse je në shoqërinë e tij, duke pirë kafe a duke biseduar në një copëz rruge, do të dëgjosh t’i drejtohen vazhdimisht me të njëjtin kontekst: “Komandant Kesi...”. Për të gjithë ata që e njohin ai ka qenë dhe mbetet i tillë, dhe pse prej vitesh, në itinerarin e vazhdueshëm të një aviatori klasik, ka paraqitje krejt civile e pa asnjë shenjë dalluese mbi supe a kapelë. Por duket tanimë se e gjithë karriera e tij prej piloti e drejtues pilotësh, përmblidhet dukshëm në epërsinë që i jep ngjyrimi i këtij togfjalëshi, i cili në fakt, në sipërfaqen përçuese apo krejt në thellësi depërton veç si një term ushtarak prej eprori… ...Në familje, kthimi i tij ka qenë një ankth i vazhdueshëm, ndërsa ai brenda kabinës së vogël hermetike, në një lartësi të skajshme e pa asnjë pikë mbështetje, duhej të vepronte me përpikëri ekstreme, gjë e cila nuk i jepte fort kohë të mendohej për gjëra të rëndomta dhe as për komoditetin e tokës. Atje veç duhej t’i besonte instinkteve të tij prej profesionisti, dhe... Zotit, në rastin më të keq. Në jetëshkrimin e tij janë të shënuara më se 2000 orë fluturimi, më të shumtën me MIG-21, një supersonik i vështirë në drejtim, e ku në potencialin e Forcat Ajrore Shqiptare ishin atashuar 12 ekzemplarë. Thotë se një respekt të madh ruan për komandantët dhe mësuesit e tij Edip Ohri dhe Bardhyl Taçi. Më pas ai vetë do të ishte një drejtues në po të njëjtat nivele. Gjatë viteve rinore, pasionin më të madh e ka pasur për aktrimin. Për këtë arsye është angazhuar me trupën amatore të shkollës, duke marrë role të ndryshme teatrore. Por shton se pasion kishte gjithashtu edhe për fluturimin. Një dilemë e pashoqe sigurisht. Intriguese gjithashtu. Por në fund mendjen e ka ndarë nga më e rrezikshmja aventurë, a ndoshta një trill romantik nëse është dukur në fillim. Ish komandanti i Flotës Ajrore, kolonel Klement Aliko, thotë se edhe pse kishte dëshirë të bëhej pilot, në thellësinë e qenies së tij prej maturanti, nuk kishte asnjë lloj dëshire për të qenë një ushtarak. E megjithatë pranon se ka qenë një oficer i ashpër, gjë që me sa duket e ka nderuar thellësisht në punën e tij shumëvjeçare, gjatë të cilës nuk i është regjistruar asnjë katastrofë ajrorë. 


Mendoni se e keni arritur gjithçka në karrierën tuaj si ushtarak? 


Në të vërtetë unë nuk e kam pëlqyer asnjëherë karrierën edhe pse e pata një të tillë. Në vitin 1982 kur u emërova Komisar i Regjimentit të Gjadrit mbeta i shokuar. Më duhej të zëvendësoja një ushtarak karriere si Luto Sadikun, i cili ishte vrarë pak kohë më parë në krye të detyrës me MIG-21. Atëherë isha 32 vjeç. Habitesha me vete se si më besuan një detyrë me aq rëndësi, sepse mendoja se isha i ri. Ndërsa kur më emëruan si Komandant të Regjimentit, përgjegjësia ishte edhe më e madhe. Duhet të keni parasysh që në Shtab, kishte oficerë më të mëdhenj në moshë dhe më me eksperiencë, të cilët për shkak të detyrës duhet të merrnin urdhra nga unë, që në atë kohë isha 33-vjeç. Megjithatë unë mendoj se arrita ta kryeja detyrën që më ishte ngarkuar. 


Cila është situata më e ngarkuar që keni pasur në ajër? 


Më kujtohet një rast kur na duhej të fluturonim në katërshe me MIG-21. Për herë të parë bëhej një ushtrim i tillë, për shkak të rrezikshmërisë së paraqiste ky lloj fluturimi. Nuk kishim vetëm pak minuta që ishim ngritur, kur nga kulla e komandimit njoftohemi se kishte një shkelje ajrore. Mendohej që një avion i flotës jugosllave ishte futur deri në thellësi të ujërave tona, diku në zonën e detit Adriatik në afërsi të Durrësit. Mund t’u them se emocionet ishin vërtet të mëdha. Ajo që mendoja në ato pak çaste ishte se si do ta qëlloja avionin armik. Por mjetet e lokacionit në tokë nuk afronin shumë nga pikëpamja teknologjike, duke krijuar mungesë orientimi. Kur ne mbërritëm në pikën e caktuar avioni jugosllav ishte larguar. Menduam se do të zbrisnim me dekorata në tokë, por s’ndodhi ashtu. Megjithatë detyra u quajt e plotësuar. 


Po si drejtues i Aviacionit keni pasur ndonjë situatë të vështirë? 


Ka qenë një rast në vitin 1992. Sapo isha kthyer në shtëpi pas orarit zyrtar. Ishte ora 15.30, kur më njoftojnë me telefon se një avion, i cili kishte përfunduar remontin kapital në uzinën e Kuçovës dhe po kthehej në Rinas, nuk i hapeshin rrotat. U lidha me telefon me udhëheqësin e fluturimit. Ai me anë të radios më lidhi me pilotin. I dhashë udhëzimet e duhura. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe udhëheqësi e fluturimit. Ishte një çast tepër i rëndë. E gjithë familja ime ishte përqendruar në luftën e ankthshme që po bënim për të ulur një avion të cilit nuk i hapeshin rrotat. Pas 2-3 kalimesh mbi aeroport, rrotat u hapën dhe avioni u ul në pistë. Edhe tani sikur i kam në vesh zërat e udhëheqësit të fluturimit e të pilotit që dëgjoheshin nga radio nëpërmjet telefonit. Atëherë ndjeva diçka… si të them… ndoshta nuk isha më aq i ri dhe si fsheha dot lotët. 


Nga radhët e Flotës Ajrore ka dalë dhe një ministër mbrojtje? 


Më kujtohet që mëngjesin e asaj dite kur Perikli Teta, kryeinxhinier i Aviacionit, u emërua ministër, e kam thirrur në zyrë për t’i tërhequr vërejtjen për një problem që kishte të bënte me gatishmërinë e teknikës. Atë kohë isha me detyrën e Komandantit të Flotës Ajrore. Në mesditë Perikliu trokiti sërish në zyrë. E ftova të ulej megjithëse nuk më kishte dalë inati i mëngjesit. Çuditërisht ai më kërkoi një cigare, ndërkohë që prej disa vitesh nuk e pinte pasi e kishte të ndaluar nga mjeku. U habita dhe e pyeta se ç’kishte ndodhur. “Po ja, tani jam bërë ministri yt”, më tha. Nuk e besova dhe i thashë me mosbesim: “Ik o Pero, vazhdo punën”. Por ai ma ktheu me seriozitet se sapo ishte emëruar Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Stabilitetit. 


Çfarë ju ka emocionuar në profesion? 


Për shumë kohë kam qenë udhëheqës fluturimi. Kjo detyrë kishte shumë emocione. Ishte njësoj si të fluturoja në ajër së bashku me pilotët e tjerë që drejtoja nga toka. Për shkak të emocioneve, gjatë 6-8 orë start fluturimi që kryenim në një ditë, unë arrija të pija deri në tre paketa cigare. Nëpërmjet komunikimit dhe nuancave të zërit të pilotit, arrija të kuptoja se si po shkonte fluturimi, nëse gjithçka ishte në rregull, apo kishte probleme. Emocionet shtoheshin kur në ajër kishte 7-8 pilotë me detyra të ndryshme. Me termin e sotëm, ata duheshin “menaxhuar” të gjithë. 


Gjatë drejtimit keni pasur ndonjë katastrofë ajrore? 


Fatmirësisht nuk kam pasur asnjë rast të tillë. Nga ana ime kam qenë shumë i rreptë në përgatitjen e pilotëve. Të njëjtën rreptësi kam pasur edhe për teknikët e avionit. Ndëshkoja për shkeljet më të vogla, deri në përjashtimin nga fluturimi, kur shihja se një pilot nuk ishte përgatitur mirë.  


Në krye të aviacionit 


Klement Aliko u lind në 12 maj 1950 në Skelë të Vlorës. Gjimnazin e mbaroi Korçë. Vazhdon shkollën e Aviacionit në Vlorë. Në moshën 20 vjeçare titullohet “pilot gjuajtës-bombardues”. Një vit pas diplomimit, shkon në Kinë, ku specializohet në supersonikët MIG-17 dhe MIG-19. Në vitin 1972 emërohet si pilot në Regjimentin e Rinasit. Rreth një vit më vonë do të specializohej sërish, këtë herë për supersonikun MIG-21. Në vitet 1979-1981 vazhdon studimet gjitharmësh në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin 1981 emërohet zv/komandant i regjimentit të Gjadrit. Në vitin 1982 emërohet si komisar i po të njëjtit regjiment. Në mars 1983 emërohet komandant i regjimentit të Gjadrit. Në vitin 1988 përfundon kursin një vjeçar të Shtatmadhorisë. Në vitin 1990 emërohet Komandant i Aviacionit. Thotë se në 28 nëntor ‘91, kur u rikthyen gradat në ushtri, vetëm një ushtarak mori titullin e Gjeneralit, ndërsa drejtuesit e tjerë në kupolën e ushtrisë u graduan kolonel.  


Fuqia e armës së ajrit


 Rreth 200 ishte numri i avionëve, që përbënin armën e Aviacionit Luftarak Shqiptar. 95 avionë MIG-19-S, 12 avionë MIG-17, 12 avionë MIG-21, 3 avionë IL-14 për shërbime qeveritare 1 avion bombardues IL-28. 36 helikopterë MI-4. 12 avionë AN-2 transporti 1 ofiçinë për kapitalin e të gjithë tipave të avionëve që posedonte Shqipëria  


 


Gjenerali amerikan u habit nga niveli i pilotëve shqiptarë 


Nuk përbën asnjë çudi fakti që flota ajrore shqiptare ka pasur pilotë shumë të talentuar. Kolonel Klement Aliko kujton një rast të tillë, kur në pozitë vlerësimi do të vihej një gjeneral amerikan, i cili në rininë e tij kishte qenë pilot me F-16. “Në vitin 1992 vjen për vizitë komandanti i Bazës Amerikane të Shtudgardit në Gjermani. Gjenerali në fjalë kishte qenë pilot i F-16. Në planin e vizitës ishte parashikuar që gjenerali amerikan të vizitonte Bazën Detare të Shëngjinit. Një ditë para se të kryhej vizita në Shëngjin, ambasada amerikane në Tiranë organizon një pritje me rastin e vizitës së Komandantit të Bazës së Shtutgardit. Në ceremoni asistonin disa nga drejtuesit kryesorë të ushtrisë shqiptare, mes tyre dhe unë si komandanti i Forcave Ajrore. Gjatë pritjes Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i asaj kohe, Gjeneral Ilia Vasho, më njoftoi se piloti i F-16 kishte kërkuar të njihej edhe me Bazën e Gjadrit. Ishte krijuar përshtypja se në Shqipëri kishte avionë por nuk kishte pilotë”. Klement Aliko kujton t’i ketë thënë eprorit të tij se një gjë e tillë duhej parashikuar ditë më parë, pasi për çdo mysafir edhe një shtëpi e thjeshtë rregullohej, e jo më një bazë ajrore. Atëherë koloneli ka sugjeruar që të bëjë një demonstrim ajror gjatë kohës që Gjenerali dhe suita e tij vizitonin bazën e Shëngjinit. Gjenerali amerikan e mirëpriti sugjerimin e kolonelit shqiptar për të ndjekur një demonstrim të tipit: “Sulm kundër një baze detare”. “Preferova të merrja një MIG 17 dy vendesh, për t’i treguar pilotit të F-16 se nuk ishte vetëm një aviator shqiptar që dinte të pilotonte. Në orën 10.00 nisi demonstrimi i sulmit të bazës detare me ide taktike dhe në fund një pilotazh, në lartësi të ulët mbi bazën detare. Fluturimi u bë më poshtë se maja e direkëve të anijeve të bazës. Pas 10 minutash demonstrim marr sinjalin nga radio: “Largohu”. Edhe pse isha komandant i Aviacionit, gjatë periudhës së isha në ajër duhet t’i bindesha udhëheqësit të fluturimit. Megjithatë nuk e zbatova urdhrin. Mora parasysh çdo lloj rreziku deri në flijimin e vetes dhe të pilotit tjetër. Plotësuam detyrën deri në fund dhe më pas u larguam. Kur u takova me gjeneral Ilia Vashon në Tiranë më tha se gjenerali amerikan kishte ndjekur me vëmendje demonstrimin dhe në fund ishte shprehur: “Edhe te ne në Amerikë ka pilotë të tillë”. Më pas gjenerali me ftoi për vizitë në Shtudgard. Kjo vizitë u realizua dhe gjenerali më nderoi së bashku me familjen e tij”.   


 


Një pilot fluturoi 20 metra mbi plazh 


Padyshim që pilotët ishin një ekip ushtarakësh elitë, të cilët shiheshin me adhurim nga pjesa tjetër e popullsisë civile. E megjithatë ata ishin po aq të disiplinuar sa të mos e humbnin aureolën që kishin mbi kokë. Klement Aliko thotë se rrallëherë qëllonte të pilotët të thyenin disiplinën. “Në përgjithësi ata ishin korrektë në fluturim. Por na kanë ndodhur raste kur pilotët kanë fluturuar vetëm 20 metra mbi plazhin e Durrësit, duke u hequr çadrat pushuesve. Fluturime në kuotat të ulta kanë ndodhur edhe kur ndonjë pilot u kishte dhënë fjalën familjarë në fshat, se do ta shihnin si fluturonte në ajër. Në të gjitha rastet kam mbajtur qëndrim të rreptë. Por si drejtues fluturimi më takonte që të kontrolloja motin në të gjitha zonat ku ishte parashikuar të fluturohej. Atëherë më shkrepte të bëja dhe unë ndonjë thyerje disipline. Në të vërtetë unë e kisha kënaqësi kur pilotët e thyenin disiplinën, pasi edhe pse mbaja qëndrim të rreptë, me vete thosha se ata që merrnin para sysh një rrezik të tillë ishin pilotët më të mirë”.  


 


Me helikopterët e policisë 


Me MIG-21, avionin më modern që kishte flota luftarake shqiptare, mund të merrje një lartësi deri në 20 mijë metra nga toka. Por krejt ndryshe janë helikopterët. Duke folur për punën në drejtimin e tyre Klement Aliko thotë: “Fluturimet me helikopter janë shumë më të lehta se me MIG. Por këto fluturime kanë të tjera emocione. Ka shumëllojshmëri detyrash, që nga fluturimi me personalitetet e deri tek transportimi emergjent i të plagosurve, sëmurëve apo i forcave speciale në destinacionin për të luftuar krimin. Më ka qëlluar që të udhëtoj dhe me krerët e shtetit. Në përmbytjet dimërore të disa viteve më parë, probleme të mëdha nxori lumi i Osumit dhe Vjosës. Është rasti kur kemi nxjerrë dy ekskavatoristë. Për pak po mbyteshin. Fillimisht e kundërshtova urdhrin për ta kryer këtë detyrë pasi nga rrebeshi rrezikohej helikopteri me dy pilotët dhe zhytësit e RENEA-s. Osumi ishte në kuotat maksimale. Atëherë u urdhërua që të ndërhynin forcat e ushtrisë, për të shpëtuar jetën e dy ekskavatoristëve. Po përgatiteshin rreth 20 djem të rinj me varka. E ndjeva se po të ishte ndërmarrë një veprim i tillë të 20 ushtarët do të ishin mbytur. Rrjedha ishte shumë e rrëmbyeshme. Atëherë mora vendim që ta kryente grupi ynë këtë detyrë. Pasi u konsultova dhe me zhytësit e RENEA-s vendosëm të tërhiqnim nga ajri dy ekskavatoristët e mbetur në mes të Osumit të vrullshëm. Ishte një mision ku sakrifikuam shumë. Si përfundim nuk morëm asnjë falënderim nga instancat shtetërore. U zhgënjyem por në fund të fundit ne bëmë detyrën tonë. Ndërsa në një rast tjetër, teksa ktheheshin natën nga Shkodra, në Mamurras na qëlluan me armë. Morëm vesh se disa të rinj kishin parë dritën e helikopterit dhe e kishin marrë në shenjë për qejf. Ndërsa ne shihnim fishekët gjurmëlënës që na kalonin pranë. Ishim vërtet të rrezikuar. Por edhe gjatë përmbytjeve në Shkodër, gjatë një fluturimi kur kthehesha për në Tiranë e kam ndjerë veten ngushtë. Në afërsi të Lezhës, kur po binte mbrëmja, filloi një erë që kapte shpejtësinë e 100km/orë. Helikopteri u bë i pakomandushëm. Më vështirësi jam ulur në pistën e Gjadrit”.


Shtoni një koment
12 Komente
U.P
E mer Sal e sheh mir keq ishim fuqi e vogel per ballkan te pakten psikologjikisht e grekut e sllavit (miqve te berishes) ja benim rrup sup, prandaj e shkateerove ushtrine se ishte hale ne sy e serbeve te anes se Milices or plehre.
titi
Nderime komandant ! Keta jane burrat e vertete te Shqiperise !
Pa Emër
Dua te permend vetem inventarin e avioneve qeka patur ne ate kohe sistemi komunist,po sot cfare kemi.
Mark uk
Une u nisa per te shkuar ne hene,po u erre nata dhe u ktheva.Edhe piloti sa u nis per ta detyruar avionin jugosllave per tu dorzuar,po kishte ikur.Prralla komunistesh.
shkreli
Un e kam njoft personalisht, Per mua njeri shum perfekt ai dhe shum koleg te tij i kujtoj me rrespekt. Ndryshe dote kishin shkuar punet ne Shqipri sikur te kishin drejtuar njerz te tille. I uroj familjarisht gjith te mirat atij dhe kolegve si Shahin Guraj, Maksim Shehu , Martin Bregu ,Pjeter Biba, Lulash Marku e shum te tjer.....
shkreli
Un e kam njoft personalisht, Per mua njeri shum perfekt ai dhe shum koleg te tij i kujtoj me rrespekt. Ndryshe dote kishin shkuar punet ne Shqipri sikur te kishin drejtuar njerz te tille. I uroj familjarisht gjith te mirat atij dhe kolegve si Shahin Guraj, Maksim Shehu , Martin Bregu ,Pjeter Biba, Lulash Marku e shum te tjer.....
Pa Emër
Mark uk.
Po habin e vlersimit te gjeneralit Amerikan qe ish shprehur se Shqiperia ka avion po jo pilot.Ne fund u shpreh:
,??Edhe te ne në Amerikë ka pilotë të tillë,??.
Tashti ti byk uk,pirdhu mos merr guximin te shprehesh mendime se je bajat.E din vetveten te madhnushem po vetem krunde permban kafka e yte.
mergimtari fv
Mark, ky pilot me te gjithe ushtaraket jane bij te Shqiperise qe japin jeten per atdhe , jo si ti mor hale qe çdo gje e lidh me komunizmin , ti ke shit dhent e droge qe shkove klandestin ne UK dhe na ben trimin anti-komunist .
Beni
Respekt dhe nderim te vecante per te gjithe ata pilote trima, profesioniste dhe njerez te medhenj. Ata kane qene heronj te vertete. Bij fshataresh qe drejtonin tekniken e fjales se fundit. Shikoni tani ku eshte katandisur flota shqiptare, gjoja anetare e NATO-se!
balo-qeni
Komandant Keci respekt per ju keni qene pilot e njeri i mire.Por nje gje nuk e hoqe qe nuk e hoqe MBETE KOMUNISTE edhe tani kengen e Enverit kendon.me ngjave mua qe QEN qe QEN mbeta nuk ndryshova edhe tani kengen e qenit po kendoj.
balo-qeni
Komandant Keci respekt per ju keni qene pilot e njeri i mire.Por nje gje nuk e hoqe qe nuk e hoqe MBETE KOMUNISTE edhe tani kengen e Enverit kendon.me ngjave mua qe QEN qe QEN mbeta nuk ndryshova edhe tani kengen e qenit po kendoj.
Pa Emër
po




Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

1 + 4 =