Jetë

“Askush nuk mund ta burgosë idenë për bashkim kombëtar”

  • 22 Mars 2013, 07:17
  • Përditësuar 14:00

Valeria Dedaj -Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit të Kosovës promovoi dje në ambientet e Akademisë së Shkencave në Tiranë librin “Pavarësi dhe personalitete”. 100- vjetorin e Pavarësisë Krasniqi e cilëson si momentin e duhur për të kujtuar personalitetet që mundësuan një Shqipëri të lirë dhe të Pavarur. Libri ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë është “ Dy pavarësisë shqiptare” dhe “Personalitete”. Në pjesën e parë libri trajton: “Shpalljen e pavarësisë në 28 nëntor 1912”, “Konteksti ndërkombëtar i shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008”, “Kontrolli ndërkombëtar i pavarësive”, Në pjesën e dytë: “ Integriteti i personaliteteve të lirisë”, “Ismail Qemal Vlora”, “Hasan Prishtina”, “Isa Boletini”, etj. Një kapitull të pjesës së dytë ja ka kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Adem jasharit dhe Ramiz Cernicës “Me Serbinë-jo! Me Shqipërinë- Po! Të tre, sipas autorit Jakup Krasniqi janë personalitete të mëdha të vendit tonë që ndoshta nuk e kanë pasur vendin aty ku i ka vendosur. “ I kam vendosur pse i konsideroj personalitet me një integritet të veçantë të historisë sonë të lashtë dhe të re. Ramiz Cernicën e kam sjellë si përfaqësues të Kuvendit në Prizren më 10 korrik të vitit 1945”. Ai mendon se Ramiz Cernicës në Kosovë nuk i është dhënë vendi që meriton. Pasi fjalët që ai ka thënë “Me Serbinëjo! Me Shqipërinë- Po!” tregojnë më së miri për vlerat që ka. Sipas Krasniqit, Cernica asokohe ka qenë në një moshë të thyer dhe djalin e kishte të burgosur nga gjykata e vendit me burgim të përjetshëm, por ai nuk hezitoi të tregohet i drejtpërdrejtë dhe pse u dënua me 20 vite burg. “Kam shkruar për këtë personalitete sepse mendoj se kanë pasur diçka të veçantë në atë kohë. Sepse në rrethana jo të lehta janë përpjekur që ne të jemi këtu ku jemi sot”, tha profesor Krasniqi. Gjatë promovimit Krasniqi tha se nuk mendon që një histori mund të fillojë me një brez apo me një tjetër. “Jam i bindur që historia e popullit tonë ka të vërteta tepër të vjetra”, vazhdon ai. Fakti që një popull kaq i vjetër dhe me rrënjë kaq të thella në histori, por që shkrimin e ka aplikuar shumë vonë është diçka që e ka habitur përherë. Shumë të huaj, sipas tij, nuk e kuptojnë dot sesi arriti populli jonë ta ruajë unitetin kombëtar, edhe pa e shkruar historinë. Kjo është një e veçantë që shumë pak popuj e kanë. Profesori tregon se ka pasur dëshirë që të shkruajë më shumë për fenomenin e pavarësisë, por angazhimet nuk ia kanë lejuar. Një nga fenomenet që ka dashur të shkruajë më tepër pas pavarësisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është lufta e zhvilluar për koncesione, për pasuritë e Shqipërisë dhe për ato të Kosovës. “Kjo mendoj se është një fushë që duhet të hulmutohet dhe të qartësohet më shumë. Kur e them këtë kam parasysh faktin se populli ynë as në vitin 1912, as në vitin 1944 nuk ka qenë një vend pa intelektualë të nivelit të lartë, pa njerëz të përkushtuar për atdheun”, thotë Krasniqi. Por pse është marrë vetëm më këta personalitete? A ishte vullneti i tij që të merret vetëm me këta?Ai jep një përgjigje të tillë. “Sigurisht që jo. Historia jonë ka shumë personalitete dhe ngjarje historike që meritojnë të rishikohen dhe të rishkruhen. Jam ndalur tek disa personalitete të periudhës së Shqipërisë sepse kam qenë i bindur se këto personalitete kanë pasur një dashuri të veçantë që ngritja intelektuale te arrijë në një nivel të lartë”. Profesori i qëndron mendimit se pavarësia e Shqipërisë është shpallur në 28 nëntor 1912. Problemet që sipas tij, cënojnë pavarësisë e Kosovës në vitin 2013 vijnë nga politikat e vjetra që udhëhiqen nga Beogradi. Mirëpo këto, sipas profesorit, nuk e lëndojnë shumë në krahasim me mossundimin e rendit dhe të ligjit në mënyrën e duhur. Një vend të rëndësishëm në libër zënë dhe motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi për veprimtarinë pioniere të shkollës shqipe që asokohe. Duke u nisur nga kjo, Jakup Krasniqi thotë se zëri i femrës zë një vend të rëndësishëm në Kuvendin e Kosovës, pasi një e treta janë femra, por zëri i tyre duhet të jetë ende më i fuqishëm. Në një nga kapitujt e librit flitet dhe për administrimin ndërkombëtar si “barrë” apo “lehtësim”. Si janë sot? “Në kohën kur kanë qenë të vendosura këto administrata ndërkombëtare kanë qenë dhe “barrë” dhe “përparësi”. Me kalimin e kohës, me kalimin e viteve ne nuk flasim për barrën që ka pasur Shqipëria, por vetëm për përparësitë. Kështu do të ndodhë dhe me pavarësinë e Kosovës më vonë. Pavarësisht se në fakt ato janë dhe barrë dhe përparësi”, thotë Krasniqi. Kurse përpjekjet për bashkim kombëtar ai nuk i cilëson kurrsesi si cenuese për politikën ndërmjet shteteve. “Idetë e mëdha kanë vështirësi kudo dhe në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar të realizohen, por idetë jetojnë dhe nuk ka asnjë që ti mbyll dhe ti burgosë”, përfundon Krasniqi.  


Bio 


Dr. Jakup Krasniqi është një nga personalitetet më të mëdha politike të Kosovës. Pas kryerjes së studimeve në Fakultetin Filozofik, dega Histori, iu përkushtua krahas punës së pedagogut dhe veprimtarisë klandestine politike. I burgosur politik (1981-1991), veprimtar i pakursyer, fillimisht në LDK (anëtar i Kryesisë), deputet i parlamentit të dalë nga zgjedhjet e para “të lira” (1992-1998) do të zhvillojë veprimtari politike-ushtarake qysh nga formacionet e para klandestine, që çuan në formimin e UÇK-së. Mori pjesë në Konferencën e Rambujesë, ka qenë ministër i Shërbimeve Publike nga radhët e PDK-së. Nga zgjedhjet e vitit 2007 dhe 2012 është kryetar i Parlamentit të Kosovës. Është doktorant i historisë, dhe ka botuar tetë libra si “Kthesa e madhe- Ushtria Çlirimtare e Kosovës” (2006), “ Një luftë ndryshe për Kosovës” (2007), “Pavarësia si kompromise” (2010), “Kosova në kontekst Historikë”, “Pranverë e Lirisë” (2011), “Flijimi për Lirinë” (2011) etj.


 


Pëllumb Xhufi: Ky libër është një refleksion mbi historinë tonë kombëtare 


Për historianin Pëllumb Xhufi ky libër është një refleksion i dokumentuar mbi historinë tonë kombëtare, mbi momente vendimtare, mbi engjëjt, por dhe mbi djajtë e tij. Sipas tij, pyetjet që shtron profesor Jakup Krasniqi dalin përtej vijës së llogoreve ideologjike-politike në të cilat jemi të shtrënguar të vendosemi shpesh herë ne shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Ai e cilëson pozitive faktin që ai arrin t’i japë një përgjigje të prerë pyetjes dramatike se kush e bëri Shqipërinë? Shqipërinë në kuptimin e gjerë në vitin 1912 dhe në vitin 1999. Kush kishte tentuar ta bënte atë në vitin 1878. Kush e mbrojti dhe e riafirmoi në vitin 1920 apo në 1944? “Analiza e thellë të çon në konkluzionin se Shqipërinë e bënë idealistët dhe luftëtarët, të mishëruar në figurat monumentale. Ndonëse të lëna pa monumente ose me monumente të rrëzuara.” Ai fillon të radhisë të gjithë me radhë që nga rilindësit e prirë nga vëllezërit Frashri dhe Vaso Pasha me shokë, Ismail Qemal Vlora quhet prej tij kryekrushku i pavarësisë së Shqipërisë. Njeriu që diti të kapë trenin e fundit për Shqipërinë nga shpërbërja përfundimtare e saj. Hasan Prishtina është një kryekryengritësi i Shqipërisë. Njeriu që pati nderin dhe privilegjin të dënohej me vdekje nga patixhahu i stambollit, nga krajli i Serbisë, por dhe nga mbreti i Shqipërisë. Patrioti dhe luftëtari shqiptar që deshi t’i marrë hakun Ismail Qemalit kur e fyen në parlamentin turk. Një hero që u vra nga Ahmet Zogu, nga njeriu që armët i përdori vetëm kundër shqiptarëve ndërsa u shiste armiqve të Shqipërisë interesat e vendit. E kështu portretizohen me radhë Luigj Gurakuqi, Çerçiz Topulli, motrat Qeriazi etj. 


  


Politikani pa kulturë politike, është i përkohshëm 


Moikon Zeqo- Libri “Personalitete dhe Pavarësi”. Sipas studiuesit Moikom Zeqo ky libër ka tre karakteristika kryesore, së pari një besnikëri të kronologjisë historike, së dyti konceptualiteti historik dhe së treti moraliteti historik. Ky libër sipas Zeqos është me interes për studimin në rrafshin komplementar mbi pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 dhe atë të Kosovës më vitin 2008. “Ky libër është i rëndësishëm sepse vë një gardh pengues, vë qartësisht një kufi për të gjitha ato teori kombëshkatërruese që kanë gjallëruar në këto 20 vite.” Sipas tij, kemi thyer rekordin me subjektivizmin, me klientelizmin, me idiotësinë, me mungesën e kulturës politike, me mungesën e kulturës historike sa i përket çështjes kombëtare. “Vepra e profesor Krasniqit tregon se politikani që nuk ka kulturë të lartë politike, nuk ka integritet moral është krejtësisht i përkohshëm në këtë botë. Me mbarnim e mandateve, përgjithësisht ndodh që politikanët kthehen në anonim dhe ky është një mësim shumë i rëndësishëm për politikën e sotme në Shqipëri dhe në Kosovë.” 


Shtoni një koment
6 Komente
Astriti
jo te faleminderit bashkime me keta kriminel dhe pedofila, kemi boll....?
vladimir
bravo.politika rrogetare duhet shkundur nga plogeshtia,gjumi i rroges se sigurte.kush nuk do te miren e vendit te zhduket nga lista e te zgjedhurve.populli dhe tokat shqiptare jan 1,dhe vetem 1.
K.Soto
Idete e njeriut ne mendjen e tij askush s'i burgos dot.
drini
bashkimin kombetar se ndalon askush.ajo eshte e pashmangshme.le te marrim shembullin e 2 gjermanive,e jo te 2 koreve.
Pi Pap PuP Pi
Me referendum zgjidhet cdo gje paqesisht. Vetem mos lini Salen te numeroje votat.
Lili
Me kujtohet nje shprehe franceze qe thuhet eshte fjale e Gambetta-s,y penser toujours n'en parler jamais per provincen franceze alsacelorrainen. Edhe ne pra bashkimin gjithmone ne koken tone ta kemi,po mos te flasim teposhte perpjete pa lidhje per te
Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

9 + 9 =