Jetë

Fëmijët e emigrantëve, procedurat për të vazhduar studimet e larta

  • 26 Mars 2013, 13:51

Emanuela Sako 


-Fluksi i emigrantëve të sapokthyer në atdhe duhet të përballet edhe me problemet e studimeve të fëmijëve, që duhet të ndjekin në vend. Këtë vit akademik sistemi arsimor është përballur me një numër të lartë të kthyerish nga emigrimi, por më problematike është vazhdimi i studimeve të larta në vend, i cili kërkon ekuivalentimin e diplomës dhe njohjen e mirë të gjuhës shqipe për të vazhduar studimet e larta. Për t’u dhënë përgjigje disa pikëpyetjeve, gazeta “Shekulli” ka folur me Shefin e Arsimit Parauniversitar, në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, i cili shpjegon procedurat që duhet të ndjekë një maturant i sapokthyer nga emigrimi. Kategoria e emigrantëve dhe ata që nuk kanë konkurruar vitet e tjera për arsye të ndryshme përbëjnë 5 mijë persona. Ndërkohë që bëhet e ditur se numri i kandidatëve që kanë plotësuar Formularin A1 deri më tani është 35 mijë persona. Formulari A1Z (që do të plotësohet nga maturantët e kthyer nga emigrimi, nga mbetësit e viteve të kaluara, apo ata që nuk kanë konkurruar ndonjëherë) për maturantët e sapokthyer nga vendet e huaja do të nisë në 1 prill dhe do të përfundojë në 5 maj. 


Duke pasur parasysh që ka pasur një fluks të kthimit të emigrantëve në vend dhe fëmijët e tyre do të konkurrojnë për në universitet, a ka Ministria e Arsimit një shifër të saktë të kësaj kategorie të maturantëve? 


Numri i kërkesave është i papërcaktuar për momentin, sepse afati i plotësimit të Formularit A1Z nuk është ezauruar. Afati i fundit i plotësimit të Formularit A1Z është data 5 maj. Aktualisht, në këtë periudhë janë ende duke dorëzuar diplomat fëmijët e emigrantëve shqiptarë që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2013. Pra, janë duke aplikuar ata që e kanë përfunduar përfunduar shkollën e mesme gjatë vitit 2012 e më parë, të cilët duan të vazhdojnë shkollën e lartë në vendin tonë. 


Çfarë do të bëhet me kategorinë tjetër të emigrantëve që e mbarojnë shkollën e mesme gjatë vitit 2013? 


Kjo kategori e maturantëve që mbarojnë jashtë vendit shkollën e mesme për vitin 2013 dhe që kërkojnë të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri, kanë një mundësi tjetër në sezonin e dytë të aplikimeve për Maturën Shtetërore. Pra, janë sesioni i verës dhe i vjeshtës, ku sesioni i parë është ky që po kryhet dhe sesioni i dytë është është ai i shtatorit. Në shtator dihet që ka dhe kuota të paplotësuara dhe këta mund të përfitojnë nga këto kuota për t’u futur në një nga degët e universiteteve. Por, kjo nuk do të thotë që këta të mos e humbasin një vit dhe të vijnë në vitin e ardhshëm.


Çfarë dokumentesh duhet të dorëzojnë maturantët që vijnë nga emigracioni?


 Maturanti duhet të dorëzojë kërkesën për njehsimin e diplomës. Ata dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dëftesën e të gjithë viteve të shkollës së mesme, si dhe diplomën e shkollës së mesme. Komisioni i posaçëm për njehsimin e diplomave, i ngritur në MASH, bën vlerësimin e dokumentacionit, që të vërtetojë nëse shkolla që ka mbaruar maturanti është shkollë e mesme. Por, gjithashtu do të verifikojnë nëse shkolla që kanë mbaruar është e barasvlershme me gjimnazin tonë. Ata do të verifikojnë nëse maturanti që vjen nga gjimnazi i ndonjë shteti tjetër ka dhënë provimet me detyrim dhe me zgjedhje. Nga ana tjetër, duhet të kryhet nxjerrja e notës mesatare të viteve të shkollës së mesme. Kjo do të bëhet sepse një kandidat që kërkon të shkojë në universitet duhet të plotësojë 5 elementë: notën mesatare, D1 që është nota e provimit të Letërsisë, notën e Matematikës dhe dy notat e lëndëve me zgjedhje. 


Çfarë mund të ndodhë në rastet kur maturanti nuk i ka kryer provimet me detyrim ose ato me zgjedhje, sepse sistemi i shkollës që ka mbaruar nuk i ka pasur pjesë të tij? 


Ai duhet të japë një ose më shumë lëndë të detyruara dhe një ose më shumë lëndë me zgjedhje. Janë gjëra teknike që i përcakton komisioni. Komisioni e ka për detyrë që të thotë nëse maturanti e ka mbaruar shkollën e mesme ose jo, sa e ka mesataren dhe çfarë detyrimesh ka ai për Maturën Shtetërore. Për shembull, ata që kanë mbaruar sistemin e shkollës së mesme në Greqi nuk kanë asnjë detyrim sepse shkolla që ata kanë përfunduar i kanë dhënë provimet me detyrim dhe zgjedhje. Ndërsa ata që vijnë nga Italia kanë dhënë provimet me detyrim, por nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje. Kështu, që të gjithë fëmijët e emigrantëve që vijnë nga Italia duhet t’i nënshtrohen provimeve me zgjedhje. 


Cilat janë kategoritë e maturantëve që do t’i nënshtrohen testit të gjuhës shqipe? 


Në bazë të kushteve të Maturës Shtetërore duhet domosdoshmërisht që të dinë gjuhën shqipe, sepse nuk ka se si të vazhdojnë studimet e larta nëse nuk njohin gjuhën shqipe. Në qoftë se ata kanë bërë shkollën 9-vjeçare në Shqipëri dhe kanë vazhduar shkollën e mesme jashtë vendit, ata detyrimisht që e dinë gjuhën shqipe dhe nuk kanë pse t’i nënshtrohen provimit. Ndërsa maturantët që nuk e kanë bërë në Shqipëri shkollën 9-vjeçare, por kanë lindur jashtë vendit, ose kanë lindur në Shqipëri dhe nuk kanë kryer studimet e duhura në vend, ata do t’i nënshtrohen testimit të gjuhës shqipe. Ata duhet të japin testin e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe. Ata që vijnë nga trojet: Kosova, Maqedoni, Mali i Zi dhe që kanë bërë gjuhën shqipe nuk kanë të drejtë të japin testin e gjuhës. 


Kur fillon plotësimi i Formularit A1Z për fëmijët e emigrantëve që do të konkurrojnë në Maturën Shtetërore? 


Formulari A1Z për këtë kategori do të fillojë pas datës 1 prill dhe do të përfundojë në datën 5 maj. 


Shkollat 9-vjeçare, ulet kalueshmëria dhe nota mesatare 


Nxënësit e 60 shkollave 9-vjeçare në kryeqytet kanë kalueshmëri dhe notë mesatare më të ulët se një vit më parë. Në mbyllje të semestrit të parë, kalueshmëria e nxënësve ka qenë 94 për qind, krahasuar me 97.7 për qind nxënës kalues të një viti më parë. Po ashtu edhe nota mesatare ka pësuar një rënie të lehtë, vetëm në përfundim të semestrit që sapo u mbyll. Treguesi më pozitiv është raporti i mungesave për nxënës i cili ka pësuar një rënie të ndjeshme. Në mbyllje të semestrit raportohen 10.6 mungesa për nxënës, nga 27.5 të një viti më parë. Specialistja e statistikave pranë Drejtorisë Arsimore të Tiranës, Anila Avdia bën të ditur për “Shekullin” të dhënat që janë përpiluar nga drejtoria pothuaj një muaj pas mbylljes së semestrit. “Këto të dhëna jepen paraprakisht, pasi vetëm në fund të vitit shkollor bëhen analizat vjetore të cilat vërejnë pika më të detajuara, ku ka çaluar procesi mësimore dhe një analizë më e detajuar e kurrikulave. Po ashtu bëhet edhe një listim i shkollave bazuar në meritat e gjithsecilës.” Në raport secila nga shkollat jep të dhëna lidhur me kalueshmërinë, notën mesatare dhe mungesat për nxënës të cilat dorëzohen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë. Kjo e fundit i dërgon raportin Ministrisë së Arsimit, e cila nga ana e saj bën një përpunim të mëtejshëm të këtyre të dhënave. Kjo analizë semestrale ka vite që nuk bëhet në shkollat e mesme. Kurrikula e re parashikon që të ketë vetëm një raport vjetor të performancës së shkollave të mesme. 


Procedura 


Maturantët harrojnë password-in, regjistrimi me praninë e administratorit 


Një pjesë e maturantëve që kanë kryer plotësimin e Formularit A1 kanë harruar password-in, i cili ka rolin e një kodi që do t’u hapë dyert për të marrë vesh nëse shpallen fitues në universitet. Duke qenë se sistemi i sivjetshëm për Maturën Shtetërore 2013 është tërësisht online, atëherë edhe problematika është më e madhe. Ministria e Arsimit është e vendosur që asnjë nga maturantët të mos rrezikojë për shkak të këtyre problemeve, por të gjithë duhet të përfshihen në procesin e konkurrimit. Të gjithë ata që kanë futur të dhëna të pasakta ose kanë harruar password-in do t’u jepet sërish mundësia për të përfunduar regjistrimin e saktë. Pas përfundimit të regjistrimit të të gjithë maturantëve, do të jetë një fazë tjetër para përmbylljes së procesit të plotësimit të Formularit A1, për t’u regjistruar përfundimisht. Plotësimi i formularit do të bëhet nën mbikëqyerjen e një administratori, i cili do të orientojë maturantin për plotësimin e saktë. “Maturantët do ta plotësojnë në shkollë në praninë e mbikëqyrësit, që është një mësues. Edhe kur maturantët kanë gabuar, atëherë ata do ta plotësojnë sërish Formularin A1”, shprehet Vejsiu. 


Gazeta 'Shekulli' iu kërkon gjithë lexuesve të saj, që mundësisht të mos përdorin sharje, fyerje denigruese ndaj dinjitetit njerëzor nëpër komente. Në vend të tyre, faktet dhe argumentet tuaja logjike mund të jenë shumë më të fuqishme pa to. Me respekt dhe falemnderit për pjesëmarrjen tuaj, mjaft të vlefshme në punën tonë!

Ftojmë lexuesit, që nëse kanë opinione mbi shkrimet e botuara te 'Shekulli' apo mbi tema të tjera të lira, mund të na kontaktojnë në adresën: komente@shekulli.com.al

Shtoni një koment

8 + 7 =